Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të jemi vërtet të lumtur?

A mund të jemi vërtet të lumtur?

A mund të jemi vërtet të lumtur?

XHORXHI i përshëndeste të gjithë me një buzëqeshje. Për të, jeta ishte një dhuratë e çmuar që duhej gëzuar. Lumturia dhe optimizmi ishin shenja dalluese e tij, madje, edhe atëherë kur filloi të kishte dhembjet e moshës së shkuar. Deri në ditën kur vdiq, Xhorxhi njihej si një person i lumtur. A jeni të lumtur si Xhorxhi? A e konsideroni çdo ditë të re si një dhuratë që duhet gëzuar? Apo ideja e një dite të re nuk ju bën entuziastë ose, madje, ju frikëson? Mos ndoshta diçka po jua heq lumturinë?

Lumturia është përkufizuar si një gjendje mirëqenieje që është relativisht e qëndrueshme. Ajo karakterizohet nga ndjenjat që shkojnë nga kënaqësia deri në një gëzim të thellë e të madh, si edhe nga një dëshirë e natyrshme që kjo gjendje të vazhdojë. A ekziston vërtet një lumturi e tillë?

Sot, shoqëria mbështet pikëpamjen se njerëzit do të ishin të lumtur vetëm po të ishin mjaft të pasur. Miliona njerëz mbajnë një ritëm të ethshëm, duke u përpjekur me të gjitha forcat për t’u bërë të pasur. Duke bërë këtë, shumë sakrifikojnë marrëdhëniet me të tjerët dhe gjëra të tjera të rëndësishme në jetë. Si milingonat në një fole, ata janë vazhdimisht në nxitim e sipër dhe nuk kanë shumë kohë për të medituar ose për t’i kushtuar njëri-tjetrit. Kuptohet, «numri i njerëzve që diagnostikohen me depresion vazhdon të rritet,—thuhet në një raport në Los Angeles Times,—dhe mosha kur fillon [depresioni] vazhdon të ulet. . . . Ilaçet kundër depresionit janë në listën e ilaçeve më të shitura të shoqërive farmaceutike». Miliona të tjerë marrin drogë ose përpiqen t’i mbytin problemet e tyre me pijet alkoolike. Disa veta, kur ndihen të trishtuar, fillojnë të prishin para pa kufi duke blerë gjëra. Në një anketë, sipas gazetës britanike The Guardian, «gratë dolën më të prirurat për t’u dhënë pas terapisë së blerjeve. Ato ishin tri herë më të prirura se burrat që të dilnin për të blerë kur ndiheshin të trishtuara».

Megjithatë, lumturia e vërtetë nuk gjendet në ndonjë dyqan, shishe, pilulë, shiringë ose në ndonjë llogari bankare. Lumturia nuk është në shitje, pasi gjendet falas. Ku mund ta gjejmë një dhuratë të tillë të çmuar? Do të flasim për këtë në artikullin vijues.