Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cirili dhe Metodi: Përkthyes të Biblës që shpikën një alfabet

Cirili dhe Metodi: Përkthyes të Biblës që shpikën një alfabet

Cirili dhe Metodi: Përkthyes të Biblës që shpikën një alfabet

«Kombi ynë është pagëzuar dhe prapëseprapë nuk kemi asnjë mësues. Nuk kuptojmë as greqisht, as latinisht. . . . Nuk i kuptojmë shkronjat, as domethënien e tyre, prandaj na dërgo mësues që të na bëjnë të njohura fjalët e Shkrimeve dhe kuptimin e tyre.» —Ratislavi, princi i Moravisë, viti 862 i erës sonë.

SOT, më shumë se 435 milionë njerëzit që flasin gjuhët e familjes sllave kanë në dispozicion një përkthim të Biblës në gjuhën e tyre amtare. * Nga këta njerëz, 360 milionë përdorin alfabetin cirilik. Por 12 shekuj më parë, në dialektet e paraardhësve të tyre nuk kishte as gjuhë të shkruar dhe as alfabet. Burrat që ndihmuan për të ndrequr situatën ishin Cirili dhe Metodi, vëllezër gjaku. Njerëzit që e duan Fjalën e Perëndisë do të shohin se përpjekjet e guximshme dhe novatore të këtyre dy vëllezërve përbëjnë një kapitull tërheqës në historinë e ruajtjes dhe të çuarjes përpara të Biblës. Cilët ishin këta burra dhe çfarë pengesash hasën?

«Filozofi» dhe guvernatori

Cirili (827-869 të e.s., i quajtur fillimisht Kostandin) dhe Metodi (825-885 të e.s.) lindën në një familje fisnikësh në Selanik, Greqi. Në atë kohë Selaniku ishte qytet ku fliteshin dy gjuhë, greqishtja dhe një formë e sllavishtes. Prania e shumë sllavëve dhe lidhja e ngushtë ndërmjet banorëve të qytetit dhe komuniteteve sllave përreth tij mund t’i kenë dhënë Cirilit dhe Metodit mundësinë të fitojnë njohuri të thellë për gjuhën e sllavëve të jugut. Gjithashtu, një jetëshkrues i Metodit përmend edhe se mamaja e tyre ishte me origjinë sllave.

Pas vdekjes së të atit, Cirili u transferua në Kostandinopojë, kryeqyteti i Perandorisë Bizantine. Atje studioi në universitetin perandorak dhe u shoqërua me mësues të shquar. U bë bibliotekar i Hagia Sofisë—ndërtesës së kishës më të shquar në Lindje—dhe më vonë u bë profesor filozofie. Në fakt, për shkak të arritjeve akademike, Cirilit iu vu nofka Filozofi.

Ndërkohë, Metodi ndoqi të njëjtën karrierë si i ati, administrimin politik. Arriti rangun e arkonit (guvernatorit) në një krahinë kufitare bizantine, ku jetonin shumë sllavë. Megjithatë, u tërhoq në një manastir në Bitini, në Azinë e Vogël. Në vitin 855 të e.s., edhe Cirili shkoi atje.

Në vitin 860 të e.s., patriarku i Kostandinopojës i dërgoi dy vëllezërit me mision në një vend të huaj. U dërguan te kazarët, një popull që banonte në verilindje të Detit të Zi, të cilët ende ngurronin të vendosnin mes islamizmit, judaizmit dhe krishterimit. Rrugës për të shkuar atje, Cirili qëndroi për njëfarë kohe në Kersoneze, në Krime. Disa dijetarë besojnë se ai mësoi gjuhët hebraike e samaritane dhe përktheu një libër gramatike nga hebraishtja në gjuhën e kazarëve.

Një thirrje nga Moravia

Në vitin 862 të e.s., Ratislavi, princi i Moravisë (në ditët e sotme Çekia Lindore, Sllovakia Perëndimore dhe Hungaria Perëndimore) i dërgoi perandorit bizantin Mihali III kërkesën që gjendet në paragrafin hyrës të artikullit, pra, që të dërgonte mësues të Shkrimeve. Shtetasit e Moravisë që flitnin sllavisht tashmë ishin njohur me mësimet e kishës nga misionarë të mbretërisë franke e lindjes (tani Gjermania dhe Austria). Por, Ratislavi ishte i shqetësuar për ndikimin politik dhe kishtar të fiseve gjermane. Shpresonte që lidhjet fetare me Kostandinopojën ta ndihmonin kombin e tij që të qëndronte autonom nga ana politike dhe fetare.

Perandori vendosi të dërgonte në Moravi Metodin dhe Cirilin. Nga ana arsimore, kulturore dhe gjuhësore, dy vëllezërit ishin shumë të pajisur për ta kryer këtë mision. Një jetëshkrues i shekullit të nëntë thotë se perandori, duke i nxitur vëllezërit të shkonin në Moravi, arsyetoi: «Që të dy jeni me origjinë nga Selaniku dhe të gjithë selanikasit flasin sllavishten e pastër.»

Lind një alfabet dhe një përkthim i Biblës

Gjatë muajve para se të niseshin, Cirili u përgatit për misionin, duke krijuar një alfabet të shkruar për sllavët. Thuhet se ai kishte vesh të mprehtë për fonetikën. Kështu, duke përdorur shkronjat greke dhe hebraike, u përpoq të siguronte një shkronjë për çdo tingull gjuhësor në sllavishte. * Disa kërkues besojnë se ai tashmë kishte kaluar vite të tëra duke hedhur themelin për këtë alfabet. Por, ekzistojnë ende pasiguri për formën e saktë të alfabetit që shpiku Cirili.—Shih kutinë: «Cirilik apo glakolitik?»

Në të njëjtën kohë, Cirili filloi një program të shpejtë për përkthimin e Biblës. Siç thonë, ai filloi duke përkthyer nga greqishtja në sllavisht frazën e parë të Ungjillit të Gjonit, duke përdorur alfabetin e sapokrijuar: «Në fillim ishte Fjala . . . » Cirili vazhdoi duke përkthyer katër Ungjijtë, letrat e Pavlit dhe librin e Psalmeve.

A punoi vetëm Cirili? Ka shumë të ngjarë që Metodi ta ketë ndihmuar në këtë punë. Për më tepër, libri The Cambridge Medieval History thotë: «Është e lehtë ta imagjinojmë se [Cirili] kishte edhe të tjerë që e ndihmuan, të cilët pikësëpari duhet të kenë qenë njerëz me origjinë sllave e me arsimim grek. Nëse shqyrtojmë përkthimet më të vjetra, . . . kemi provën më të mirë të një ndjenje shumë të zhvilluar gjuhësore sllave, e cila u detyrohet bashkëpunëtorëve që ishin vetë sllavë.» Pjesa tjetër e Biblës u përfundua më vonë nga Metodi, siç do ta shohim.

«Si sorrat mbi një fajkua»

Në vitin 863 të e.s., Cirili dhe Metodi filluan misionin e tyre në Moravi, ku u mirëpritën me ngrohtësi. Puna e tyre përfshinte t’i mësonin një grupi vendës alfabetin e saposhpikur sllav, përveçse të përkthenin tekste biblike dhe liturgjike.

Megjithatë, jo çdo gjë ishte e lehtë. Kleri frank në Moravi iu kundërvu me ashpërsi përdorimit të sllavishtes. Ata i përmbaheshin një teorie trigjuhëshe, duke deklaruar se vetëm latinishtja, greqishtja dhe hebraishtja ishin të pranueshme për t’u përdorur në adhurim. Duke shpresuar të fitonin mbështetjen e papës për gjuhën e re të shkruar që kishin zhvilluar, vëllezërit udhëtuan për në Romë në vitin 867 të e.s.

Rrugës për atje, në Venecie, Cirili dhe Metodi patën një takim tjetër me një grup klerikësh latinë trigjuhësh. Një jetëshkrues mesjetar i Cirilit na thotë se peshkopët, priftërinjtë dhe murgjit vendës iu hodhën në fyt «si sorrat mbi një fajkua». Sipas këtij tregimi, Cirili u kundërpërgjigj duke cituar 1 Korintasve 14:8, 9: «Sepse, vërtet, sikur trumbeta të nxirrte si sinjal një tingull të paqartë, kush do të përgatitej për betejë? Po ashtu edhe ju, po të mos thoni me anë të gjuhës fjalë që kuptohen lehtësisht, si do të merret vesh se çfarë po thuhet? Do të ishit, në fakt, duke folur në erë.»

Kur vëllezërit arritën, më në fund, në Romë, papa Adriani II u dha miratim të plotë që ta përdornin sllavishten. Pas disa muajsh dhe ndërsa ishin ende në Romë, Cirili u sëmur rëndë. Gati dy muaj më vonë, vdiq në moshën 42-vjeçare.

Papa Adriani II e nxiti Metodin t’i rikthehej punës në Moravi dhe rreth qytetit Nitra, në atë që tani është Sllovakia. Duke dëshiruar të forconte ndikimin e vet mbi atë zonë, papa i dha Metodit letra që miratonin përdorimin e sllavishtes dhe e emëroi kryepeshkop. Megjithatë, në vitin 870 të e.s., peshkopi frank Hermanrih, me ndihmën e princit Svatopluk të Nitrës, e arrestoi Metodin. E burgosën për dy vjet e gjysmë në një manastir në Gjermaninë Juglindore. Më në fund, pasardhësi i Adrianit II, papa Gjoni VIII, urdhëroi lirimin e Metodit, e rivendosi në dioqezën e tij dhe ripohoi mbështetjen papnore për përdorimin e sllavishtes në adhurim.

Por kundërshtimi nga kleri frank vazhdoi. Metodi ia doli mbanë me sukses të mbrohej nga akuzat për herezi dhe, përfundimisht, fitoi nga papa Gjoni VIII një dekret papnor ku autorizohej qartë përdorimi i sllavishtes në kishë. Siç e ka pranuar papa i tanishëm, Gjon Pali II, jeta e Metodit kaloi «mes udhëtimesh, privimesh, vuajtjesh, armiqësisë dhe persekutimit, . . . madje edhe mes një periudhe burgosjeje mizore». Është ironik fakti se këto vuajtje i pati nga peshkopët dhe princat që ishin të prirur në mënyrë të favorshme ndaj Romës.

Përkthehet Bibla e plotë

Me gjithë rezistencën që i bëhej pa pushim, Metodi, me ndihmën e disa stenografëve, mbaroi së përkthyeri pjesën tjetër të Biblës në sllavishte. Siç thuhet, ai e kreu këtë punë të stërmadhe vetëm për tetë muaj. Megjithatë, nuk përktheu librat apokrifë të makabejve.

Sot, nuk është e lehtë ta përcaktojmë me saktësi cilësinë e përkthimit që bënë Cirili dhe Metodi. Ekzistojnë vetëm disa kopje dorëshkrimesh që i përkasin një periudhe të shkurtër para përkthimit fillestar. Duke shqyrtuar këto kopje të rralla të hershme, gjuhëtarët vërejnë se përkthimi ishte i saktë dhe përcillte një freski të natyrshme. Vepra Our Slavic Bible thotë se dy vëllezërve «iu desh të krijonin shumë fjalë e shprehje . . . E të gjithë këtë e bënë me një saktësi mahnitëse, duke i dhënë gjuhës sllave një pasuri të paparë leksikore».

Një trashëgimi e qëndrueshme

Pasi vdiq Metodi në vitin 885 të e.s., kundërshtarët frankë i dëbuan nga Moravia dishepujt e tij. Ata u strehuan në Bohemi, në Poloninë Jugore dhe në Bullgari. Kështu, vepra e Cirilit dhe e Metodit vazhdoi dhe, në të vërtetë, u shpërnda më gjerësisht. Gjuha sllave, së cilës iu dha një formë e shkruar dhe më e qëndrueshme nga dy vëllezërit, lulëzoi, u zhvillua dhe më vonë u shumëfishua. Sot, familja e gjuhëve sllave përfshin 13 gjuhë dhe shumë dialekte.

Për më tepër, përpjekjet e guximshme të Cirilit dhe të Metodit për të përkthyer Biblën sollën fryte në përkthimet e ndryshme sllave të Shkrimeve që janë në dispozicion sot. Miliona njerëz që flasin këto gjuhë nxjerrin dobi duke e pasur Fjalën e Perëndisë në gjuhën e tyre amtare. Me gjithë kundërshtimin e ashpër, sa të vërteta janë fjalët: ‘Fjala e Perëndisë tonë do të mbetet përjetë!’—Isaia 40:8.

[Shënimet]

^ par. 3 Gjuhët sllave fliten në Evropën Lindore e Qendrore dhe përfshijnë gjuhën ruse, ukrainase, serbe, polake, çeke, bullgare dhe gjuhë të tjera të ngjashme.

^ par. 13 «Sllavishte» siç përdoret në këtë artikull tregon dialektin sllav që përdorën Cirili dhe Metodi për misionin dhe veprën letrare të tyre. Disa sot përdorin termat «sllavishtja e vjetër» ose «sllavishtja e vjetër e kishës». Gjuhëtarët janë të një mendimi se në shekullin e nëntë të e.s., nuk kishte ndonjë gjuhë të vetme të përbashkët të folur nga sllavët.

[Kutia në faqen 29]

Cirilik apo glakolitik?

Përbërja e alfabetit që shpiku Cirili ka provokuar shumë polemika, meqë gjuhëtarët nuk janë të sigurt se cili alfabet qe. Alfabeti i quajtur cirilik është bazuar ngushtësisht në alfabetin grek, me nja dymbëdhjetë shkronja shtesë, të shpikura për të paraqitur tingujt sllavë që nuk gjendeshin në greqisht. Megjithatë, disa nga dorëshkrimet më të hershme sllave përdorin një alfabet shumë të ndryshëm, të njohur si alfabeti glakolitik, dhe ky është alfabeti që shumë studiues besojnë se e shpiku Cirili. Disa shkronja glakolitike duket se vijnë nga greqishtja ose hebraishtja e shkruar. Disa të tjera mund të jenë nxjerrë nga shenjat diakritike mesjetare, por shumica janë krijime origjinale dhe komplekse. Alfabeti glakolitik duket se është një krijim origjinal dhe shumë i veçantë. Megjithatë, është alfabeti cirilik ai që është zhvilluar në alfabetet e sotme ruse, ukrainase, serbe, bullgare dhe maqedonase, përveç 22 gjuhëve të tjera, disa prej të cilave nuk janë sllave.

[Figura—shkronja cirilike dhe glakolitike]

[Harta në faqen 31]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Deti Baltik

(Polonia)

Bohemia (Çekia)

Moravia (Çekia L. Sllovakia P. Hungaria P.)

Nitra

MBRETËRIA FRANKE E LINDJES (Gjermania dhe Austria)

ITALIA

Venecia

Roma

Deti Mesdhe

BULLGARIA

GREQIA

Selaniku

(Krimea)

Deti i Zi

Bitinia

Kostandinopoja (Stambolli)

[Figura në faqen 31]

Një Bibël sllave me tekst cirilik, e cila i përket vitit 1581

[Burimi]

Bibla: Narodna in univerzitetna knjižnica-Slovenija-Ljubljana