«Jehovai ka qenë shumë i mirë me mua!»
«Jehovai ka qenë shumë i mirë me mua!»
NJË mbrëmje shumë të gëzueshme në mars të vitit 1985, burra dhe gra të Repartit të Shkrimit në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork, SHBA, festuan një ngjarje të rëndësishme. Atë ditë, Karl F. Klajni kishte mbushur 60 vjet në shërbimin e plotkohor. Me entuziazëm, vëlla Klajni tha: «Jehovai ka qenë shumë i mirë me mua!» Ai tha se Psalmi 37:4 ishte një nga shkrimet e tij të preferuara. Më vonë, i kënaqi të gjithë duke luajtur një pjesë në violonçelin e tij.
Në 15 vjetët që pasuan, vëlla Klajni vazhdoi të punonte si pjesëtar i skuadrës së shkrimtarëve dhe të shërbente në Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Më pas, më 3 janar 2001, në moshën 95-vjeçare, Karl Klajni e përfundoi me besnikëri rrugën e tij tokësore.
Karli lindi në Gjermani. Familja e tij u transferua në Shtetet e Bashkuara dhe Karli u rrit në periferi të Çikagos, në Ilinois. Kur ishin ende të vegjël, Karli dhe vëllai i tij më i vogël, Tedi, zhvilluan një interes të thellë për Biblën. Karli u pagëzua në vitin 1918 dhe gjërat drithëruese që dëgjoi në një kongres të Studentëve të Biblës në vitin 1922 nxitën tek ai një dashuri për shërbimin që zgjati gjithë jetën. Nuk donte që të kalonte një javë pa marrë pjesë në veprën e predikimit, duke e bërë këtë edhe në javët e fundit të jetës së tij.
Karli u bë anëtar i personelit të selisë botërore në vitin 1925 dhe, fillimisht, punoi në shtypshkronjë. E kishte vërtet pasion muzikën dhe për disa vjet luajti në violonçel, në një orkestër që luante muzikë për programet radiofonike të krishtere. Më pas, punoi në Repartin e Shërbimit, duke gëzuar në mënyrë të veçantë shoqërinë me mbikëqyrësin e tij, T. Xh. Salivan. Ndërkohë, Tedi u martua dhe së bashku me të shoqen, Dorisin, filluan shërbimin misionar në Porto-Riko.
Për gjysmë shekulli, Karl Klajni punoi në Repartin e Shkrimit, ku dha ndihmesë të jashtëzakonshme, sepse i pëlqente shumë të bënte kërkime dhe kishte njohuri të thellë për Biblën. Në vitin 1963, Karli u martua me Margaretën, një misionare gjermane që shërbente në Bolivi. Me mbështetjen e saj të dashur, veçanërisht kur ai pati probleme shëndetësore, pati mundësi të ishte i frytshëm edhe shumë kohë pas moshës në të cilën shumica e njerëzve dalin në pension. Çiltërsia e natyrshme e Karlit, e kombinuar me entuziazmin e tij prej muzikanti, ndihmuan që ai të mbante fjalime të paharrueshme në kongregacione dhe në kongrese. Jo shumë kohë para se të vdiste, një mëngjes ai drejtoi shqyrtimin e shkrimit për familjen e madhe Bethel të Nju-Jorkut, për kënaqësinë dhe dobinë e të gjithëve.
Shumë lexues të rregullt të Kullës së Rojës do ta kujtojnë jetëshkrimin e vëlla Klajnit, një tregim tërheqës të përvojave të tij, i cili u botua në numrin e 1 tetorit 1984, anglisht. Do të kënaqeni kur ta lexoni ose rilexoni këtë tregim, duke mbajtur në mend se shkrimtari i saj kaloi edhe rreth pesëmbëdhjetë vjet të tjerë si i krishterë besnik dhe i përkushtuar.
Si një nga të mirosurit e Zotërisë, vëlla Klajni dëshironte me gjithë zemër të mbretëronte me Krishtin në qiell. Kemi çdo arsye për të besuar se tani Jehovai e ka përmbushur këtë dëshirë.—Luka 22:28-30.
[Figura në faqen 31]
Karli në vitin 1943 me T. Xh. Salivanin dhe Tedin e Dorisin
[Figura në faqen 31]
Karli me Margaretën, tetor 2000