Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bindja: A është një mësim i rëndësishëm i fëmijërisë?

Bindja: A është një mësim i rëndësishëm i fëmijërisë?

Bindja: A është një mësim i rëndësishëm i fëmijërisë?

«PRINDËRIT duan individë të formuar, jo vetëm fëmijë që binden.» Kështu lexohet në titullin e një gazete. Ky raport i shkurtër u bazua në përfundimet e një ankete të bërë në Zelandën e Re, e cila zbuloi se vetëm «22 për qind e të anketuarve mendonin që fëmijëve u duhet mësuar bindja në shtëpi». Anketa zbuloi, gjithashtu, se prindërit sot besojnë që shumë më e rëndësishme se bindja është t’u mësohen fëmijëve gjëra të tilla, si: mirësjellja, pavarësia dhe përgjegjësia.

Në këtë epokë individualizmi dhe egoizmi, s’është për t’u habitur që shumica e njerëzve kanë një pikëpamje skeptike për bindjen dhe për faktin që ajo u duhet mësuar fëmijëve. Por, a duhet hedhur poshtë bindja gjatë fëmijërisë si diçka e vjetëruar dhe e dalë mode? Apo është një ndër mësimet e rëndësishme që fëmijët mund të mësojnë dhe prej të cilave mund të nxjerrin dobi? Ç’është më e rëndësishme, si e konsideron Perëndia Jehova, Nismëtari i rregullimit familjar, bindjen ndaj prindërve dhe cilat janë disa dobi që vijnë nga një bindje e tillë?—Veprat 17:28; Efesianëve 3:14, 15.

«Kjo është e drejtë»

Kongregacionit të krishterë të shekullit të parë në Efes, apostulli Pavël i shkroi: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në unitet me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë.» (Efesianëve 6:1) Kështu, arsyeja kryesore për këtë bindje bazohet në faktin se ajo është në harmoni me normën hyjnore të asaj që është e drejtë. Siç u shpreh Pavli, «kjo është e drejtë».

Në harmoni me këtë, vërejmë se Fjala e Perëndisë e përshkruan disiplinën që prindërit e japin me dashuri si një objekt zbukurimi, «një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde» dhe si diçka «e pëlqyeshme në Zotërinë». (Fjalët e urta 1:8, 9; Kolosianëve 3:20) Në kontrast të drejtpërdrejtë, mosbindja ndaj prindërve shkakton mosmiratimin hyjnor.—Romakëve 1:30, 32.

«Që të të vejë mbarë»

Pavli tregoi një dobi tjetër të bindjes, kur shkroi: «‘Ndero atin dhe nënën tënde’; i cili është urdhërimi i parë me një premtim: ‘Që të të vejë mbarë dhe të qëndrosh gjatë mbi tokë.’» (Efesianëve 6:2, 3; Eksodi 20:12) Në cilat mënyra bindja ndaj prindërve mund të sjellë si rrjedhojë mirëqenie?

Pikësëpari, a nuk është e vërtetë se prindërit kanë përparësinë e moshës dhe të përvojës? Ndonëse mund të duket se nuk dinë shumë për kompjuterët ose për ndonjë lëndë tjetër që mësohet në shkollë, ata dinë shumë për jetën dhe përballimin e problemeve të jetës. Të rinjve, nga ana tjetër, u mungon mënyra e drejtpeshuar e të menduarit që vjen me pjekurinë. Kështu, kanë prirjen të nxitohen për të marrë vendime, shpesh, duke u dorëzuar ndaj presioneve të dëmshme nga bashkëmoshatarët, duke i sjellë në radhë të parë shumë dëm vetes. Në mënyrë realiste, Bibla thotë: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës.» Cili është ilaçi? «Shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.»—Fjalët e urta 22:15.

Dobitë e bindjes shkojnë shumë më larg se marrëdhëniet prind-fëmijë. Që shoqëria njerëzore të funksionojë mirë dhe të jetë frytdhënëse, duhet të ketë bashkëpunim, i cili nga ana e vet kërkon një masë bindjeje. Për shembull, në një martesë, ajo që sjell paqe, harmoni dhe lumturi është gatishmëria për të bërë lëshime dhe jo të qenët kërkues e të pandjeshëm ndaj të drejtave dhe ndjenjave të të tjerëve. Në vendin e punës, nënshtrimi i punonjësve është i domosdoshëm që çdo sipërmarrje ose çdo përpjekje t’ia dalë mbanë. Për sa u përket ligjeve dhe rregullave të qeverisë, bindja jo vetëm që e përjashton mundësinë e ndëshkimit, por, në të njëjtën kohë, sjell të paktën një masë sigurie dhe mbrojtjeje.—Romakëve 13:1-7; Efesianëve 5:21-25; 6:5-8.

Të rinjtë që nuk i binden autoritetit, shpesh, bëhen njerëz që nuk përshtaten në shoqëri. Në kontrast, mësimi i bindjes, i marrë në fëmijëri, mund të zgjatë në mënyrë shpërblyese gjatë gjithë jetës së personit. Sa e dobishme është ta mësojmë këtë gjë që nga fëmijëria!

Shpërblimi madhështor për bindjen

Bindja jo vetëm që sjell marrëdhënie të lumtura familjare dhe dobi të tjera që zgjatin gjithë jetën, por edhe siguron bazën mbi të cilën mund të ndërtojmë marrëdhënien më jetësore nga të gjitha: atë midis një personi dhe Krijuesit të tij. Si ‘Krijuesi i Madh’, tek i cili është «burimi i jetës», Perëndia Jehova e meriton me të drejtë bindjen tonë të plotë.—Eklisiastiu (Predikuesi) 12:1, BR; Psalmi 36:9.

Fjala «bindem» me format e saj të ndryshme shfaqet më shumë se 160 herë në Bibël. Veç kësaj, ka qindra referime për ligje, urdhra, urdhërime, vendime gjyqësore dhe rregulla të Perëndisë, e që të gjitha kërkojnë nënshtrim. Nuk kemi asnjë dyshim se Perëndia e shikon bindjen si një kërkesë për të pasur miratimin e tij. Po, bindja është një përbërës i domosdoshëm për të ndërtuar një marrëdhënie me Jehovain. (1 Samuelit 15:22) Mjerisht, prirja e natyrshme njerëzore nuk është bindja, por mosbindja. «Synimet [prirja, BR] e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij»,—thotë Bibla. (Zanafilla 8:21) Prandaj, bindja duhet mësuar jo vetëm gjatë fëmijërisë, por edhe gjatë gjithë jetës. Kjo sjell një shpërblim të madh.

Sillni ndër mend se, siç e tha apostulli Pavël, urdhri për t’iu bindur prindërve vjen me një premtim të dyfishtë, domethënë «që të të vejë mbarë dhe të qëndrosh gjatë mbi tokë». Një përforcim të këtij premtimi e gjejmë te Fjalët e urta 3:1, 2, ku thuhet: «Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.» Shpërblimi më i madh për ata që binden është një marrëdhënie personale me Jehovain tani dhe jeta e përhershme në një botë të re paqësore.—Zbulesa 21:3, 4.

[Figurat në faqet 30, 31]

Bindja sjell marrëdhënie të lumtura në familje, në vendin e punës dhe me Jehovain