Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të arrijmë fitoren kundër dobësisë njerëzore

Të arrijmë fitoren kundër dobësisë njerëzore

Të arrijmë fitoren kundër dobësisë njerëzore

«Mbajtja e mendjes te mishi do të thotë vdekje.»—ROMAKËVE 8:6.

1. Si e quajnë disa veta trupin njerëzor dhe cila pyetje meriton shqyrtim?

«DO TË të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar.» (Psalmi 139:14) Kështu këndoi psalmisti David, ndërsa po meditonte për një nga krijimet e Jehovait—për trupin njerëzor. Në vend që të japin këtë lavdërim me baza, disa mësues fetarë e shohin trupin si strofkën dhe mjetin që përdor mëkati. E kanë quajtur trupin «veshja që fsheh pagdhendjen, themeli i vesit, vargonjtë e korrupsionit, kafazi i errët, vdekja e gjallë, kufoma që ndien, varri portativ». Është e vërtetë që apostulli Pavël tha: «Në mishin tim nuk banon asgjë e mirë.» (Romakëve 7:18) Por, a do të thotë kjo se jemi të zënë në kurth në mënyrë të pashpresë në një trup mëkatar?

2. (a) Çfarë nënkupton «mbajtja e mendjes te mishi»? (b) Cili konflikt ndërmjet ‘mishit’ dhe ‘frymës’ ndodh brenda njerëzve që dëshirojnë t’i pëlqejnë Perëndisë?

2 Disa herë, Shkrimet flasin për trupin njerëzor si ‘mishi’. (1 Mbretërve 21:27, BR) Gjithashtu, ato e përdorin «mishin» për të paraqitur njeriun në gjendjen e tij të papërsosur, si një pasardhës mëkatar i Adamit rebel. (Efesianëve 2:3; Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Trashëgimia që kemi marrë prej tij ka sjellë si pasojë ‘dobësi të mishit’. (Romakëve 6:19) Veç kësaj, Pavli paralajmëroi: «Mbajtja e mendjes te mishi do të thotë vdekje.» (Romakëve 8:6) Kjo ‘mbajtje e mendjes te mishi’ do të thotë që të lëmë të na drejtojnë dhe të na motivojnë dëshirat e mishit mëkatar. (1 Gjonit 2:16) Prandaj, nëse po përpiqemi t’i pëlqejmë Perëndisë, ka një konflikt i vazhdueshëm ndërmjet gjendjes sonë frymore dhe natyrës mëkatare që ushtron pa pushim presion mbi ne, që të bëjmë «veprat e mishit». (Galatasve 5:17-23; 1 Pjetrit 2:11) Pasi përshkroi këtë konflikt të dhembshëm që ndodhte brenda tij, Pavli thirri: «Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» (Romakëve 7:24) A ishte Pavli një viktimë e pambrojtur e tundimit? Bibla përgjigjet me një jo kumbuese!

Realiteti i tundimit dhe i mëkatit

3. Si e shohin shumë veta mëkatin dhe tundimin, por, si paralajmëron Bibla kundër një qëndrimi të tillë?

3 Për shumë njerëz sot, mëkati është një koncept i papranueshëm. Disa e përdorin me humor «mëkatin» si një term të dalë mode për të përshkruar pikat e dobëta të njerëzve. Nuk e kuptojnë se «të gjithë ne duhet të shfaqemi përpara fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë pagën e vet për gjërat e bëra nëpërmjet trupit, sipas gjërave që ka praktikuar, qoftë e mirë a e poshtër». (2 Korintasve 5:10) Të tjerë bëjnë këtë koment ironik: «Çdo gjëje i bëj ballë përveç tundimit!» Disa njerëz jetojnë në një kulturë që është e përqendruar në kënaqjen e menjëhershme të dëshirave, çfarëdo që të përfshijë kjo: ushqimin, seksin, zbavitjen ose arritjet. Jo vetëm që duan çdo gjë, por e duan tani, në çast. (Luka 15:12) Nuk shohin përtej kënaqësisë së çastit, drejt gëzimit të ardhshëm të ‘jetës së vërtetë’. (1 Timoteut 6:19) Megjithatë, Bibla na mëson të mendojmë me kujdes dhe të jemi largpamës, duke qëndruar larg çdo gjëje që do të na dëmtonte frymësisht ose në ndonjë anë tjetër. Një proverb i frymëzuar thotë: «Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.»—Fjalët e urta (Proverbat) 27:12.

4. Cilën këshillë, të dokumentuar te 1 Korintasve 10:12, 13, dha Pavli?

4 Kur u shkroi të krishterëve që jetonin në Korint, një qytet i njohur për zvetënimin moral, Pavli dha një paralajmërim realist kundër tundimit dhe fuqisë së mëkatit. Ai tha: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë. Asnjë tundim nuk ju ka zënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit. Por Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Korintasve 10:12, 13) Që të gjithë—të rinj e të moshuar, meshkuj e femra—hasim shumë tundime në shkollë, në punë ose gjetkë. Prandaj, le të shqyrtojmë fjalët e Pavlit dhe të shohim çfarë domethënieje kanë për ne.

Të mos jemi tepër të sigurt te vetja

5. Përse është e rrezikshme siguria e tepërt te vetja?

5 Pavli thotë: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» Siguria e tepërt te vetja në lidhje me forcën tonë morale është e rrezikshme. Ajo tregon një mungesë kuptueshmërie për natyrën dhe fuqinë e mëkatit. Duke qenë se njerëz, si Moisiu, Davidi, Solomoni dhe apostulli Pjetër ranë në mëkat, a duhet të mendojmë se ne nuk jemi të prekshëm? (Numrat 20:2-13; 2 Samuelit 11:1-27; 1 Mbretërve 11:1-6; Mateu 26:69-75) «Njeriu i urtë i trembet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull [i sigurt te vetja, BR]»,—thuhet te Fjalët e urta 14:16. Për më tepër, Jezui tha: «Fryma është gati, por mishi është i dobët.» (Mateu 26:41) Meqenëse asnjë njeri i papërsosur nuk është i paprekshëm nga dëshirat e korruptuara, duhet ta marrim seriozisht paralajmërimin e Pavlit dhe t’i bëjmë ballë tundimit, ose, përndryshe, do të rrezikojmë të biem.—Jeremia 17:9.

6. Kur dhe si duhet të përgatitemi për tundimin?

6 Është e mençur të përgatitemi për problemet që mund të ndodhin papritur. Mbreti Asa e kuptoi se periudha e paqes ishte koha e duhur për të ndërtuar strukturat mbrojtëse. (2 Kronikave 14:2, 6, 7) Ai e dinte se në çastin e sulmit do të ishte shumë vonë për t’u përgatitur. Në mënyrë të ngjashme, vendimet se çfarë duhet të bëjmë kur lindin tundimet merren më mirë me gjakftohtësi, në çastet paqësore e pa probleme. (Psalmi 63:6) Danieli dhe shokët e tij me frikë Perëndie e morën vendimin për t’i qëndruar besnikë ligjit të Jehovait para se t’u bëhej presioni për të ngrënë ushqimet e zgjedhura të mbretit. Për këtë arsye, nuk ngurruan t’u përmbaheshin bindjeve të tyre dhe të mos merrnin ushqim të papastër. (Danieli 1:8) Le ta forcojmë vendosmërinë tonë për të qëndruar të pastër moralisht, para se të lindin rrethanat tunduese. Atëherë do të jemi në gjendje t’i bëjmë ballë mëkatit.

7. Përse është ngushëlluese të dimë se të tjerët i kanë bërë ballë me sukses tundimit?

7 Çfarë ngushëllimi që marrim nga fjalët e Pavlit: «Asnjë tundim nuk ju ka zënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit.» (1 Korintasve 10:13) Apostulli Pjetër shkroi: «Kundërvijuni [Djallit], të fortë në besim, duke e ditur se të njëjtat gjëra për sa u përket vuajtjeve po ndodhin në gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë.» (1 Pjetrit 5:9) Po, të tjerë kanë hasur tundime të ngjashme dhe u kanë bërë ballë me sukses, me ndihmën e Perëndisë. Edhe ne mund ta bëjmë këtë. Megjithatë, si të krishterë të vërtetë që jetojmë në një botë të zvetënuar, të gjithë mund të presim të tundohemi herët a vonë. Atëherë, si mund të jemi të sigurt për fitoren kundër dobësisë njerëzore dhe kundër tundimit për mëkat?

Mund t’i bëjmë ballë tundimit!

8. Cila është një mënyrë themelore për të shmangur tundimin?

8 Një mënyrë themelore për ‘të mos qenë më skllevër të mëkatit’ është ta shmangim tundimin, kur është e mundur. (Romakëve 6:6) Te Fjalët e urta 4:14, 15 kemi nxitjen: «Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.» Shpesh, e dimë që më përpara nëse një seri rrethanash do të na çojë në mëkat. Prandaj, gjëja e qartë që duhet të bëjmë si të krishterë është «të shkojmë tutje», duke qëndruar larg kujtdo, çfarëdo gjëje e çfarëdo vendi që do të na krijonte dëshira të gabuara dhe do të na ndizte pasione të papastra.

9. Si theksohet në Shkrime ikja nga situatat kompromentuese?

9 T’ia mbathim nga një rrethanë tunduese është një hap tjetër themelor drejt fitores kundër tundimit. Pavli këshilloi: «Ikni nga kurvëria.» (1 Korintasve 6:18) Po ashtu, shkroi: «Ikni prej idhujtarisë.» (1 Korintasve 10:14) Veç kësaj, apostulli e paralajmëroi Timoteun të ikte nga dëshira e tepruar për pasuri materiale, si edhe nga «dëshirat karakteristike rinore».—2 Timoteut 2:22; 1 Timoteut 6:9-11.

10. Cilët janë dy shembuj të kundërt që tregojnë vlerën e ikjes nga tundimi?

10 Shqyrtoni rastin e mbretit David të Izraelit. Ndërsa po vështronte nga tarraca e pallatit, ai pa një grua të bukur duke u larë dhe zemra iu mbush me dëshira të gabuara. Duhej të ishte larguar nga tarraca dhe t’i kishte ikur tundimit. Në vend të kësaj, ai pyeti për këtë grua, Betshebën, dhe pasojat qenë shkatërrimtare. (2 Samuelit 11:1–12:23) Nga ana tjetër, si veproi Jozefi, kur gruaja imorale e zotërisë së tij e nxiti që të shtrihej me të? Tregimi thotë: «Me gjithë faktin që ajo i fliste Jozefit për këtë gjë çdo ditë, ai nuk pranoi të binte në shtrat me të dhe t’i jepej asaj.» Ndonëse nuk i kishte urdhrat e Ligjit të Moisiut, të cilat nuk ishin dhënë ende, Jozefi iu përgjigj asaj duke thënë: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?» Një ditë, ajo e kapi nga rrobat, duke i thënë: «Eja të shtrihesh me mua.» A qëndroi Jozefi aty që të përpiqej të arsyetonte me të? Jo. Ai «iku duke vrapuar jashtë». Jozefi nuk i dha tundimit seksual një mundësi për të vepruar. Ai iku me vrap!—Zanafilla 39:7-16.

11. Çfarë mund të bëjmë nëse po hasim një tundim që përsëritet?

11 Disa herë, t’ia mbathësh quhet një veprim burracak, por të ikësh fizikisht nga një rrethanë është, shpesh, gjëja më e mençur për t’u bërë. Ndoshta në punë po hasim një tundim që përsëritet. Sado që mund të mos jemi në gjendje të ndryshojmë punën, mund të ketë mënyra të tjera për t’u larguar nga rrethanat tunduese. Duhet të ikim nga çdo gjë që e dimë se është e gabuar dhe duhet të jemi të vendosur të bëjmë vetëm atë që është e drejtë. (Amosi 5:15) Në vende të tjera, të ikim nga tundimi do të kërkonte të shmangim sitet pornografike në Internet dhe vendet e dyshimta të argëtimit. Në të njëjtën mënyrë, mund të nënkuptojë të flakim një revistë ose të gjejmë një rreth të ri miqsh, ata që e duan Perëndinë e që mund të jenë në gjendje të na ndihmojnë. (Fjalët e urta 13:20) Cilado qoftë gjëja që na tundon drejt mëkatit, do të jemi të mençur, nëse do t’ia kthejmë me vendosmëri shpinën.—Romakëve 12:9.

Si mund të na ndihmojë lutja?

12. Çfarë i kërkojmë Perëndisë kur lutemi «mos na ço në tundim»?

12 Pavli jep këtë siguri që na e ngroh zemrën: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Korintasve 10:13) Një mënyrë se si na ndihmon Jehovai është duke iu përgjigjur lutjeve tona për ndihmë që të përballojmë tundimin. Jezu Krishti na mësoi të lutemi: «Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» (Mateu 6:13) Në përgjigje të kësaj lutjeje të sinqertë, Jehovai nuk do të na braktisë në duart e tundimit, por do të na çlirojë nga Satanai dhe nga veprat e tij dinake. (Efesianëve 6:11, shënimi) Duhet t’i kërkojmë Perëndisë që të na ndihmojë t’i dallojmë tundimet dhe të kemi forcën për t’u bërë ballë. Nëse i lutemi të mos lejojë që të dorëzohemi kur tundohemi, ai do të na ndihmojë që të mos na e hedhë Satanai, «i ligu».

13. Çfarë duhet të bëjmë kur hasim një tundim që s’na ndahet?

13 Kemi veçanërisht nevojë për t’u lutur me zjarr kur ballafaqohemi me një tundim që s’na ndahet. Disa tundime mund të shkaktojnë luftëra të fuqishme të brendshme, me mendime dhe qëndrime që në mënyrë tronditëse na kujtojnë sa të dobët jemi në të vërtetë. (Psalmi 51:5) Për shembull, çfarë mund të bëjmë nëse na mundojnë kujtime të ndonjë praktike të mëparshme të zvetënuar? Ç’të themi nëse tundohemi për t’iu rikthyer asaj? Në vend që thjesht të përpiqemi t’i shtypim këto ndjenja, le t’ia paraqesim Jehovait çështjen në lutje, në mënyrë të përsëritur, nëse është e nevojshme. (Psalmi 55:22) Me fuqinë e Fjalës së tij dhe të frymës së shenjtë, ai mund të na ndihmojë ta pastrojmë mendjen nga prirjet e papastra.—Psalmi 19:8, 9.

14. Përse lutja është e domosdoshme për të përballuar tundimin?

14 Duke vënë re përgjumjen e apostujve të tij në kopshtin e Getsemanisë, Jezui i nxiti: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni vazhdimisht, që të mos hyni në tundim. Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.» (Mateu 26:41) Një mënyrë për të mposhtur tundimin është të jemi syçelë ndaj formave të ndryshme që mund të marrë tundimi dhe të jemi të ndjeshëm ndaj formave të tij që mezi dallohen. Gjithashtu, është jetësore që të lutemi pa vonesë për tundimin, me qëllim që të jemi të pajisur frymësisht për ta luftuar atë. Duke qenë se tundimi godet aty ku jemi më të prekshëm, nuk mund t’i bëjmë ballë të vetëm. Lutja është e domosdoshme, sepse forca që jep Perëndia mund të na e përforcojë mbrojtjen tonë ndaj Satanait. (Filipianëve 4:6, 7) Mund të kemi nevojë edhe për ndihmën frymore dhe lutjet e ‘pleqve të kongregacionit’.—Jakovit 5:13-18.

T’i bëjmë ballë tundimit duke vepruar

15. Çfarë përfshin t’i bëjmë ballë tundimit?

15 Përveçse ta shmangim një tundim kur është e mundur, duhet t’i bëjmë ballë atij në mënyrë vepruese derisa të kalojë ose derisa të ndryshojë gjendja. Kur Jezuin e tundoi Satanai, ai qëndroi i palëkundur derisa Djalli u largua. (Mateu 4:1-11) Dishepulli Jakov shkroi: «Kundërvijuni Djallit dhe ai do të ikë nga ju.» (Jakovit 4:7) Qëndresa fillon duke e forcuar mendjen me Fjalën e Perëndisë dhe duke vendosur në mënyrë të patundur që t’u përmbahemi normave të saj. Bëjmë mirë të mësojmë përmendësh dhe të meditojmë për shkrime kyçe që kanë të bëjnë me dobësinë tonë specifike. Do të ishte e mençur të gjenim një të krishterë të pjekur, ndoshta një plak, me të cilin mund të ndajmë shqetësimet tona dhe të cilin mund ta thërrasim për ndihmë kur na godet tundimi.—Fjalët e urta 22:17.

16. Si mund të qëndrojmë të ndershëm nga ana morale?

16 Shkrimet na nxitin që të veshim personalitetin e ri. (Efesianëve 4:24) Kjo do të thotë që ta lejojmë Jehovain të na modelojë dhe të na ndryshojë. Duke i shkruar bashkëpunëtorit të tij, Timoteut, Pavli tha: «Ndiq . . . drejtësinë, devocionin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit. Lufto luftën e shkëlqyer të besimit, rrok jetën e përhershme për të cilën u thirre.» (1 Timoteut 6:11, 12) Mund ta ‘ndjekim drejtësinë’ duke e studiuar me zell Fjalën e Perëndisë, me qëllim që të marrim njohuri të hollësishme për personalitetin e tij dhe, pastaj, duke u sjellë sipas kërkesave të tij. Një program i plotë me veprimtari të krishtere—si predikimi i lajmit të mirë dhe ndjekja e mbledhjeve—është, po ashtu, jetësor. Duke iu afruar Perëndisë dhe duke përfituar në masë të plotë nga masat e tij frymore do të marrim ndihmë që të rritemi frymësisht dhe të qëndrojmë të ndershëm nga ana morale.—Jakovit 4:8.

17. Si e dimë që Perëndia nuk do të na braktisë gjatë tundimit?

17 Pavli na siguron se çfarëdo tundimi që hasim nuk do të shkojë kurrë përtej aftësisë që na ka dhënë Perëndia për ta përballuar atë. Jehovai ‘do të na sigurojë rrugëdaljen, me qëllim që të jemi në gjendje t’i qëndrojmë’. (1 Korintasve 10:13) Në të vërtetë, Perëndia nuk e lejon një tundim të bëhet kaq mbytës, sa të na mungojë forca e mjaftueshme frymore për të mbajtur integritetin, nëse vazhdojmë të mbështetemi tek ai. Ai dëshiron që t’ia dalim mbanë duke i bërë ballë në mënyrë vepruese tundimit për të bërë atë që është e gabuar në sytë e tij. Për më tepër, mund të kemi besim në premtimin e tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»—Hebrenjve 13:5.

18. Përse mund të jemi të sigurt për fitoren kundër dobësisë njerëzore?

18 Pavli nuk ishte i pasigurt për përfundimin që do të kishte lufta e tij personale kundër dobësisë njerëzore. Ai nuk e shihte veten si një gur shahu të mjerë e të pafuqishëm ndaj dëshirave të tij të mishit. Përkundrazi, tha: «Mënyra në të cilën vrapoj nuk është e pasigurt; mënyra se si i drejtoj goditjet është e atillë që të mos jem duke goditur ajrin; por e rrah me grushta trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.» (1 Korintasve 9:26, 27) Edhe ne mund të bëjmë një luftë të suksesshme kundër mishit të papërsosur. Me anë të Shkrimeve, të botimeve të bazuara në Bibël, të mbledhjeve të krishtere dhe të bashkëkrishterëve të pjekur, Ati ynë i dashur qiellor siguron përkujtues të vazhdueshëm që na ndihmojnë të ndjekim një udhë të drejtë. Me ndihmën e tij, mund ta arrijmë fitoren kundër dobësisë njerëzore!

A ju kujtohet?

• Çfarë do të thotë ‘ta mbajmë mendjen te mishi’?

• Si mund të përgatitemi për tundimin?

• Çfarë mund të bëjmë për të përballuar tundimin?

• Çfarë roli luan lutja për të përballuar tundimin?

• Si e dimë se është e mundur të arrijmë fitoren kundër dobësisë njerëzore?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Bibla nuk mëson që jemi viktima të pambrojtura të dëshirave të mishit

[Figura në faqen 12]

Të ikim nga tundimi është një mënyrë themelore për ta shmangur mëkatin