India—Një «unitet në mes të shumëllojshmërisë»
Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
India—Një «unitet në mes të shumëllojshmërisë»
«UNITET në mes të shumëllojshmërisë» është një parullë shumë e përdorur për të përshkruar integrimin kombëtar në Indi. Arritja e unitetit në këtë vend të madh me një shumëllojshmëri të madhe kulturash, gjuhësh, fesh, origjinash etnike, veshjesh dhe ushqimesh nuk është punë e lehtë. Megjithatë, ky unitet shihet në zyrën administrative të Dëshmitarëve të Jehovait në Indi, ndonëse vullnetarët që jetojnë e punojnë atje vijnë nga shumë shtete dhe territore të bashkuara, si edhe flasin shumë gjuhë.
• Të njihemi me Rajranin, një e re nga Punjabi, në skajin veriperëndimor të Indisë. Kur Rajrani ishte në shkollë, një nga shoqet e saj filloi të studiojë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Kjo vajzë u përpoq t’i nxiste Rajranit interesin për Biblën. Meqë nuk e dinte mirë gjuhën angleze dhe Kulla e Rojës nuk ishte në dispozicion në gjuhën punjabi në atë kohë, ajo, gjithashtu, i kërkonte Rajranit ndihmë për t’ia përkthyer revistën. Gjërat që lexoi në Kullën e Rojës filluan të ndikonin kaq shumë te Rajrani, saqë me gjithë kundërshtimin e prindërve, bëri përparim deri në pikën që ia dedikoi jetën Perëndisë Jehova. Sot, duke shërbyer në Bethelin e Indisë, ajo bën po atë gjë që ia hapi sytë për të parë të vërtetën. Përkthen botimet e krishtere në gjuhën punjabi.
• Të njihemi edhe me Bizhoin, i cili vjen nga një pjesë tjetër e Indisë, nga shteti jugperëndimor i Keralas. Bizhoin e përjashtuan nga shkolla e mesme pasi mbajti qëndrim asnjanës gjatë ceremonive nacionaliste. Pas një gjyqi të zgjatur, që përfundoi me një fitore historike për adhurimin e pastër, Bizhoi u kthye përsëri në shkollë. * Pas saj, shkoi edhe në kolegj. Por mjedisi imoral atje nuk ia linte ndërgjegjen të qetë, kështu që e la kolegjin që në semestrin e parë. Tani, pas dhjetë vjetësh në Bethel, mendon se ka nxjerrë më shumë dobi duke qenë anëtar i familjes së shumëllojshme, por të bashkuar Bethel, sesa do të kishte nxjerrë dobi duke ndjekur një arsimim të lartë.
• Norma dhe Lili i kanë kaluar që të dyja të 70 vjetët dhe kanë shumë vjet që janë vejusha. Secila prej tyre ka kaluar më shumë se 40 vjet në shërbimin e plotkohor. Lili ka punuar në degë për rreth 20 vjet si përkthyese e gjuhës tamile. Norma erdhi në Bethel 13 vjet më parë, pasi kishte humbur të shoqin. Përveç faktit që janë shembuj të shkëlqyer si punëtore të zellshme e të ndërgjegjshme, ato ndikojnë në unitetin e gjithë familjes Bethel. U pëlqen shumë të presin mysafirë dhe kënaqen me shoqërinë e anëtarëve më të rinj në moshë të familjes, duke ndarë gëzimet e viteve të shumta të një jetese të krishterë. Edhe të rinjtë e shkëmbejnë këtë mirësi duke i ftuar në dhomat e tyre për shoqëri dhe duke u dhënë ndihmë kur ato kanë nevojë. Këta janë vërtet shembuj të shkëlqyer!
Pasi kanë kapërcyer dallimet që shkaktojnë konflikte dhe armiqësi në shumë vende, këta vullnetarë punojnë të lumtur së bashku për të shërbyer si anëtarë të familjes së bashkuar Bethel në Indi.—Psalmi 133:1.
[Shënimi]
^ par. 5 Shih Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1987, faqja 21, anglisht.
[Burimi i figurës në faqen 8]
Sfondi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.