Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i ndihmojmë vejushat në sprovat e tyre

T’i ndihmojmë vejushat në sprovat e tyre

T’i ndihmojmë vejushat në sprovat e tyre

NJË nga historitë më të njohura lidhur me vejushat është tregimi biblik për Ruthën dhe për vjehrrën e saj, Naomin. Që të dyja ishin vejusha. Sidoqoftë, Naomi kishte humbur jo vetëm burrin, por edhe dy bijtë e saj, njëri nga të cilët kishte qenë i shoqi i Ruthës. Duke qenë se jetonin në një shoqëri që kryesisht merrej me bujqësi e që mbështetej shumë në forcën e krahut të burrave, gjendja e tyre ishte vërtet tragjike.—Rutha 1:1-5, 20, 21.

Megjithatë, Naomi kishte një shoqe dhe ngushëlluese të jashtëzakonshme, nusen e djalit të saj, Ruthën, e cila nuk pranoi që ta braktiste. Me kalimin e kohës, Rutha u bë «për [Naomin] më mirë se shtatë bij», jo vetëm nga dashuria e thellë që kishte për Naomin, por edhe nga dashuria që kishte për Perëndinë. (Rutha 4:15) Kur Naomi e këshilloi Ruthën të kthehej te familja e te miqtë e saj moabitë, Rutha iu përgjigj me një nga shprehjet më prekëse të besnikërisë që është thënë ndonjëherë: «Kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im; aty ku do të vdesësh ti do të vdes edhe unë dhe atje do të më varrosin. Kështu të veprojë me mua Zoti, bile edhe më keq, në rast se veç vdekjes ndonjë gjë tjetër do të më ndajë prej teje.»—Rutha 1:16, 17.

Qëndrimi i Ruthës nuk kaloi pa u vënë re nga Perëndia Jehova. Ai e bekoi familjen e vogël të Naomit e të Ruthës dhe, përfundimisht, Rutha u martua me izraelitin Boaz. Fëmijën e tyre, i cili u bë paraardhës i Jezu Krishtit, e rriti Naomi si të ishte fëmija i saj. Kjo histori është një shembull që tregon sa për zemër i ka Jehovai vejushat që i afrohen atij dhe që kanë besim tek ai. Për më tepër, Bibla na thotë se ai i vlerëson njerëzit që me dashuri i ndihmojnë vejushat në sprovat e tyre. Si mund t’i mbështetim sot vejushat që kemi mes nesh?—Rutha 4:13, 16-22; Psalmi 68:5.

Specifikë, por jo autoritarë

Kur i ofrojmë ndihmë një vejushe, është mirë të jemi të qartë dhe specifikë, por jo duke shpërfillur mendimet e dëshirat e saj. Shmangni komente të tilla të mjegullta, si: «Më thuaj po të kesh nevojë për ndonjë gjë.» Kjo do të ishte njësoj sikur t’i themi ‘rri ngrohtë dhe ngopu’ dikujt që ka ftohtë dhe është i uritur, por të mos bëjmë asgjë për ta ndihmuar. (Jakovit 2:16) Shumë njerëz nuk kërkojnë ndihmë kur u nevojitet diçka, por, përkundrazi, vuajnë në heshtje. Për t’i ndihmuar këta duhet aftësi dalluese, duke kuptuar për çfarë kanë nevojë. Nga ana tjetër, nëse marrim nismë të tepruar—me fjalë të tjera, nëse kontrollojmë jetën e vejushës—mund të shkaktojmë ndjenja të lënduara ose konflikt. Prandaj, Bibla thekson nevojën për drejtpeshim në marrëdhëniet me të tjerët. Ndonëse na nxit të shfaqim interes personal altruist për njerëzit, ajo na kujton që të mos futim hundët në punët e të tjerëve.—Filipianëve 2:4; 1 Pjetrit 4:15.

Rutha shfaqi një qëndrim të tillë të drejtpeshuar ndaj Naomit. Edhe pse qëndroi me besnikëri përkrah së vjehrrës, Rutha nuk i bëri presion asaj ose të sundonte mbi të. Mori nisma të arsyeshme, si për shembull, duke siguruar ushqim për Naomin dhe për vete, por njëkohësisht, ndoqi edhe udhëzimet e Naomit.—Rutha 2:2, 22, 23; 3:1-6.

Sigurisht, nevojat mund të ndryshojnë shumë nga njëri person te tjetri. Sandra, e përmendur më parë, thotë: «Gjatë dëshpërimit tim, kisha tamam atë që më nevojitej—miq shumë të dashur e të përzemërt, që më qëndruan afër.» Nga ana tjetër, Ilejna, po ashtu e përmendur më parë, kishte nevojë që të qëndronte vetëm. Pra, të jemi të dobishëm do të thotë të kemi aftësi dalluese dhe të gjejmë drejtpeshimin, duke pranuar nevojën që kanë të tjerët për të qëndruar vetëm dhe duke qenë të gatshëm kur kanë nevojë.

Mbështetje nga familja

Një familje e përzemërt dhe e dashur, nëse vejusha ka të tillë, mund të bëjë shumë për ta siguruar atë se do t’ia dalë mbanë ta përballojë këtë gjendje. Ndonëse disa familjarë mund të japin më shumë ndihmë se të tjerët, të gjithë mund të bëjnë pjesën e tyre. «Nëse një vejushë ka fëmijë ose nipa e mbesa, këta le të mësojnë më parë të praktikojnë devocionin hyjnor me ata të shtëpisë së vet dhe të vazhdojnë t’u japin prindërve dhe gjyshërve shpërblimin e duhur, sepse kjo është e pranueshme në sy të Perëndisë.»—1 Timoteut 5:4.

Në shumë raste, mbështetja ose ‘shpërblimi’ financiar mund të mos jetë i nevojshëm. Disa vejusha kanë fonde të mjaftueshme për t’u kujdesur për nevojat e tyre dhe të tjera përfitojnë nga ndihmat qeveritare që janë në dispozicion në disa vende. Por, aty ku vejushat kanë nevojë, familjarët duhet të ndihmojnë. Nëse një vejushë nuk ka të afërm të ngushtë që t’i japin përkrahje ose nëse këta të afërm nuk janë në gjendje ta ndihmojnë, Shkrimet i nxitin bashkëbesimtarët që t’i vijnë në ndihmë: «Forma e adhurimit që është e pastër dhe e pandotur nga këndvështrimi i Perëndisë dhe Atit tonë është kjo: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre.»—Jakovit 1:27.

Ata që veprojnë në përputhje me këto parime biblike i ‘nderojnë vejushat’ me të vërtetë. (1 Timoteut 5:3) Dhe vërtet, të nderosh një person do të thotë të tregosh vlerësim për të. Njerëzit të cilëve u tregohet nderim ndihen të çmuar dhe me dinjitet. Nuk mendojnë se të tjerët po i ndihmojnë vetëm të shtyrë nga ndjenja e detyrës. Rutha, ndonëse ishte vetë vejushë për njëfarë kohe, e nderoi vërtet Naomin duke u kujdesur me gatishmëri e me dashuri që Naomit t’i plotësoheshin nevojat fizike dhe emocionale. Me qëndrimin e saj Rutha bëri shumë shpejt një emër të mirë për vete, kështu që bashkëshorti i ardhshëm i tha: «Të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë që ti je një grua e virtytshme.» (Rutha 3:11) Në të njëjtën kohë, dashuria e Naomit për Perëndinë, natyra e saj pa pretendime dhe çmueshmëria e thellë për përpjekjet që Rutha bënte për të, pa dyshim, bënë që Rutha të kujdesej me kënaqësi për Naomin. Çfarë shembulli i shkëlqyer është Naomi për vejushat sot!

Afrojuni Perëndisë

Natyrisht, familjarët dhe miqtë nuk mund ta mbushin boshllëkun që ka lënë vdekja e një bashkëshorti. Për këtë arsye, është e rëndësishme që ata të cilëve u ka vdekur një person i dashur t’i afrohen në veçanti ‘Atit të mëshirave të buta dhe Perëndisë së çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona’. (2 Korintasve 1:3, 4) Shqyrtoni shembullin e Anës, një vejushë e përkushtuar, e cila ishte 84 vjeçe në kohën kur lindi Jezui.

Kur i vdiq i shoqi, pas vetëm shtatë vjet martese, Ana iu drejtua Jehovait për ngushëllim. «[Ajo] nuk mungonte kurrë në tempull, duke bërë shërbim të shenjtë natë e ditë me agjërime dhe përgjërime.» (Luka 2:36, 37) A iu përgjigj Jehovai devocionit hyjnor që tregoi Ana? Po! Ai e tregoi dashurinë e tij për të në një mënyrë shumë të veçantë, duke e lejuar të shihte foshnjën i cili kur të rritej do të bëhej Shpëtimtari i botës. Sa e drithëroi dhe e ngushëlloi kjo gjë Anën! Qartë, ajo provoi vërtetësinë e Psalmit 37:4, ku thuhet: «Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.»

Perëndia vepron nëpërmjet të bashkëkrishterëve

Ilejna thotë: «Për shumë kohë pas vdekjes së Davidit, ndieja një dhembje, si një thikë që më rrotullohej në kafazin e kraharorit. Mendova mos kisha probleme me tretjen. Një ditë, dhembja u bë kaq e fortë, saqë mendova se do të më duhej të shkoja te një mjek. Një motër frymore me aftësi dalluese dhe mike e imja më sugjeroi se një nga faktorët mund të ishte hidhërimi që ndieja dhe më nxiti që t’i kërkoja Jehovait ndihmë dhe ngushëllim. E zbatova menjëherë këshillën e saj dhe bëra një lutje në heshtje, por me gjithë zemër, duke i kërkuar Jehovait të më mbështeste në hidhërimin tim. Dhe ai më ndihmoi vërtet!» Ilejna filloi të ndihej më mirë dhe, jo shumë kohë më pas, edhe dhembja fizike që kishte iu largua.

Pleqtë e kongregacionit në veçanti mund t’u japin miqësi në mënyrë dashamirëse vejushave të hidhëruara. Duke siguruar vazhdimisht mbështetje frymore dhe ngushëllim me takt e duke përdorur aftësi dalluese, pleqtë mund t’i ndihmojnë ato që t’i qëndrojnë afër Jehovait, me gjithë sprovat që hasin. Aty ku është e nevojshme, pleqtë mund të ndihmojnë edhe duke marrë masa për t’i mbështetur nga ana materiale. Pleq të tillë të dhembshur e me aftësi dalluese bëhen vërtet «një mbrojtje nga era».—Isaia 32:2; Veprat 6:1-3.

Ngushëllim i përhershëm nga Mbreti i ri i tokës

Personi të cilin Ana e moshuar u gëzua kur e pa, rreth dy mijë vjet më parë, tani është bërë Mbreti Mesianik i Mbretërisë së Perëndisë. Kjo qeveri, së shpejti, do t’i zhdukë të gjitha shkaqet që sjellin brenga, duke përfshirë edhe vdekjen. Lidhur me këtë, te Zbulesa 21:3, 4, thuhet: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin . . . Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» A e vutë re se kjo pjesë bën fjalë për «njerëzimin»? Po, njerëzit do të lirohen nga vdekja dhe nga gjithë vajtimi e klithmat që sjell ajo.

Por ka edhe lajme të tjera të mira! Bibla premton edhe një ringjallje të të vdekurve. «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Ashtu si Lazari, të cilin Jezui e ringjalli nga të vdekurit, ata do të dalin si njerëz, jo si krijesa frymore. (Gjoni 11:43, 44) Ata që më pas do të «bëjnë gjëra të mira» do të çohen në përsosmërinë njerëzore dhe do të provojnë personalisht kujdesin atëror të Jehovait, ndërsa ai ‘hap dorën e tij dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë’.—Psalmi 145:16.

Ata që kanë humbur në vdekje një njeriun e tyre të dashur dhe që besojnë në këtë shpresë të sigurt, e kanë atë një burim ngushëllimi të madh. (1 Selanikasve 4:13) Prandaj, nëse je vejushë, sigurohu që të ‘lutesh pa pushim’ për ngushëllimin dhe ndihmën që të nevojitet çdo ditë për të mbajtur barrët e tua të ndryshme. (1 Selanikasve 5:17; 1 Pjetrit 5:7) Gjej kohë çdo ditë për të lexuar Fjalën e Perëndisë, që mendimet e Perëndisë të të ngushëllojnë. Nëse i bën këto gjëra, do ta shohësh vetë se si, me gjithë sprovat dhe sfidat që has si vejushë, Jehovai mund të të ndihmojë me të vërtetë që të gjesh paqe.

[Diçitura në faqen 5]

Të jemi të dobishëm do të thotë të gjejmë drejtpeshimin, duke pranuar nevojën që kanë të tjerët për të qëndruar vetëm dhe duke qenë të gatshëm kur kanë nevojë

[Figura në faqen 7]

Perëndia e bekoi vejushën e moshuar Ana