Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

Te Romakëve 5:3-5, përse apostulli Pavël e radhiti në fund shpresën?

Pavli paraqiti një seri gjërash që provojnë të krishterët: shtrëngimin, qëndrueshmërinë, gjendjen e miratuar dhe shpresën. Kjo «shpresë» nuk është shpresa fillestare që fiton një person nga Bibla, por është shpresa e forcuar, e thelluar dhe depërtuese që mund të fitojë një i krishterë me kalimin e kohës.—15/12, faqet 22, 23.

Përse mund t’i interesojnë një të krishteri sot lojërat atletike që mbaheshin në Greqinë e lashtë?

Kuptueshmëria për natyrën dhe zakonet e këtyre lojërave mund të hedhë dritë mbi shumë vargje biblike. Disa prej këtyre vargjeve bëjnë fjalë për ‘ndeshjen sipas rregullave’, ‘flakjen e çdo peshe dhe ndjekjen e shembullit të Jezuit’, ‘përfundimin e vrapimit’ dhe për fitimin e kurorës ose të çmimit. (2 Timoteut 2:5; 4:7, 8; Hebrenjve 12:1, 2; 1 Korintasve 9:24, 25; 1 Pjetrit 5:4)—1/1, faqet 28-30.

Cila mënyrë e re e shpalljes së lajmit të mirë u përdor për herë të parë në janar të vitit 1914?

Në atë kohë u prezantua «Foto-Drama e Krijimit». Ajo përbëhej nga një shfaqje prej katër pjesësh, e cila përfshinte pjesë me filmime dhe qindra diapozitiva me xham të ngjyrosur, një pjesë e mirë e të cilëve ishin sinkronizuar ose shoqëruar me regjistrime në gramafon të fjalimeve shpjeguese. U përgatitën njëzet kopje të kësaj Drame dhe u përdorën gjerësisht për t’u mësuar njerëzve mesazhin e Biblës.—15/1, faqet 8, 9.

Si ndryshon Trupi Udhëheqës nga një korporatë ligjore?

Drejtuesit e një korporate ligjore zgjidhen me vota nga anëtarët e saj, kurse Trupi Udhëheqës nuk emërohet nga asnjë njeri, por emërohet nga Jezu Krishti. Nuk është e nevojshme që drejtuesit e korporatave të ndryshme që përdorin Dëshmitarët e Jehovait të jenë anëtarë të Trupit Udhëheqës. Në mbledhjen vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania që u mbajt vitin e kaluar, anëtarët e Trupit Udhëheqës që shërbenin si drejtuesit dhe funksionarët e saj dhanë vullnetarisht dorëheqjen nga funksionet e tyre. Në vendet bosh u caktuan vëllezër të pjekur nga ‘delet e tjera’. (Gjoni 10:16) Kështu, Trupi Udhëheqës mund të kalojë më shumë kohë për të përgatitur ushqimin frymor dhe për t’u kujdesur në mënyra të tjera për nevojat frymore të vëllazërisë mbarëbotërore.—15/1, faqet 29, 31.

Cilët janë dy shembuj biblikë që mund të shqyrtojmë, për të mësuar si të përballojmë shkurajimin?

Një shembull është Hana, mamaja e Samuelit. Ajo mund ta kishte lënë veten të shkurajohej kur Eliu, kryeprifti i Izraelit, e gjykoi gabimisht. Në vend të kësaj, ajo ia paraqiti atij faktet në mënyrë të hapur, por të respektueshme. Për më tepër, Hana nuk i mbajti mëri Eliut. Shembulli i dytë është Marku, i cili duhet të jetë shkurajuar kur apostulli Pavël nuk donte ta përfshinte në një udhëtim misionar. Në vend që ta lëshonte zemra nga humbja e këtij privilegji, ai vazhdoi në shërbimin e tij aktiv, duke udhëtuar me Barnabën.—1/2, faqet 20-22.

Përse të krishterët duhet të jenë të kujdesshëm për t’u dhënë të tjerëve ose për të marrë nga ata kopje të programeve software të kompjuterëve?

Shumica e programeve të kompjuterëve (duke përfshirë edhe lojërat) kanë një licensë që e kufizon pronarin ose përdoruesin ta instalojë programin vetëm në një kompjuter. Zakonisht, është një shkelje e ligjit të bëhen kopje për të tjerët, edhe kur këto kopje i japim falas. Të krishterët dëshirojnë t’i binden ligjit, ‘duke i paguar Cezarit, gjërat e Cezarit’. (Marku 12:17)—15/2, faqet 28, 29.

Cilët ishin Cirili dhe Metodi dhe çfarë ndihmese dhanë për studimin e Biblës?

Ata ishin dy vëllezër që lindën në Selanik të Greqisë, në shekullin e nëntë. Zhvilluan një alfabet të shkruar për gjuhët sllave dhe përkthyen një pjesë të madhe të Biblës në gjuhën e vjetër sllave.—1/3, faqet 28, 29.

Çfarë do të thotë shprehja ‘ta mbash mendjen te fryma’?—Romakëve 8:6.

Do të thotë të lëmë që të na kontrollojë, të na sundojë dhe të na nxitë forca vepruese e Jehovait. Mund ta lejojmë frymën e Perëndisë të veprojë te ne duke lexuar dhe duke studiuar Biblën, duke iu bindur ligjit të Perëndisë me gjithë zemër dhe duke u lutur për frymën e Perëndisë.—15/3, faqja 15.

Çfarë mund të bëjmë nëse na duket se na kanë keqkuptuar?

Është e rëndësishme që të përpiqemi ta sqarojmë çështjen me një frymë dashurie. Po qe se kjo mënyrë duket që nuk ka sukses, të mos dëshpërohemi. Të kërkojmë kuptueshmëri dhe ndihmë nga Jehovai që «bën një vlerësim të zemrave». (Fjalët e urta 21:2; 1 Samuelit 16:7)—1/4, faqet 21-23.