Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla në një vëllim të vetëm

Bibla në një vëllim të vetëm

Bibla në një vëllim të vetëm

TË KRISHTERËT e hershëm shquheshin se përdornin kodikun, pra, një libër e jo një rrotull, për të bërë kopje të Biblës. Megjithatë, të krishterët nuk filluan menjëherë të bënin një vëllim të vetëm që përmbante tërë librat e Biblës. Një hap i rëndësishëm drejt prodhimit të gjerë të Biblave me një vëllim u bë në shekullin e gjashtë nga Flavio Kasiodori.

Flavio Kasiodori (Flavius Magnus Aurelius Cassiodorus) lindi rreth viteve 485-490 të e.s., në një familje të pasur në Kalabri, në skajin jugor të Italisë së sotme. Jetoi gjatë një periudhe të turbullt në historinë e Italisë, kur gadishulli u pushtua në fillim nga gotët, pastaj nga bizantinët. Kur ishte rreth 60 ose 70 vjeç, Kasiodori themeloi manastirin dhe bibliotekën Vivarium, afër shtëpisë së tij në Skuilaçe, Kalabri.

Një botues i kujdesshëm i Biblës

Një ndër interesat parësore të Kasiodorit ishte që t’u përcillte Biblën njerëzve. «Sipas pikëpamjes së Kasiodorit,—shkruan historiani Piter Braun,—e gjithë literatura latine duhej përdorur për t’u përcjellë Shkrimet njerëzve. Të gjitha mjetet ndihmëse që më parë ishin përdorur për të lexuar e për të kopjuar tekstet klasike duheshin përdorur për të kuptuar Shkrimet dhe për t’i kopjuar ato me mençuri. Si një sistem planetar i sapoformuar, kultura latine si një e tërë duhej të rrotullohej në orbitë përreth diellit të madh të Fjalës së Perëndisë.»

Kasiodori mblodhi përkthyes dhe gramatikanë në manastirin e Vivariumit, që ta sistemonin tërë Biblën dhe mbikëqyri procesin e mundimshëm të botimit. Këtë punë ia besoi vetëm disa njerëzve të arsimuar. Këta duhej ta shmangnin korrigjimin nxitimthi të atyre që mendonin se ishin gabime në shkrim. Po të kishte ndonjë dyshim për gramatikën, dorëshkrimet e lashta të Biblës duheshin mbajtur si më me autoritet sesa përdorimi i pranuar latin. Kasiodori udhëzoi: «Hollësitë gramatikore . . . duhen ruajtur, meqë një tekst që njihet se është i frymëzuar nuk mund të jetë objekt shmangiesh. . . . Metodat biblike të shprehjes, metaforat dhe idiomat duhen ruajtur, edhe nëse janë të pazakonta nga normat latine, siç duhen ruajtur edhe format ‘hebraike’ të emrave të përveçëm.»—The Cambridge History of the Bible.

Kodiku Grandior

Kopjuesit në manastirin Vivarium u ngarkuan të bënin të paktën tri botime të ndara të Biblës në latinisht. Një prej tyre, me nëntë vëllime, ka shumë të ngjarë të përmbante tekstin e latinishtes së vjetër, një përkthim që kishte dalë në fund të shekullit të dytë. Botimi i dytë përmbante Vulgatën latine, të cilën Jeronimi e përfundoi aty nga fillimi i shekullit të katërt. I treti, Kodiku Grandior, që ka kuptimin «kodiku më i madh» u mor nga tri tekste biblike. Të dyja botimet e fundit i përmblidhnin të gjithë librat e Biblës bashkë, në një vëllim të vetëm.

Duket se Kasiodori ishte i pari që nxori Bibla latinisht në një vëllim, duke i përkufizuar ato si pandectae. * Pa dyshim, ai e kuptonte se sa praktike është t’i bashkosh të gjitha librat e Biblës në një vëllim të vetëm, duke hequr kështu procesin që të hante kohë për të hapur disa vëllime.

Nga Italia Jugore në Ishujt Britanikë

Jo shumë kohë pas vdekjes së Kasiodorit (ndoshta rreth vitit 583 të e.s.), filloi udhëtimi i Kodikut Grandior. Besohet se në atë kohë, një pjesë e bibliotekës Vivarium ishte transferuar në bibliotekën Lateran në Romë. Në vitin 678 të e.s., abati anglo-sakson Kejlfrid e solli kodikun me vete në Ishujt Britanikë kur u kthye nga një qëndrim në Romë. Në këtë mënyrë ai erdhi në dy manastiret fqinje, Uermauth dhe Xharrou, të cilat drejtoheshin nga Kejlfridi, në atë që tani është Northumbria, Angli.

Bibla në një vëllim të vetëm e Kasiodorit duhet t’i ketë mahnitur Kejlfridin dhe murgjit e tij, të cilët ka të ngjarë t’i ketë tërhequr lehtësia e përdorimit të saj. Kështu, vetëm brenda disa dhjetëvjeçarësh, ata bënë tre Bibla të tjera të plota me nga një vëllim të vetëm. Kopja e vetme që ka mbijetuar nga këto është një dorëshkrim shumë i madh me emrin Kodiku Amiatinus. Ka 2.060 fletë me lëkurë viçi dhe secila prej tyre ka përmasa 51x33 centimetra. Duke përfshirë edhe kapakun, libri është 25 centimetra i trashë dhe peshon më shumë se 34 kilogramë. Është Bibla latine më e vjetër e plotë me një vëllim të vetëm. Studiuesi i shquar biblik i shekullit të 19-të, Fenton Xh. A. Hort, e identifikoi kodikun në vitin 1887. Horti komentoi: «Edhe te një shikues modern, mrekullia e një [dorëshkrimi] shkakton mbresa që gati të lënë pa mend.»

Kthimi në Itali

Kodiku Grandior origjinal, i autorizuar nga Kasiodori, tani ka humbur. Por, pasardhësi i tij anglo-sakson, Kodiku Amiatinus, e filloi udhëtimin e kthimit në Itali pak kohë pasi kishte përfunduar. Pak para se të vdiste, Kejlfridi vendosi të kthehej në Romë. Mori me vete një nga tri dorëshkrimet e tij të Biblës latine, si dhuratë për papa Gregorin II. Kejlfridi vdiq gjatë rrugës, në vitin 716 të e.s., në Langres, Francë. Por, Bibla e tij e vazhdoi udhëtimin me pjesën tjetër të udhëtarëve. Përfundimisht, kodiku u përfshi në bibliotekën e manastirit në malin Amiata, në Italinë Qendrore, vend nga i cili merr edhe emrin Kodiku Amiatinus. Në vitin 1782, dorëshkrimi u transferua në bibliotekën Medicean-Laurentian, në Firence të Italisë, ku mbetet një nga thesaret më të çmuara të bibliotekës.

Si ka ndikuar te ne Kodiku Grandior? Që nga koha e Kasiodorit, kopjuesit dhe botuesit e kanë përkrahur gjithnjë e më shumë prodhimin e Biblave në një vëllim të vetëm. Edhe sot, një Bibël me këtë formë ua ka bërë më të lehtë njerëzve ta lexojnë dhe kështu, të përfitojnë nga fuqia që ka Bibla në jetën e tyre.—Hebrenjve 4:12.

[Shënimi]

^ par. 9 Biblat e plota në greqisht duket se kanë qenë në qarkullim që nga shekulli i katërt ose i pestë.

[Harta në faqen 29]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Udhëtimi i Kodikut Grandior

Manastiri Vivarium

Xharrou

Romë

Uermauth

Udhëtimi i Kodikut Amiatinus

Xharrou

Uermauth

M. Amiata

Firence

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figurat në faqen 30]

Sipër: Kodiku Amiatinus Majtas: Portret i Ezdrës në Kodikun Amiatinus

[Burimi]

Biblioteca Medicea Laurenziana, Firenze