Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’u kushtojmë vëmendje veprave të mrekullueshme të Perëndisë

T’u kushtojmë vëmendje veprave të mrekullueshme të Perëndisë

T’u kushtojmë vëmendje veprave të mrekullueshme të Perëndisë

«Shumë gjëra ke bërë, o Jehova, Perëndia im, po, veprat e tua të mrekullueshme dhe mendimet e tua për ne; nuk ka asnjë që të krahasohet me ty.»—PSALMI 40:5, BR.

1, 2. Çfarë dëshmie kemi për veprat e mrekullueshme të Perëndisë dhe kjo gjë çfarë duhet të na nxitë të bëjmë?

KUR lexojmë Biblën, e kuptojmë menjëherë se Perëndia ka bërë gjëra të mrekullueshme për popullin e tij të lashtë, Izraelin. (Jozueu 3:5; Psalmi 106:7, 21, 22) Edhe nëse tani Jehovai nuk po ndërhyn në këtë mënyrë në çështjet njerëzore, përreth nesh gjejmë prova të bollshme të veprave të tij të mrekullueshme. Prandaj, kemi arsye të bashkohemi me psalmistin për të thënë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.»—Psalmi 104:24; 148:1-5.

2 Shumë veta sot i shpërfillin ose i hedhin poshtë këto dëshmi të qarta të veprimtarisë së Krijuesit. (Romakëve 1:20) Por, ne bëjmë mirë të mendojmë rreth tyre dhe të nxjerrim përfundime në lidhje me pozitën dhe detyrën që kemi ndaj Bërësit tonë. Kapitujt nga 38 deri në 41 të Jobit janë një ndihmë e shkëlqyer për këtë, pasi atje Jehovai ia drejtoi vëmendjen Jobit ndaj disa veçorive të veprave të Tij të mrekullueshme. Të shqyrtojmë disa çështje të vlefshme që ngriti Perëndia.

Vepra të fuqishme dhe të mrekullueshme

3. Siç është dokumentuar te Jobi 38:22, 23, 25-29, për çfarë gjërash pyeti Perëndia?

3 Në njëfarë pike, Perëndia e pyeti Jobin: «A ke hyrë ndonjëherë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?» Në shumë vende të tokës, bora dhe breshëri janë pjesë e jetës. Perëndia vazhdoi: «Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve, që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri, për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari? Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës? Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?»—Jobi 38:22, 23, 25-29.

4-6. Në ç’kuptim njohuria e njeriut për borën nuk është e plotë?

4 Disa njerëz që jetojnë në një shoqëri me ritëm të shpejtë jete dhe që u duhet të udhëtojnë, ndoshta e shohin borën vetëm si një pengesë. Por, shumë të tjerë e shohin si një kënaqësi, pasi ajo krijon një peizazh të mrekullueshëm dimëror që të jep mundësi për veprimtari të veçanta. Duke pasur në mendje këtë pyetje të Perëndisë, a keni një njohuri të hollësishme për borën, madje edhe se çfarë trajte ka ajo? Oh, patjetër, e dimë se çfarë trajte ka bora kur është shumë, ndoshta sepse kemi parë fotografi me grumbuj bore ose sepse kemi parë me sytë tanë shumë borë. Por, ç’të themi për flokët e borës? A e dini se çfarë trajte kanë ato, ndoshta duke i shqyrtuar nga zënë fill?

5 Disa njerëz kanë kaluar dhjetëvjeçarë të tërë duke studiuar dhe duke fotografuar flokët e borës. Një flok bore mund të jetë përbërë nga njëqind kristale të brishta akulli me një shumëllojshmëri formash të bukura. Libri Atmosphere thotë: «Shumëllojshmëria e pafundme e flokëve të borës është e famshme. Ndonëse shkencëtarët ngulin këmbë se nuk ka asnjë ligj të natyrës që të ndalojë dyfishimin e tyre, nuk janë gjetur kurrë dy flokë bore të njëjtë. Një kërkim me përmasa të jashtëzakonshme u bë nga . . . Uilson A. Bentli, i cili kaloi më shumë se 40 vjet duke shqyrtuar dhe duke fotografuar flokë bore nëpërmjet një mikroskopi dhe nuk gjeti kurrë dy të tilla që të ishin saktësisht njësoj.» Por, edhe sikur në ndonjë rast të rrallë të dukej sikur dy prej tyre ishin binjake, a do ta ndryshonte kjo në të vërtetë mrekullinë e shumëllojshmërisë e jashtëzakonshme të flokëve të borës?

6 Kujtoni pyetjen e Perëndisë: «A ke hyrë ndonjëherë në depozitat e borës?» Shumë mendojnë se depozitat e borës janë retë. A mund ta përfytyroni të shkojmë në këto depozita për të bërë inventarin e flokëve të borës me shumëllojshmërinë e tyre të pafundme dhe të studiojmë si erdhën ato? Një enciklopedi shkencore thotë: «Nuk është ende e qartë natyra dhe prejardhja e bërthamave të molekulave të akullit, të cilat janë të nevojshme për të shkaktuar ngrirjen e piklave të ujit në re, në temperatura rreth -40°F (-40°C).»—Psalmi 147:16, 17; Isaia 55:9, 10.

7. Sa e thellë është njohuria e njeriut për shiun?

7 Ose, ç’të themi për shiun? Perëndia e pyeti Jobin: «Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?» E njëjta enciklopedi shkencore thotë: «Për shkak të kompleksitetit të lëvizjeve atmosferike dhe të ndryshueshmërisë shumë të madhe në përbërjen e avujve dhe të grimcave të ajrit, duket e pamundur të ndërtojmë një teori të përgjithshme e të hollësishme për mënyrën në të cilën zhvillohen retë dhe reshjet.» Me fjalë më të thjeshta, shkencëtarët kanë dhënë teori të hollësishme, por, në të vërtetë, nuk mund ta shpjegojnë plotësisht shiun. Megjithatë, ne e dimë se shiu jetësor bie dhe ujit tokën, ushqen bimët dhe e bën të mundshme e të këndshme jetën.

8. Përse janë të përshtatshme fjalët e Pavlit të dokumentuara te Veprat 14:17?

8 A nuk do të pajtoheshit me përfundimin në të cilin arriti apostulli Pavël? Ai i nxiti të tjerët të shihnin te këto vepra të mrekullueshme dëshmitë për Atë që qëndronte pas tyre. Pavli tha për Perëndinë Jehova: «[Ai] nuk e la veten pa dëshmi, meqë bëri mirë, duke ju dhënë shira nga qielli dhe stinë të frytshme, duke i mbushur zemrat tuaja plot e përplot me ushqim dhe hare.»—Veprat 14:17; Psalmi 147:8.

9. Në ç’mënyrë veprat e mrekullueshme të Perëndisë tregojnë fuqinë e tij të madhe?

9 Nuk ka asnjë dyshim se Bërësi i këtyre veprave të mrekullueshme e dobiprurëse ka një mençuri të pafundme dhe fuqi të jashtëzakonshme. Lidhur me fuqinë e tij, mendoni për këtë: thuhet se çdo ditë ndodhin rreth 45.000 shtrëngata, pra, më shumë se 16 milionë në vit. Kjo do të thotë se edhe në këtë çast po ndodhin rreth 2.000 të tilla. Retë e përbëra të vetëm një shtrëngate shkarkohen me një energji të barabartë me atë të dhjetë ose më shumë bombave bërthamore që u hodhën në Luftën II Botërore. Një pjesë të kësaj energjie e shohim në formën e rrufeve. Përveçse janë mahnitëse, rrufetë në të vërtetë ndihmojnë për të prodhuar forma të azotit që arrijnë në tokë, ku bimët i thithin si një pleh natyror. Prandaj, rrufetë janë një shfaqje energjie, por sjellin edhe dobi të vërteta.—Psalmi 104:14, 15.

Çfarë ndikimi ka te ju?

10. Si do t’u përgjigjeshit pyetjeve që gjenden te Jobi 38:33-38?

10 Përfytyrojeni veten në vendin e Jobit dhe Perëndinë e Plotfuqishëm që ju bën pyetje. Ndoshta jeni të një mendimi se shumica e njerëzve nuk u kushtojnë shumë vëmendje veprave të mrekullueshme të Perëndisë. Jehovai na bën pyetjet që lexojmë te Jobi 38:33-38. «A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë? A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm? Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: ‘Ja ku jam?’ Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës? Kush numëron retë me anë të diturisë dhe kush derdh shakujt e qiellit kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?»

11, 12. Cilat janë disa gjëra që provojnë se Perëndia është Bërësi i veprave të mrekullueshme?

11 Kemi prekur vetëm disa nga çështjet që ngriti Elihu para Jobit dhe kemi vërejtur disa pyetje që i bëri Jehovai Jobit, duke i kërkuar të përgjigjej «si një trim». (Jobi 38:3) Themi «disa», sepse në kapitujt 38 dhe 39 Perëndia e përqendroi vëmendjen në fusha të tjera të dallueshme të krijimit. Për shembull, yjësitë e qiejve. Kush i njeh të gjitha ligjet ose statutet e tyre? (Jobi 38:31-33) Jehovai e drejtoi vëmendjen e Jobit te disa kafshë: luani dhe korbi, dhia e malit dhe zebra, demi dhe struci, kali i fuqishëm dhe shqiponja. Në të vërtetë, Perëndia e pyeti Jobin nëse ua kishte dhënë ai tiparet këtyre kafshëve, duke u dhënë mundësi të jetojnë e të shtohen. Mund të kënaqeni duke studiuar këta kapituj, veçanërisht nëse ju pëlqejnë kuajt ose kafshë të tjera.—Psalmi 50:10, 11.

12 Mund të shqyrtoni edhe kapitujt 40 e 41 të Jobit, ku Jehovai përsëri i kërkoi Jobit t’u përgjigjej pyetjeve për dy krijesa të veçanta. Kuptojmë se këto krijesa janë hipopotami (Behemothi), me trup të stërmadh e të fortë, si edhe krokodili i frikshëm i Nilit (Leviathani). Secili në mënyrën e vet është një mrekulli e krijimit që meriton vëmendjen tonë. Le të shohim tani në cilat përfundime duhet të arrijmë.

13. Çfarë ndikimi patën te Jobi pyetjet e Perëndisë dhe si duhet të ndikojnë te ne këto gjëra?

13 Kapitulli 42 i Jobit na tregon çfarë ndikimi patën te Jobi pyetjet që i bëri Perëndia. Më parë, Jobi i kishte kushtuar shumë vëmendje vetes dhe të tjerëve. Por, duke pranuar ndreqjen e nënkuptuar nga pyetjet e Perëndisë, Jobi ndryshoi mënyrën e të menduarit. Ai pranoi: «E pranoj që [ti, Jehova] mund të bësh gjithçka dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet. Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.» (Jobi 42:2, 3) Po, pasi u kushtoi vëmendje veprave të Perëndisë, Jobi tha se këto gjëra ishin tepër të mrekullueshme për të. Pasi kemi rishikuar këto mrekulli të krijimit, edhe neve duhet të na lënë mbresa në mënyrë të ngjashme mençuria dhe fuqia e Perëndisë. Me cilin qëllim? A është e gjithë puna që të mbetemi gojëhapur nga fuqia dhe aftësia e jashtëzakonshme e Jehovait? Apo duhet të ndihemi të shtyrë për të bërë më shumë se kaq?

14. Si reagoi Davidi ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë?

14 Psalmin 86, për këtë argument gjejmë disa shprehje të Davidit, i cili në një psalm të mëparshëm kishte thënë: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.» (Psalmi 19:1, 2) Por Davidi nuk u mjaftua me kaq. Në Psalmin 86:10, 11 lexojmë: «Ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia. Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.» Nderimi i thellë që kishte Davidi për Krijuesin lidhur me veprat e Tij të mahnitshme, përfshinte një masë të përshtatshme frike plot nderim. Mund ta kuptojmë përse. Davidi nuk donte t’i shkaktonte pakënaqësi Atij që është në gjendje të kryejë këto vepra të mrekullueshme. As ne nuk duhet ta duam një gjë të tillë.

15. Përse ishte me vend frika plot nderim që kishte Davidi për Perëndinë?

15 Davidi duhet ta ketë kuptuar se meqë Perëndia ka dhe mban nën kontroll një fuqi të jashtëzakonshme, ai mund ta drejtojë këtë fuqi kundër kujtdo që nuk meriton favorin e tij. Për këta persona, kjo gjë është kërcënuese. Perëndia e pyeti Jobin: «Vallë, a ke hyrë ndonjëherë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?» Bora, breshëri, stuhitë, era dhe rrufetë janë që të gjitha në arsenalin e tij. Çfarë forcash natyrore të fuqishme e të mahnitshme që janë!—Jobi 38:22, 23.

16, 17. Çfarë gjëje e ilustron fuqinë mahnitëse që ka Perëndia dhe si e ka përdorur ai këtë fuqi në të kaluarën?

16 Ndoshta ju kujtohet ndonjë katastrofë që ka ndodhur në vendin tuaj, e shkaktuar nga një prej këtyre forcave: ndonjë uragan, tajfun, ciklon, stuhi breshëri ose ndonjë përmbytje e menjëhershme. Për ta ilustruar: aty nga fundi i vitit 1999, një stuhi e madhe goditi Evropën Jugperëndimore. Ajo habiti edhe specialistët e motit. Erërat e furishme arritën shpejtësinë 200 kilometra në orë, duke shkulur mijëra çati, duke rrëzuar shtyllat e energjisë elektrike dhe duke përmbysur kamionë. Përpiquni të përfytyroni këtë: gjatë asaj periudhe me stuhi u shkulën ose u thyen më dysh rreth 270 milionë pemë, 10.000 nga të cilat vetëm në kopshtin e Versajës, jashtë Parisit. Miliona shtëpi mbetën pa energji elektrike. Rreth 100 veta humbën jetën. E gjithë kjo ndodhi brenda një kohe të shkurtër. Çfarë force!

17 Një person mund t’i quajë stuhitë si ngjarje të pakontrolluara, të padrejtuara dhe të rastësishme. Por, çfarë mund të ndodhë nëse i Plotfuqishmi kryen vepra të mahnitshme, duke i përdorur këto forca në një mënyrë të kontrolluar e të drejtuar? Diçka të ngjashme e bëri në ditët e Abrahamit, i cili mësoi se Gjyqtari i gjithë tokës kishte peshuar ligësinë e dy qyteteve, Sodomës dhe Gomorrës. Ato ishin kaq të shthurura, saqë britmat për to kishin arritur deri te Perëndia që i ndihmoi të gjithë njerëzit e drejtë të iknin nga qytetet e dënuara. Historia thotë se «atëherë Zoti bëri që nga qielli të binte squfur dhe zjarr» mbi ato qytete. Ajo ishte një vepër e mahnitshme, duke i ruajtur të drejtët dhe duke shkatërruar ata që ishin të ligj të pandreqshëm.—Zanafilla 19:24.

18. Për cilat gjëra të mrekullueshme flet kapitulli 25 i Isaisë?

18 Më vonë, Perëndia mori një vendim gjyqësor kundër qytetit të lashtë të Babilonisë, që mund të jetë qyteti për të cilin bëhet fjalë te kapitulli 25 i Isaisë. Perëndia paratha se një qytet do të bëhej gërmadhë: «E ke katandisur qytetin në një grumbull gurësh, qytetin e fortifikuar në një grumbull gërmadhash; kështjella e të huajve nuk është më një qytet, nuk do të rindërtohet kurrë më.» (Isaia 25:2) Ata që vizitojnë sot vendndodhjen e Babilonisë, mund të pohojnë se ka ndodhur vërtet kështu. A ishte shkatërrimi i Babilonisë vetëm një rastësi? Jo. Përkundrazi, mund të pranojmë vlerësimin e Isaisë: «O Zot, ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj dhe do të kremtoj emrin tënd, sepse ke bërë gjëra të mrekullueshme, projekte të konceptuara shumë kohë më parë, dhe të realizuara me besnikëri dhe vërtetësi.»—Isaia 25:1.

Vepra të mrekullueshme në të ardhmen

19, 20. Cilën përmbushje të Isaisë 25:6-8 mund të presim?

19 Perëndia i përmbushi në të kaluarën profecitë e mësipërme dhe do të veprojë në mënyrë të mrekullueshme edhe në të ardhmen. Në këtë kontekst, ku Isaia përmend «gjërat e mrekullueshme» të Perëndisë, gjejmë një profeci të besueshme që ende duhet të përmbushet, pikërisht siç u përmbush gjykimi mbi Babiloninë. Çfarë ‘gjëje e mrekullueshme’ premtohet? Isaia 25:6 thotë: «Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura.»

20 Kjo profeci do të përmbushet me siguri në botën e re të premtuar nga Perëndia, botë e cila gjendet tamam para nesh. Në atë kohë, njerëzimi do të lehtësohet nga problemet që tani rëndojnë kaq shumë veta. Në të vërtetë, profecia tek Isaia 25:7, 8 na siguron se Perëndia do ta përdorë fuqinë e tij krijuese për të bërë një nga veprat më të mrekullueshme të të gjitha kohërave: «Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur.» Më vonë, apostulli Pavël citoi nga kjo pjesë dhe e zbatoi për ringjalljen që do të bëjë Perëndia, duke i sjellë prapë në jetë të vdekurit. Sa vepër e mrekullueshme do të jetë kjo!—1 Korintasve 15:51-54.

21. Çfarë veprash të mrekullueshme do të bëjë Perëndia për të vdekurit?

21 Një arsye tjetër përse lotët e hidhërimit do të zhduken është se njerëzve do t’u hiqen sëmundjet fizike. Kur ishte në tokë, Jezui shëroi shumë veta, duke u kthyer shikimin të verbërve, dëgjimin të shurdhërve, fuqinë sakatëve. Gjoni 5:5-9 tregon se ai shëroi një njeri që ishte ulok prej 38 vjetësh. Ata që e panë menduan se kjo ishte një mrekulli ose një vepër e mrekullueshme. Dhe ashtu ishte! Megjithatë, Jezui u tha se edhe më e mrekullueshme do të jetë ringjallja e të vdekurve, që do të bëjë: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bëjnë gjëra të mira në një ringjallje jete.»—Gjoni 5:28, 29.

22. Përse nevojtarët dhe të mjerët mund ta presin të ardhmen me shpresë?

22 Kjo është e sigurt që do të ndodhë, sepse ai që e premton është Jehovai. Të jini të sigurt se kur ai përdor dhe drejton me kujdes fuqinë e tij të madhe rigjallëruese, përfundimi do të jetë i mrekullueshëm. Psalmi 72 tregon çfarë do të bëjë ai nëpërmjet Mbretit-Bir të tij. Në atë kohë i drejti do të lulëzojë. Paqja do të jetë e bollshme. Perëndia do t’i çlirojë nevojtarët dhe të mjerët. Ai premton: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit [të lashtë], dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.»—Psalmi 72:16.

23. Çfarë duhet të na shtyjnë të bëjmë veprat e mrekullueshme të Perëndisë?

23 Qartë, kemi arsye për t’u kushtuar vëmendje të gjitha veprave të mrekullueshme të Jehovait: atyre që bëri në të kaluarën, atyre që po bën sot dhe atyre që do të bëjë në të ardhmen e afërt. «I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.» (Psalmi 72:18, 19) Kjo gjë duhet të jetë vazhdimisht objekt i bisedave tona entuziaste me të afërmit dhe me të tjerët. Po, le të ‘shpallim lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve’!—Psalmi 78:3, 4; 96:3, 4.

Si do të përgjigjeshit?

• Si i theksojnë pyetjet që iu bënë Jobit kufizimet që ka njeriu në njohuri?

• Cilët shembuj të veprave të mrekullueshme të Perëndisë të theksuara në kapitujt 37-41 të Jobit ju kanë bërë përshtypje?

• Si duhet të reagojmë pasi kemi shqyrtuar disa nga veprat e mrekullueshme të Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Çfarë përfundimesh nxirrni për shumëllojshmërinë e jashtëzakonshme të flokëve të borës dhe për fuqinë mahnitëse të rrufeve?

[Burimi]

snowcrystals.net

[Figurat në faqen 13]

Veprat e mrekullueshme të Perëndisë duhet të jenë pjesë e rregullt e bisedave tona