Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lejimit të vuajtjeve nga Perëndia po i afrohet fundi

Lejimit të vuajtjeve nga Perëndia po i afrohet fundi

Lejimit të vuajtjeve nga Perëndia po i afrohet fundi

NGADO që të hedhësh sytë, sheh vuajtje. Disa njerëz i shkaktojnë vetë ato. Marrin sëmundje që përçohen me rrugë seksuale ose vuajnë pasojat e duhanit ose të abuzimit me drogën a me alkoolin. Ose mund të kenë probleme me shëndetin ngaqë kanë zakone të këqija të ushqyeri. Megjithatë, shumë vuajtje vijnë nga faktorë ose nga ngjarje që janë jashtë kontrollit të njerëzve të zakonshëm, siç janë: lufta, dhuna etnike, kriminaliteti, varfëria, zia e bukës e sëmundjet. Diçka tjetër që njerëzit në thelb nuk mund ta kontrollojnë janë vuajtjet që lidhen me plakjen dhe vdekjen.

Bibla na siguron se «Perëndia është dashuri». (1 Gjonit 4:8) Por, atëherë, përse një Perëndi i dashur ka lejuar që gjithë këto vuajtje të vazhdojnë për kaq shumë shekuj? Kur do ta ndreqë këtë gjendje? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të shqyrtojmë qëllimin e Perëndisë për njerëzit. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë përse i ka lejuar Perëndia vuajtjet dhe çfarë do të bëjë lidhur me to.

Dhurata e vullnetit të lirë

Kur Perëndia krijoi njeriun e parë, bëri më shumë sesa vetëm një trup me një tru. Për më tepër, Perëndia nuk i krijoi Adamin dhe Evën si robotë që nuk mendonin fare. Ai vendosi brenda tyre aftësinë e vullnetit të lirë. Kjo ishte një dhuratë e shkëlqyer, sepse «Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Po, «vepra e tij është e përsosur». (Ligji i përtërirë 32:4) Të gjithë e vlerësojmë këtë dhuratë të vullnetit të lirë, sepse nuk duam që tërë mendimet dhe veprimet tona të na diktohen, pa na u dhënë kurrë mundësia e zgjedhjes.

Mirëpo, a duhej përdorur pa kufizime dhurata e shkëlqyer e vullnetit të lirë? Në udhëzimet që iu dhanë të krishterëve të hershëm, Fjala e Perëndisë përgjigjet: «Jini si njerëz të lirë, e megjithatë duke mos e pasur lirinë tuaj si një maskim për të keqen, por si skllevër të Perëndisë.» (1 Pjetrit 2:16) Për të mirën e të gjithëve, duhet të ketë disa kufij. Prandaj, vullneti i lirë duhej rregulluar me anë të ligjit. Përndryshe, do të kishte vetëm anarki.

Ligji i kujt?

Ligji i kujt duhej të vendoste kufijtë e duhur të lirisë? Përgjigjja për këtë pyetje ka të bëjë me arsyen themelore përse Perëndia i ka lejuar vuajtjet. Meqë njerëzit i krijoi Perëndia, ai e di më mirë cilave ligje duhet t’u binden ata për të mirën e tyre dhe për të mirën e të tjerëve. Bibla shprehet kështu: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.»—Isaia 48:17.

Qartë, një pikë jetësore është kjo: njerëzit nuk u krijuan për të qenë të pavarur nga Perëndia. Ai i bëri në mënyrë të tillë që suksesi dhe lumturia e tyre të vareshin nga bindja ndaj ligjeve të tij të drejta. Jeremia, profeti i Perëndisë, tha: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»—Jeremia 10:23.

Perëndia i krijoi njerëzit që t’u nënshtroheshin ligjeve të tij fizike, si ligji i rëndesës. Po ashtu, i krijoi që t’u nënshtroheshin edhe ligjeve të tij morale, të cilat janë bërë për të krijuar një shoqëri të harmonishme. Pra, me arsye të vlefshme, Fjala e Perëndisë nxit: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.»—Fjalët e urta 3:5.

Kështu, familja njerëzore nuk mund të kishte kurrë sukses duke u qeverisur vetë, pa sundimin e Perëndisë. Duke u përpjekur të ishin të pavarur prej tij, njerëzit do të krijonin sisteme shoqërore, ekonomike, politike dhe fetare që do të ishin në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe ‘njeriu do të sundonte mbi një tjetër për ta dëmtuar’.—Predikuesi 8:9.

Çfarë nuk shkoi mirë?

Prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, Perëndia u dha një fillim të përsosur. Kishin trup e mendje të përsosur dhe një kopsht-parajsë si shtëpi. Po t’i ishin nënshtruar sundimit të Perëndisë, do të kishin vazhduar të përsosur e të lumtur. Me kalimin e kohës, do të ishin bërë prindër të të gjithë familjes njerëzore të përsosur e të lumtur që do të jetonte në një tokë parajsore. Ky ishte qëllimi i Perëndisë për racën njerëzore.—Zanafilla 1:27-29; 2:15.

Megjithatë, paraardhësit tanë të parë e keqpërdorën vullnetin e tyre të lirë. Menduan në mënyrë të gabuar se duke qenë të pavarur nga Perëndia, mund të ishin të suksesshëm. Me vullnetin e tyre të lirë, ata kapërcyen kufijtë e ligjeve të tij. (Zanafilla, kapitulli 3) Duke qenë se hodhën poshtë sundimin e tij, ai nuk ishte më i detyruar t’i mbante të përsosur. ‘Ata u korruptuan, nuk mbetën bij të tij, për shkak të fajit të tyre.’—Ligji i përtërirë 32:5.

Që nga çasti kur shkelën ligjin e Perëndisë, Adami dhe Eva nuk patën më një trup e mendje të përsosur. Te Jehovai është burimi i jetës. (Psalmi 36:9) Prandaj, duke qenë se u shkëputën nga Jehovai, dy njerëzit e parë u bënë të papërsosur dhe përfundimisht vdiqën. (Zanafilla 3:19) Në përputhje me ligjet e trashëgimisë gjenetike, pasardhësit e tyre mund të merrnin vetëm atë që kishin vetë prindërit. Çfarë kishin këta? Papërsosmërinë dhe vdekjen. Prandaj, apostulli Pavël shkroi: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.

Çështja kryesore—Sovraniteti

Kur Adami dhe Eva u rebeluan kundër Perëndisë, sfiduan sovranitetin e tij, domethënë, të drejtën e tij për të sunduar. Jehovai mund t’i kishte shkatërruar ata dhe të kishte filluar nga e para me një çift tjetër, por kjo nuk do ta kishte zgjidhur çështjen se sundimi i kujt është i drejtë dhe më i mirë për njerëzit. Po t’u jepej kohë për të zhvilluar shoqëritë sipas ideve të tyre, njerëzit do të tregonin pa asnjë dyshim nëse sundimi i pavarur nga Perëndia do të kishte sukses ndonjëherë.

Çfarë na tregojnë mijëra vjet të historisë njerëzore? Gjatë gjithë atyre shekujve, njerëzit kanë provuar shumë lloje sistemesh shoqërore, ekonomike, politike dhe fetare. Megjithatë, ligësia dhe vuajtjet kanë vazhduar. Në të vërtetë, ‘njerëzit e ligj kanë shkuar keq e më keq’, sidomos në kohën tonë.—2 Timoteut 3:13.

Shekulli i 20-të përjetoi një pikë kulmore në arritjet shkencore dhe industriale. Por, përjetoi edhe vuajtjet më të mëdha në gjithë historinë e racës njerëzore. Dhe, çfarëdo përparimesh që të bëhen në mjekësi, ligji i Perëndisë mbetet ende i vërtetë: njerëzit e shkëputur nga Perëndia—burimi i jetës—sëmuren, plaken dhe vdesin. Sa qartë është provuar se njerëzit nuk mund ‘të drejtojnë hapat e tyre’!

Tregohet qartë sovraniteti i Perëndisë

Ky eksperiment tragjik për të qenë të pavarur nga Perëndia ka treguar një herë e përgjithmonë, se sundimi i njerëzve të shkëputur prej tij nuk mund të ketë kurrë sukses. Vetëm sundimi i Perëndisë mund të sjellë lumturi, unitet, shëndet dhe jetë. Për më tepër, Fjala e padështueshme e Perëndisë Jehova, Bibla e Shenjtë, tregon se po jetojmë në «ditët e fundit» të sundimit njerëzor të pavarur nga Perëndia. (2 Timoteut 3:1-5) Po afrohet fundi i kohës që Perëndia ka toleruar këtë sistem dhe ligësinë e vuajtjet.

Së shpejti, Perëndia do të ndërhyjë në çështjet njerëzore. Shkrimet na thonë: «Në kohën e këtyre mbretërve [sundimeve njerëzore që janë tani], Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri [në qiell], që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër [njerëzit nuk do ta sundojnë më kurrë tokën], por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [sundimet e sotme] dhe do të ekzistojë përjetë.»—Danieli 2:44.

Shfajësimi i sovranitetit të Perëndisë Jehova me anë të Mbretërisë qiellore është vetë tema e Biblës. Jezui e bëri këtë temë mësimin e tij kryesor. Ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.

Kur sundimi i Perëndisë të zëvendësojë sundimin e njeriut, kush do të mbijetojë e kush jo? Te Fjalët e urta 2:21, 22 sigurohemi: «Njerëzit e drejtë [që përkrahin sundimin e Perëndisë] do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët [që nuk e përkrahin sundimin e Perëndisë] do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.» Psalmisti i frymëzuar në mënyrë hyjnore këndoi: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»—Psalmi 37:10, 11, 29.

Një botë e re e mrekullueshme

Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, ata që do të mbijetojnë nga fundi i sistemit të tanishëm do të udhëhiqen në një tokë të pastruar nga ligësia dhe nga vuajtjet. Njerëzimit do t’i sigurohen udhëzime nga Perëndia dhe, me kalimin e kohës, «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9) Kjo mësimdhënie ndërtuese dhe pozitive do të sjellë si pasojë një shoqëri njerëzore vërtet paqësore e të harmonishme. Kështu, nuk do të ketë më luftë, vrasje, dhunë, përdhunime, vjedhje ose ndonjë krim tjetër.

Njerëzit e bindur që do të jetojnë në botën e re të Perëndisë do të kenë dobi të mrekullueshme fizike. Do të fshihen nga faqja e dheut tërë pasojat e këqija të rebelimit ndaj sundimit të Perëndisë. Papërsosmëria, sëmundjet, plakja dhe vdekja do të jenë gjëra të së kaluarës. Bibla na siguron: «Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» Për më tepër, Shkrimet premtojnë: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.» (Isaia 33:24; 35:5, 6) Sa drithëruese do të jetë të gëzojmë shëndet të plotë çdo ditë, madje, përgjithmonë!

Nën drejtimin e dashur të Perëndisë, banorët e asaj bote të re do t’i përdorin energjitë dhe aftësitë e tyre për të ndërtuar një parajsë që do të shtrihet në të gjithë tokën. Do të jenë zhdukur përgjithnjë varfëria, uria dhe mungesa e shtëpive, sepse profecia e Isaisë thotë: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër.» (Isaia 65:21, 22) Vërtet, «do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më».—Mikea 4:4.

Toka do t’i përgjigjet kujdesit të dashur të Perëndisë dhe të njerëzve të bindur. Kemi këto siguri nga Shkrimet: «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili. . . . Do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.» (Isaia 35:1, 6) «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve [do të ketë vërshim, BR].»—Psalmi 72:16.

Po ata miliarda njerëz që kanë vdekur? Ata që janë në kujtesën e Perëndisë do të vijnë prapë në jetë, sepse «do të ketë një ringjallje, si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Po, të vdekurit do të vijnë në jetë. Atyre do t’u mësohen të vërtetat e mrekullueshme lidhur me sundimin e Perëndisë dhe do t’u jepet mundësia të jetojnë përgjithmonë në Parajsë.—Gjoni 5:28, 29.

Me këto mjete, Perëndia Jehova do ta ndryshojë krejtësisht gjendjen e tmerrshme të vuajtjeve, të sëmundjeve dhe të vdekjes, e cila e ka mbajtur në skllavëri njerëzimin për mijëra vjet. S’do të ketë më sëmundje! Jo më gjymtime! Jo më vdekje! Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme [do të kenë] kaluar».—Zbulesa 21:3, 4.

Në këtë mënyrë do t’u japë fund Perëndia vuajtjeve. Do ta shkatërrojë këtë botë të korruptuar dhe do të sjellë një sistem krejt të ri, në të cilin «ka për të banuar drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) Sa lajm i mirë është ky! Kemi jashtëzakonisht nevojë për këtë botë të re. Dhe nuk do të na duhet të presim shumë për ta parë atë. Nga përmbushja e profecive të Biblës, e dimë se bota e re është në prag të derës dhe se po afrohet fundi i lejimit të vuajtjeve nga Perëndia.—Mateu 24:3-14.

[Kutia në faqen 8]

Dështimi i sundimit njerëzor

Lidhur me sundimin njerëzor, ish-kancelari gjerman Helmut Shmit, tha: «Ne njerëzit . . . e kemi qeverisur botën gjithnjë vetëm në mënyrë të pjesshme dhe, pothuajse gjithnjë shumë keq. . . . Nuk e kemi qeverisur kurrë në paqe të plotë.» Një raport, Human Development Report 1999, vërente: «Të gjitha vendet raportojnë për gërryerjen e strukturës së shoqërisë së tyre, me trazira shoqërore, me më shumë krime, me më shumë dhunë në shtëpi. . . . Kërcënimet botërore po rriten, duke ua kaluar aftësive të kombeve për t’i frenuar ato dhe duke i lënë pas kundërveprimet ndërkombëtare.»

[Figurat në faqen 8]

«Do të gjejnë kënaqësinë e tyre të këndshme në bollëkun e paqes.» —Psalmi 37:11, BR

[Burimet e figurave në faqen 5]

E treta nga lart: një nënë me fëmijën: Foto e FAO-s/B. Imevbore; poshtë, shpërthim: Foto e Arkivave Kombëtare të SHBA-së