Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Me të vërtetë që Zotëria u ngrit!»

«Me të vërtetë që Zotëria u ngrit!»

«Me të vërtetë që Zotëria u ngrit!»

Merreni me mend sa të dëshpëruar ishin dishepujt e Jezuit, kur Zotëria i tyre u vra. Shpresa e tyre dukej po aq e pajetë, sa edhe trupi që Jozefi i Arimateas vuri në varr. Po ashtu, ishin venitur pritjet se Jezui do t’i çlironte judenjtë nga zgjedha romake.

NËSE ky do të kishte qenë fundi i çështjes, dishepujt e Jezuit ka të ngjarë që të ishin zhdukur, si ithtarët e shumë mesive të rremë. Por, Jezui ishte gjallë! Sipas Shkrimeve, iu shfaq ithtarëve të tij në disa raste, pak kohë pas vdekjes së tij. Prandaj, disa prej tyre u nxitën të thërritnin: «Me të vërtetë që Zotëria u ngrit!»​—Luka 24:34.

Dishepujve iu desh ta mbronin besimin e tyre te Jezui si Mesia. Duke bërë këtë, theksuan në mënyrë të veçantë ringjalljen e tij nga të vdekurit si një provë të fortë se ishte Mesia. Në të vërtetë, «me fuqi të madhe apostujt vazhdonin të jepnin dëshmi për ringjalljen e Zotërisë Jezu».​—Veprat 4:33.

Sikur dikush të kishte sjellë ndonjëherë prova se kjo ringjallje ishte një mashtrim​—ndoshta duke bërë që ndonjë nga dishepujt të pranonte se ishte e tillë ose duke treguar se trupi i Jezuit mbeti në varr—​krishterimi do të kishte dështuar që në fillimet e tij. Por nuk ndodhi kështu. Duke e ditur se Krishti ishte gjallë, ithtarët e Jezuit shkuan kudo duke shpallur ringjalljen e tij dhe shumë njerëz u bënë besimtarë në Krishtin e ngritur.

Përse edhe ju mund të besoni në ringjalljen e Jezuit? Çfarë dëshmish ka se kjo ishte një ngjarje reale?

Përse duhen shqyrtuar dëshmitë?

Që të katër tregimet e Ungjijve e raportojnë ringjalljen e Jezuit. (Mateu 28:1-10; Marku 16:1-8; Luka 24:1-12; Gjoni 20:1-29) * Pjesë të tjera të Shkrimeve të Krishtere Greke flasin me ton të sigurt për ngritjen e Krishtit nga vdekja.

Nuk habitemi që ithtarët e Jezuit e kanë shpallur ringjalljen e tij. Nëse Perëndia e ngriti vërtet në jetë, ky është lajmi më mahnitës që ka dëgjuar ndonjëherë bota. Kjo do të thotë se ka Perëndi. Për më tepër, do të thotë se Jezui është gjallë pikërisht tani.

Si ndikon kjo te ne? Jezui u lut: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Pra, mund të fitojmë njohuri jetëdhënëse për Jezuin dhe për Atin e tij. Duke e zbatuar këtë njohuri, edhe nëse vdesim, ne vetë mund të ringjallemi meqë edhe Jezui u ringjall. (Gjoni 5:28, 29) Mund të kemi shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore nën Mbretërinë qiellore të Perëndisë. Kjo Mbretëri ka në krye Birin e tij të cilit i është dhënë lavdi, Jezu Krishtin, Mbretin e mbretërve.​—Isaia 9:5, 6; Luka 23:43; Zbulesa 17:14.

Pra, çështja nëse Jezui u ngrit me të vërtetë nga të vdekurit është e rëndësishme. Ajo ndikon në jetën tonë tani dhe në perspektivat për të ardhmen. Ja përse ju ftojmë të shqyrtoni katër linja dëshmish që tregojnë se Jezui vdiq dhe u ringjall.

Jezui vdiq vërtet në shtyllë

Disa skeptikë pohojnë se ndonëse u vu në shtyllë, Jezui nuk vdiq në të vërtetë atje. Ata thonë se vetëm sa ishte afër vdekjes dhe se u përmend nga ftohtësia e varrit. Megjithatë, çdo burim që kemi në dispozicion provon se në varr u vendos trupi i pajetë i Jezuit.

Meqë Jezui u ekzekutua botërisht, kishte dëshmitarë okularë të faktit që ai vërtet vdiq në shtyllë. Vdekja e tij u vërtetua nga centurioni që ishte ngarkuar për ekzekutimin. Ky oficer ishte një profesionist, puna e të cilit ishte edhe të përcaktonte nëse kishte ndodhur apo jo vdekja. Për më tepër, vetëm pasi u sigurua se Jezui kishte vdekur, guvernatori romak Ponc Pilati ia la trupin Jozefit të Arimateas që ta varroste.​—Marku 15:39-46.

Varri u gjet bosh

Varri i zbrazët u dha dishepujve provën e parë të ringjalljes së Jezuit dhe kjo dëshmi mbetet ende e padiskutueshme. Jezui ishte varrosur në një varr të ri, i cili nuk ishte përdorur kurrë më parë. Ishte afër vendit ku ishte vënë në shtyllë dhe, në atë kohë, mund ta gjenin me lehtësi e pa u gabuar. (Gjoni 19:41, 42) Të gjitha tregimet e Ungjijve pajtohen me mendimin se, kur miqtë e Jezuit arritën te varri, mëngjesin e dytë pas vdekjes së tij, trupi i tij nuk gjendej më aty.​—Mateu 28:1-7; Marku 16:1-7; Luka 24:1-3; Gjoni 20:1-10.

Varri i zbrazët i mahniti armiqtë e Jezuit, njësoj siç mahniti miqtë e vet. Armiqtë e tij ishin përpjekur prej shumë kohësh që ta shihnin të vdekur e të varrosur. Pasi ia kishin arritur qëllimit të tyre, ata morën masa të rrepta që të vendosej një rojë dhe të vulosej varri. Sidoqoftë, mëngjesin e ditës së parë të javës, ai ishte bosh.

A e kishin marrë miqtë e Jezuit trupin e tij nga varri? S’ka mundësi, pasi Ungjijtë tregojnë se ata ishin shumë të tronditur pas ekzekutimit të tij. Për më tepër, vështirë se dishepujt do të kishin vazhduar të vuanin persekutime dhe vdekje për diçka që e dinin se ishte një mashtrim.

Kush e boshatisi varrin? Armiqtë e Jezuit do të kishin qenë të fundit që mund të mendojmë se mund ta kishin marrë trupin. Edhe nëse e kishin bërë këtë, patjetër do ta kishin nxjerrë më vonë, për të hedhur poshtë pohimet e dishepujve se Jezui ishte ringjallur dhe ishte i gjallë. Por nuk ndodhi asgjë e këtij lloji, pasi ishte Perëndia ai që kishte vepruar.

Javë më vonë, armiqtë e Jezuit nuk bënë një kundërpërgjigje të ashpër kur Pjetri dëshmoi: «Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezuin, nazareasin, një njeri që Perëndia jua tregoi publikisht nëpërmjet veprash të fuqishme, çudirash dhe shenjash që Perëndia bëri në mes jush me anë të tij, ashtu si vetë e dini, këtë njeri, si të dorëzuar sipas qëllimit të përcaktuar dhe paranjohjes së Perëndisë, ju e mbërthyet në shtyllë me dorën e të paligjshmëve dhe e vratë. Por Perëndia e ringjalli duke zgjidhur dhembjet e vdekjes, pasi nuk ishte e mundur të vazhdonte të mbahej lidhur prej saj. Sepse për të Davidi thotë: ‘E pata Jehovain vazhdimisht para syve . . . E veç kësaj, edhe mishi im do të banojë në shpresë; sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades, as nuk do të lejosh që besniku yt të shohë prishjen.’»​—Veprat 2:22-27.

Shumë veta e panë Jezuin e ringjallur

Në librin e Veprave, shkrimtari i Ungjillit, Luka, tha: «[Apostujve], gjithashtu, pasi kishte vuajtur, [Jezui] iu shfaq i gjallë nëpërmjet shumë provash të qarta, duke u shikuar prej tyre gjatë dyzet ditëve e duke u folur për gjërat që kanë të bëjnë me mbretërinë e Perëndisë.» (Veprat 1:2, 3) Një numër dishepujsh e panë Jezuin e ringjallur në disa raste: në një kopsht, në rrugë, gjatë një darke, si edhe në breg të detit të Tiberiadës.​—Mateu 28:8-10; Luka 24:13-43; Gjoni 21:1-23.

Kritikët e vënë në dyshim vërtetësinë e këtyre shfaqjeve. Thonë se shkrimtarët i shpikën tregimet ose citojnë mospërputhje në dukje në këto tregime. Në të vërtetë, ndryshimet e vogla në tregimet e Ungjijve provojnë se nuk kishte ndonjë marrëveshje të fshehtë ndërmjet shkrimtarëve. Njohuria jonë për Jezuin zgjerohet kur një shkrimtar siguron hollësi që plotësojnë tregime të tjera për disa ngjarje në jetën tokësore të Krishtit.

A ishin halucinacione shfaqjet e Jezuit pas ringjalljes? Çdo argument në mbështetje të këtij pohimi është pa baza, sepse atë e panë shumë e shumë njerëz. Mes tyre ishin peshkatarë, gra, një shërbëtor civil e, madje, edhe apostull Thomai që ishte dyshues, i cili u bind vetëm kur pa prova të pakundërshtueshme se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit. (Gjoni 20:24-29) Në disa raste, dishepujt e Jezuit nuk e njohën menjëherë Zotërinë e tyre të ringjallur. Në një rast e panë më shumë se 500 veta, shumica nga të cilët ishin ende gjallë kur apostulli Pavël e përdori atë ngjarje si dëshmi në mbrojtjen që po i bënte ringjalljes.​—1 Korintasve 15:6.

Jezui i gjallë ka ndikim te njerëzit

Ringjallja e Jezuit nuk është vetëm një çështje kureshtjeje ose debati. Fakti që ai është i gjallë ka ndikuar te njerëzit kudo në mënyrë pozitive. Që nga shekulli i parë, individë të panumërt kanë ndryshuar, nga një indiferencë ose kundërshtim i plotë që kishin ndaj krishterimit, në sigurinë e plotë se kjo është feja e vërtetë. Çfarë i ndryshoi? Studimi i Shkrimeve u dha prova atyre se Perëndia e ringjalli Jezuin në jetë si një krijesë të lavdishme frymore në qiell. (Filipianëve 2:8-11) Ata kanë ushtruar besim te Jezui dhe në masën që ka marrë Perëndia Jehova për shpëtim nëpërmjet flijimit shpërblyes të Krishtit. (Romakëve 5:8) Këta persona kanë gjetur lumturi të vërtetë duke bërë vullnetin e Perëndisë dhe duke jetuar në harmoni me mësimet e Jezuit.

Shqyrtoni çfarë nënkuptonte të ishe i krishterë në shekullin e parë. Nuk mund të fitoje rëndësi, pushtet ose pasuri. Krejt e kundërta, shumë nga të krishterët e parë ‘pranuan me gëzim t’u plaçkitnin zotërimet’ për hir të besimit të tyre. (Hebrenjve 10:34) Krishterimi kërkonte një jetë me sakrifica dhe përndjekje, që në shumë raste përfundonte me martirizim.

Para se të bëheshin ithtarë të Krishtit, disa kishin pasur perspektiva të mira për sa i përket rëndësisë dhe pasurisë. Sauli nga Tarsi studioi me Gamalielin, mësuesin e famshëm të Ligjit dhe po fillonte të dallohej në sytë e judenjve. (Veprat 9:1, 2; 22:3; Galatasve 1:14) Megjithatë, Sauli u bë apostulli Pavël. Ai dhe shumë të tjerë i kthyen shpinën rëndësisë dhe pushtetit që jepte kjo botë. Përse? Me qëllim që të përhapnin një mesazh shprese të vërtetë të bazuar në premtimet e Perëndisë dhe në faktin që Jezu Krishti ishte ringjallur nga të vdekurit. (Kolosianëve 1:28) Ata ishin të gatshëm të vuanin për një çështje që e dinin se ishte e themeluar mbi të vërtetën.

E njëjta gjë po ndodh me miliona veta sot. Këta mund t’i gjeni në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën. Dëshmitarët ju ftojnë ngrohtësisht në kremtimin vjetor të vdekjes së Krishtit, i cili do të bëhet pas perëndimit të diellit, të dielën më 8 prill 2001. Ata do të jenë të kënaqur që të jeni të pranishëm në këtë rast dhe në të gjitha mbledhjet e tyre për studimin e Biblës, të cilat mbahen në Sallat e Mbretërisë.

Përse të mos mësoni më shumë, jo vetëm për vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit, por edhe për jetën e mësimet e tij? Ai na fton që të vijmë tek ai. (Mateu 11:28-30) Veproni tani për të fituar njohurinë e saktë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. Kjo mund të nënkuptojë jetë të përjetshme nën Mbretërinë e Perëndisë, me Birin e tij të dashur si mbret.

[Shënimi]

^ par. 8 Për dëshmi në lidhje me vërtetësinë e tregimeve të Ungjijve, shih artikullin «Ungjijtë: Histori apo mit?» në Kullën e Rojës, 15 maj 2000.

[Figurat në faqen 7]

Miliona veta gjejnë lumturi të vërtetë duke qenë ithtarë të Jezu Krishtit

[Burimi i figurës në faqen 6]

Nga Self-Pronouncing Edition of the Holy Bible, e cila përmban versionet King James dhe Revised