Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lëvdojeni Jehovain për gjërat e mëdha që ka bërë!

Lëvdojeni Jehovain për gjërat e mëdha që ka bërë!

Lëvdojeni Jehovain për gjërat e mëdha që ka bërë!

«Shpirti im madhëron Jehovain . . . sepse i Fuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua.»—LUKA 1:46-49.

1. Për cilat gjëra të mëdha e lëvdojmë me të drejtë Jehovain?

JEHOVAI e meriton që ta lëvdojmë për gjërat e mëdha që ka bërë. Kur po tregonte për çlirimin e Izraelit nga Egjipti, profeti Moisi shpalli: «Sytë tuaj panë gjërat e mëdha që Zoti ka kryer.» (Ligji i përtërirë 11:1-7) Në mënyrë të ngjashme, kur engjëlli Gabriel i njoftoi virgjëreshës Mari lindjen e ardhshme të Jezuit, ajo tha: «Shpirti im madhëron Jehovain . . . sepse i Fuqishmi ka bërë gjëra të mëdha për mua.» (Luka 1:46-49) Si Dëshmitarë të Jehovait, ne e përlëvdojmë atë për këto gjëra të mëdha, siç ishte çlirimi i Izraelit nga skllavëria egjiptase dhe ngjizja me anë të një mrekullie e Birit të tij të dashur.

2. (a) Çfarë nënkupton ‘qëllimi i përjetshëm’ i Perëndisë për njerëzimin e bindur? (b) Çfarë përvoje pati Gjoni në ishullin Patmos?

2 Shumë nga gjërat e mëdha që ka bërë Jehovai, kanë pasur lidhje me ‘qëllimin e tij të përjetshëm’ për ta bekuar njerëzimin e bindur nëpërmjet Mesisë dhe sundimit të Mbretërisë së tij. (Efesianëve 3:8-13) Ky qëllim po zhvillohej dalëngadalë kur apostulli i moshuar Gjon u lejua të vështronte përmes një dere të hapur imagjinare në qiell. Ai dëgjoi një zë ngjashëm një trumbete që thoshte: «Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin.» (Zbulesa 4:1) Në kohën kur qeveria romake e kishte syrgjynosur në ishullin e Patmosit ‘sepse kishte folur për Perëndinë dhe kishte dhënë dëshmi për Jezuin’, Gjoni mori ‘zbulesën nga Jezu Krishti’. Gjërat që apostulli pa e dëgjoi zbuluan shumë për qëllimin e përjetshëm të Perëndisë, duke siguruar, në këtë mënyrë, ndriçim frymor dhe nxitje në kohën e duhur për të gjithë të krishterët e vërtetë.—Zbulesa 1:1, 9, 10.

3. Cilët përfaqësojnë 24 pleqtë që pa Gjoni në vegim?

3 Nëpërmjet asaj dere të hapur në qiell, Gjoni pa 24 pleq të ulur në frone dhe të kurorëzuar si mbretër. Ata ranë përmbys përpara Perëndisë dhe thanë: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:11) Ata pleq përfaqësojnë të gjithë të krishterët e mirosur të ringjallur, në pozitën e lartësuar që ua ka premtuar Perëndia. Ata ndihen të shtyrë ta lëvdojnë Jehovain për shkak të gjërave të mëdha që ka bërë lidhur me krijimin. Edhe ne mrekullohemi nga dëshmitë e ‘fuqisë së përjetshme dhe të Hyjnisë’ së Jehovait. (Romakëve 1:20) Dhe sa më shumë që mësojmë për Jehovain, aq më shumë arsye kemi për ta përlëvduar për gjërat e mëdha që ka bërë.

Shpallni gjërat e denja për lëvdim që ka bërë Jehovai!

4, 5. Jepni shembuj se si e lëvdoi Davidi Jehovain.

4 Psalmisti David e lëvdoi Perëndinë për gjërat e mëdha që Ai kishte bërë. Për shembull, me këngë Davidi tha: «Këndojini lavde Zotit që banon në Sion: u njoftoni popujve veprat e tij. Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë, me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua [gjërat e denja për lëvdim, BR] dhe në portat e bijës së Sionit.» (Psalmi 9:11, 13, 14) Pasi i dha të birit, Solomonit, projektin arkitekturor për tempullin, Davidi bekoi dhe lëvdoi Perëndinë, duke thënë: «Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria . . . E jotja, o Zot është mbretëria dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithçka. . . . Prandaj, ne, o Perëndia ynë, të falënderojmë dhe kremtojmë emrin tënd të lavdishëm.»—1 Kronikave 29:10-13.

5 Shkrimet vazhdimisht na ftojnë—po, na nxitin—që ta lëvdojmë Perëndinë, siç bëri Davidi. Libri i Psalmeve përmban shumë shprehje lëvdimi për Perëndinë dhe gati gjysmën e këtyre këngëve e ka shkruar Davidi. Ai e lëvdonte dhe e falënderonte vazhdimisht Jehovain. (Psalmi 69:30) Për më tepër, që nga kohët e lashta, kompozimet e frymëzuara në mënyrë hyjnore që ka bërë Davidi dhe të tjerë janë përdorur për të lëvduar Jehovain.

6. Si nxjerrim dobi nga Psalmet e frymëzuara?

6 Sa të dobishme janë Psalmet për adhuruesit e Jehovait! Kur duam ta falënderojmë Perëndinë për të gjitha gjërat e mëdha që ka bërë për ne, mendja mund të na shkojë fare mirë te fjalët e bukura që gjejmë në Psalme. Për shembull, kur zgjohemi nga gjumi dhe fillojmë një ditë të re, mund të ndihemi të shtyrë të themi shprehje të tilla, si këto: «Është bukur të kremtosh Zotin dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti; të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde, . . . Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.» (Psalmi 92:1-4) Kur kapërcejmë diçka që na pengon në përparimin frymor, mund të ndihemi të prirur të shprehim gëzimin dhe mirënjohjen në lutje, siç bëri edhe psalmisti, kur këndoi: «Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë. Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.»—Psalmi 95:1, 2.

7. (a) Çfarë vlen të përmendet për shumë këngë që këndojnë të krishterët? (b) Cila është një arsye për të ardhur herët në mbledhje dhe për të qëndruar deri në fund?

7 Shpesh, e ngremë zërin tonë në këngë lavdie për Jehovain në mbledhjet e kongregacionit, në asamble dhe në kongrese. Vlen të përmendet se shumë nga këto këngë bazohen në mendime të frymëzuara, që janë marrë nga libri i Psalmeve. Sa të lumtur jemi që kemi një përmbledhje që u përshtatet kohëve tona me këngë lavdie ndaj Jehovait, të cilat na e ngrohin zemrën! T’i këndojmë lavdi Jehovait është një arsye shumë e vlefshme për të ardhur herët në mbledhje dhe për të qenë të pranishëm deri në fund, duke u bashkuar me bashkadhuruesit për ta lëvduar Jehovain me këngë e lutje.

«Lëvdoni Jah!»

8. Çfarë përfshihet në fjalën «Halelujah» dhe si përkthehet ajo zakonisht?

8 Ta lëvdojmë Jehovain përfshihet në fjalën «Halelujah!», transliterim i një shprehjeje hebraike që pothuajse gjithnjë përkthehet: «Lëvdoni Jah!» Për shembull, te Psalmi 135:1-3 gjejmë këtë ftesë të përzemërt, të shprehur me emfazë: «Lëvdoni Jah! Lëvdoni emrin e Jehovait, thurini lavde, o shërbëtorë të Jehovait, ju që po qëndroni në shtëpinë e Jehovait, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë. Lëvdoni Jah, sepse Jehovai është i mirë. Luani melodi për emrin e tij, sepse është i këndshëm.»—BR.

9. Çfarë na shtyn që ta lëvdojmë Jehovain?

9 Kur kundrojmë veprat e mrekullueshme të krijimit të Perëndisë dhe të gjitha gjërat që ka bërë për ne, çmueshmëria që na buron nga zemra na shtyn ta lëvdojmë. Kur mendojmë për gjërat e mrekullueshme që ka bërë Jehovai për popullin e tij në të kaluarën, zemra na shtyn ta përlëvdojmë. Gjithashtu, kur meditojmë për premtimet e gjërave të mëdha që do të bëjë ende Jehovai, kërkojmë mënyra për t’i shprehur lëvdimin dhe mirënjohjen tonë.

10, 11. Si na jep vetë ekzistenca jonë arsye për ta lëvduar Perëndinë?

10 Vetë ekzistenca jonë na jep arsye të vlefshme që të lëvdojmë Jah. Davidi këndoi: «Unë do të të kremtoj [Jehova], sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.» (Psalmi 139:14) Po, jemi «krijuar në mënyrë të mrekulluar» dhe kemi dhurata të tilla të çmuara si, shikimin, dëgjimin dhe aftësinë për të menduar. Prandaj, a nuk duhet të jetojmë në një mënyrë të tillë që të lëvdojmë Bërësin tonë? Pavli tha të njëjtën gjë kur shkroi: «Nëse jeni duke ngrënë ose duke pirë, apo nëse jeni duke bërë diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»—1 Korintasve 10:31.

11 Nëse e duam vërtet Jehovain, do t’i bëjmë të gjitha gjërat për lavdi të tij. Jezui tha se urdhërimi i parë është: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30; Ligji i përtërirë 6:5) Sigurisht, duhet ta duam Jehovain dhe ta lëvdojmë si Bërësin tonë dhe Dhuruesin e ‘çdo dhurate të mirë dhe të çdo gjëje të përsosur’. (Jakovit 1:17; Isaia 51:13; Veprat 17:28) Në fund të fundit, aftësitë tona për të arsyetuar, mundësia që kemi për të zhvilluar një karakter frymor dhe forca fizike,—gjithë cilësitë dhe zotësitë tona—vijnë nga Jehovai. Si Krijuesi ynë, ai e meriton që ta duam e ta lëvdojmë.

12. Si ndiheni për gjërat e mëdha që ka bërë Jehovai dhe për fjalët e Psalmit 40:5?

12 Gjërat e mëdha që ka bërë Jehovai na japin arsye të panumërta për ta dashur e për ta lëvduar. «O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne.—këndoi Davidi.—Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.» (Psalmi 40:5) Davidi nuk i numëronte dot të gjitha veprat e mrekullueshme të Perëndisë, dhe as ne nuk mundemi. Por, le ta lëvdojmë gjithnjë Perëndinë kur ndonjë nga gjërat e mëdha që ka bërë ai na tërheq vëmendjen.

Gjëra të lidhura me qëllimin e përjetshëm të Perëndisë

13. Si lidhet shpresa jonë me gjërat e mëdha që ka bërë Perëndia?

13 Shpresa jonë për të ardhmen është e lidhur ngushtë me gjërat e mëdha e të denja për lëvdim që kanë lidhje me qëllimin e përjetshëm të Perëndisë. Pas rebelimit në Eden, Jehovai dha profecinë e parë që ishte plot shpresë. Duke i shpallur dënimin gjarprit, Perëndia tha: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Shpresa te Fara e premtuar e gruas mbeti në zemrat e njerëzve besnikë pasi Jehovai kreu një vepër të madhe duke e ruajtur Noen dhe familjen e tij nga Përmbytja globale, e cila zhduku një botë të ligë. (2 Pjetrit 2:5) Premtimet profetike që iu bënë burrave me besim, si Abrahami dhe Davidi, dhanë kuptueshmëri të mëtejshme për atë që do të kryente Jehovai nëpërmjet kësaj Fare.—Zanafilla 22:15-18; 2 Samuelit 7:12.

14. Cili është shembulli më i lartë i gjërave të mëdha që ka bërë Jehovai për njerëzimin?

14 Shfaqja më e lartë e Jehovait si ai që kryen gjëra të mëdha për njerëzimin ndodhi kur dha si flijim shpërblyes Birin e tij të vetëmlindur—Farën e premtuar, Jezu Krishtin. (Gjoni 3:16; Veprat 2:29-36) Shpërblesa siguroi bazën për t’u pajtuar me Perëndinë. (Mateu 20:28; Romakëve 5:11) Jehovai i mblodhi të pajtuarit e parë në kongregacionin e krishterë, i cili u themelua në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. Me ndihmën e frymës së shenjtë, ata e predikuan lajmin e mirë në të katër anët, duke treguar se si vdekja dhe ringjallja e Jezuit hap udhën që njerëzimi i bindur të ketë bekime të përjetshme nën sundimin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë.

15. Si ka vepruar në mënyrë të mrekullueshme Jehovai në ditët tona?

15 Në ditët tona, Jehovai ka vepruar në mënyrë të mrekullueshme për të mbledhur të krishterët e fundit të mirosur. Erërat e shkatërrimit janë mbajtur për të lejuar vulosjen e mbetjes së 144.000-ve, të cilët do të sundojnë me Krishtin në qiell. (Zbulesa 7:1-4; 20:6) Perëndia u kujdes që të krishterët e mirosur të çliroheshin nga skllavëria frymore e «Babilonisë së Madhe», perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 17:1-5) Çfarë ka pasur mundësi të bëjë mbetja e mirosur si rrjedhojë e këtij çlirimi në vitin 1919 dhe të mbrojtjes hyjnore që ka përjetuar që nga ajo kohë? Ka pasur mundësi të ndriçojë duke dhënë një dëshmi përfundimtare përpara se Jehovai të sjellë fundin e sistemit të lig të Satanait në «shtrëngimin e madh» që po afrohet me të shpejtë.—Mateu 24:21; Danieli 12:3; Zbulesa 7:14.

16. Çfarë po ndodh si pasojë e veprës së sotme mbarëbotërore të predikimit të Mbretërisë?

16 Dëshmitarët e mirosur të Jehovait kanë marrë drejtimin me zell në veprën mbarëbotërore të predikimit të Mbretërisë. Për pasojë, një numër gjithnjë e më i madh nga ‘delet e tjera’ po bëhen tani adhurues të Jehovait. (Gjoni 10:16) Jemi të gëzuar që njerëzit zemërbutë të tokës kanë ende mundësi të bashkohen me ne për të lëvduar Jehovain. Ata që i përgjigjen ftesës «eja» kanë mundësinë të jenë të mbrojtur gjatë shtrëngimit të madh, me shpresën për ta lëvduar Jehovain në përjetësi.—Zbulesa 22:17.

Mijëra veta po mblidhen në adhurimin e vërtetë

17. (a) Si po kryen Jehovai gjëra të mëdha në lidhje me veprën e predikimit? (b) Si po përmbushet Zakaria 8:23?

17 Tani Jehovai po kryen gjëra të mëdha e të denja për lëvdim në lidhje me veprën tonë të predikimit. (Marku 13:10) Vitet e fundit, ai ka ‘hapur dyer të gjera që të çojnë në aktivitet’. (1 Korintasve 16:9) Kjo ka bërë të mundur që lajmi i mirë të shpallet në territore shumë të mëdha, ku më parë armiqtë e së vërtetës ishin bërë pengesë. Shumë veta që një herë e një kohë jetonin në errësirë frymore, tani po i përgjigjen ftesës për të adhuruar Jehovain. Ata po përmbushin këto fjalë profetike: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: “Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.”’» (Zakaria 8:23) Ata të cilëve u drejtohen ‘dhjetë burrat’ janë judenj frymorë, mbetja e të krishterëve të mirosur në ditët tona. Meqë numri dhjetë mund të paraqesë plotësi të llojit tokësor, ‘dhjetë burrat’ përfaqësojnë ‘shumicën e madhe’ që po shoqërohet me «Izraelin e Perëndisë», me të cilin formojnë ‘një kope të vetme’. (Zbulesa 7:9, 10; Galatasve 6:16) Çfarë gëzimi është të shohim kaq shumë veta që po bëjnë tani shërbim të shenjtë së bashku si adhurues të Perëndisë Jehova!

18, 19. Çfarë dëshmie ka se Jehovai po e bekon veprën e predikimit?

18 Jemi të entuziazmuar që dhjetëra mijë e madje, qindra mijë veta po përqafojnë adhurimin e vërtetë në vende ku më parë feja e rreme kishte kaq shumë pushtet, saqë dukej sikur njerëzit nuk do ta pranonin kurrë lajmin e mirë. Shqyrtoni Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait për këtë vit dhe vini re vendet që tani raportojnë nga 100.000 deri në afro 1.000.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Kjo është një provë e fuqishme se Jehovai po e bekon veprën e predikimit të Mbretërisë.—Fjalët e urta 10:22.

19 Si populli i Jehovait, ne e lëvdojmë dhe e falënderojmë Atin tonë qiellor që na jep një qëllim të vërtetë në jetë, një punë shpërblyese në shërbim të tij dhe një shpresë të shkëlqyer për të ardhmen. Jetojmë duke pritur me padurim përmbushjen e të gjitha premtimeve hyjnore dhe jemi të vendosur që ta ‘ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë, me sytë nga jeta e përhershme’. (Juda 20, 21) Sa të kënaqur jemi kur shohim se shumica e madhe që lëvdon Perëndinë tani përbëhet nga rreth 6.000.000 veta! Me bekimin e dukshëm të Jehovait, mbetja e mirosur, së bashku me shokët e tyre nga delet e tjera janë të organizuar në rreth 91.000 kongregacione në 235 vende. Që të gjithë ushqehemi mirë frymësisht nëpërmjet përpjekjeve të palodhura të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45) Një organizatë teokratike që ecën përpara, me një mbikëqyrje të dashur, po administron veprimtarinë e Mbretërisë nëpërmjet 110 zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Jemi mirënjohës që Jehovai i ka nxitur zemrat e popullit të tij për ta ‘nderuar me pasurinë e tyre’. (Fjalët e urta 3:9, 10) Për pasojë, vepra mbarëbotërore e predikimit vazhdon, duke ndërtuar sipas nevojës shtypshkronja, shtëpi Bethel dhe shtëpi misionare, Salla Mbretërie dhe Salla Asamblesh.

20. Si duhet të ndikojë te ne meditimi për gjërat e mëdha e të denja për lëvdim që ka bërë Jehovai?

20 Është e pamundur t’i përmendim të gjitha gjërat e mëdha dhe të denja për lëvdim që ka bërë Ati ynë qiellor. Por, a ka mundësi që një person me zemër të ndershme të rrijë pa u bashkuar me turmën e atyre që lëvdojnë Jehovain? Patjetër që jo! Prandaj, të gjithë ata që e duan Perëndinë le të thërrasin me gëzim: «Lëvdoni Jah! Lëvdojeni Jehovain që nga qiejt, lëvdojeni në lartësitë. Lëvdojeni atë, të gjithë ju engjëjt e tij . . . , ju të rinj dhe, gjithashtu, ju virgjëresha, të moshuar bashkë me djemtë. Të lëvdojnë emrin e Jehovait, sepse vetëm emri i tij është i lartë në mënyrë të paarritshme. Dinjiteti i tij është mbi tokën dhe qiellin.» (Psalmi 148:1, 2, 12, 13, BR) Po, tani e përgjithmonë, le ta lëvdojmë Jehovain për gjërat e mëdha që ka bërë!

Si do të përgjigjeshit?

• Cilat janë disa nga gjërat e denja për lëvdim që ka bërë Jehovai?

• Përse ndiheni të nxitur që ta lëvdoni Jehovain?

• Si lidhet shpresa jonë me gjërat e mëdha që ka bërë Perëndia?

• Si po kryen Jehovai gjëra të denja për lëvdim në lidhje me veprën e predikimit të Mbretërisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

A bashkoheni me gjithë zemër në këngë lavdie për Jehovain?

[Figurat në faqen 13]

Jemi të gëzuar që njerëzit zemërbutë kanë ende mundësi të bashkohen me ne për të lëvduar Jehovain