Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Problemi i vuajtjeve njerëzore

Problemi i vuajtjeve njerëzore

Problemi i vuajtjeve njerëzore

«PËRSE, O ZOT, PËRSE?» Ky titull me shkronja të mëdha gjendej në faqen e parë të një gazete me qarkullim shumë të gjerë, pas një tërmeti shkretues në Azinë e Vogël. Një fotografi shoqëruese tregonte një baba të tronditur duke nxjerrë vajzën e tij të plagosur nga rrënojat e shtëpisë së tyre.

Luftërat, zitë e bukës, epidemitë dhe katastrofat natyrore kanë shkaktuar dhembje të pamasë, lot të panumërt dhe vdekje të pallogaritshme. Këtyre u shtohen edhe vuajtjet e viktimave të përdhunimit, fëmijëve të keqtrajtuar dhe krimeve të tjera. Futim këtu edhe numrin kolosal të dëmtimeve dhe të vdekjeve që vijnë nga aksidentet. E së fundi, edhe angështia që ndiejnë miliarda njerëz për shkak të sëmundjeve, të moshës së thyer dhe vdekjes së njerëzve të dashur.

Shekulli i 20-të ka parë vuajtjet më të mëdha nga të gjitha kohërat. Nga viti 1914 deri në vitin 1918, Lufta I Botërore vrau afro dhjetë milionë ushtarë. Disa historianë thonë se solli vdekjen e po aq civilëve. Në Luftën II Botërore, u vranë rreth 50 milionë ushtarë dhe civilë, duke përfshirë edhe miliona gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Gjatë gjithë shekullit të kaluar, miliona të tjerë qenë viktima të gjenocidit, të revolucioneve, të dhunës etnike, të urisë dhe të varfërisë. Një përmbledhje, Historical Atlas of the Twentieth Century, përllogarit që më shumë se 180 milionë veta vdiqën për shkak të këtyre «gjërave të shëmtuara në masë».

Gripi spanjoll në vitin 1918-1919 vrau 20 milionë veta. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, rreth 19 milionë veta vdiqën nga SIDA dhe rreth 35 milionë veta tani kanë virusin që e shkakton këtë sëmundje. Miliona fëmijë mbeten pa prindër, pasi këta kanë vdekur nga SIDA. Gjithashtu, një numër i pallogaritshëm foshnjash vdesin nga SIDA që e kanë marrë kur kanë qenë ende në barkun e nënës.

Edhe më shumë vuajtje u shkaktohen fëmijëve në mënyra të tjera. Duke cituar të dhëna që u morën nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), në fund të vitit 1995, gazeta Manchester Guardian Weekly e Anglisë thoshte: «Në luftërat e dhjetëvjeçarit të kaluar, 2 milionë fëmijë janë vrarë, 4-5 milionë janë gjymtuar, 12 milionë kanë mbetur të pastrehë, më shumë se 1 milion kanë mbetur jetimë ose janë ndarë nga prindërit dhe 10 milionë kanë pësuar traumë psikologjike.» Këtij raporti i duhen shtuar edhe rreth 40 deri në 50 milionë dështime që bëhen çdo vit në mbarë botën.

Ç’të themi për të ardhmen?

Shumë veta e shohin të ardhmen me një parandjenjë të keqe. Një grup shkencëtarësh tha: «Veprimtaritë njerëzore . . . mund ta ndryshojnë kaq shumë botën e gjallë, saqë ajo do ta ketë të pamundur ta mbështetë jetën në mënyrën që njohim ne.» Ata shtuan: «Edhe në këtë çast, një në pesë veta rron në varfëri të plotë, pa pasur as për të ngrënë, dhe një në dhjetë vuan nga të ushqyerit shumë të keq.» Shkencëtarët përfituan nga rasti për «ta paralajmëruar të gjithë njerëzimin për atë që gjendet përpara» dhe thanë: «Nëse duam të shmangim varfërinë e madhe të njerëzve dhe të mos gjymtojmë përfundimisht shtëpinë tonë globale në këtë planet, duhet një ndryshim i madh në kujdesin që tregojmë për tokën dhe për jetën në të.»

Përse Perëndia ka lejuar kaq shumë vuajtje e ligësi? Si ka ndër mend ta ndryshojë ai këtë gjendje? Kur?

[Burimet e figurave në faqen 3]

Sipër, karrocë invalidësh: Foto e UN/DPI-së 186410C nga P.S. Sudhakaran; në mes, fëmijë të pangrënë: WHO/OXFAM; poshtë, njeri i tretur: Foto e FAO-s/B. Imevbore