Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shihni Bërësin e gjërave të mrekullueshme!

Shihni Bërësin e gjërave të mrekullueshme!

Shihni Bërësin e gjërave të mrekullueshme!

«Ndalu dhe tregohu i vëmendshëm ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë.»—JOBI 37:14, BR.

1, 2. Cili zbulim mahnitës u bë në vitin 1922 dhe cili qe reagimi ndaj tij?

NJË arkeolog dhe një lord anglez kishin bashkëpunuar për vite me radhë në kërkim të thesarit. Më në fund, më 26 nëntor 1922, në varrezat e faraonëve egjiptianë në luginën e famshme të Mbretërve, arkeologu Hauard Karteri dhe lord Karnarvoni gjetën shpërblimin e tyre: varrin e faraonit Tutankhamen. Pasi arritën te një derë e vulosur, bënë një vrimë në të. Karteri futi brenda një qiri dhe hodhi një sy përreth.

2 Më vonë, Karteri tregoi: «Kur lord Karnarvoni, i cili nuk po e duronte dot më ankthin, më pyeti ‘Shikon gjë?’, gjithçka që munda të thosha ishin fjalët ‘Po, gjëra të mrekullueshme’.» Midis mijëra thesareve që gjendeshin në varr ishte edhe një arkivol prej ari të pastër. Ndoshta i keni parë disa nga këto «gjëra të mrekullueshme» nëpër fotografi ose të ekspozuara në ndonjë muze. Megjithatë, sado të mrekullueshme që mund të jenë këto sende muzeu, mbase nuk kanë lidhje me jetën tonë. Prandaj, le të kalojmë në disa gjëra të mrekullueshme që patjetër na përkasin dhe kanë vlerë për ne.

3. Ku gjejmë të dhëna për gjërat e mrekullueshme që mund të kenë vlerë për ne?

3 Për shembull, mendoni për një njeri që jetoi shumë shekuj më parë, një njeri që ishte shumë më i njohur se çdo aktor i famshëm, hero sporti ose pjesëtar i ndonjë familjeje mbretërore. E quanin më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes. Duhet t’ia dini emrin: Job. Për të u shkrua një libër i tërë i Biblës. Mirëpo, një nga bashkëkohësit e Jobit, një i ri me emrin Elihu, e ndjeu për detyrë ta ndreqte. Në thelb, Elihu i tha Jobit se po i kushtonte vëmendje të tepruar vetes dhe atyre që e rrethonin. Në kapitullin 37 të Jobit gjejmë disa këshilla të tjera specifike dhe të mençura, të cilat mund të kenë vlerë të vërtetë për secilin prej nesh.—Jobi 1:1-3; 32:1–33:12.

4. Çfarë e bëri Elihun të bënte thirrjen e dokumentuar te Jobi 37:14?

4 Tre të ashtuquajturit miq të Jobit folën gjerë e gjatë për fushat në të cilat besonin se Jobi kishte gabuar në mënyrën e të menduarit ose në veprime. (Jobi 15:1-6, 16; 22:5-10) Me durim, Elihu priti derisa të mbaronte ky dialog. Pastaj foli duke përdorur gjykim të thellë dhe mençuri. Tha shumë gjëra të vlefshme, por vini re këtë mendim kyç: «Vëri veshin kësaj, o Job; ndalu dhe tregohu i vëmendshëm ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë.»—Jobi 37:14, BR.

Ai që bëri veprat

5. Çfarë përfshijnë ‘veprat e mrekullueshme të Perëndisë’ për të cilat foli Elihu?

5 Vini re se Elihu nuk i tha Jobit që t’i kushtonte vëmendje vetes, vetë Elihut ose njerëzve të tjerë. Me mençuri, ai e nxiti Jobin—dhe neve po ashtu—që të ishte i vëmendshëm ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë Jehova. Çfarë mendoni se përfshin fraza ‘veprat e mrekullueshme të Perëndisë’? Për më tepër, duke pasur parasysh merakun që mund të kemi për shëndetin, për anën financiare, për të ardhmen, për familjen, për kolegët dhe fqinjët, përse duhet të jemi të vëmendshëm ndaj veprave të Perëndisë? Pa dyshim, veprat e mrekullueshme të Perëndisë Jehova përfshijnë mençurinë e tij dhe autoritetin që ka mbi krijimin fizik që na rrethon. (Nehemia 9:6; Psalmi 24:1; 104:24; 136:5, 6) Për ta kuptuar më qartë këtë, vini re një ndodhi në librin e Josiut.

6, 7. (a) Cilat mrekulli kreu Jehovai në ditët e Moisiut dhe të Josiut? (b) Po të kishit qenë dëshmitarë okularë të ndonjërës prej atyre mrekullive në kohën e Moisiut dhe të Josiut, si do të kishit vepruar?

6 Jehovai solli plagë mbi Egjiptin e lashtë dhe pastaj ndau Detin e Kuq, me qëllim që Moisiu t’i udhëhiqte izraelitët e lashtë drejt lirisë. (Eksodi [Dalja] 7:1–14:31; Psalmi 106:7, 21, 22) Një ngjarje e ngjashme tregohet në kapitullin 3 të Josiut. Josiu, pasuesi i Moisiut, duhej ta udhëhiqte popullin e Perëndisë mes për mes një mase tjetër ujore për ta çuar në Tokën e Premtuar. Josiu tha: «Shenjtërohuni, sepse nesër Jehovai do të bëjë gjëra të mrekullueshme në mesin tuaj.» (Josiu [Jozueu] 3:5, BR) Çfarë gjërash të mrekullueshme?

7 Tregimi thotë se Jehovai hapi një pengesë ujore—lumin Jordan—me qëllim që mijëra burra, gra dhe fëmijë të kalonin në tokë të thatë. (Jozueu 3:7-17) Po të kishim qenë atje e të shikonim si u nda lumi dhe si kaluan shëndoshë e mirë gjithë ata njerëz, do të ishim shtangur nga mrekullia e kësaj arritjeje. Ajo tregoi pushtetin që ka Perëndia mbi krijimin. Megjithatë, edhe tani, në kohën që po jetojmë ne, ka gjëra që janë po aq të mrekullueshme. Për të parë cilat janë disa nga këto dhe përse duhet t’u kushtojmë vëmendje, le të shqyrtojmë Jobin 37:5-7.

8, 9. Për cilat vepra të mrekullueshme tregon Jobi 37:5-7, por, përse duhet të mendojmë për këto?

8 Elihu shpalli: «Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t’i kuptojmë.» Çfarë kishte ndër mend Elihu kur tha se Perëndia i bën gjërat «në mënyrë të mrekullueshme»? Po ja, ai përmend borën dhe shirat e rrebeshta. Këto do të bënin që bujku ta ndalte punën e tij në arë, duke i dhënë kohë dhe arsye për të shqyrtuar veprat e Perëndisë. Mbase nuk jemi bujq, por shiu dhe bora mund të ndikojnë edhe te ne. Në varësi të vendit ku jetojmë, bora dhe shiu mund të na e ndërpresin edhe neve veprimtarinë. A gjejmë kohë për të medituar se kush qëndron pas këtyre mrekullive dhe çfarë do të thotë kjo? A e keni bërë ndonjëherë këtë?

9 Në mënyrë domethënëse, siç e lexojmë në Jb kapitullin 38 të Jobit, vetë Perëndia Jehova ndoqi një linjë të ngjashme mendimi, duke i bërë pyetje domethënëse Jobit. Ndonëse Krijuesi ynë ia bëri Jobit këto pyetje, ato patjetër që kanë lidhje me qëndrimin, jetën dhe me të ardhmen tonë. Prandaj, të shohim çfarë pyetjesh bëri Perëndia dhe të mendojmë për gjërat që përfshijnë ato. Po, të veprojmë si na nxit Jobi 37:14.

10. Çfarë ndikimi duhet të ketë te ne kapitulli 38 i Jobit dhe çfarë pyetjesh ngre ai?

10 Kapitulli 38 hapet me fjalët: «Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: ‘Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim? Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.’» (Jobi 38:1-3) Kjo përcaktoi tonin e bisedës. E ndihmoi Jobin të ndreqte mënyrën e të menduarit ndaj realitetit se po qëndronte para Krijuesit të universit dhe se do t’i jepte llogari atij. Kjo është një gjë tjetër e mirë që duhet ta bëjmë ne dhe bashkëkohësit tanë. Pastaj, Perëndia e tërhoqi vëmendjen ndaj disa gjërave që i kishte përmendur edhe Elihu. «Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes?»—Jobi 38:4-6.

11. Çfarë duhet të kuptojmë nga Jobi 38:4-6?

11 Ku ishte Jobi—ku ishte çdonjëri nga ne—kur u krijua toka? A ishim ne arkitektët që projektuan tokën dhe, duke u nisur nga ai projekt, vendosëm përmasat si me ndonjë vizore? As që bëhet fjalë! Njerëzit nuk ishin fare në atë kohë. Duke folur sikur toka jonë të ishte një ndërtesë, Perëndia pyeti: «Kush ia vuri gurin qoshes?» Ne e dimë se toka është pikërisht në largësinë e duhur nga dielli, që ne të jetojmë dhe të kemi begati. Ka edhe përmasat e duhura. Në qoftë se toka do të ishte më e madhe, gazi i hidrogjenit nuk do të largohej dot nga atmosfera dhe planeti ynë do të ishte i papërshtatshëm për jetën. Qartë, dikush e ‘vuri gurin e qoshes’ në vendin e duhur. A i takonte merita Jobit? A na takon neve? Apo i takon Perëndisë Jehova?—Fjalët e urta (Proverbat) 3:19; Jeremia 10:12.

Cili njeri i ka përgjigjet?

12. Për çfarë na bën të mendojmë pyetja që gjendet te Jobi 38:6?

12 Perëndia pyeti, gjithashtu: «Ku janë vendosur themelet e saj?» A nuk është kjo një pyetje me vend? Ndoshta ne e njohim një term që Jobi nuk e dinte: rëndesën. Shumë prej nesh e kuptojnë se forca e rëndesës që vjen nga masa kolosale e diellit e mban tokën në vendin e vet, si të thuash, i mban themelet e saj të vendosura. Sidoqoftë, kush e kupton plotësisht rëndesën?

13, 14. (a) Çfarë duhet pranuar për forcën e rëndesës? (b) Si duhet të reagojmë ndaj gjendjes që thekson Jobi 38:6?

13 Një libër i botuar kohët e fundit, me titull The Universe Explained (Universi i shpjeguar), e pranon se ‘nga forcat e natyrës, rëndesa është më e njohura e megjithatë më pak e kuptuara’. Ai shton: «Forca e rëndesës duket se udhëton në çast në hapësirën boshe, pa ndonjë mjet të dukshëm për ta bërë këtë. Gjithsesi, vitet e fundit fizikanët kanë filluar të bëjnë hipoteza se rëndesa mund të udhëtojë në valë të përbëra nga grimca të quajtura gravitone . . . Por, asnjeri nuk është krejt i sigurt që ato gjenden me të vërtetë.» Mendoni pak se çfarë do të thotë kjo.

14 Në 3.000 vjetët që kanë kaluar që nga koha kur Jehovai i bëri Jobit këto pyetje, shkenca ka përparuar. E prapëseprapë, as ne, as fizikanët specialistë nuk mund ta shpjegojmë plotësisht forcën e rëndesës, e cila e mban tokën tonë në orbitën e saj të duhur, pikërisht në pozicionin që duhet të ketë për të bërë të mundur jetën tonë këtu. (Jobi 26:7; Isaia 45:18) Me këtë nuk duam të themi se të gjithë duhet t’u hyjmë studimeve të thella të mistereve të rëndesës. Përkundrazi, fakti që i kushtojmë vëmendje edhe kësaj fushe të veprave të mrekullueshme të Perëndisë duhet të ndikojë në pikëpamjen që kemi për të. A nuk ju pushton një nderim i thellë para mençurisë dhe njohurisë së tij dhe a e kuptoni përse duhet të mësojmë më shumë për vullnetin e tij?

15-17. (a) Ku u përqendrua Jobi 38:8-11 dhe në cilat pyetje çoi kjo? (b) Çfarë duhet të pranojmë lidhur me njohurinë për oqeanet dhe për shpërndarjen e tyre përreth globit?

15 Krijuesi i vazhdoi pyetjet e tij: «Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës, kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena? Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta, dhe thashë: ‘Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!’?»—Jobi 38:8-11.

16 Ta mbyllësh detin me porta përfshin kontinentet, oqeanet dhe baticat e zbaticat. Për sa kohë i ka vëzhguar e studiuar njeriu këto? Për mijëra vjet dhe sidomos, në mënyrë më intensive, në shekullin e fundit. Mund ta merrni me mend se shumica e asaj që duhet të dihet rreth tyre tashmë duhet të jetë përcaktuar. Megjithatë, në këtë vit 2001, çfarë do të zbulonit po të bënit kërkime për këtë temë në bibliotekat e mëdha ose të përdornit fuqinë e madhe kërkuese të Internetit për të gjetur faktet më të reja?

17 Në një vepër referimi të njohur gjerësisht, mund të gjenit këtë pohim: «Shpërndarja e platformave kontinentale dhe e baseneve të oqeaneve në sipërfaqen e globit, si edhe shpërndarja e tipareve kryesore të formës së tokës kanë qenë nga shumë kohë midis problemeve më me interes për teorinë dhe hetimin shkencor.» Pasi thoshte këtë, enciklopedia e sapopërmendur jepte katër shpjegime të mundshme, por thoshte se këto janë «ndër hipotezat e shumta». Siç mund ta dini, hipoteza «nënkupton një shpjegim të përkohshëm të bazuar në prova të pamjaftueshme».

18. Në çfarë përfundimesh ju çon Jobi 38:8-11?

18 A nuk e thekson kjo se sa të kohës janë pyetjet që lexojmë te Jobi 38:8-11? Patjetër që nuk e kemi ne meritën për rregullimin e gjithë këtyre veçorive të planetit tonë. Nuk e vendosëm ne hënën në mënyrë të tillë që fuqia e saj tërheqëse të ndihmonte për të krijuar baticat dhe zbaticat, të cilat normalisht nuk lënë që të përmbyten brigjet tona ose vendi ku jetojmë. E dimë kush e bëri këtë, Bërësi i gjërave të mrekullueshme.—Psalmi 33:7; 89:9; Fjalët e urta 8:29; Veprat 4:24; Zbulesa 14:7.

Jepini Jehovait meritën e duhur

19. Ndaj cilave realitete fizike na e drejtojnë vëmendjen shprehjet poetike që gjenden te Jobi 38:12-14?

19 Njerëzit nuk mund ta marrin meritën për rrotullimin e tokës, për të cilin flitet në mënyrë të tërthortë te Jobi 38:12-14. Ky rrotullim shkakton agimin, i cili, shpesh, është i një bukurie që të shtang. Ndërsa dielli ngrihet, trajtat e globit tonë bëhen më të qarta, ashtu si shenjat që lë një vulë mbi argjilë. Duke i kushtuar sikur edhe pak vëmendje lëvizjes së tokës, duhet të mrekullohemi që toka nuk lëviz tepër shpejt, pasi kjo do të kishte qenë shkatërrimtare, siç mund ta kuptojmë me lehtësi. As nuk rrotullohet kaq ngadalë, saqë ditët dhe netët, duke qenë shumë më të gjata, të sillnin temperatura jashtëzakonisht të nxehta dhe të ftohta, të cilat do ta bënin të pamundur jetën për njerëzit. Ta themi hapur, duhet të jemi të lumtur që ishte Perëndia e jo ndonjë grup njerëzish, ai që vendosi shpejtësinë e rrotullimit.—Psalmi 148:1-5.

20. Si do t’u përgjigjeshit pyetjeve që gjenden te Jobi 38:16, 18?

20 Tani, përfytyroni sikur Perëndia t’jua kishte bërë juve këto pyetje të mëtejshme: «A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?» As edhe një oqeanograf nuk mund të japë një përgjigje të plotë. «A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto.» (Jobi 38:16, 18) A i keni vizituar dhe eksploruar të gjitha vendet e tokës ose edhe një pjesë të madhe të tyre? Sa jetë mund t’i duheshin njeriut për t’u kushtuar vëmendje vendeve të bukura dhe mrekullive të tokës? Ç’kohë të mrekullueshme do të ishin ato!

21. (a) Çfarë pikëpamjesh shkencore mund të paraqesin pyetjet që bëhen te Jobi 38:19? (b) Çfarë duhet të na shtyjnë të bëjmë realitetet në lidhje me dritën?

21 Shqyrtoni edhe pyetjet e thella që gjejmë te Jobi 38:19, ku thuhet: «Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij?» Ndoshta e dini se për shumë kohë mbizotëronte pikëpamja që drita udhëton si një valë, si valëzimet në formë rrathësh që shohim në një pellg. Pastaj, në vitin 1905, Albert Ajnshtajni shpjegoi se drita vepron në trajtë paketash ose grimcash të energjisë. A i zgjidhi kjo gjërat? Një enciklopedi e kohëve të fundit pyet: «Drita është një valë apo një grimcë?» Vetë ajo enciklopedi përgjigjet: «Me sa duket, [drita] nuk mund të jetë edhe njëra, edhe tjetra, sepse dy modelet [valët dhe grimcat] janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Përgjigjja më e mirë është se drita nuk është asnjëra prej tyre.» Megjithatë, ne vazhdojmë të ngrohemi (drejtpërdrejt dhe në mënyrë të tërthortë) nga drita e diellit, ndonëse asnjeri deri tani nuk është në gjendje të shpjegojë plotësisht veprat e Perëndisë në këtë fushë. Përdorim ushqimin dhe oksigjenin që prodhohet ngaqë bimët reagojnë ndaj dritës. Mund të lexojmë, të shohim fytyrat e njerëzve tanë të dashur, të vështrojmë perëndimet e diellit dhe kështu me radhë. Ndërsa bëjmë këtë, a nuk duhet të pranojmë veprat e mrekullueshme të Perëndisë?—Psalmi 104:1, 2; 145:5; Isaia 45:7; Jeremia 31:35.

22. Si u përgjigj Davidi i lashtësisë ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë?

22 A është synimi i meditimit rreth veprave të mrekullueshme të Jehovait vetëm për të na bërë përshtypje, si të mbetemi gojëhapur ose të na pushtojë një frikë përnderuese? Sigurisht që jo. Psalmisti i lashtë David e pranoi sa e pamundur është që të kuptohen dhe të komentohen të gjitha veprat e Perëndisë. Ai shkroi: «O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë . . . Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.» (Psalmi 40:5) Por, pa dyshim, ai nuk donte të thoshte se do të qëndronte në heshtje lidhur me këto vepra madhështore. Davidi e provoi këtë me vendosmërinë që shprehu te Psalmi 9:1, ku thuhet: «Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.»

23. Si reagoni ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë dhe si mund t’i ndihmoni të tjerët?

23 A nuk duhet të ndihemi edhe ne të nxitur po njësoj? A nuk duhet që ndjenja e mrekullisë ndaj veprave madhështore të Perëndisë të na shtyjë të flasim për të, për atë që ka bërë dhe për atë që do të bëjë në të ardhmen? Përgjigjja është e qartë. Ne duhet ‘të shpallim lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve’. (Psalmi 96:3-5) Po, mund ta shfaqim me përulësi çmueshmërinë tonë për veprat e mrekullueshme të Perëndisë duke u treguar të tjerëve atë që kemi mësuar për të. Edhe sikur këta persona të jenë rritur në një shoqëri që e mohonte Krijuesin, shprehjet tona pozitive dhe që japin të dhëna të dobishme mund t’ua hapin sytë, duke i bërë ta pranojnë Perëndinë. Më shumë se kaq, mund t’i shtyjnë që të duan të mësojnë për atë që ‘krijoi gjithçka’, domethënë për Jehovain, Bërësin e veprave të mrekullueshme, dhe t’i shërbejnë atij.—Zbulesa 4:11.

Si do të përgjigjeshit?

• Për cilat vepra të Perëndisë ju bën të mendoni thirrja që gjendet te Jobi 37:14?

• Cilat janë disa gjëra të theksuara në kapitujt 37 dhe 38 të Jobit, të cilat shkenca nuk i shpjegon dot plotësisht?

• Si ndiheni rreth veprave të mrekullueshme të Perëndisë dhe çfarë ju shtyn të bëni kjo?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 7]

Kush i vuri porta detit, duke e mbajtur në vendin e vet?

[Figura në faqen 7]

Kush i ka vizituar të gjitha vendet e bukura të tokës, të cilat i ka krijuar Perëndia?