Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lakmia

Lakmia

Lakmia

(Ky artikull është një përkthim nga libri Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 1, faqet 1005-1006, anglisht)

Dëshirë e tepruar ose e pangopur. Folja hebraike chamadhʹ dhe folja greke epithymeʹo kanë kuptimin «dëshiroj». (Psalmi 68:16, Mateu 13:17) Disa herë, këto fjalë, sipas kontekstit, mund të kenë kuptimin e një dëshire të keqe dhe egoiste. (Eksodi 20:17; Romakëve 7:7) Fjala greke pleonexiʹa fjalë për fjalë do të thotë «dëshirë për të pasur më tepër» dhe përdoret në Bibël për të treguar «lakminë» dhe «zilinë».—Efesianëve 4:19; 5:3, shënimi, BR; Kolosianëve 3:5.

Lakmia mund të shfaqet me dashurinë për para, dëshirën për pushtet a përfitime ose pangopësinë për ushqim e pije, për seksin a për gjëra të tjera materiale. Shkrimet i paralajmërojnë të krishterët në lidhje me këtë karakteristikë rrënuese dhe i urdhërojnë që të shmangin shoqërinë me këdo që e quan veten «vëlla» të krishterë, por që praktikon lakminë. (1 Korintasve 5:9-11) Personat lakmitarë radhiten bashkë me kurvarët, idhujtarët, kurorëshkelësit, burrat e mbajtur për qëllime të panatyrshme seksuale, hajdutët, pijanecët, sharësit e zhvatësit dhe, në të vërtetë, personat lakmitarë në përgjithësi i bëjnë disa nga këto gjëra. Nëse një individ nuk largohet nga lakmia e tij, nuk do të trashëgojë Mbretërinë e Perëndisë.—1 Korintasve 6:9, 10.

Duke dënuar të folurin e pamend dhe shakatë e ndyra, apostulli Pavël urdhëron që kurvëria dhe ndyrësia ose lakmia «as të mos përmenden ndër ju». Kjo mund të nënkuptojë jo vetëm që këto praktika nuk duhet të ekzistojnë ndër të krishterët, por as nuk duhet të jenë objekt i bisedave të tyre, me qëllimin që të kënaqin mishin.—Efesianëve 5:3; krahaso Filipianëve 4:8.

Shfaqet me veprime. Lakmia do të shfaqet në ndonjë veprim të dukshëm që do të zbulojë dëshirën e gabuar dhe të tepruar të personit. Shkrimtari biblik Jakovi na thotë se dëshira e gabuar, kur është bërë pjellore, lind mëkatin. (Jakovit 1:14, 15) Prandaj, personi lakmitar mund të dallohet nga veprimet e tij. Apostulli Pavël thotë se të jesh lakmitar do të thotë të jesh idhujtar. (Efesianëve 5:5) Nga dëshira e tij lakmitare, një person i tillë e bën gjënë e dëshiruar perëndinë e vet, duke e vënë mbi shërbimin dhe adhurimin ndaj Krijuesit.—Romakëve 1:24, 25.

Të ndan nga Perëndia. T ë krishterët kanë dalë nga bota e mbushur me të gjitha format e sjelljes së keqe. Pavli thekson se këto gjëra jo vetëm që kryhen, por bëhen edhe me lakmi, kërkohen me lakmi. Personat që praktikojnë këto gjëra janë «të ndarë nga jeta që i përket Perëndisë». Ata që bëhen të krishterë zbulojnë se Krishti, Shembulli i tyre, nuk i kishte këto gjëra, kështu që duhet ta përtërijnë mendjen e tyre, duke veshur personalitetin e ri të krishterë. (Efesianëve 4:17-24; Romakëve 12:2) Në të njëjtën kohë, jetojnë mes njerëzve lakmitarë të botës dhe duhet të jenë të kujdesshëm për të mbajtur pastërtinë si ndriçues në botë.—1 Korintasve 5:9, 10; Filipianëve 2:14, 15.

Lakmia për fitim të pandershëm do ta skualifikonte një burrë për të qenë shërbëtor ndihmës në kongregacionin e krishterë. (1 Timoteut 3:8) Meqë këta burra duhet të jenë si shembuj para kongregacionit, rrjedhimisht, parimi zbatohet për të gjithë anëtarët e kongregacionit. (1 Pjetrit 5:2, 3) Kjo është e vërtetë veçanërisht duke pasur parasysh pohimin e Pavlit se personat lakmitarë nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë.—Efesianëve 5:5.

Zilia. Kur ka si objekt diçka që i përket një tjetri, lakmia kthehet në zili. Në Shkrimet e Krishtere Greke, për «lakmi» dhe «zili» përdoren të njëjtat fjalë greke. Jezu Krishti tha se zilia e ndot një njeri (Marku 7:20-23) dhe paralajmëroi kundër saj. Pas këtij paralajmërim, dha ilustrimin e të pasurit ziliqar i cili, kur vdiq, nuk kishte më dobi nga pasuria e tij ose kontroll mbi të dhe ishte, gjithashtu, në gjendje të mjerueshme pasi nuk ishte «i pasur kundrejt Perëndisë». (Luka 12:15-21) Të krishterëve u thuhet se jeta e tyre është «fshehur me Krishtin» dhe se, për këtë arsye, ata duhet t’i bëjnë të vdesin gjymtyrët e trupit të tyre në lidhje me zilinë, dëshirat e dëmshme dhe çdo ndyrësi.—Kolosianëve 3:3, 5.