A të duket se të kanë keqkuptuar?
A të duket se të kanë keqkuptuar?
ANTONIOJA ndihej i turbulluar. Papritur dhe në mënyrë të pashpjegueshme, miku i tij i ngushtë Leonardoja po sillej ftohtë me të. * Në disa raste, nuk ia kishte kthyer përshëndetjen Antonios dhe, kur ishin në shoqëri të njëri-tjetrit, tani dukej sikur kishte një mur midis tyre. Antonioja filloi të merakosej se mos kishte bërë a kishte thënë diçka që miku i tij e kishte keqkuptuar. Po çfarë kishte thënë a kishte bërë?
Keqkuptimet janë normale. Shumë prej tyre janë të vogla dhe ndreqen me lehtësi. Të tjera mund të jenë shumë shkurajuese, veçanërisht kur përshtypjet e gabuara mbeten pavarësisht nga përpjekjet për t’i ndrequr ato. Përse ndodhin keqkuptimet? Si ndikojnë ato te personat e përfshirë? Çfarë mund të bësh nëse të tjerët keqkuptojnë diçka që bën ti? A ka vërtet rëndësi, në fund të fundit, se çfarë mendojnë të tjerët për ty?
Një realitet i pashmangshëm
Meqë të tjerët nuk i lexojnë dot mendimet dhe qëllimet tona, herët a vonë do të ndodhë që dikush të na i keqinterpretojë fjalët ose veprimet. Mundësi për keqkuptime ka plot. Disa herë, jemi ne që nuk arrijmë t’i shprehim mendimet me qartësinë dhe saktësinë e dëshiruar. Zhurmat përreth dhe shpërqendrime të tjera mund t’i pengojnë të tjerët që të na kushtojnë vëmendje të plotë.
Edhe disa sjellje e mënyra të vepruari ka mundësi të keqinterpretohen. Për shembull, një person të ndrojtur mund ta gjykojnë në mënyrë të gabuar si të ftohtë, indiferent ose krenar. Përvojat e kaluara personale mund të bëjnë që në disa rrethana të kemi reagime emocionale në vend të reagimeve logjike. Është e natyrshme se ndryshimet kulturore dhe gjuhësore bëjnë që njerëzit të mos kuptohen mes tyre siç do të donin. Shtoju këtyre gjërave edhe raportet e pasakta e thashethemet dhe s’ka pse të habitemi nëse kuptimi që u jepet gjërave të thëna ose të bëra disa herë ndryshon nga ajo që kishim për qëllim fillimisht. Sigurisht, e gjithë kjo nuk i ngushëllon dhe aq ata që mendojnë se qëllimet e tyre janë keqkuptuar.
Për shembull, Ana kishte bërë një koment të çiltër për popullaritetin që gëzonte një shoqe e saj, e cila në atë çast nuk ndodhej aty. Ky koment u përsërit tjetër për tjetër dhe, më pas, për habinë dhe zhgënjimin e Anës, kjo shoqe me inat e akuzoi para disa të tjerëve, se ishte xheloze, ngaqë një shoku i tyre i kishte kushtuar vëmendje asaj dhe jo Anës. Komenti i Anës ishte keqinterpretuar plotësisht dhe të gjitha përpjekjet e saj për ta siguruar shoqen se nuk kishte pasur ndër mend këtë, qenë të kota. Ajo gjendje shkaktoi shumë dhembje dhe u desh të kalonte shumë kohë para se Ana ta ndreqte plotësisht keqkuptimin.
Mënyra se si të tjerët na vlerësojnë, shpesh varet nga mënyra si i kuptojnë qëllimet tona. Prandaj, është e natyrshme të ndihesh keq kur njerëzit i keqinterpretojnë motivet e tua. Mund të zemërohesh për këtë, duke menduar se nuk ka arsye përse të tjerët duhet të të keqkuptojnë. Për mendimin tënd, këto vlerësime janë të njëanshme, kritike ose tërësisht të gabuara dhe mund të të lëndojnë thellësisht, veçanërisht nëse e vlerëson mendimin e atyre që kanë bërë këto pohime të padrejta.
Ndonëse mund të mërzitesh nga mënyra se si të gjykojnë të tjerët, prapëseprapë, është e përshtatshme ta respektosh opinionin e tyre. Nuk është e krishterë të shpërfillim atë që mendojnë të tjerët dhe nuk duam kurrë që fjalët ose veprimet tona të kenë ndikim dëmtues te njerëzit e tjerë. (Mateu 7:12; 1 Korintasve 8:12) Vërtet, ka disa raste kur mund të të duhet të përpiqesh të ndreqësh mendimin e gabuar që ka dikush për ty. Megjithatë, shqetësimi i tepruar për miratimin e të tjerëve nuk të bën mirë, sepse të bën të humbasësh respektin për veten ose të ndihesh sikur të tjerët nuk të pranojnë. Në fund të fundit, vlerat e tua të vërteta nuk varen nga ajo që mendojnë të tjerët.
Nga ana tjetër, ndoshta kupton se kritikat që të janë bërë janë me vend. Edhe kjo mund të të lëndojë, por nëse me gatishmëri dhe me ndershmëri i pranon papërsosmëritë e tua, këto përvoja mund të jenë nxitje pozitive që të bësh ndryshimet e nevojshme.
Pasojat negative
Keqkuptimet mund të çojnë ose jo në pasoja të rënda. Nëse dëgjon një njeri që flet me zë të lartë në një restorant, për shembull, ndoshta ti nxjerr përfundimin që është ose shumë i hedhur, ose një person që do të bjerë në sy. Mund ta kesh gabim. Ka mundësi që personi me të cilin po flet ai të ketë ndonjë problem me dëgjimin. Ose ndoshta një shitëse të duket e pakëndshme, por mbase ajo nuk ndihet mirë. Ndonëse këto keqkuptime çojnë në përshtypje të gabuara, ka të ngjarë që të mos sjellin pasoja të rënda ose të përhershme. Sidoqoftë, ndonjëherë keqkuptimet mund të shkaktojnë katastrofa. Të shqyrtojmë dy ngjarje në historinë e Izraelit të lashtë.
Kur vdiq Nahashi, mbreti i Amonit, Davidi dërgoi lajmëtarë që të ngushëllonin të birin, Hanunin, i cili kishte filluar të mbretëronte në vend të të atit. Por, vizita e lajmëtarëve u keqinterpretua si një spiunim armiqësor i territorit amonit, dhe kjo e shtyu Hanunin që së pari të poshtëronte lajmëtarët dhe pastaj t’i shpallte luftë Izraelit. Për pasojë, vdiqën të paktën 47.000 njerëz dhe e gjithë kjo për shkak të një keqkuptimi të synimeve që ishin të mira.—1 Kronikave 19:1-19.
Më parë në historinë e Izraelit, një keqkuptim tjetër u zgjidh shumë ndryshe. Fisi i Josiu 22:10-34.
Rubenit, i Gadit dhe gjysma e fisit të Manaseut ndërtuan një altar që binte në sy në anë të lumit Jordan. Pjesa tjetër e Izraelit e mori këtë si një veprim jobesnik, një rebelim kundër Jehovait. Prandaj, u mblodhën për një ndërhyrje ushtarake. Para se të bënin ndonjë gjë drastike, këta izraelitë dërguan lajmëtarë për të shprehur zemërimin e tyre për këtë veprim që mendonin se ishte një veprim jobesnik. Bënë mirë që vepruan kështu, pasi ndërtuesit e altarit u përgjigjën se nuk kishin pasur fare ndër mend të largoheshin nga adhurimi i pastër. Përkundrazi, altari duhej të shërbente si një monument për besnikërinë e tyre ndaj Jehovait. Ky keqkuptim mund të kishte shkaktuar një gjakderdhje, por mençuria i shmangu pasoja të tilla të tmerrshme.—T’i sqarojmë gjërat me frymë dashurie
Krahasimi i këtyre tregimeve është ndërtues. Qartë, gjëja më e mençur për t’u bërë është që të sqarohet çështja. Në ngjarjen e fundit që trajtuam, kushedi sa shumë jetë u kursyen vetëm ngaqë të dyja palët folën me njëra-tjetrën? Në shumicën e rasteve, edhe pse nuk do të jetë në lojë ndonjë jetë nëse nuk i kuptojmë qëllimet e vërteta të një personi, mund të jetë në lojë miqësia. Për këtë arsye, nëse mendon që dikush është sjellë në mënyrë të papërshtatshme me ty, a je i sigurt se i ke kuptuar gjërat siç janë në të vërtetë apo po i keqinterpreton ato? Cilat ishin motivet e personit tjetër? Pyete atë. Të duket se të kanë keqkuptuar? Fol për këtë. Mos lejo që krenaria të hyjë në mes.
Jezui dha një motiv të shkëlqyer për të zgjidhur keqkuptimet: «Nëse ti, pra, po sjell dhuratën tënde në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde atje, para altarit, dhe ik; bëj më parë paqe me vëllanë tënd dhe pastaj, kur të jesh kthyer, ofro dhuratën tënde.» (Mateu 5:23, 24) Kështu, gjëja më e përshtatshme që mund të bësh është t’i afrohesh vetëm për vetëm personit, pa përfshirë të tjerët. Gjërat nuk do të përmirësohen nëse ai që ka ofenduar do ta dëgjojë ankimin tënd nga dikush tjetër më përpara. (Fjalët e urta 17:9) Synimi yt duhet të jetë të bësh paqe me një frymë dashurie. Shpjegoje me qetësi problemin, me fjalë të qarta, të thjeshta dhe jo akuzuese. Shpjego se si të bën të ndihesh kjo gjendje. Pastaj, dëgjo me paanësi pikëpamjen e tjetrit. Mos u nxito ta fajësosh se ka motive të këqija. Ji i gatshëm të besosh se personi tjetër nuk e ka patur me të keq. Mos harro, dashuria «beson çdo gjë».—1 Korintasve 13:7.
Sigurisht, edhe kur sqarohen keqkuptimet, mund të ketë ende ndjenja të lënduara ose pasoja negative që mbeten. Çfarë mund të bëhet? Aty ku është e nevojshme, është patjetër e përshtatshme të kërkojmë të falur, si edhe të bëjmë çdo veprim të arsyeshëm për t’i ndrequr gjërat. Në të gjitha këto rrethana, pala e dëmtuar do të bënte mirë të ndiqte këshillën e frymëzuar: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu. Por, përveç të gjitha këtyre, vishuni me dashurinë, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»—Kolosianëve 3:13, 14; 1 Pjetrit 4:8.
Për sa kohë që do të jemi të papërsosur, do të ketë keqkuptime dhe ndjenja të lënduara. Të gjithë mund të bëjmë gabime ose të flasim në një mënyrë që duket e pandjeshme ose jo e dashur. Bibla thekson: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, ky është njeri i përsosur, në gjendje për t’i vënë fre edhe gjithë trupit të vet.» (Jakovit 3:2) Duke qenë se Perëndia Jehova është më se i vetëdijshëm për këtë, na ka siguruar këto udhëzime: «Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve. Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen, që të mos mallkohesh nga shërbëtori yt, sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vetë i ke mallkuar shumë herë të tjerët.»—Predikuesi 7:9, 21, 22.
«Jehovai bën një vlerësim të zemrave»
Po sikur të duket e pamundur të korrigjohet përshtypja e gabuar që ka një person për ty? Mos u dëshpëro. Vazhdo të kultivosh dhe të shfaqësh cilësitë e krishtere sa më mirë që të mundesh. Kërkoji Jehovait që të të ndihmojë të përmirësosh aty ku ke nevojë. Vlera jote e vërtetë si person, në fund të fundit, nuk përcaktohet nga njerëzit e tjerë. Vetëm Jehovai mund të ‘bëjë një vlerësim të zemrave’ me saktësi. (Fjalët e urta 21:2) Edhe Jezuin njerëzit nuk e vlerësuan dhe e përbuzën, por kjo nuk ndikoi në mënyrën si e vlerësonte Jehovai. (Isaia 53:3) Ndonëse disa mund të të gjykojnë gabimisht, mund ‘t’i hapësh zemrën’ Jehovait, i sigurt se ai të kupton, «sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën». (Psalmi 62:8; 1 Samuelit 16:7) Nëse ngulmon duke bërë atë që është e shkëlqyer, ata që kanë krijuar një përshtypje të gabuar për ty, ndoshta, me kalimin e kohës do ta kuptojnë gabimin e tyre dhe do të ndryshojnë mendim.—Galatasve 6:9; 2 Timoteut 2:15.
A të kujtohet Antonioja, i përmendur në fillim të artikullit? Ai mori guximin të ndiqte këshillat biblike dhe foli me mikun e tij, Leonardon, duke e pyetur se çfarë kishte bërë që e kishte zemëruar. Përfundimi? Leonardoja mbeti i shtangur. Ai u përgjigj se Antonioja nuk kishte bërë asgjë për ta zemëruar dhe e siguroi se nuk kishte pasur ndër mend të sillej ndryshe ndaj tij. Nëse i ishte dukur i ftohtë, ndoshta thjesht kishte qenë i humbur në mendime. Leonardoja kërkoi të falur që pa dashje kishte lënduar ndjenjat e mikut të tij dhe e falënderoi që ia drejtoi vëmendjen te kjo gjë. Shtoi se në të ardhmen do të ishte më i kujdesshëm që të mos u linte këtë përshtypje edhe të tjerëve. I gjithë tensioni që ishte krijuar mes tyre u fashit dhe dy miqtë ishin më të ngushtë se më parë.
Mendimi që të kanë keqkuptuar nuk është asnjëherë i këndshëm. Megjithatë, nëse bën të gjithë hapat e mundshëm për t’i sqaruar gjërat dhe zbaton parimet biblike të dashurisë dhe të faljes, ka shumë të ngjarë që edhe ti të arrish të njëjtat përfundime të mira.
[Shënimi]
^ par. 2 Në këtë artikull janë përdorur disa emra zëvendësues.
[Figurat në faqen 23]
Sqarimi i gjërave me një frymë dashurie dhe faljeje mund të çojë në përfundime të lumtura