‘Falë mençurisë, ditët tona do të shumohen’
‘Falë mençurisë, ditët tona do të shumohen’
KUSH do ta mohonte se kur bëhet fjalë për t’u bërë ballë problemeve të jetës, mençuria është e domosdoshme? Mençuria e vërtetë është aftësia për ta përdorur siç duhet njohurinë dhe kuptueshmërinë. Është krejt e kundërta e marrëzisë, e budallallëkut dhe e çmendurisë. Prandaj, Shkrimet na nxitin që të fitojmë mençuri. (Proverbat 4:7) Në të vërtetë, libri biblik i Proverbave u shkrua kryesisht për të dhënë mençuri dhe disiplinë. Në fjalët hapëse lexojmë: «Proverbat e Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit, që njeriu të njohë mençuri dhe disiplinë.»—Proverbat 1:1, 2, BR.
Ja, shqyrtoni vetëm mësimet e fuqishme të disa kapitujve të parë të Proverbave. Si një atë i dashur që i lutet të birit, Solomoni u lutet lexuesve të tij ta pranojnë disiplinën dhe t’i kushtojnë vëmendje mençurisë. (Kapitujt 1 dhe 2) Na tregon si të kultivojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe si të ruajmë zemrën. (Kapitujt 3 dhe 4) Na këshillon që të qëndrojmë të pastër moralisht. (Kapitujt 5 dhe 6) Po ashtu, shumë e çmuar për ne është paraqitja e metodave të veprimit të një personi imoral. (Kapitulli 7) Veç kësaj, sa tërheqëse për të gjithë është thirrja që bën mençuria e personifikuar! (Kapitulli 8) Para se të vazhdojë me fjalët e urta individuale të radhitura në kapitujt e mëvonshëm, mbreti Solomon paraqet një përmbledhje nxitëse të asaj që ka shqyrtuar deri në atë pikë.—Kapitulli 9.
‘Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën time’
Përmbyllja e pjesës së parë të Proverbave nuk është një përmbledhje e thatë, që vetëm sa përshkruan në vija të përgjithshme këshillat e përmendura më parë. Përkundrazi, ajo paraqitet si një ilustrim tërheqës dhe i bukur, duke e motivuar lexuesin që të ndjekë mençurinë.
Kapitulli 9 i librit biblik të Proverbave hapet me fjalët: «Mençuria e vërtetë ka ndërtuar shtëpinë e saj; ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.» (Proverbat 9:1, BR) Një studiues jep mendimin se termi «shtatë shtyllat» ‘tregon për një vilë të ndërtuar përreth një oborri. Struktura mbështetet nga tri shtyllat që kanë secili prej dy mureve anësore dhe nga një shtyllë që është në qendër të murit përballë hyrjes’. Sidoqoftë, mençuria e vërtetë ka ndërtuar një shtëpi të fortë për të pritur shumë mysafirë.
Çdo gjë është gati për një gosti. Ka mish dhe verë. Mençuria i ka kushtuar vëmendje personalisht përgatitjes së ushqimit dhe shtrimit të tryezës. «Ajo ka organizuar therjen e kafshëve të saj; ka përzier verën e saj; jo vetëm kaq, por ka shtruar edhe tryezën e saj.» (Proverbat 9:2, BR) Ushqimi ndriçues frymor që kërkon meditim, me sa duket, është në dispozicion në këtë tryezë figurative.—Isaia 55:1, 2.
Cilët janë ftuar në gostinë e përgatitur nga mençuria e vërtetë? «Ka dërguar shërbëtoret e saj, që të mund të thërrasë në majë të lartësive të qytetit: ‘Kushdo që është pa përvojë, le të kthehet këtu.’ Kujtdo që i mungon zemra, ajo i ka thënë: ‘Ejani, ushqehuni me bukën time dhe pini nga vera që kam përzier. Lërini ata pa përvojë dhe vazhdoni të jetoni, dhe ecni drejt në udhën e kuptueshmërisë.’»—Proverbat 9:3-6, BR.
Mençuria ka dërguar shërbëtoret e saj që të bëjnë një ftesë. Ato kanë shkuar në vendet publike, nga të cilat mund të thërrasin sa më shumë njerëz. Të gjithë janë të ftuar: ata ‘të cilëve u mungon zemra’ ose ata që nuk kanë kuptueshmëri, si edhe ata që nuk kanë përvojë. Proverbat 9:4, BR) Atyre u bëhet një premtim për jetën. Mençuria që gjendet në Fjalën e Perëndisë, duke përfshirë edhe atë në librin e Proverbave, patjetër që është në dispozicion pothuajse për të gjithë. Sot, si lajmëtarë të mençurisë së vërtetë, Dëshmitarët e Jehovait janë të angazhuar duke i ftuar njerëzit, kudo që këta gjenden, ta studiojnë Biblën. Marrja e kësaj njohurie mund të çojë vërtet në jetën e përhershme.—Gjoni 17:3.
(Të krishterët duhet ta pranojnë me përulësi disiplinën e mençurisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për të rinjtë në moshë dhe për ata që kohët e fundit kanë filluar të mësojnë për Jehovain. Duke qenë se kanë përvojë të kufizuar në udhët e Perëndisë, atyre mund t’u ‘mungojë zemra’. Nuk është se të gjitha motivet e tyre janë të këqija, por duhet kohë dhe përpjekje për ta sjellë zemrën në një gjendje që i pëlqen vërtet Perëndisë Jehova. Kjo kërkon t’i sjellim mendimet, dëshirat, përzemërsinë dhe synimet në harmoni me atë që miraton Perëndia. Sa jetësore është që ata ‘të ushqejnë një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier që i përket fjalës’!—1 Pjetrit 2:2.
Në të vërtetë, a nuk duhet që secili nga ne të shkojë përtej ‘doktrinës fillestare’? Sigurisht, duhet të zhvillojmë interes për «gjërat e thella të Perëndisë» dhe të ushqehemi me ushqimin e fortë që u përket njerëzve të pjekur. (Hebrenjve 5:12–6:1; 1 Korintasve 2:10) «Skllavi i besueshëm dhe i matur», të cilin e mbikëqyr drejtpërdrejt Jezu Krishti, siguron me zell ushqim frymor në kohën e duhur për të gjithë. (Mateu 24:45-47) Le të shtrohemi në tryezën e mençurisë, duke studiuar me zell Fjalën e Perëndisë dhe botimet e bazuara në Bibël që siguron klasa e skllavit.
«Mos e qorto tallësin»
Mësimet e mençurisë përfshijnë edhe ndreqjen e qortimin. Kjo veçori e mençurisë nuk parapëlqehet nga të gjithë. Prandaj, përmbyllja e pjesës së parë të librit të Proverbave përmban një paralajmërim: «Ai që ndreq tallësin merr mbi vete çnderim dhe ai që i jep një qortim dikujt që është i lig, një të metë për veten. Mos e qorto tallësin, që mos të të urrejë.»—Proverbat 9:7, 8a, BR.
Tallësi mban mëri dhe urrejtje përbrenda për personin që po përpiqet ta ndihmojë të ndreqë shtegun e tij. Personit të lig i mungon çmueshmëria për vlerën që ka qortimi. Sa e pamençur është të përpiqemi t’i mësojmë të vërtetën e bukur të Fjalës së Perëndisë dikujt që e urren të vërtetën ose që vetëm sa po kërkon ta vërë në lojë atë! Kur apostulli Pavël po predikonte në Antioki, takoi një grup judenjsh që nuk kishin dashuri për të vërtetën. Ata u përpoqën ta përfshinin në një debat duke iu kundërvënë në mënyrë blasfemuese, por Pavli vetëm sa tha: «Meqë po e hidhni poshtë [fjalën e Perëndisë] e nuk e gjykoni veten të denjë për jetën e përhershme, ja, ne u drejtohemi kombeve.»—Veprat 13:45, 46.
Në përpjekje për të gjetur njerëzit me zemër të çiltër që t’u japim lajmin e mirë të Mbretërisë, le të jemi të kujdesshëm që të mos përfshihemi në debate dhe polemika me tallësit. Krishti Jezu i udhëzoi dishepujt e tij: «Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë; dhe nëse shtëpia e meriton, paqja që i uroni le të vijë mbi të; por nëse nuk e meriton, paqja juaj le të kthehet mbi ju. Kudo që dikush nuk ju pranon ose nuk i dëgjon fjalët tuaja, me të dalë prej asaj shtëpie ose atij qyteti, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.»—Mateu 10:12-14.
Proverbat 9:8b, 9a, BR) Njeriu i mençur e di se «asnjë disiplinë kur paraqitet nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim; mirëpo më pas, atyre që janë stërvitur prej saj, u jep fryt paqeje, domethënë, drejtësi». (Hebrenjve 12:11) Ndonëse këshilla mund të duket e dhembshme, përse duhet të hakmerremi ose të vihemi në mbrojtje, nëse pranimi i saj do të na bëjë edhe më të mençur?
Përgjigjja e një personi të mençur ndaj qortimit është e kundërta e përgjigjes së një tallësi. Solomoni thotë: «Jepi një qortim njeriut të mençur dhe ai do të të dojë. Jepi një personi të mençur dhe ai do të bëhet edhe më i mençur.» («Jepi njohuri dikujt që është i drejtë dhe ai do të rritet në mësim»,—vazhdon mbreti i mençur. (Proverbat 9:9b, BR) Asnjë nuk është tepër i mençur ose tepër i madh në moshë për të mësuar. Çfarë kënaqësie është të shohim që edhe ata me moshë të thyer e pranojnë të vërtetën dhe i dedikohen Jehovait! Të përpiqemi edhe ne ta ruajmë dëshirën për të mësuar dhe për ta mbajtur mendjen në veprim.
«Vite jete do të të shtohen»
Duke theksuar faktorin kryesor të temës që po merr në shqyrtim, Solomoni përfshin kërkesën e domosdoshme për mençurinë. Ai shkruan: «Frika e Jehovait është fillimi i mençurisë dhe njohuria e Më të Lartit është kuptueshmëria.» (Proverbat 9:10, BR) Nuk mund të ketë mençuri hyjnore pa një nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë. Një person mund të ketë një mendje plot njohuri, por nëse i mungon frika e Jehovait, nuk do ta përdorë dot atë njohuri në një mënyrë që nderon Krijuesin. Madje, mund të nxjerrë përfundime të gabuara nga faktet e njohura, duke e bërë veten të duket i pamend. Për më tepër, njohuria e Jehovait, Më të Shenjtit, është thelbësore për të fituar kuptueshmërinë, një tipar i dallueshëm i mençurisë.
Çfarë frytesh sjell mençuria? (Proverbat 8:12-21, 35) Mbreti i Izraelit thotë: «Falë meje ditët e tua do të shumohen dhe vite jete do të të shtohen.» (Proverbat 9:11, BR) Gjatësia e ditëve dhe e viteve të jetës vjen si pasojë e shoqërimit të vazhdueshëm me mençurinë. Po, «mençuria vetë i ruan gjallë pronarët e saj».—Predikuesi 7:12, BR.
Të bëjmë përpjekje për të fituar mençuri është një përgjegjësi personale e gjithsecilit. Duke e theksuar këtë të vërtetë, Solomoni thotë: «Nëse je bërë i mençur, je bërë i mençur për dobinë tënde; dhe nëse ke tallur, vetë do ta mbash, vetëm ti.» (Proverbat 9:12, BR) Personi i mençur është i tillë për dobinë e tij, kurse tallësi, nëse vuan, e ka vetë fajin. Në të vërtetë, korrim atë që mbjellim. Atëherë, le t’i ‘kushtojmë vëmendje mençurisë’.—Proverbat 2:2, BR.
«Gruaja budallaqe është e zhurmshme»
Për të bërë një dallim, më tej Solomoni thotë: «Gruaja budallaqe është e zhurmshme. Ajo është vetë naiviteti dhe nuk ka arritur të njohë as edhe një gjë. Është ulur në hyrjen e shtëpisë së saj, mbi një ndenjëse, në vendet e larta të qytetit, për të thirrur ata që kalojnë rrugës, ata që shkojnë drejt në hapat e tyre: ‘Kushdo që është pa përvojë, le të kthehet këtu.’»—Proverbat 9:13-16a, BR.
Budallallëku paraqitet si një grua e zhurmshme, e padisiplinuar dhe e pagdhendur. Edhe ajo ka ndërtuar një shtëpi. Ka marrë përsipër edhe detyrën për të thirrur këdo që është pa përvojë. Prandaj, kalimtarët kanë një zgjedhje për të bërë. A do të pranojnë ftesën e mençurisë apo të budallallëkut?
«Ujërat e vjedhura janë të ëmbla»
Si mençuria, ashtu edhe budallallëku i ftojnë dëgjuesit që ‘të kthehen këtu’. Megjithatë, thirrja është e ndryshme. Mençuria i fton njerëzit të festojnë me verë, mish dhe bukë. Tërheqja që bën budallallëku na kujton mënyrat e një gruaje të shthurur. Solomoni thotë: «Kujtdo që i mungon zemra—ajo i ka thënë: ‘Ujërat e vjedhura janë të ëmbla dhe buka e Proverbat 9:16b, 17, BR.
ngrënë në fshehtësi—është e kënaqshme.’»—Në vend të verës së përzier, «zonja Marrëzirë» jep ujëra të vjedhura. (Proverbat 9:13, DSF) Në Shkrime, të kesh kënaqësi seksuale me bashkëshorten e dashur krahasohet si të pish ujë freskues. (Proverbat 5:15-17) Pra, ujërat e vjedhura paraqesin marrëdhëniet imorale seksuale të kryera në fshehtësi. Ujëra të tilla bëhen që të duken të ëmbla, më të mira se vera, sepse janë të vjedhura dhe të japin idenë e diçkaje nga e cila shpëton pa u lagur. Buka e ngrënë në fshehtësi paraqitet sikur është më e shijshme se buka e mishi i mençurisë, vetëm e vetëm sepse është fituar me mjete të padrejta. Ta shohësh si tërheqëse një gjë që është e ndaluar dhe e fshehur është një shenjë dalluese e budallallëkut.
Ftesa e mençurisë përfshin premtimin e jetës, kurse gruaja e budallallëkut nuk flet fare për pasojat që do të vijnë kur ndiqen rrugët e saj. Por Solomoni paralajmëron: «Ai nuk ka arritur ta kuptojë se atje janë ata që janë të pafuqishëm në vdekje, se ata që thërret ajo janë në vendet e ulëta të Sheolit.» (Proverbat 9:18, BR) «Banesa [e zonjës Marrëzi] nuk është një shtëpi, por mauzole,—shkruan një studiues.—Po hyre, nuk del gjallë prej andej.» Të ndjekësh një mënyrë imorale jetese nuk është e mençur, por, përkundrazi, vdekjeprurëse.
Jezu Krishti tha: «Hyni nga porta e ngushtë; sepse e gjerë dhe me hapësirë është rruga që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nga ajo; ndërsa e ngushtë është porta dhe e ngushtë rruga që të çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë.» (Mateu 7:13, 14) Le të ushqehemi gjithnjë në tryezën e mençurisë dhe të jemi ndër ata që janë në rrugën e cila të çon në jetë.
[Figura në faqen 31]
Një njeri i mençur e mirëpret ndreqjen
[Figura në faqen 31]
Të fitojmë mençuri është një përgjegjësi personale