Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po ‘blini kohën e duhur’?

A po ‘blini kohën e duhur’?

A po ‘blini kohën e duhur’?

APOSTULLI Pavël i këshilloi të krishterët në Efesin e shekullit të parë: «Vazhdoni të shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efesianëve 5:15, 16) Përse ishte e nevojshme kjo këshillë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të njohim kushtet që përballonin të krishterët në atë qytet të lashtë.

Efesi ishte i njohur për pasurinë shumë të madhe, imoralitetin e rëndë, kriminalitetin shumë të përhapur dhe për veprimtari të ndryshme demonike. Përveç kësaj, të krishterët atje duhej të ndesheshin me bindjet filozofike që kishin të bënin me kohën. Grekët jo të krishterë në Efes nuk besonin se koha ecte në një drejtim të vetëm. Filozofia greke u kishte mësuar atyre se jeta përsëritej në cikle të pafundme. Një person që e harxhonte kot kohën e tij në një cikël jete, mund ta rifitonte atë në një cikël tjetër. Ky lloj mendimi mund t’i kishte shtyrë të krishterët efesianë të përvetësonin një qëndrim të shkujdesur në lidhje me kohën e caktuar që ka Jehovai për ngjarjet, duke përfshirë edhe kohën e caktuar për gjykimin hyjnor. Prandaj, këshilla e Pavlit për të «blerë kohën e duhur» ishte e përshtatshme.

Pavli nuk po fliste për kohën vetëm në një kuptim të përgjithshëm. Fjala greke që përdori ai ka kuptimin e një kohe të caktuar, të një kohe të volitshme për një qëllim specifik. Pavli po i këshillonte të krishterët e shekullit të parë ta përdornin me mençuri kohën e volitshme ose periudhën e favorshme që gëzonin në atë çast, para se ajo të përfundonte dhe mëshira hyjnore, si edhe ftesa për shpëtim, të mos ishin më në dispozicion.—Romakëve 13:11-13; 1 Selanikasve 5:6-11.

Ne po jetojmë në një kohë të ngjashme të volitshme. Kjo periudhë e favorshme nuk do të përsëritet më kurrë. Prandaj, në vend që ta harxhojnë atë duke rendur pas kënaqësive të përkohshme që jep bota, të krishterët veprojnë me mençuri nëse e përdorin kohën që kanë në dispozicion për të kryer «vepra të shenjta sjelljeje». Në këtë mënyrë, forcojnë edhe marrëdhënien e tyre me Krijuesin, Perëndinë Jehova.—2 Pjetrit 3:11; Psalmi 73:28; Filipianëve 1:10.