Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruajeni gëzimin në shërbimin e Jehovait!

Ruajeni gëzimin në shërbimin e Jehovait!

Ruajeni gëzimin në shërbimin e Jehovait!

«Gjithnjë gëzoni në Zotërinë. Edhe një herë do ta them: Gëzoni!»—FILIPIANËVE 4:4.

1, 2. Si ia dolën mbanë, një vëlla dhe familja e tij, të ruanin gëzimin, ndonëse humbën çdo gjë që kishin?

XHEJMSI, një i krishterë 70-vjeçar që jeton në Sierra-Leone, kishte punuar me mish e me shpirt gjatë gjithë jetës. Përfytyroni gëzimin e tij kur, më në fund, kishte kursyer mjaft para sa për të blerë një shtëpi të thjeshtë me katër dhoma. Por, pak kohë pasi Xhejmsi dhe familja e tij kishin hyrë në shtëpinë e re, në atë vend shpërtheu lufta civile dhe shtëpia e tyre u bë shkrumb e hi. Ata humbën shtëpinë, por jo gëzimin. Përse jo?

2 Xhejmsi dhe familja e tij e mbajtën mendjen të përqendruar jo në atë që kishin humbur, por në atë që u mbetej ende. Xhejmsi shpjegon: «Edhe gjatë asaj kohe terrori, i mbanim mbledhjet, lexonim Biblën, luteshim së bashku dhe ndanim me të tjerët atë pak gjë që kishim. Ia dolëm mbanë ta ruanim gëzimin, sepse u përqendruam në marrëdhënien e mrekullueshme që kemi me Jehovain.» Duke llogaritur bekimet që kishin—më i madhi nga të cilët është të kesh një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain—këta të krishterë besimplotë ia dolën mbanë të ‘vazhdonin të gëzonin’. (2 Korintasve 13:11) Patjetër, ato rrethana dëshpëruese nuk ishin të lehta për t’u duruar. Por, ata vazhduan të gëzoheshin në Jehovain.

3. Si e ruajtën gëzimin disa të krishterë të hershëm?

3 Të krishterët e hershëm hasën sprova që mund të krahasohen me ato që patën Xhejmsi dhe familja e tij. Sidoqoftë, apostulli Pavël u shkroi këto fjalë të krishterëve hebrenj: «[Ju] pranuat me gëzim t’ju plaçkitnin zotërimet tuaja.» Pastaj, Pavli shpjegoi burimin e gëzimit të tyre: «Duke e ditur se keni për veten tuaj një zotërim më të mirë dhe të qëndrueshëm.» (Hebrenjve 10:34) Po, ata të krishterë të shekullit të parë kishin një shpresë të fuqishme. Ata pritnin me padurim dhe të sigurt të merrnin diçka që nuk mund të plaçkitej: «kurorën e jetës» që nuk mund të vyshket, në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. (Zbulesa 2:10) Sot, shpresa jonë e krishterë—qoftë qiellore, qoftë tokësore—mund të na ndihmojë ta ruajmë gëzimin edhe kur hasim vështirësi.

«Gëzoni në shpresë»

4, 5. (a) Përse këshilla e Pavlit, «gëzoni në shpresë», ishte vërtet në kohën e duhur për romakët? (b) Çfarë mund ta bënte një të krishterë që të humbte nga sytë shpresën e tij?

4 Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët në Romë që të ‘gëzonin në shpresën’ e jetës së përhershme. (Romakëve 12:12) Kjo ishte një këshillë në kohën e duhur për romakët. Më pak se dhjetë vjet pasi u shkroi Pavli, ata përjetuan një përndjekje të ashpër dhe disa u torturuan deri në vdekje me urdhër të perandorit Neron. Besimi se Perëndia do t’u jepte kurorën e premtuar të jetës, pa dyshim, i mbështeti ata në vuajtjet që hasën. Po ne sot?

5 Si të krishterë, edhe ne presim që të na përndjekin. (2 Timoteut 3:12) Gjithashtu, e kuptojmë se «koha dhe ngjarja e paparashikuar» na ndodhin të gjithëve. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Ndoshta një aksident mund t’i marrë jetën dikujt që e kemi për zemër. Një sëmundje vdekjeprurëse mund të shkaktojë vdekjen e një prindi ose të një miku të ngushtë. Nëse nuk e mbajmë të qartë në mendje shpresën e Mbretërisë, mund të jemi në rrezik nga ana frymore kur të ndodhin këto sprova. Pra, bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A «gëzoj në shpresë»? Sa shpesh ndalem dhe meditoj për këtë shpresë? A është reale për mua Parajsa që po vjen? A e shoh veten atje? A jam po aq i paduruar për fundin e sistemit të tanishëm, sa isha kur mësova fillimisht të vërtetën?’ Kjo pyetje e fundit e meriton ta mendojmë seriozisht. Përse? Sepse, nëse jemi mirë me shëndet, nëse bëjmë një jetë të rehatshme dhe jetojmë në një pjesë të tokës që pak a shumë nuk është prekur nga lufta, mungesat e ushqimit ose katastrofat natyrore, ka mundësi që—të paktën tani për tani—ta humbim nga sytë nevojën e ngutshme që të vijë bota e re e Perëndisë.

6. (a) Kur patën shtrëngime, ku i përqendruan Pavli dhe Sila mendimet e tyre? (b) Si mund të na japë zemër sot shembulli i Pavlit dhe i Silës?

6 Po ashtu, Pavli i këshilloi romakët që të ‘qëndronin në shtrëngime’. (Romakëve 12:12) Për Pavlin, shtrëngimet nuk ishin diçka e re. Një herë, pa në vegim një njeri, i cili e ftoi të ‘kalonte në Maqedoni’ për t’i ndihmuar njerëzit atje që të mësonin për Jehovain. (Veprat 16:9) Pas kësaj, Pavli, së bashku me Lukën, Silën dhe Timoteun, u nisën për në Evropë. Çfarë i priste këta misionarë të zellshëm? Shtrëngime! Pasi kishin predikuar në qytetin maqedonas të Filipisë, Pavlin dhe Silën i rrahën dhe i futën në burg. Duket qartë se disa banorë të Filipisë nuk ishin vetëm indiferentë ndaj mesazhit të Mbretërisë, por e kundërshtuan atë shumë ashpër. A e humbën gëzimin misionarët e zellshëm nga kjo kthesë e ngjarjeve? Jo. Pasi i kishin rrahur dhe i kishin hedhur në burg, «aty nga mesi i natës, Pavli dhe Sila po luteshin dhe po lëvdonin Perëndinë me këngë». (Veprat 16:25, 26) Sigurisht, dhembja nga rrahjet nuk i sillte gëzim Pavlit dhe Silës, por kjo nuk ishte gjëja tek e cila u përqendruan dy misionarët. Mendimet e tyre ishin të përqendruara te Jehovai dhe në mënyrat se si po i bekonte ai. Duke ‘qëndruar në shtrëngime’ me gëzim, Pavli dhe Sila shërbyen si shembuj të shkëlqyer për vëllezërit e tyre në Filipi e gjetkë.

7. Përse në lutjet tona duhet të përfshijmë edhe falënderimet?

7 Pavli shkroi: «Ngulmoni në lutje.» (Romakëve 12:12) A luteni kur keni çaste ankthi? Për çfarë luteni? Ndoshta përmendni problemin tuaj specifik dhe i kërkoni ndihmë Jehovait. Por, mund të përfshini edhe shprehje falënderimi për bekimet që keni. Kur lindin probleme, meditimi për mirësinë e Jehovait në marrëdhënien e tij me ne, na ndihmon që të ‘gëzojmë në shpresë’. Davidi, jeta e të cilit s’ishte aspak pa probleme, shkroi: «O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.» (Psalmi 40:5) Nëse, ashtu si Davidi, meditojmë vazhdimisht për bekimet që marrim nga Jehovai, do ta kemi të pamundur të mos jemi të gëzuar.

Mbani një frymë pozitive

8. Çfarë e ndihmon një të krishterë që të vazhdojë të jetë i lumtur kur has përndjekje?

8 Jezui i nxiti ithtarët e tij që të mbanin një frymë pozitive kur të hasnin sprova të ndryshme. Ai thotë: «Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim.» (Mateu 5:11) Çfarë arsye kemi për të qenë të lumtur në rrethana të tilla? Aftësia jonë për t’i bërë ballë kundërshtimit është një provë se kemi frymën e Jehovait. Apostulli Pjetër u tha të bashkëkrishterëve të ditëve të tij: «Nëse po ju poshtërojnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse fryma e lavdisë, madje fryma e Perëndisë, po prehet mbi ju.» (1 Pjetrit 4:13, 14) Me anë të frymës së tij, Jehovai do të na ndihmojë, gjithashtu, që të durojmë e, rrjedhimisht, të ruajmë gëzimin.

9. Çfarë i ndihmoi disa vëllezër që të gjenin arsye për gëzim, kur ishin në burg për shkak të besimit të tyre?

9 Edhe kur jemi në rrethanat më të tmerrshme, mund të gjejmë arsye për t’u gëzuar. Një i krishterë me emrin Adolf e provoi vetë këtë. Ai jeton në një vend ku vepra e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e ndaluar për shumë vjet. Adolfi dhe disa shokë e shoqe të tij u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata, sepse nuk pranuan të hiqnin dorë nga bindjet e tyre të bazuara në Bibël. Jeta e burgut ishte e vështirë, por, ashtu si Pavli dhe Sila, Adolfi dhe shokët e tij gjetën arsye për ta falënderuar Perëndinë. Siç thanë ata, përvoja e burgut i ndihmoi të forconin besimin dhe të zhvillonin cilësi të vlefshme të krishtere, si: bujarinë, ndjenjat e përbashkëta dhe përzemërsinë vëllazërore. Për shembull, kur një i burgosur merrte ndonjë pako nga shtëpia, e ndante atë që kishte pakoja me bashkëbesimtarët, të cilët i shihnin këto sigurime shtesë si të vinin nga Jehovai, Dhënësi më i madh ‘i çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’. Këto vepra dashamirësie i sillnin gëzim edhe atij që jepte, edhe atyre që merrnin. Kështu, ajo përvojë që kishte pasur për qëllim t’ua thyente besimin, në të vërtetë i bëri më të fortë frymësisht!—Jakovit 1:17; Veprat 20:35.

10, 11. Si ia doli mbanë një motër, kur e merrnin në pyetje vazhdimisht në mënyrë të pamëshirshme dhe kur e dënuan me burgim të gjatë?

10 Edhe Ela jeton në një vend ku vepra e Mbretërisë ishte e ndaluar për shumë kohë. Atë e arrestuan sepse fliste me të tjerët për shpresën e saj të krishterë. Për tetë muaj me radhë, e morën në pyetje në mënyrë të pamëshirshme. Kur, më në fund, e nxorën në gjyq, e dënuan me dhjetë vjet në një burg ku nuk kishte adhurues të tjerë të Jehovait. Në atë kohë, Ela ishte vetëm 24 vjeçe.

11 Sigurisht, ajo nuk kënaqej me mendimin se do ta kalonte pjesën më të madhe të rinisë së saj në një qeli burgu. Por, meqë nuk mund ta ndryshonte gjendjen, vendosi të ndryshonte pikëpamjen e saj. Prandaj, filloi ta shihte burgun si territorin personal për të predikuar. «Kishte kaq shumë për të predikuar,—thotë ajo,—saqë vitet kaluan shumë shpejt.» Pasi kishin kaluar më shumë se pesë vjet, Elën e morën përsëri në pyetje. Duke e kuptuar se hekurat e burgut nuk ia kishin shkatërruar besimin, hetuesit i thanë: «Nuk mund të të lirojmë, sepse ti nuk ke ndryshuar.» «Por, unë kam ndryshuar!—u përgjigj me vendosmëri Ela.—Tani kam një qëndrim më të mirë se kur hyra në fillim në burg dhe besimi im është shumë më i fortë se më parë!» Gjithashtu, shtoi: «Nëse nuk doni të më lironi, do të qëndroj derisa Jehovai ta shohë të përshtatshme të më lirojë.» Pesë vjet e gjysmë burg nuk ia kishin hequr gëzimin Elës! Ajo mësoi të ishte e kënaqur në cilatdo rrethana që gjendej. A mund të mësoni diçka nga shembulli i saj?—Hebrenjve 13:5.

12. Çfarë mund t’i sjellë paqe mendore një të krishteri që gjendet në rrethana të vështira?

12 Mos nxirrni përfundimin se Ela ka ndonjë dhunti të veçantë që i jep mundësi t’i përballojë këto sfida. Duke folur për periudhën kur e merrnin në pyetje, në muajt para se të merrte dënimin, Ela pranon: «Më kujtohet që më kërcitnin dhëmbët dhe ndihesha si një harabel i frikësuar.» Por Ela ka një besim të fortë te Jehovai. Ka mësuar t’i besojë plotësisht atij. (Fjalët e urta [Proverbat] 3:5-7) Për pasojë, tani Perëndia është më real për të se më parë. Ajo shpjegon: «Sa herë që hyja në dhomën ku më merrnin në pyetje, ndieja që më pushtonte paqja. . . . Sa më e frikshme të ishte gjendja, aq më e thellë bëhej paqja.» Burimi i asaj paqeje ishte Jehovai. Apostulli Pavël shpjegon: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh; dhe paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemra tuaja dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»—Filipianëve 4:6, 7.

13. Çfarë na jep siguri se, nëse do të kemi shtrëngime, do të kemi forcën për t’i duruar ato?

13 Ela, e cila tashmë është liruar, e ruajti gëzimin megjithë vështirësitë. Këtë e bëri jo me forcën e saj, por me forcën që i siguroi Jehovai. E njëjta gjë ndodhi me apostullin Pavël, i cili shkroi: «Prandaj, me gëzim të madh do të mburrem më mirë për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të qëndrojë mbi mua si një tendë. . . . Sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.»—2 Korintasve 12:9, 10.

14. Ilustroni se si një i krishterë mund të ketë një pikëpamje pozitive ndaj një rrethane sprovuese dhe cili mund të jetë rezultati.

14 Presionet që hasni personalisht sot mund të jenë disi ndryshe nga ato që kemi shqyrtuar këtu. Sidoqoftë, çfarëdo forme që të marrin, presionet janë të vështira për t’u përballuar. Për shembull, punëdhënësi mund t’ju kritikojë shumë për punën tuaj, shumë më tepër sesa kritikon punën e punonjësve që u përkasin besimeve të tjera fetare. Ndoshta nuk keni mundësi të kërkoni një punë tjetër. Si mund ta ruani gëzimin? Kujtoni Adolfin dhe shokët e shoqet e tij, të cilët me përvojën e burgut mësuan të zhvillonin cilësi jetësore. Nëse bëni përpjekje nga zemra për ta kënaqur punëdhënësin—edhe sikur të jetë nga ata që «vështirë se kënaqen»—do të zhvilloni cilësi të krishtere, si qëndrueshmëria dhe shpirtgjerësia. (1 Pjetrit 2:18) Për më tepër, mund të bëheni fare mirë punonjës më të vlefshëm dhe kjo mund t’jua shtojë mundësitë për të gjetur punë më të kënaqshme ndonjë ditë. Le të shqyrtojmë tani disa mënyra të tjera ku mund ta ruajmë gëzimin në shërbimin e Jehovait.

Thjeshtimet sjellin gëzim

15-17. Siç e mësoi një çift, çfarë mund ta lehtësonte stresin, ndonëse nuk mund ta hiqte plotësisht burimin nga vinte ky stres?

15 Mbase nuk keni shumë për të zgjedhur në llojin e punës që bëni ose në vendin ku punoni, por mund të ketë fusha të tjera të jetës në të cilat mund të ushtroni njëfarë kontrolli. Shqyrtoni përvojën vijuese.

16 Një çift i krishterë ftoi një plak në shtëpinë e tyre për darkë. Gjatë darkës, vëllai dhe e shoqja iu hapën plakut duke i thënë se kohët e fundit ndiheshin të mbytur nga presionet e jetës. Ndonëse që të dy kishin punë të lodhshme në kohë të plotë, nuk ishte e mundur për ta që të kërkonin punë tjetër. Pyetnin veten sa gjatë do të mund ta përballonin këtë gjendje.

17 Kur i kërkuan ndonjë këshillë, plaku u përgjigj: «Bëni thjeshtime.» Si ta bënin këtë? Burri dhe e shoqja harxhonin deri në tre orë në ditë për të shkuar e për të ardhur nga puna. Plaku, i cili e njihte mirë çiftin, këshilloi që të mendonin për t’u transferuar më afër vendit të punës, që të mund ta zvogëlonin kohën që kalonin duke udhëtuar çdo ditë. Kohën e kursyer mund ta kalonin për t’u kujdesur për gjëra të tjera të rëndësishme ose edhe vetëm për t’u çlodhur. Nëse presionet e jetës po ju heqin një pjesë të gëzimit, përse të mos shqyrtoni nëse mund të lehtësoheni, duke bërë disa rregullime?

18. Përse është jetësore të mendojmë me kujdes përpara se të marrim vendime?

18 Një mënyrë tjetër për ta zvogëluar presionin është të mendoni me kujdes para se të merrni vendime. Për shembull, një i krishterë vendosi të ndërtonte një shtëpi. Zgjodhi një projekt shumë të ndërlikuar, ndonëse nuk kishte ndërtuar kurrë një shtëpi më parë. Tani e kupton se mund t’i kishte shmangur problemet e panevojshme, po të kishte ‘treguar kujdes të veçantë për hapat e tij’ para se të zgjidhte projektin për shtëpinë. (Fjalët e urta 14:15) Një i krishterë tjetër pranoi të merrte përsipër përgjegjësinë financiare për huanë që kishte marrë një bashkëbesimtar. Sipas marrëveshjes, nëse huamarrësi nuk do të ishte në gjendje të paguante huanë, ai që ishte përgjegjës do të ishte i detyruar ta bënte këtë. Fillimisht, gjithçka shkoi mirë, por me kalimin e kohës, huamarrësi nuk e përmbushi marrëveshjen. Huadhënësi u alarmua dhe i kërkoi atij që kishte marrë përsipër përgjegjësinë ta paguante të tërë huanë. Kjo e vuri nën një presion të madh këtë vëlla. A mund të ishte shmangur një gjë e tillë, nëse ai do t’i kishte kushtuar më shumë vëmendje të gjithë faktorëve përpara se të pranonte të merrte përsipër përgjegjësinë për borxhin?—Fjalët e urta 17:18.

19. Cilat janë disa mënyra në të cilat mund ta zvogëlojmë stresin në jetë?

19 Kur lodhemi, të mos nxjerrim kurrë përfundimin se mund ta zvogëlojmë presionin dhe të rifitojmë gëzimin duke shkurtuar kohën për studimin personal të Biblës, për shërbimin në fushë dhe për mbledhjet. Aspak, sepse këto janë mënyra jetësore në të cilat mund të marrim frymën e shenjtë të Jehovait, një fryt i së cilës është gëzimi. (Galatasve 5:22) Veprimtaritë e krishtere janë gjithnjë freskuese dhe zakonisht nuk të lodhin tepër. (Mateu 11:28-30) Ka shumë më tepër të ngjarë që veprimtaritë shekullare ose zbavitëse, jo ato frymore, të jenë duke na e shtuar lodhjen. Mësoni të shkoni të flini në një orar të arsyeshëm dhe kjo mund t’ju ndihmojë që të rifitoni forcat. Pak çlodhje më tepër mund të jetë shumë e dobishme. N. H. Nori, i cili shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait derisa vdiq, u thoshte zakonisht misionarëve: «Kur shkurajoheni, gjëja e parë që duhet të bëni është të pushoni pak. Do të habiteni se sa më i vogël do t’ju duket problemi, pasi të keni kaluar një natë me gjumë të qetë.»

20. (a) Përmblidhni disa nga mënyrat se si mund ta ruajmë gëzimin. (b) Çfarë arsyesh ju vijnë në mend për të qenë të gëzuar? (Shih kutinë në faqen 17.)

20 Të krishterët kanë privilegjin t’i shërbejnë «Perëndisë së lumtur». (1 Timoteut 1:11) Siç e kemi parë, mund ta ruajmë gëzimin edhe kur jemi të rrethuar nga probleme të rënda. Le ta mbajmë para syve shpresën e Mbretërisë, të ndreqim pikëpamjen tonë kur është e nevojshme dhe ta mbajmë jetën të thjeshtë! Atëherë, në çfarëdo rrethane të gjendemi, do t’u përgjigjemi fjalëve të apostullit Pavël: «Gjithnjë gëzoni në Zotërinë. Edhe një herë do ta them: Gëzoni!»—Filipianëve 4:4.

Shqyrtojini këto pyetje duke medituar:

• Përse të krishterët duhet ta mbajnë shikimin të përqendruar mirë në shpresën e Mbretërisë?

• Çfarë mund të na ndihmojë ta ruajmë gëzimin kur jemi në rrethana të vështira?

• Përse duhet të përpiqemi ta thjeshtojmë jetën?

• Në cilat fusha e kanë thjeshtuar jetën disa?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 17]

Arsye të mëtejshme për të qenë të gëzuar

Si të krishterë, kemi shumë arsye për të gëzuar. Shqyrtoni sa vijon:

1. Njohim Jehovain.

2. Kemi mësuar të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.

3. Mund të na falen mëkatet nëpërmjet besimit tonë në flijimin e Jezuit.

4. Mbretëria e Perëndisë po sundon: bota e re së shpejti do të jetë këtu!

5. Jehovai na ka sjellë në një parajsë frymore.

6. Kemi një shoqëri të shëndetshme të krishterë.

7. Kemi privilegjin për të marrë pjesë në veprën e predikimit.

8. Jemi gjallë dhe kemi njëfarë force.

Sa arsye të tjera për të qenë të gëzuar mund të përmendni?

[Figura në faqen 13]

Pavli dhe Sila ishin të gëzuar edhe në burg

[Figurat në faqen 15]

A e keni vështrimin të përqendruar në shpresën e gëzueshme të botës së re të Perëndisë?