Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Populli i rivendosur i Jehovait e lavdëron atë në mbarë tokën

Populli i rivendosur i Jehovait e lavdëron atë në mbarë tokën

Populli i rivendosur i Jehovait e lavdëron atë në mbarë tokën

«Do t’u jap popujve në këmbim një gjuhë të pastër, në mënyrë që të gjithë ata të thërrasin emrin e Jehovait.»—SOFONIA 3:9, BR.

1. Përse u përmbushën mesazhet e dënimit për Judën dhe për kombet e tjera?

SA TË fuqishme ishin mesazhet e gjykimit që shpalli Sofonia, i frymëzuar nga Jehovai! Ato fjalë dënimi u përmbushën në kombin e Judës dhe në kryeqytetin e saj, Jerusalemin, sepse udhëheqësit dhe populli në tërësi, nuk po bënin vullnetin e Jehovait. Kombet përreth, si Filisteja, Moabi dhe Amoni, do të provonin, gjithashtu, zemërimin e Perëndisë. Pse? Për shkak të kundërshtimit mizor që i kishin bërë prej shekujsh popullit të Jehovait. Për të njëjtën arsye, fuqia botërore e Asirisë do të shkatërrohej, për të mos u rivendosur më kurrë.

2. Me sa duket, kujt iu drejtuan fjalët e Sofonisë 3:8?

2 Gjithsesi, në Judën e lashtë kishte disa individë të prirur në mënyrën e duhur. Ata pritnin me padurim ekzekutimin e gjykimit hyjnor kundër të ligjve dhe, siç duket, ishin ata të cilëve iu drejtuan këto fjalë: «Më prit,—thotë Zoti,—kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim; po, gjithë dheu do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë sime.»—Sofonia 3:8.

«Një gjuhë të pastër» për kë?

3. Cilin mesazh shprese u frymëzua të shpallte Sofonia?

3 Vërtet, Sofonia shpalli mesazhin e Jehovait për dënim. Por, gjithashtu, profeti u frymëzua që të përfshinte një mesazh të mrekullueshëm shprese, një mesazh që do të ishte shumë ngushëllues për ata të cilët vazhdonin të ishin besnikë ndaj Jehovait. Siç shkruhet te Sofonia 3:9, Perëndia Jehova shpalli: «Në atë kohë, unë do t’u jap popujve në këmbim një gjuhë të pastër, në mënyrë që të gjithë ata të thërrasin emrin e Jehovait, për t’i shërbyer krah për krah.»—BR.

4, 5. (a) Çfarë do të ndodhte me të padrejtët? (b) Cilët do të nxirrnin dobi nga kjo dhe përse?

4 Do të kishte njerëz, të cilëve nuk do t’u jepej gjuha e pastër. Profecia i përmend ata, duke thënë: «Do të largoj nga mesi yt ata që gëzohen [me fodullëk, BR].» (Sofonia 3:11) Pra, fodullët që shpërfillnin ligjet e Perëndisë dhe që praktikonin padrejtësinë, do të zhdukeshin. Cilët do të nxirrnin dobi nga kjo? Te Sofonia 3:12, 13 thuhet: «[Unë Jehovai] do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit. Mbetja e Izraelit nuk do të kryejë paudhësi dhe nuk do të thotë më gënjeshtra, as do të gjendet në gojën e tyre një gjuhë gënjeshtare; sepse ata do ta kullotin kopenë e tyre, do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë.»

5 Një mbetje besimplotë në Judën e lashtë do të nxirrte dobi. Përse? Sepse kishin vepruar në harmoni me fjalët: «Kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët e tokës që keni praktikuar vendimin e Tij gjyqësor. Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë. Mbase mund të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.»—Sofonia 2:3, BR.

6. Çfarë ndodhi në përmbushjen e parë të profecisë së Sofonisë?

6 Në përmbushjen e parë të profecisë së Sofonisë, Perëndia e ndëshkoi Judën pa besim duke lejuar që fuqia botërore babilonase ta pushtonte atë dhe ta merrte rob popullin e saj në vitin 607 p.e.s. Disa, duke përfshirë edhe profetin Jeremia, u kursyen dhe të tjerë i qëndruan besnikë Jehovait, ndërsa ishin në mërgim. Në vitin 539 p.e.s., Babilonia u përmbys nga medët dhe persët, nën sundimin e mbretit Kir. Rreth dy vjet më vonë, Kiri nxori një dekret që e lejonte një mbetje të judenjve të kthehej në atdhe. Me kalimin e kohës, tempulli i Jerusalemit u rindërtua dhe priftëria ishte përsëri në gjendje t’i mësonte Ligjin popullit. (Malakia 2:7) Kështu, Jehovai bëri që mbetja e rivendosur të begatohej, për sa kohë që ata qëndruan besnikë.

7, 8. Kujt iu zbatuan fjalët profetike të Sofonisë 3:14-17 dhe përse përgjigjeni kështu?

7 Në lidhje me ata që do të gëzonin këtë rivendosje, Sofonia paratha: «Lësho britma gëzimi, o bijë e Sionit, lësho britma hareje, o Izrael! Gëzohu dhe ngazëllo me gjithë zemër, o bijë e Jerusalemit! Zoti i ka revokuar gjykimet e tij kundër teje, ka dëbuar armikun tënd. Mbreti i Izraelit, Zoti, ndodhet midis teje, nuk do të kesh më frikë nga asgjë. Atë ditë do të thonë në Jerusalem: ‘Mos ki frikë, o Sion, duart e tua mos u dobësofshin! Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi.’»—Sofonia 3:14-17.

8 Këto fjalë profetike i referoheshin mbetjes, e cila u nxor nga robëria babilonase dhe u çua përsëri në vendin e të parëve. Kjo bëhet e qartë te Sofonia 3:18-20, ku lexojmë: «Unë [Jehovai] do të mbledh ata që janë të pikëlluar për kuvendet solemne, që janë në mes tuaj për të cilët pesha për atë ishte bërë objekt përçmimi. Ja, në atë kohë unë do të veproj kundër atyre që të shtypin; do të shpëtoj çalamanin dhe do të mbledh ata që janë dëbuar, dhe do t’i bëj të lavdishëm dhe të dëgjuar në të gjitha vendet ku kanë qenë me turp. Në atë kohë unë do t’ju kthej, po, në atë kohë do t’ju mbledh; sepse do t’ju bëj të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve të tokës, kur, para syve tuaj, do t’i bëj të kthehen ata që janë në robëri,—thotë Zoti.»

9. Si bëri një emër për veten Jehovai në lidhje me Judën?

9 Imagjinoni tronditjen e atyre që gjendeshin në kombet përreth, të cilët ishin armiq të popullit të Perëndisë! Banorët e Judës ishin marrë robër nga Babilonia e fuqishme, në dukje, pa pasur asnjë shpresë për t’u çliruar ndonjëherë. Për më tepër, vendi i tyre gjendej i shkretuar. Megjithatë, me fuqinë e Perëndisë, ata u rivendosën në atdheun e tyre pas 70 vjetësh, kurse kombet armike kishin marrë rrugën e shkatërrimit. Çfarë emri që i bëri Jehovai vetes, duke e rikthyer atë mbetje besnike! I bëri të ishin «të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve». Sa shumë lavdërim i solli kjo rivendosje Jehovait dhe atyre që mbanin emrin e tij!

Adhurimi i Jehovait lartësohet

10, 11. Kur do të ndodhte përmbushja kryesore e profecisë së Sofonisë për rivendosjen dhe si e dimë këtë?

10 Një rivendosje tjetër ndodhi në shekullin e parë të erës sonë, kur Jezu Krishti grumbulloi një mbetje nga Izraeli në adhurimin e vërtetë. Kjo ishte një shkëndijë e asaj që do të vinte, pasi përmbushja kryesore e rivendosjes i takonte ende së ardhmes. Profecia e Mikeas parathoshte: «Në kohët e fundit [në pjesën përfundimtare të ditëve, BR] do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet përmbi kodrat, dhe aty do të vijnë popujt.»—Mikea 4:1.

11 Kur do të ndodhte kjo? Siç thoshte profecia, «në pjesën përfundimtare të ditëve», po, gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’. (2 Timoteut 3:1) Kjo do të ndodhte para fundit të këtij sistemi të lig, ndërsa kombet do të ishin ende duke adhuruar perëndi të rremë. Te Mikea 4:5 thuhet: «Të gjithë popujt, nga ana e tyre do të ecin secili në emër të perëndisë së vet.» Po adhuruesit e vërtetë? Profecia e Mikeas jep përgjigjen: «Por ne, nga ana jonë, do të ecim në emrin e Jehovait, Perëndisë tonë, në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë.»—BR.

12. Si është lartësuar adhurimi i vërtetë në këto ditë të fundit?

12 Kështu pra, në këto ditë të fundit, ‘mali i shtëpisë së Zotit është vendosur në majën e maleve’. Adhurimi i vërtetë e i lartë i Jehovait është rivendosur patundshmërisht dhe është ngritur mbi çdo lloj tjetër feje. Siç paratha më tej profecia e Mikeas, «aty do të vijnë popujt». Ata që praktikojnë fenë e vërtetë ‘do të ecin në emër të Jehovait, Perëndisë [së tyre], në kohë të pacaktuar, po, përgjithmonë’.

13, 14. Kur hyri kjo botë «në pjesën përfundimtare të ditëve» dhe çfarë ka ndodhur që nga ajo kohë në lidhje me adhurimin e vërtetë?

13 Ngjarjet që përmbushin profecitë e Biblës tregojnë se kjo botë hyri «në pjesën përfundimtare të ditëve»—në ditët e saj të fundit—në vitin 1914. (Marku 13:4-10) Historia tregon se Jehovai filloi të mblidhte në adhurimin e vërtetë një mbetje besnike të mirosurish, të cilët kishin shpresën qiellore. Kjo u pasua nga grumbullimi i ‘një shumice të madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët’, ata që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë.—Zbulesa 7:9.

14 Që nga Lufta I Botërore e deri në ditët tona, adhurimi i Jehovait nga ata që mbajnë emrin e tij ka shkuar fuqimisht përpara nën drejtimin e tij. Nga pak mijë veta që ishin pas Luftës I Botërore, adhuruesit e Jehovait tani numërojnë rreth gjashtë milionë, të mbledhur në afro 91.000 kongregacione, në 235 vende. Çdo vit, këta lajmëtarë të Mbretërisë kalojnë shumë më tepër se një miliard orë, duke e lavdëruar publikisht Perëndinë. Është e qartë se këta Dëshmitarë të Jehovait janë ata që përmbushin fjalët profetike të Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.

15. Si po përmbushet tani Sofonia 2:3?

15 Te Sofonia 3:17 vërehet: «Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton.» Begatia frymore që gëzojnë shërbëtorët e Jehovait në këto ditë të fundit, është fryt i drejtpërdrejtë i faktit që e kanë atë ‘në mes tyre’ si Perëndinë e gjithëfuqishëm. Kjo është po aq e vërtetë sot sa ç’ishte në rivendosjen e Judës së lashtë, në vitin 537 p.e.s. Kështu, mund ta kuptojmë se si Sofonia 2:3 e gjen përmbushjen e saj kryesore në kohën tonë, kur thotë: «Kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët e tokës.» (BR) Në vitin 537 p.e.s., shprehja «të gjithë» përfshinte mbetjen e judenjve, të cilët u rikthyen nga robëria babilonase. Tani ajo përfaqëson të butët e të gjitha kombeve në tërë tokën, ata që i përgjigjen në mënyrë të favorshme veprës globale të predikimit të Mbretërisë dhe që vërshojnë në ‘malin e shtëpisë së Jehovait’.

Adhurimi i vërtetë lulëzon

16. Cili ka të ngjarë të jetë reagimi i armiqve tanë ndaj lulëzimit të shërbëtorëve të Jehovait në kohët moderne?

16 Pas vitit 537 p.e.s., shumë njerëz nga kombet përreth mbetën të habitur nga rivendosja e shërbëtorëve të Perëndisë në adhurimin e vërtetë në atdheun e tyre. Por ajo rivendosje u bë në një shkallë relativisht të vogël. A mund ta imagjinoni atë që janë duke thënë disa, madje edhe armiq të popullit të Perëndisë, tani që shohin rritjen, lulëzimin dhe përparimin e mrekullueshëm të shërbëtorëve të Jehovait në kohët moderne? Ka shumë të ngjarë që disa prej këtyre armiqve të mendojnë njëlloj si mendonin farisenjtë, kur panë se si njerëzit mblidheshin grupe-grupe rreth Jezuit. Ata thirrën me të madhe: «Shihni, bota ka shkuar pas tij.»—Gjoni 12:19.

17. Çfarë tha një shkrimtar për Dëshmitarët e Jehovait dhe çfarë rritjeje kanë pasur ata?

17 Në librin e tij These Also Believe (Edhe këta besojnë), profesori Çarlz S. Brejdën tha: «Dëshmitarët e Jehovait e kanë mbuluar tokën në kuptimin e vërtetë të fjalës me dëshminë e tyre. Mund të thuhet me plot të drejtë se asnjë grup i vetëm fetar në botë nuk ka shfaqur më shumë zell dhe këmbëngulje në përpjekje për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë, sesa Dëshmitarët e Jehovait. Ka shumë të ngjarë që kjo lëvizje të vazhdojë të rritet gjithnjë e më shumë.» Sa të drejtë kishte ai! Kur i shkroi këto fjalë, 50 vjet më parë, anembanë botës kishte vetëm rreth 300.000 Dëshmitarë që predikonin! Ç’do të thoshte ai sot, kur lajmin e mirë po e predikojnë afro 20 herë më shumë se ai numër, pra, rreth gjashtë milionë?

18. Çfarë është gjuha e pastër dhe kujt ia ka dhënë Perëndia atë?

18 Nëpërmjet profetit të tij, Perëndia premtoi: «Do t’u jap popujve në këmbim një gjuhë të pastër, në mënyrë që të gjithë ata të thërrasin emrin e Jehovait, për t’i shërbyer krah për krah.» (Sofonia 3:9, BR) Në këto ditë të fundit, janë Dëshmitarët e Jehovait ata që e thërrasin emrin e Jehovait, ata që i shërbejnë të bashkuar në një lidhje të pathyeshme dashurie, po, «krah për krah». Janë ata personat, të cilëve Jehovai u ka dhënë gjuhën e pastër. Kjo gjuhë e pastër përfshin kuptueshmërinë e duhur të së vërtetës rreth Perëndisë dhe qëllimeve të tij. Vetëm Jehovai e siguron këtë kuptueshmëri nëpërmjet frymës së tij të shenjtë. (1 Korintasve 2:10) Kujt ia ka dhënë ai frymën e tij? Vetëm «atyre që i binden atij si sundimtar». (Veprat 5:32) Vetëm Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm t’i binden Perëndisë si Sundimtar në çdo gjë. Për këtë arsye marrin frymën e Perëndisë dhe flasin gjuhën e pastër, të vërtetën rreth Jehovait dhe qëllimeve të tij të mrekullueshme. Këtë gjuhë të pastër e përdorin për të lavdëruar Jehovain në të gjithë tokën, në një shkallë të madhe dhe gjithnjë në rritje.

19. Çfarë përfshin të flasim gjuhën e pastër?

19 Të flasim gjuhën e pastër nuk përfshin vetëm të besojmë të vërtetën dhe t’ua mësojmë të tjerëve, por edhe ta vëmë në harmoni sjelljen tonë me ligjet dhe parimet e Perëndisë. Të krishterët e mirosur kanë marrë drejtimin duke e kërkuar Jehovain dhe duke folur gjuhën e pastër. Mendoni për atë që është kryer! Megjithëse të mirosurit janë pakësuar në numër, në më pak se 8.700, rreth gjashtë milionë të tjerë po e imitojnë besimin e tyre, duke kërkuar Jehovain dhe duke folur gjuhën e pastër. Këta persona përbëjnë shumicën e madhe gjithnjë në rritje, nga të gjitha kombet, e cila ushtron besim në flijimin shpërblyes të Jezuit, bën shërbim të shenjtë në oborrin tokësor të tempullit frymor të Perëndisë dhe do të mbijetojë nga «shtrëngimi i madh» që do të vijë së shpejti mbi këtë botë të padrejtë.—Zbulesa 7:9, 14, 15.

20. Çfarë i pret të mirosurit besimplotë dhe ata që përbëjnë shumicën e madhe?

20 Shumica e madhe do të hyjë në botën e re të drejtë të Perëndisë. (2 Pjetrit 3:13) Jezu Krishti dhe 144.000 të mirosurit e ringjallur në jetën qiellore për të shërbyer si mbretër e priftërinj me të, do të përbëjnë trupin e ri sundues të tokës. (Romakëve 8:16, 17; Zbulesa 7:4; 20:6) Të mbijetuarit nga shtrëngimi i madh do të punojnë për ta bërë tokën parajsë dhe do të vazhdojnë të flasin gjuhën e pastër që u ka dhënë Perëndia. Në parim, për ta zbatohen këto fjalë: «Tërë bijtë e tu [edhe bijat, natyrisht] do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu. Ti do të vendosesh ngultas në drejtësi.»—Isaia 54:13, 14.

Vepra më e madhe e mësimdhënies në histori

21, 22. (a) Siç tregohet te Veprat 24:15, cilët do të kenë nevojë t’u mësohet gjuha e pastër? (b) Cila vepër mësimdhënieje, e paparë ndonjëherë, do të kryhet në tokë nën sundimin e Mbretërisë?

21 Një grup tjetër shumë i madh, të cilit do t’i jepet mundësia të mësojë gjuhën e pastër në botën e re, janë ata për të cilët flitet te Veprat 24:15, ku thuhet: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.» Në të kaluarën, miliarda njerëz kanë jetuar dhe kanë vdekur pa marrë njohuri të saktë për Jehovain. Duke vepruar me rregullsi, ai do t’i sjellë ata në jetë. Këta të ringjallur do të kenë nevojë t’u mësohet gjuha e pastër.

22 Çfarë privilegji që do të jetë të marrim pjesë në atë vepër të madhe mësimdhënieje! Do të jetë vepra më e madhe e arsimimit që është bërë në historinë e njerëzimit. E gjithë kjo do të kryhet nën sundimin dashamirës të Krishtit Jezu që ka marrë pushtetin e Mbretërisë. Rrjedhimisht, njerëzimi do të shohë më në fund përmbushjen e Isaisë 11:9, ku thuhet: «Vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»

23. Përse do të thoshit se jemi shumë të privilegjuar si popull i Jehovait?

23 Sa të privilegjuar jemi në këto ditë të fundit që të përgatitemi për atë kohë të mrekullueshme kur njohuria e Jehovait do të mbushë vërtet tokën! Dhe çfarë privilegji kemi që tani për të qenë populli i Perëndisë—ata që përjetojnë përmbushjen madhështore të fjalëve profetike të shkruara te Sofonia 3:20! Aty gjejmë sigurinë që na jep Jehovai: «Do t’ju bëj të famshëm dhe të lavdishëm midis tërë popujve të tokës.»

Si do të përgjigjeshit?

• Cilat përmbushje ka pasur profecia e Sofonisë për rivendosjen?

• Si ka lulëzuar adhurimi i vërtetë në këto ditë të fundit?

• Cila vepër e madhe mësimdhënieje do të bëhet në botën e re?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 25]

Populli i Jehovait u rikthye në atdhe për të rivendosur adhurimin e pastër. A e njihni domethënien e kësaj sot?

[Figurat në faqen 26]

Duke folur ‘gjuhën e pastër’, Dëshmitarët e Jehovait u japin njerëzve mesazhin ngushëllues të Biblës