Lajmi i mirë i Mbretërisë: Çfarë është?
Lajmi i mirë i Mbretërisë: Çfarë është?
Vitin e kaluar, në 235 vende përreth botës, 6.035.564 veta, të rinj e të moshuar, kaluan 1.171.270.425 orë duke u folur të tjerëve për të. Përveçse ua kumtuan me fjalë, ata u lanë njerëzve më shumë se 700 milionë botime të shtypura, të cilat e njoftojnë dhe e shpjegojnë atë. Gjithashtu, shpërndanë mijëra kaseta dhe videokaseta për ta lajmëruar atë. Çfarë është ky?
ËSHTË lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë. Në të vërtetë, kurrë më parë në historinë njerëzore nuk është predikuar «ky lajm i mirë i mbretërisë» në një shkallë të tillë siç e shohim sot.—Mateu 24:14.
Ata që po bëjnë këtë vepër mbarëbotërore predikimi dhe mësimdhënieje janë që të gjithë vullnetarë. Nga një këndvështrim jofetar, ndoshta mund të duken se nuk janë të kualifikuar për këtë detyrë. Atëherë, si shpjegohet guximi dhe suksesi që kanë? Fuqia e lajmit të mirë të Mbretërisë është një nga faktorët kryesorë, pasi ky lajm flet për bekimet që do të vijnë mbi njerëzimin. Dhe bekimet që njerëzit i dëshirojnë me zjarr janë: lumturia, çlirimi nga vështirësitë ekonomike, një qeveri e mirë, paqja dhe siguria. Po ashtu, është edhe diçka tjetër, të cilën shumica e njerëzve as që guxojnë ta mendojnë: jeta e përhershme. Ky është vërtet një lajm i mirë për njerëzit që po kërkojnë domethënie dhe qëllim në jetë. Pikërisht, të gjitha këto bekime, por edhe të tjera, mund të jenë tuajat, nëse përgjigjeni dhe veproni në mënyrë të favorshme ndaj shpalljes së lajmit të mirë të Mbretërisë.
Çfarë është Mbretëria?
Por, çfarë është kjo Mbretëri që po shpallet si lajm i mirë? Është Mbretëria për të cilën miliona veta janë mësuar të luten me këto fjalë të njohura: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»—Mateu 6:9, 10.
Është Mbretëria për të cilën foli profeti hebre Danieli, më shumë se 25 shekuj më parë, kur shkroi: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»—Danieli 2:44.
Kështu, lajmi i mirë është për Mbretërinë ose qeverinë nga Perëndia, e cila do të zhdukë tërë ligësinë dhe, pastaj, do të sundojë mbi gjithë tokën në paqe. Ajo do të bëjë realitet qëllimin fillestar të Krijuesit për njerëzimin dhe për tokën.—Zanafilla 1:28.
«Mbretëria e qiejve është afruar»
Afro 2.000 vjet më parë, lajmi i mirë i Mbretërisë u shpall fillimisht nga një njeri i përkushtuar, pamja dhe mënyra e të vepruarit të të cilit tërhoqën shumë vëmendje. Ky ishte Gjon Pagëzori, bir i priftit jude, Zakarisë dhe gruas së tij, Elizabetës. Gjoni mbante një veshje me lesh deveje dhe një brez lëkure rreth ijëve, njësoj si profeti Elija, i cili e kishte përfaqësuar. Por ishte pikërisht mesazhi i tij që tërhoqi vëmendjen e shumë vetave. «Pendohuni,—shpallte ai,—sepse mbretëria e qiejve është afruar.»—Mateu 3:1-6.
Dëgjuesit e Gjonit ishin judenj, të cilët pohonin se ishin adhurues të Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Si komb, ata e kishin marrë besëlidhjen e Ligjit rreth 1.500 vjet më parë, nëpërmjet Moisiut. Në Jerusalem gjendej ende tempulli madhështor, ku bëheshin flijime në përputhje me Ligjin. Judenjtë ndiheshin të sigurt se adhurimi i tyre ishte i drejtë në sytë e Perëndisë.
Megjithatë, duke dëgjuar Gjonin, disa njerëz filluan ta kuptonin se feja e tyre nuk ishte ajo që kishin menduar. Kultura dhe filozofia greke kishin depërtuar në mësimet fetare judaike. Ligji, që e kishin marrë nga Perëndia nëpërmjet Moisiut, tani ishte bastarduar e, madje, ishte zhvlerësuar nga besimet dhe traditat e bëra nga njerëzit. (Mateu 15:6) Të mashtruar nga udhëheqësit fetarë zemërgur e të pamëshirshëm, shumica e njerëzve nuk po e adhuronin më Perëndinë në mënyrë të pranueshme. (Jakovit 1:27) Ata duhej të pendoheshin për mëkatet e tyre kundër Perëndisë dhe kundër besëlidhjes së Ligjit.
Në atë kohë, shumë judenj pritnin shfaqjen e Mesisë së premtuar ose Krishtit dhe disa pyetnin veten në lidhje me Gjonin: «A thua është ai Krishti?» Por, Gjoni e mohoi që ishte ai dhe, në vend të kësaj, i drejtoi te dikush tjetër, për të cilin tha: «[Atij] nuk jam i denjë t’i zgjidh lidhëset e sandaleve.» (Luka 3:15, 16) Duke ua paraqitur Jezuin dishepujve të tij, Gjoni deklaroi: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!»—Gjoni 1:29.
Ky ishte vërtet një lajm i mirë, sepse Gjoni, në të vërtetë, po u tregonte të gjithë njerëzve udhën drejt jetës dhe lumturisë—Jezuin, atë që «heq mëkatin e botës». Si pasardhës të Adamit dhe të Evës, të gjithë njerëzit lindin nën tiraninë e mëkatit dhe të vdekjes. Te Romakëve 5:19 shpjegohet: «Ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm [Adamit], shumë u bënë mëkatarë, po ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi [Jezuit], shumë do të bëhen të drejtë.» Jezui, si një qengj flijimi, duhej të ‘hiqte mëkatin’ dhe të sillte një përmbysje të gjendjes së mjerueshme të çështjeve njerëzore. «Paga që paguan mëkati është vdekja,—shpjegon Bibla,—por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.»—Romakëve 6:23.
Marku 1:14, 15 na thotë: «Tani, pasi Gjoni u arrestua, Jezui hyri në Galile, duke predikuar lajmin e mirë të Perëndisë e duke thënë: ‘Koha e caktuar është përmbushur dhe mbretëria e Perëndisë është afruar. Pendohuni dhe kini besim në lajmin e mirë.’»
Si një njeri i përsosur—po, njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë—Jezui ndërmori veprën e predikimit të lajmit të mirë. Tregimi biblik teAta që iu përgjigjën mesazhit të Jezuit dhe ushtruan besim në lajmin e mirë, u bekuan shumë. Te Gjoni 1:12 thuhet: «Të gjithë atyre që e pritën [Jezuin], u dha autoritet të bëheshin fëmijë të Perëndisë, sepse po ushtronin besim në emrin e tij.» Duke qenë fëmijë ose bij të Perëndisë, ata kishin mundësinë të merrnin shpërblimin e jetës së përhershme.—1 Gjonit 2:25.
Por, privilegji për të marrë bekimet e Mbretërisë nuk kufizohej vetëm te njerëzit në shekullin e parë. Siç u përmend më parë, sot lajmi i mirë i Mbretërisë së Perëndisë po shpallet dhe po mësohet në të gjithë tokën e banuar. Prandaj, bekimet e Mbretërisë janë ende në dispozicion. Çfarë duhet të bëni për t’i marrë këto bekime? Artikulli vijues do ta shpjegojë.