Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht

Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht

Të ndërtojmë një familje të fortë frymësisht

«Vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.»—EFESIANËVE 6:4.

1. Cili ishte qëllimi i Perëndisë për familjen, por, çfarë ndodhi në vend të kësaj?

«TË JENI të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën.» (Zanafilla 1:28) Me këto fjalë që i tha Adamit dhe Evës, Perëndia Jehova themeloi rregullimin e familjes. (Efesianëve 3:14, 15) Duke menduar për të ardhmen, ai çift i parë mund të përfytyronte një tokë të mbushur me pasardhësit e tyre, një familje të zgjeruar me individë të përsosur që jetonin të gëzuar në një tokë parajsore dhe adhuronin të bashkuar Krijuesin e tyre të Madh. Por Adami dhe Eva ranë në mëkat dhe toka nuk u mbush me njerëz të drejtë e me frikë Perëndie. (Romakëve 5:12) Në vend të kësaj, jeta familjare u keqësua me shpejtësi dhe urrejtja, dhuna, si edhe mungesa e ‘përzemërsisë së natyrshme’, kanë mbizotëruar, sidomos në këto ‘ditë të fundit’.—2 Timoteut 3:1-5; Zanafilla 4:8, 23; 6:5, 11, 12.

2. Çfarë aftësish kishin pasardhësit e Adamit, por, çfarë do të nevojitej për të ndërtuar një familje të fortë frymësisht?

2 Adami dhe Eva u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ndonëse tani Adami ishte mëkatar, Jehovai e lejoi të kishte fëmijë. (Zanafilla 1:27; 5:1-4) Ashtu si babai i tyre, pasardhësit e Adamit ishin në gjendje të gjykonin për çështjet morale dhe mund të mësonin të shquanin të drejtën nga e gabuara. Mund të mësonin se si ta adhuronin Krijuesin dhe se sa e rëndësishme ishte ta donin me të gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën e tyre. (Marku 12:30; Gjoni 4:24; Jakovit 1:27) Për më tepër, mund të stërviteshin që ‘të zbatonin drejtësinë, të donin mëshirën dhe të ecnin përulësisht me Perëndinë’. (Mikea 6:8) Por, si mëkatarë, do t’u duhej të kushtonin vëmendje mjaft të madhe për të ndërtuar një familje të fortë frymësisht.

Ta blejmë kohën

3. Si mund ta ‘blejnë kohën’ prindërit për të rritur fëmijë të krishterë?

3 Në këto kohë kritike e të ndërlikuara, duhen bërë përpjekje të mëdha, me qëllim që fëmijët të bëhen persona ‘që e duan Zotin’, të cilët, vërtet, ‘e urrejnë të keqen’. (Psalmi 97:10) Prindërit e mençur do ta ‘blejnë kohën’ për të përballuar këtë sfidë. (Efesianëve 5:15-17) Nëse je prind, si mund ta bësh këtë? Së pari, vendos cilat gjëra kanë përparësi, duke u kushtuar vëmendje ‘gjërave më të rëndësishme’, ku përfshihet mësimi dhe stërvitja e fëmijëve. (Filipianëve 1:10, 11) Së dyti, thjeshto mënyrën e jetesës. Mund të të duhet të lësh mënjanë veprimtari që nuk janë vërtet të domosdoshme. Ose mund të të duhet të heqësh dorë nga zotërimet e panevojshme që të marrin kohë për t’i mirëmbajtur. Si prind i krishterë, nuk ke për të ndier kurrë keqardhje që ke bërë përpjekjet e nevojshme për të rritur fëmijë me frikë Perëndie.—Fjalët e urta (Proverbat) 29:15, 17.

4. Si mund të mbahet e bashkuar një familje?

4 Të kaloni kohë me fëmijët, veçanërisht kur përqendroheni në gjërat frymore, ia vlen vërtet dhe është një nga mënyrat më të mira për ta mbajtur të bashkuar një familje. Por, mos ia lini rastësisë këtë. Programoni periudha kohe që t’i kaloni së bashku me ta. Kjo nuk do të thotë vetëm që të jeni në të njëjtën shtëpi, duke bërë secili gjërat e veta. Fëmijët rriten më mbarë kur u kushtohet kujdes personal çdo ditë. Dashuria dhe interesimi duhen shfaqur bujarisht. Edhe para se të vendosin të kenë fëmijë, çiftet e martuara duhet ta shqyrtojnë seriozisht këtë përgjegjësi të rëndësishme. (Luka 14:28) Atëherë, nuk do ta shohin rritjen e fëmijëve si një angari. Përkundrazi, do ta shohin si një privilegj të bekuar.—Zanafilla 33:5; Psalmi 127:3.

Të mësojmë me fjalë e me shembull

5. (a) Me çfarë fillon mësimi i fëmijëve që ta duan Jehovain? (b) Çfarë këshille u jepet prindërve te Ligji i përtërirë 6:5-7?

5 T’u mësoni fëmijëve që ta duan Jehovain fillon me dashurinë që tregoni ju vetë për të. Një dashuri e fortë për Perëndinë do t’ju shtyjë t’i ndiqni me besnikëri të gjitha udhëzimet e tij. Kjo përfshin t’i rritni fëmijët «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Perëndia i këshillon prindërit që të japin shembullin për fëmijët e tyre, të komunikojnë me ta dhe t’i mësojnë. Te Ligji i përtërirë 6:5-7 thuhet: «Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» Me anë të këshillave dhe të përsëritjes së shpeshtë, mund t’ua ngulitni fëmijëve urdhërimet e Perëndisë. Kështu, ata do ta ndiejnë dashurinë që keni për Jehovain dhe, nga ana e tyre, do të ndikohen që të zhvillojnë edhe ata një lidhje të afërt me të.—Fjalët e urta 20:7.

6. Si mund të përfitojnë prindërit nga fakti që fëmijët mësojnë duke ndjekur një shembull?

6 Fëmijët janë të etshëm për të mësuar. Janë dëgjues e vëzhgues të mprehtë dhe janë të shpejtë për të imituar shembullin tuaj. Kur ju shohin që nuk jeni materialistë, kjo i ndihmon të mësojnë se si të ndjekin këshillën e Jezuit. Po i mësoni të mos jenë në ankth për gjërat materiale, por të ‘kërkojnë më parë mbretërinë e Perëndisë’. (Mateu 6:25-33) Duke bërë biseda të shëndetshme e ndërtuese për të vërtetën biblike, për kongregacionin e Perëndisë dhe për pleqtë e emëruar, i mësoni fëmijët që ta nderojnë Jehovain dhe të vlerësojnë masat e tij frymore. Meqë fëmijët janë të shpejtë për të vërejtur mospërputhjet, udhëzimet me gojë duhen mbështetur me një sjellje dhe qëndrim që tregon çmueshmërinë tuaj të thellë për gjërat frymore. Çfarë bekimi është kur prindërit shohin se shembulli i tyre i mirë ka prodhuar te fëmijët dashuri të plotë për Jehovain!—Fjalët e urta 23:24, 25.

7, 8. Cili shembull tregon vlerën e stërvitjes së fëmijëve që nga mosha e njomë dhe kujt i takon merita për suksesin?

7 Se sa e vlefshme është t’i stërvitim fëmijët që nga mosha e njomë, mund të shihet në një shembull nga Venezuela. (2 Timoteut 3:15) Kjo përvojë flet për një çift të martuar, Feliksin dhe Majerlinën, të cilët janë pionierë. Kur u lindi djali, Felitoja, ata mezi pritnin të bënin gjithçka që kishin në dorë për ta rritur si një adhurues të vërtetë të Jehovait. Majerlina filloi t’i lexonte me zë Felitos nga Libri im i tregimeve biblike, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Edhe pse në moshë të njomë, Felitoja dukej se e njihte Moisiun dhe personazhet e tjerë të paraqitur në këtë libër.

8 Kur ishte ende i vogël, Felitoja filloi të jepte dëshmi vetë. E përmbushi dëshirën për t’u bërë lajmëtar i Mbretërisë dhe më vonë u pagëzua. Me kalimin e kohës, Felitoja u bë pionier i rregullt. Prindërit e tij komentojnë: «Kur shohim përparimin e djalit tonë, e kuptojmë se ia detyrojmë këtë Jehovait dhe udhëzimeve të tij.»

T’i ndihmojmë fëmijët që të rriten frymësisht

9. Përse duhet të jemi mirënjohës për udhëzimet frymore që marrim nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur?

9 Ka me dhjetëra revista, qindra libra dhe mijëra site Interneti që japin këshilla se si të rriten fëmijët. Shumë shpesh, «të dhënat janë në kundërshtim me njëra-tjetrën»,—thotë një numër i veçantë kushtuar fëmijëve në revistën Newsweek. «Edhe më hutuese është kur të dhënat që ju mendoni se mund t’u besoni, dalin se janë krejt të gabuara.» Sa mirënjohës jemi që Jehovai ka siguruar gjëra me bollëk për mësimin dhe zhvillimin frymor të familjeve! A përfitoni plotësisht nga të gjitha masat që janë marrë nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm e të matur?—Mateu 24:45-47.

10. Si nxjerrin dobi edhe prindërit, edhe fëmijët, nga një studim i efektshëm biblik familjar?

10 Një nevojë shumë e rëndësishme është studimi i rregullt e i vazhdueshëm biblik familjar, i cili mbahet në një atmosferë të qetë. Kërkohet një përgatitje e mirë për ta bërë ndërtues, të kënaqshëm dhe nxitës studimin. Duke i lënë fëmijët të shprehen, prindërit mund të mësojnë se çfarë kanë ata në zemër e në mendje. Një mënyrë për të përcaktuar efektshmërinë e një studimi familjar është të vërejmë nëse të gjithë anëtarët e familjes e presin me padurim atë.

11. (a) Çfarë synimesh mund të vënë fëmijët, me ndihmën e prindërve? (b) Çfarë përfundimesh u arritën kur një vajzë japoneze ndoqi synimin e saj?

11 Edhe synimet biblike japin ndihmesë për të pasur një familje të fortë frymësisht dhe prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që t’i vendosin këto synime. Disa synime të përshtatshme janë: të lexojnë përditë Biblën, të bëhen lajmëtarë të rregullt të lajmit të mirë dhe të bëjnë përparim deri në dedikim e pagëzim. Synime të tjera mund të jenë shërbimi i plotkohor si pionierë, në Bethel ose si misionarë. Kur ishte në shkollën fillore, një vajzë japoneze me emrin Ajumi vuri si synim t’u dëshmonte të gjithëve në klasën e saj. Për të nxitur interesin e mësueses dhe të shokëve të klasës, ajo mori leje për të vendosur disa botime biblike në bibliotekë. Për pasojë, gjatë gjashtë vjetëve që ishte në shkollën fillore, Ajumi arriti të drejtonte 13 studime biblike. Njëra nga këto studente biblike dhe disa të tjerë në familjen e studentes u bënë të krishtere të pagëzuara.

12. Si mund të nxjerrin më shumë dobi fëmijët nga mbledhjet e krishtere?

12 Po kaq e nevojshme për një shëndet të fortë frymor është edhe prania e rregullt në mbledhje. Apostulli Pavël i këshilloi bashkëbesimtarët që të ‘mos braktisnin mbledhjen e tyre së bashku, siç e kishin zakon disa’. Të mos na bëhet as neve zakon kjo gjë, sepse si të vegjlit, ashtu edhe të mëdhenjtë, nxjerrin shumë dobi nga prania e rregullt në mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25; Ligji i përtërirë 31:12) Fëmijët duhen mësuar që të dëgjojnë me vëmendje. Edhe përgatitja për mbledhjet është jetësore, sepse dobia më e madhe vjen kur marrim pjesë gjallërisht duke komentuar. Ndonëse një fëmijë i vogël mund të fillojë duke thënë disa fjalë ose duke lexuar një pjesë të vogël të një paragrafi, do të jetë më e dobishme nëse fëmijët stërviten t’i gjejnë vetë përgjigjet dhe t’i thonë me fjalët e tyre. Ju prindër, a jepni shembullin, duke bërë vetë rregullisht komente me kuptim? Është mirë, gjithashtu, që çdo anëtar i familjes të ketë një Bibël, një libër këngësh dhe një kopje të botimit që po përdoret në trajtimin biblik.

13, 14. (a) Përse prindërit duhet të punojnë me fëmijët e tyre në shërbim? (b) Çfarë do të ndihmojë për t’ua bërë fëmijëve të dobishëm dhe të gëzueshëm shërbimin?

13 Prindërit e mençur e drejtojnë energjinë rinore të fëmijëve të tyre drejt shërbimit të Jehovait, duke i ndihmuar ata që ta bëjnë predikimin një pjesë të rëndësishme të jetës. (Hebrenjve 13:15) Vetëm duke punuar me fëmijët në shërbim, prindërit mund të sigurohen se të vegjlit e tyre po marrin stërvitjen e nevojshme për t’u bërë administrues të Fjalës ‘që s’ka pse t’u vijë turp për asgjë, që e përdorin drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Timoteut 2:15) Pra, ç’të themi për ty? Nëse je prind, a i ndihmon fëmijët e tu që të përgatiten për shërbimin në fushë? Kjo do të ndihmojë për t’ua bërë shërbimin të gëzueshëm, domethënës dhe frytdhënës.

14 Përse është e dobishme që prindërit dhe fëmijët e tyre të punojnë së bashku në shërbim? Në këtë mënyrë, fëmijët mund të vërejnë dhe të kopjojnë shembullin e mirë të prindërve. Në të njëjtën kohë, prindërit mund të vërejnë qëndrimin, sjelljen dhe aftësinë e fëmijëve të tyre. Sigurohuni t’i merrni me vete fëmijët në forma të ndryshme të shërbimit. Nëse është e mundur, secili fëmijë të ketë çantën e tij të shërbimit dhe mësojeni që ta mbajë atë të rregullt dhe të pastër. Me stërvitje dhe nxitje të vazhdueshme, çmueshmëria e vërtetë për shërbimin do të rritet dhe fëmijët do ta shohin veprën e predikimit si një mjet për të treguar dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin.—Mateu 22:37-39; 28:19, 20.

Të ruajmë shëndetin frymor

15. Meqenëse të ruajmë shëndetin frymor të familjes është shumë e rëndësishme, cilat janë disa mënyra për ta bërë këtë?

15 Të ruajmë shëndetin frymor të familjes është thelbësore. (Psalmi 119:93) Një mënyrë për ta bërë këtë është të flasim për gjëra frymore me familjen në çdo rast. A e shqyrtoni shkrimin e ditës me ta? A e keni zakon që të tregoni përvoja nga shërbimi në fushë ose pika nga revistat e fundit Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! ‘kur ecni rrugës’? A kujtoheni që ta falënderoni Jehovain në lutje për çdo ditë të jetës dhe për masat e bollshme që na ka dhënë ‘kur bini në shtrat dhe kur çoheni’? (Ligji i përtërirë 6:6-9) Kur fëmijët shohin dashurinë tuaj për Perëndinë të pasqyruar në çdo gjë që bëni, kjo do t’i ndihmojë që ta bëjnë të tyren të vërtetën.

16. Çfarë vlere ka t’i nxitim fëmijët që të bëjnë vetë kërkime?

16 Disa herë, fëmijët do të kenë nevojë për udhëheqje që të përballojnë me sukses problemet ose rrethanat që lindin. Në vend që t’u thoni gjithnjë çfarë të bëjnë, përse të mos u tregoni si të gjejnë pikëpamjen e Perëndisë për gjërat, duke i nxitur që të bëjnë vetë kërkime? T’i mësoni fëmijët që t’i përdorin mirë të gjitha mjetet dhe botimet e siguruara nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm’ do t’i ndihmojë që të zhvillojnë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. (1 Samuelit 2:21b) Gjithashtu, kur i ndajnë përfitimet e kërkimeve nga Bibla me anëtarë të tjerë të familjes, gjendja frymore e familjes do të përmirësohet gjithnjë e më tepër.

Të mbështetemi plotësisht te Jehovai

17. Përse prindërit e vetëm nuk duhet ta humbin shpresën kur bëhet fjalë për t’i rritur fëmijët e tyre si të krishterë?

17 Ç’të themi për familjet me një prind? Këto hasin sfida të tjera kur bëhet fjalë për të rritur fëmijët. Por, prindër të vetëm, të mos ju lëshojë zemra! Suksesi është i mundur, siç e tregojnë shumë prindër të vetëm që kanë besuar te Perëndia, kanë zbatuar me bindje këshillat e tij dhe kanë rritur fëmijë të shkëlqyer e të fortë frymësisht. (Fjalët e urta 22:6) Natyrisht, të krishterët që janë prindër të vetëm duhet të mbështeten plotësisht te Jehovai. Duhet të kenë besim se ai do të sigurojë ndihmë.—Psalmi 121:1-3.

18. Cilave nevoja mendore dhe fizike të fëmijëve duhet t’u kushtojnë vëmendje prindërit, por, kujt i duhet dhënë përparësia?

18 Prindërit e mençur e kuptojnë se ‘ka një kohë për të qeshur dhe një kohë për të hedhur valle’. (Predikuesi [Eklisiastiu] 3:1, 4) Për ndërtimin e mendjes dhe të trupit të një fëmije janë thelbësore koha e lirë dhe zbavitja e drejtpeshuar, e shëndetshme. Muzika ndërtuese dhe, veçanërisht, këngët e lavdisë që i këndojmë Perëndisë do ta ndihmojnë një fëmijë që të zhvillojë një qëndrim të shëndetshëm, i cili mund të luajë rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënies së tij me Jehovain. (Kolosianëve 3:16) Rinia është, gjithashtu, koha që ata të përgatiten për të qenë të rritur me frikë Perëndie, me qëllim që gëzimi i jetës të mund të vazhdojë përgjithmonë në një tokë parajsore.—Galatasve 6:8.

19. Përse prindërit mund të jenë të sigurt për bekimin e Jehovait në përpjekjet e tyre për të rritur fëmijët?

19 Jehovai dëshiron që të gjitha familjet e krishtere të qëndrojnë frymësisht të forta dhe të bashkuara. Nëse e duam vërtet Perëndinë dhe bëjmë më të mirën për t’iu bindur Fjalës së tij, ai do t’i bekojë përpjekjet tona dhe do të na japë forcën e nevojshme për të ndjekur drejtimin e tij të frymëzuar. (Isaia 48:17; Filipianëve 4:13) Mos harroni se mundësia që keni tani për t’i mësuar dhe për t’i stërvitur fëmijët tuaj është e kufizuar dhe nuk do të përsëritet më. Bëni më të mirën për të zbatuar këshillat e Fjalës së Perëndisë dhe Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tuaja për të ndërtuar një familje të fortë frymësisht.

Çfarë kemi mësuar?

• Përse është kaq e rëndësishme të blejmë kohën kur stërvitim fëmijët?

• Përse është i nevojshëm shembulli i mirë prindëror?

• Cilat janë disa mënyra kryesore për t’i ndihmuar fëmijët që të rriten frymësisht?

• Si mund të ruhet shëndeti frymor i një familjeje?

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 24, 25]

Familjet e forta frymësisht e studiojnë Fjalën e Perëndisë, ndjekin mbledhjet e krishtere dhe dalin në shërbim së bashku rregullisht