Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Etërit e Kishës: A ishin përkrahës të së vërtetës biblike?

Etërit e Kishës: A ishin përkrahës të së vërtetës biblike?

Etërit e Kishës: A ishin përkrahës të së vërtetës biblike?

Pavarësisht nëse pohoni se jeni të krishterë ose jo, mënyra si e perceptoni Perëndinë e Biblës, si e perceptoni Jezuin dhe krishterimin, mund të jetë ndikuar fare mirë nga ata. Një prej tyre quhej Gojartë, një tjetër i Madh. Së bashku, ata janë përshkruar si «mishërimet më të larta të jetës së Krishtit». Cilët janë? Janë mendimtarët fetarë, shkrimtarët, teologët dhe filozofët e lashtë, të cilët kanë ndikuar mbi një pjesë të mirë të mënyrës së të menduarit «të krishterë»—Etërit e Kishës.

«BIBLA nuk është tërësia e fjalës së Perëndisë,—pretendon profesori ortodoks i studimeve fetare Demetrios J. Konstantelos.—Fryma e Shenjtë që zbulon fjalën e Perëndisë nuk mund të kufizohet vetëm në faqet e një libri.» Çfarë mund të jetë, ndoshta, një burim tjetër i besueshëm i zbulimit hyjnor? Në librin e tij Understanding the Greek Orthodox Church, Konstantelosi pohon: «Tradita e Shenjtë dhe Shkrimet e Shenjta duhen parë si dy faqe të së njëjtës monedhë.»

Baza e kësaj ‘Tradite të Shenjtë’ përfshin mësimet dhe shkrimet e Etërve të Kishës. Këta ishin teologë të shquar dhe filozofë «të krishterë», të cilët jetuan midis shekujve të dytë dhe të pestë të erës sonë. Sa kanë ndikuar ata në mendimet e sotme «të krishtere»? A iu përmbajtën Biblës në mësimet e tyre? Cila duhet të jetë baza e fortë e së vërtetës së krishterë për një ithtar të Jezu Krishtit?

Sfondi historik

Në mes të shekullit të dytë të e.s., ata që pohonin se ishin të krishterë po e mbronin besimin e tyre nga përndjekësit romakë dhe nga heretikët. Megjithatë, ajo ishte një epokë me jashtëzakonisht shumë mendime teologjike. Debatet fetare për «hyjninë» e Jezuit dhe për natyrën e veprat e frymës së shenjtë shkaktuan më shumë sesa vetëm hendeqe intelektuale. Mosmarrëveshje të ashpra dhe ndarje të pandreqshme për doktrinën «e krishterë» u përhapën shumë në sferat politike dhe kulturore, disa herë duke shkaktuar kryengritje, rebelim, konflikt civil e, madje, edhe luftë. Historiani Pol Xhonsoni shkruan: «Krishterimi [apostat] filloi me rrëmujë, polemikë e përçarje dhe kështu vazhdoi. . . . Pjesa qendrore dhe lindore e Mesdheut, në shekullin e parë dhe të dytë AD, gëlonte nga një shumicë e pafundme idesh fetare, të cilat luftonin për t’u përhapur. . . . Pra, që nga fillimi, kishte lloje të ndryshme e të shumta të krishterimit, të cilat kishin shumë pak gjëra të përbashkëta.»

Gjatë asaj epoke filluan të shtoheshin shkrimtarët dhe mendimtarët që mendonin se ishte e domosdoshme të interpretoheshin mësimet «e krishtere» duke përdorur termat filozofikë. Për të kënaqur paganët e arsimuar që ishin të sapokthyer në «krishterim», këta shkrimtarë fetarë u mbështetën gjerësisht në letërsinë e hershme greke dhe judaike. Duke filluar me Justin Martirin (rreth 100-165 të e.s.), i cili shkroi në greqisht, ata që pohonin se ishin të krishterë u bënë gjithnjë e më të sofistikuar në përvetësimin e trashëgimisë filozofike të kulturës greke.

Kjo prirje gjeti përmbushje në shkrimet e Origjenit (rreth 185-254 të e.s.), një autor grek nga Aleksandria. Vepra e Origjenit On First Principles ishte përpjekja e parë sistematike për t’i shpjeguar doktrinat kryesore të teologjisë «së krishterë» me terma të filozofisë greke. Këshilli i Nicesë (325 i e.s.), i cili u përpoq të shpjegonte dhe të vendoste «hyjninë» e Krishtit, ishte çasti historik që i dha shtysë të re interpretimit të dogmës «së krishterë». Ky këshill shënoi fillimin e një epoke gjatë së cilës këshillat e përgjithshëm të kishës u përpoqën t’i përcaktonin dogmat edhe më saktësisht.

Shkrimtarë dhe oratorë

Eusebi i Cezaresë, i cili shkroi në kohën e Këshillit të parë të Nicesë, kishte lidhje me perandorin Kostandin. Për më shumë se 100 vjet pas Nicesë, teologët—shumica nga të cilët shkroi në greqisht—zhvilluan një debat të gjatë e të ashpër për atë që do të ishte doktrina dalluese e të ashtuquajturit krishterim, për Trinitetin. Kryesorët midis këtyre teologëve ishin Athanasi, peshkopi agresiv i Aleksandrisë, dhe tre udhëheqës të kishës nga Kapadokia, në Azinë e Vogël: Bazili i Madh, vëllai i tij, Gregori i Nisës dhe miku i tyre, Gregori i Nazianzusit.

Gjatë asaj epoke, shkrimtarët dhe predikuesit arritën nivele të larta gojëtarie. Gregori i Nazianzusit dhe Joan Krizostomi (që do të thotë «gojartë») në gjuhën greke, si edhe Ambrozi i Milanos e Agustini i Hipos në gjuhën latine ishin oratorë të përkryer, mjeshtra të artit më të respektuar e më të përhapur të epokës së yre. Shkrimtari që ndikoi më shumë në atë periudhë ishte Agustini. Veprat e tij teologjike kanë modeluar gjerësisht mënyrën «e krishterë» të të menduarit sot. Jeronimi, eruditi më i shquar i asaj periudhe, ishte kryesisht përgjegjës për përkthimin Vulgata Latine të Biblës nga gjuhët origjinale.

Sidoqoftë, disa pyetje të rëndësishme janë: A iu përmbajtën ngushtësisht Biblës këta Etër të Kishës? Në mësimin e tyre, a u mbështetën te Shkrimet e frymëzuara? A janë shkrimet e tyre një udhëheqje e besueshme drejt një njohurie të saktë për Perëndinë?

Mësime Perëndie apo mësime njerëzish?

Kohët e fundit, mitropoliti ortodoks Metodi i Pisidisë shkroi librin The Hellenic Pedestal of Christianity, me qëllim që të tregonte se kultura dhe filozofia greke siguruan elementet themelore të mendimit modern «të krishterë». Në këtë libër, ai pranon pa ngurrim: «Gati të gjithë Etërit e shquar të Kishës i shihnin elementet greke si shumë të dobishme dhe i morën hua nga lashtësia klasike greke, duke i përdorur si mjet për të kuptuar dhe për të shprehur në mënyrë të saktë të vërtetat e krishtere.»

Të shqyrtojmë, për shembull, idenë se Ati, Biri dhe fryma e shenjtë përbëjnë Trinitetin. Pas Këshillit të Nicesë, shumë Etër të Kishës u bënë trinitarë të flaktë. Shkrimet dhe fjalimet e tyre ishin thelbësore për ta bërë Trinitetin një doktrinë kryesore të të ashtuquajturit krishterim. Por, a gjendet në Bibël Triniteti? Jo. Atëherë, ku e morën atë Etërit e Kishës? A Dictionary of Religious Knowledge vëren se shumë thonë që Triniteti «është një shmangie nga e vërteta, e cila u mor hua nga fetë pagane dhe u ndërthur në besimin e krishterë». Gjithashtu, The Paganism in Our Christianity pohon: «Origjina e [Trinitetit] është krejtësisht pagane.» *Gjoni 3:16; 14:28.

Ose shqyrtoni mësimin e pavdekësisë së shpirtit, pra, besimin se një pjesë e njeriut jeton pasi trupi vdes. Edhe një herë, Etërit e Kishës patën rol të rëndësishëm për ta futur këtë koncept në një fe që nuk kishte asnjë mësim për një shpirt që mbijeton pas vdekjes. Bibla e tregon qartë se shpirti mund të vdesë: «Shpirti që mëkaton ka për të vdekur.» (Ezekieli 18:4) Cila ishte baza e besimit të Etërve të Kishës në një shpirt të pavdekshëm? «Koncepti i krishterë i një shpirti frymor të krijuar nga Perëndia dhe të futur në trup gjatë ngjizjes, për ta bërë njeriun një qenie të gjallë, është fryti i një zhvillimi të gjatë në filozofinë e krishterë. Vetëm me Origjenin në Lindje dhe me shën Agustinin në Perëndim shpirti u përcaktua si një substancë frymore dhe u formua një koncept filozofik për natyrën e tij. . . . [Doktrina e Agustinit] . . . mori shumë (duke përfshirë disa mangësi) nga neoplatonizmi»,—thotë New Catholic Encyclopedia. Gjithashtu, revista Presbyterian Life thotë: «Pavdekësia e shpirtit është një koncept grek, i formuar në kultet e lashta misterioze dhe i përpunuar nga filozof Platoni.» *

Baza e fortë e së vërtetës së krishterë

Pas këtij shqyrtimi të shkurtër të sfondit historik të Etërve të Kishës, si edhe të prejardhjes së mësimeve të tyre, është e përshtatshme të pyesim: A duhet që të krishterët e sinqertë t’i bazojnë bindjet e tyre në mësimet e Etërve të Kishës? Le të lëmë që të përgjigjet Bibla.

Pikësëpari, vetë Jezu Krishti e përjashtoi përdorimin e titullit «Atë» kur tha: «Mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori.» (Mateu 23:9) Përdorimi i termit «Atë» për të përkufizuar një personazh fetar nuk është as i krishterë dhe as biblik. Fjala e shkruar e Perëndisë u përfundua rreth vitit 98 të e.s., me shkrimet e apostullit Gjon. Prandaj, të krishterët e vërtetë nuk kanë nevojë t’i drejtohen ndonjë njeriu si burim i zbulimit të frymëzuar. Ata bëjnë kujdes që të mos e ‘bëjnë të pavlefshme fjalën e Perëndisë’ për shkak të traditës së njerëzve. Të lëmë që tradita njerëzore t’i zërë vendin Fjalës së Perëndisë është vdekjeprurëse frymësisht. Jezui paralajmëroi: «Nëse . . . një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë.»—Mateu 15:6, 14.

A ka nevojë një i krishterë për ndonjë zbulim përveç fjalës së Perëndisë që gjendet në Bibël? Jo. Libri i Zbulesës paralajmëron që të mos i shtohet asgjë dokumentimit të frymëzuar: «Nëse ndokush u shton diçka këtyre gjërave, Perëndia do t’i shtojë atij plagët e shkruara në këtë rrotull.»—Zbulesa 22:18.

E vërteta e krishterë është përmbledhur në Fjalën e shkruar të Perëndisë, në Bibël. (Gjoni 17:17; 2 Timoteut 3:16; 2 Gjonit 1-4) Kuptueshmëria e saktë e saj nuk varet nga filozofia e botës. Lidhur me njerëzit që u përpoqën të përdornin mençurinë njerëzore për të shpjeguar zbulimin hyjnor, është e përshtatshme të përsëritim pyetjet e apostullit Pavël: «Ku është njeriu i mençur? Ku është skribi? Ku është debatuesi i këtij sistemi? A nuk e bëri Perëndia të marrë mençurinë e botës?»—1 Korintasve 1:20.

Për më tepër, kongregacioni i vërtetë i krishterë është «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1 Timoteut 3:15) Mbikëqyrësit e saj e ruajnë pastërtinë e mësimit të tyre brenda kongregacionit, duke ndaluar që ndonjë ndotje doktrinale të hyjë brenda tij. (2 Timoteut 2:15-18, 25) Ata i mbajnë jashtë kongregacionit ‘profetët e rremë, mësuesit e rremë dhe sektet shkatërruese’. (2 Pjetrit 2:1) Pas vdekjes së apostujve, Etërit e Kishës lejuan që ‘shprehjet e frymëzuara mashtruese dhe mësimet e demonëve’ të zinin rrënjë në kongregacionin e krishterë.—1 Timoteut 4:1.

Pasojat e kësaj apostazie janë të dukshme sot në të ashtuquajturin krishterim. Besimet dhe praktikat e tij janë shumë larg së vërtetës biblike.

[Shënimet]

^ par. 15 Një trajtim të hollësishëm të doktrinës së Trinitetit mund ta gjeni në broshurën A duhet të besosh në Trinitet?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 16 Për një trajtim të hollësishëm të mësimit të Biblës për shpirtin, shih faqet 98-104 dhe 375-380 në librin Të arsyetojmë duke përdorur Shkrimet, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

ETËRIT E KAPADOKISË

«Kisha Ortodokse . . . i përnderon në mënyrë të veçantë shkrimtarët e shekullit të katërt dhe sidomos ata që ajo i quan ‘tre Krerët e Mëdhenj fetarë’, Gregorin e Nazianzusit, Bazilin e Madh dhe Joan Krizostomin»,—pohon shkrimtari Kalistos, i cili është një murg. A i bazuan këta Etër të Kishës mësimet e tyre në Shkrimet e frymëzuara? Në lidhje me Bazilin e Madh, libri The Fathers of the Greek Church (Etërit e Kishës Greke) thotë: «Shkrimet e tij tregojnë se gjatë gjithë jetës, ai kishte lidhje të ngushta me Platonin, Homerin dhe me historianët e oratorët dhe ata patjetër që ndikuan në stilin e tij. . . . Bazili mbeti një ‘grek’.» E njëjta gjë thuhet edhe për Gregorin e Nazianzusit. «Sipas tij, fitorja dhe epërsia e Kishës do të tregohej më mirë në qoftë se ajo do të pranonte plotësisht traditat e kulturës klasike.»

Lidhur me të tre këta, profesori Panajotis K. Kristou shkruan: «Ndonëse në ndonjë rast paralajmërojnë kundër ‘filozofisë dhe mashtrimeve boshe’ [Kolosianëve 2:8]—që të jenë në harmoni me urdhërimin e Besëlidhjes së Re—në të njëjtën kohë, ata e studiojnë me zell filozofinë dhe disiplinat e tjera që lidhen me të, e madje, ua këshillojnë të tjerëve që ta studiojnë.» Sigurisht, këta mësues të kishës mendonin se Bibla nuk mjaftonte për të mbështetur idetë e tyre. Ky kërkim i tyre për të gjetur autoritete të tjera si mbështetje, a ka mundësi të nënkuptojë që mësimet e tyre nuk kishin lidhje me Biblën? Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët hebrenj: «Mos u rrëmbeni nga mësime të ndryshme dhe të huaja.»—Hebrenjve 13:9.

[Burimi]

© Archivo Iconografico, S.A./CORBIS

[Kutia dhe figura në faqen 20]

CIRILI I ALEKSANDRISË—NJË ATË I KISHËS I DEBATUAR

Një nga personazhet më të debatuar ndër Etërit e Kishës është Cirili i Aleksandrisë (rreth 375-444 të e.s.). Hans fon Kampenhauzeni, historian i kishës, e përshkruan atë si një person «dogmatik, i dhunshëm dhe dinak, i pushtuar nga madhështia e profesionit të tij dhe nga dinjiteti i pozitës që kishte». Ai shton se Cirili «asnjëherë nuk e quante një gjë të drejtë, po të mos i hynte në punë për të rritur pushtetin dhe autoritetin e tij . . . Nuk e shqetësonte kurrë mizoria dhe paturpësia e metodave të tij». Kur ishte peshkop i Aleksandrisë, Cirili përdori ryshfetet, shpifjet dhe mashtrimet për të hequr nga pozita peshkopin e Kostandinopojës. Atë e mbajnë përgjegjës për vrasjen mizore, në vitin 415 të e.s., të një filozofi të njohur, me emrin Hipatia. Për shkrimet teologjike të Cirilit, Kampenhauzeni thotë: «Ishte nismëtari i praktikës që për çështjet e besimit të vendosej jo vetëm duke u bazuar te Bibla, por me ndihmën e citimeve të përshtatshme dhe të përmbledhjeve të citimeve nga autoritetet e njohura.»

[Figura në faqen 19]

Jeronimi

[Burimi]

Garo Nalbandian