Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Spiritizmi: A mund të na i plotësojë vërtet nevojat frymore?

Spiritizmi: A mund të na i plotësojë vërtet nevojat frymore?

Spiritizmi: A mund të na i plotësojë vërtet nevojat frymore?

TË GJITHË ne, përveç nevojave materiale, kemi edhe nevoja frymore. Ja përse kaq shumë veta bëjnë pyetje, si: Cili është qëllimi i jetës, përse vuajnë njerëzit dhe çfarë ndodh me ne kur vdesim? Shumë njerëz të çiltër i kërkojnë përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe të pyetjeve të tjera të ngjashme, nëpër seanca ku konsultohen me një medium (i quajtur edhe kanal komunikimi), duke shpresuar të komunikojnë me të ashtuquajturit shpirtra të të vdekurve. Kjo praktikë quhet spiritizëm.

Ata që kontaktojnë shpirtrat gjenden në shumë vende dhe mblidhen në kongregacione e kisha. Për shembull, në Brazil është përllogaritur që 4.000.000 spiritistë ndjekin mësimet e përmbledhura nga Hipolit Leon Denizar Rivel, një mësues dhe filozof francez i shekullit të 19-të, i cili shkroi me pseudonimin Alen Kardek. Kardeku filloi të interesohej për dukuritë spiritiste në vitin 1854. Më vonë, u bëri pyetje mediumeve nga shumë vende dhe i dokumentoi përgjigjet në librin The Book of Spirits, botuar në vitin 1857. Dy vepra të tjera që shkroi ai janë: The Mediums’ Book (Libri i mediumeve) dhe The Gospel According to Spiritism (Ungjilli sipas spiritizmit).

Spiritizmi ka qenë i lidhur me praktika të tilla fetare, si: vuduja, shtrigëria, magjia ose satanizmi. Por, ata që ndjekin mësimet e Alen Kardekut thonë se bindjet e tyre janë të ndryshme. Botimet e tyre shpesh citojnë Biblën dhe ata e quajnë Jezuin «udhëheqjen dhe shembullin për të gjithë njerëzimin». Ata thonë se mësimet e Jezuit janë «shprehja më e pastër e ligjit hyjnor». Alen Kardeku i shihte shkrimet spiritiste si zbulesën e tretë të ligjit të Perëndisë për njerëzimin, kurse dy të parët ishin mësimet e Moisiut dhe ato të Jezuit.

Spiritizmi tërheq shumë veta, sepse e vë theksin te dashuria për të afërmin dhe te veprat e bamirësisë. Një bindje spiritiste është: «Pa bamirësi nuk ka shpëtim.» Shumë spiritistë përfshihen energjikisht në punë shoqërore, duke ndihmuar nëpër spitale, shkolla dhe institute të tjera. Përpjekje të tilla janë për t’u lavdëruar. Por, si janë bindjet e spiritistëve në krahasim me mësimet e Jezuit të dokumentuara në Bibël? Le të marrim dy shembuj: shpresën për të vdekurit dhe arsyen përse ka vuajtje.

Çfarë shprese ka për të vdekurit?

Shumë spiritistë besojnë në rimishërimin. Një botim spiritist thotë: «Rimishërimi është e vetmja doktrinë që plotëson idenë tonë për drejtësinë hyjnore; është e vetmja doktrinë që mund ta shpjegojë të ardhmen dhe të na i forcojë shpresat.» Spiritistët shpjegojnë se me vdekjen, shpirti ose «fryma e trupëzuar» e lë trupin, si një flutur që del nga pupa e saj. Besojnë se këto frymëra më vonë rimishërohen si njerëz, për të larë mëkatet e kryera në një jetë të mëparshme. Por nuk kanë asnjë kujtim të atyre mëkateve të mëparshme. «Perëndia e quajti të volitshme që mbi të kaluarën të hidhej një vel»,—thotë Ungjilli sipas spiritizmit.

«Të mohosh rimishërimin do të thotë, po ashtu, të mohosh fjalët e Krishtit»,—shkroi Alen Kardeku. Sidoqoftë, Jezui nuk e shqiptoi kurrë fjalën «rimishërim» dhe nuk e përmendi kurrë një koncept të tillë. (Shih «A e mëson Bibla rimishërimin?», në faqen 22.) Përkundrazi, Jezui mësoi ringjalljen e të vdekurve. Gjatë shërbimit të tij në tokë, ai ringjalli tre njerëz: birin e një vejushe në Nain, vajzën e një nga të parëve të një sinagoge dhe mikun e tij të ngushtë, Lazarin. (Marku 5:22-24, 35-43; Luka 7:11-15; Gjoni 11:1-44) Le të shqyrtojmë një nga këto ngjarje të spikatshme dhe të shohim çfarë donte të thoshte Jezui me fjalën «ringjallje».

Ringjallja e Lazarit

Jezui mori vesh se miku i tij, Lazari, ishte sëmurë. Dy ditë më vonë, u tha dishepujve të tij: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, por unë po marr udhën për atje që ta zgjoj nga gjumi.» Dishepujt nuk e kuptuan për çfarë e kishte fjalën Jezui, kështu që ai u tha hapur: «Lazari ka vdekur.» Kur, më në fund, Jezui arriti te varri i Lazarit, ky i fundit kishte katër ditë që kishte vdekur. Jezui, prapëseprapë, urdhëroi të hiqej guri që mbyllte hyrjen e varrit. Pastaj thirri: «Lazar, eja jashtë!» Në çast, ndodhi diçka e mrekullueshme. «Ai që kishte qenë i vdekur doli me këmbët dhe duart të lidhura me rripa pëlhure dhe fytyrën e kishte të mbështjellë me një copë pëlhure. Jezui u tha: ‘Zgjidheni dhe lëreni të ikë.’»—Gjoni 11:5, 6, 11-14, 43, 44.

Është e qartë se ky nuk ishte një rimishërim. Jezui tha që Lazari i vdekur po flinte, i pavetëdijshëm. Siç e shpreh Bibla, ‘mendimet e tij kishin marrë fund’. Ai ‘nuk dinte asgjë’. (Psalmi 146:4, BR; Predikuesi 9:5) Lazari i ringjallur nuk ishte një person tjetër me një frymë të rimishëruar. Ai kishte po atë personalitet, ishte në të njëjtën moshë dhe kishte të njëjtat kujtime. E vazhdoi jetën aty ku e kishte lënë në mënyrë të parakohshme, dhe u kthye te njerëzit e vet të dashur që kishin vajtuar për vdekjen e tij.—Gjoni 12:1, 2.

Më vonë, Lazari vdiq përsëri. Prandaj, për çfarë qëllimi shërbeu ringjallja e tij? Së bashku me ringjalljet e tjera që kreu Jezui, ajo na e forcon besimin në premtimin e Perëndisë se shërbëtorët e Tij besnikë do të ngrihen nga të vdekurit në kohën që Ai ka caktuar. Këto mrekulli të Jezuit u shtojnë shumë peshë fjalëve të tij: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të vijë në jetë.»—Gjoni 11:25.

Për këtë ringjallje të ardhme, Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin [tim] dhe do të dalin: ata që praktikuan gjëra të mira në një ringjallje jete, ata që praktikuan gjëra të poshtra në një ringjallje gjykimi.» (Gjoni 5:28, 29) Siç ndodhi me Lazarin, kjo do të jetë një ringjallje e njerëzve të vdekur. Nuk do të jetë një ribashkim i frymërave të vetëdijshme me trupat e ringjallur, të cilët janë dekompozuar e, madje, mund të jenë thithur nga organizma të tjerë të gjallë. Ringjallja e të vdekurve është fare mirë brenda aftësisë së Krijuesit të qiellit dhe të tokës, i cili është i pafund në mençuri e në fuqi.

Doktrina e ringjalljes, siç e ka mësuar Jezui, a nuk zbulon dashurinë e thellë që ka Perëndia për njerëzit si individë? Por, ç’të themi për pyetjen e dytë të përmendur më parë?

Cila është arsyeja që ka vuajtje?

Shumë nga vuajtjet njerëzore shkaktohen nga gjërat që bëjnë njerëzit jo të mençur, pa përvojë ose edhe të ligj. Por, ç’të themi për ngjarjet tragjike, për të cilat nuk mund t’u vihet faji drejtpërdrejt njerëzve? Për shembull, përse ndodhin aksidente dhe katastrofa natyrore? Përse disa fëmijë lindin me të meta? Alen Kardeku i shihte këto gjëra si ndëshkime. Ai shkroi: «Nëse po ndëshkohemi, atëherë duhet të jetë kryer ndonjë gabim. Nëse ky gabim nuk është bërë në jetën e tanishme, duhet të vijë nga një përvojë e kaluar.» Spiritistëve u mësojnë të luten: «Zot, Ti je i gjithi i drejtë. Sëmundjet që Ti i pe të përshtatshme të më dërgosh duhet t’i kem merituar . . . I pranoj si një shlyerje për të kaluarën time dhe si një sprovë të besimit dhe të nënshtrimit tim ndaj vullnetit Tënd të bekuar.»—Ungjilli sipas spiritizmit.

A mësoi Jezui një gjë të tillë? Jo. Jezui e njihte mirë pohimin biblik: «Koha dhe ngjarja e paparashikuar u ndodhin të gjithëve.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Ai e dinte se ndonjëherë gjërat e këqija, thjesht, ndodhin. S’kanë pse të jenë një ndëshkim për mëkatet.

Shqyrtoni këtë ngjarje në jetën e Jezuit: «Ndërsa [Jezui] shkonte më tutje, pa një njeri të verbër që nga lindja dhe dishepujt e tij e pyetën: ‘Rabi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që ai lindi i verbër?’» Përgjigjja që dha Jezui ishte shumë ndërtuese: «Nuk mëkatoi as ky, as prindërit e tij, por ndodhi që të shfaqeshin veprat e Perëndisë në rastin e tij. Pasi tha këto, pështyu përtokë, bëri argjilë me pështymën, e vuri argjilën mbi sytë e njeriut dhe i tha: ‘Shko lahu në pellgun e Siloamit.’ . . . E kështu, ai iku, u la dhe u kthye duke shikuar.»—Gjoni 9:1-3, 6, 7.

Fjalët e Jezuit treguan se as ai njeri, as prindërit e tij nuk ishin përgjegjës për verbërinë e tij që nga lindja. Kështu, Jezui nuk e mbështeti idenë se ai njeri po ndëshkohej për mëkatet që kishte bërë në një jetë të mëparshme. Vërtet, Jezui e dinte se të gjithë njerëzit e trashëgojnë mëkatin. Por, trashëgojnë mëkatin nga Adami, jo mëkatet që kanë kryer para se të lindnin. Për shkak të mëkatit të Adamit, të gjithë njerëzit lindin të papërsosur fizikisht, të nënshtruar ndaj sëmundjeve dhe vdekjes. (Jobi 14:4; Psalmi 51:5; Romakëve 5:12; 9:11) Në të vërtetë, kjo ishte një gjendje të cilën Jezui ishte dërguar ta rregullonte. Gjon Pagëzori tha se Jezui ishte «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës».—Gjoni 1:29. *

Vini re, gjithashtu, se Jezui nuk tha që Perëndia kishte bërë enkas që ai njeri të lindte i verbër, kështu që Jezui të kalonte një ditë andej dhe ta shëronte. Sa veprim mizor e cinik do të kishte qenë ky! A do t’i kishte sjellë lavdi Perëndisë? Jo. Përkundrazi, shërimi i mrekullueshëm i njeriut të verbër shërbeu që të «shfaqeshin veprat e Perëndisë». Ashtu si shumë shërime të tjera që bëri Jezui, ky shërim pasqyroi dashurinë e çiltër të Perëndisë për njerëzimin që vuan. Gjithashtu, përforcoi vërtetësinë e premtimit të Tij se do t’u sjellë fundin të gjitha sëmundjeve njerëzore dhe vuajtjeve në kohën e Tij të duhur.—Isaia 33:24.

A nuk është ngushëlluese të zbulojmë se, në vend që ta shkaktojë vuajtjen, Ati ynë qiellor ‘u jep gjëra të mira atyre që ia kërkojnë’? (Mateu 7:11) Çfarë lavdie do të marrë Më i Larti kur sytë e të verbërve të hapen, veshët e të shurdhërve të lirohen dhe të çalët të ecin, të kërcejnë e të vrapojnë!—Isaia 35:5, 6.

Të plotësojmë nevojat tona frymore

Jezui shpalli: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.» (Mateu 4:4) Po, nevojat tona frymore plotësohen kur lexojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën dhe kur jetojmë në harmoni me të. Konsultimi me një medium spiritist nuk i plotëson vërtet nevojat tona frymore. Në të vërtetë, kjo praktikë dënohet qartësisht në atë që Alen Kardeku e quajti zbulimi i parë i ligjit të Perëndisë.—Ligji i përtërirë 18:10-13.

Shumë veta, duke përfshirë edhe spiritistët, e pranojnë se Perëndia është Qenia Supreme, i përjetshëm, pambarimisht i përsosur, mirëdashës, i mirë dhe i drejtë. Por Bibla zbulon shumë më tepër se kaq. Ajo zbulon se ai ka një emër personal, Jehova, të cilin duhet ta nderojmë siç e nderoi Jezui. (Mateu 6:9; Gjoni 17:6) Ajo e paraqet Perëndinë si një person real, me të cilin njerëzit mund të kenë një marrëdhënie të ngushtë. (Romakëve 8:38, 39) Duke lexuar Biblën, mësojmë se Perëndia është i mëshirshëm e «nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona». (Psalmi 103:10) Nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar, Zotëria Sovran Jehova zbulon dashurinë, epërsinë dhe arsyetueshmërinë e tij. Ai është i Vetmi që i udhëheq dhe i mbron njerëzit e bindur. Të njohim Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin «do të thotë jetë e përhershme».—Gjoni 17:3.

Bibla siguron gjithë të dhënat që na nevojiten rreth qëllimeve të Perëndisë dhe na thotë çfarë duhet të bëjmë nëse dëshirojmë t’i pëlqejmë atij. Një shqyrtim i kujdesshëm i Biblës siguron përgjigje të vërteta dhe të kënaqshme për pyetjet tona. Bibla na jep, po ashtu, udhëheqje se çfarë është e drejtë dhe e gabuar, si edhe siguron një shpresë të fortë. Na siguron se në të ardhmen e afërt, Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë [e njerëzve] dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar». (Zbulesa 21:3, 4) Me anë të Jezu Krishtit, Jehovai do ta lirojë njerëzimin nga mëkati dhe papërsosmëria e trashëguar dhe njerëzit e bindur do të trashëgojnë jetën e përjetshme në një tokë parajsore. Në atë kohë, si nevojat fizike, ashtu edhe nevojat frymore të tyre do të plotësohen krejtësisht.—Psalmi 37:10, 11, 29; Fjalët e urta 2:21, 22; Mateu 5:5.

[Shënimi]

^ par. 19 Për një trajtim se si filloi mëkati dhe vdekja, shih kapitullin 6 të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 22]

A E MËSON BIBLA RIMISHËRIMIN?

A mbështetet doktrina e rimishërimit në ndonjë shkrim të Biblës? Shqyrtoni disa nga shkrimet e përdorura nga ata që besojnë në këtë doktrinë:

«Sepse të gjithë, Profetët dhe Ligji, profetizuan deri te Gjoni . . . Ai vetë është ‘Elija që ka për të ardhur.’»—Mateu 11:13, 14.

A ishte Gjon Pagëzori Elija i rilindur? Kur e pyetën ‘A je ti Elija?’, Gjoni u përgjigj qartë: «Nuk jam.» (Gjoni 1:21) Por, ishte parathënë se Gjoni do t’i paraprinte Mesisë «me frymën dhe fuqinë e Elijas». (Luka 1:17; Malakia 4:5, 6) Me fjalë të tjera, Gjon Pagëzori ishte Elija në kuptimin që kreu një vepër të krahasueshme me atë të Elijas.

«Nëse dikush nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë. Mos u çudit pse të thashë: Ju duhet të lindni përsëri.»—Gjoni 3:3, 7.

Një nga apostujt më vonë shkroi: «Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.» (1 Pjetrit 1:3, 4, Dio; Gjoni 1:12, 13) Qartë, rilindja për të cilën foli Jezui nuk ishte një rimishërim i ardhshëm, por një përvojë frymore që do të ndodhte ndërsa ithtarët e tij ishin ende gjallë.

«Kur një njeri vdes, ai jeton përgjithmonë: kur ditët e jetës sime në Tokë kanë mbaruar, do të pres, duke kuptuar se do të kthehem përsëri.»—Një «përkthim grek» i Jobit 14:14, i cituar në Ungjillin sipas spiritizmit.

Bibla Revised Standard Version këtë varg e shpreh: «Nëse një njeri vdes, a do të jetojë përsëri? Të gjitha ditët e shërbimit tim do të pritja, derisa të vinte çlirimi im.» Lexoni kontekstin e këtij vargu. Do të kuptoni se të vdekurit presin në varr për «çlirimin» e tyre. (Vargu 13) Ndërsa presin, ata nuk jetojnë asgjëkundi. «Një njeri që ka vdekur, ka mbaruar plotësisht; dhe kur një i vdekshëm ka rënë, nuk është më.»—Jobi 14:10, versioni Septuaginta, nga Bagster.

[Figura në faqen 21]

Shpresa e ringjalljes zbulon interesin e thellë të Perëndisë për ne si individë

[Figurat në faqen 23]

Perëndia do t’u japë fund të gjitha vuajtjeve njerëzore