Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udhëheqje hyjnore për të zgjedhur një bashkëshort

Udhëheqje hyjnore për të zgjedhur një bashkëshort

Udhëheqje hyjnore për të zgjedhur një bashkëshort

«Do të të bëj të kesh gjykim të thellë dhe do të të mësoj në udhën në të cilën duhet të shkosh. Do të jap këshillë duke e mbajtur syrin tim mbi ty.»—PSALMI 32:8, BR.

1. Cilët faktorë janë të nevojshëm për një martesë të mirë?

NJË akrobat ajri hidhet nga trapezi fluturues i cirkut, paloset më dysh dhe me zhdërvjelltësi bën disa rrotullime në ajër. Pastaj, duke drejtuar menjëherë trupin, shtrin krahët dhe kapet te duart e trapezistit që qëndron i varur me kokë poshtë në trapezin tjetër, në anën e kundërt. Një çift patinatorësh shkasin me lehtësi së bashku në një pistë akulli. Papritur, djali e ngre lart partneren e tij dhe e hedh në ajër. Ajo rrotullohet, ulet në tokë me hijeshi mbi një patinë të vetme dhe vazhdon të shkasë me partnerin në akull. Që të dyja këto interpretime duket sikur bëhen pothuajse pa përpjekje. Po kush do të guxonte t’i bënte pa u praktikuar më parë, pa një partner të aftë dhe, sidomos, pa llojin e duhur të udhëheqjes ose të udhëzimeve? Në mënyrë të ngjashme, një martesë e mirë mund të duket thjesht e rastësishme. Sidoqoftë, edhe ajo varet nga një shok a shoqe e mirë, nga përpjekjet e bashkërenduara dhe, veçanërisht, nga këshillat e mira. Në të vërtetë, udhëheqja e duhur është thelbësore.

2. (a) Kush e themeloi rregullin e martesës dhe me cilin qëllim? (b) Si janë lidhur disa martesa?

2 Është e natyrshme që të rinjtë e të rejat e pamartuara të mendojnë për një bashkëshort, për një shoqe ose shok në jetë. Që nga koha kur e themeloi Perëndia Jehova, martesa e një burri me një grua ka qenë një gjë normale e jetës. Por, njeriu i parë, Adami, nuk e zgjodhi vetë gruan. Jehovai ia siguroi në mënyrë të dashur. (Zanafilla 2:18-24) Çifti i parë duhej të shumohej, kështu që toka, përfundimisht, do të mbushej me njerëz. Pas këtij bashkimi të parë, zakonisht martesat lidheshin me marrëveshje nga prindërit e nuses dhe të dhëndrit, disa herë pasi kishin marrë edhe miratimin e atyre që ishin përfshirë. (Zanafilla 21:21; 24:2-4, 58; 38:6; Jozueu [Josiu] 15:16, 17) Ndonëse martesat me mblesëri janë ende të zakonshme në disa vende e kultura, shumë njerëz sot e zgjedhin vetë bashkëshortin ose bashkëshorten.

3. Si duhet zgjedhur bashkëshorti ose bashkëshortja?

3 Si duhet zgjedhur një bashkëshort ose bashkëshorte? Disa ndikohen nga pamja e jashtme, nga ajo që u duket e kënaqshme dhe e dëshirueshme për sytë. Të tjerë kërkojnë dobi materiale, dikë që do të kujdeset për ta dhe që do t’ua plotësojë nevojat dhe dëshirat. Por, a çon në një marrëdhënie të lumtur e të kënaqshme çdonjëri nga këto synime më vete? «Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë,—thuhet te Fjalët e urta (Proverbat) 31:30,—por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.» Këtu kemi një pikë të rëndësishme: të marrim parasysh Jehovain kur zgjedhim bashkëshortin ose bashkëshorten.

Udhëheqje e dashur nga Perëndia

4. Çfarë ndihme siguron Perëndia për sa i përket zgjedhjes së bashkëshortit?

4 Ati ynë i dashur qiellor, Jehovai, ka siguruar Fjalën e tij të shkruar që të na udhëheqë në çdo gjë. Ai thotë: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.» (Isaia 48:17) Pra, s’është për t’u habitur që të gjejmë në Bibël udhëzime të provuara nga koha, për sa i përket zgjedhjes së bashkëshortit. Jehovai dëshiron që martesa të jetë e qëndrueshme dhe e lumtur. Prandaj, na ka siguruar ndihmë që t’i kuptojmë dhe t’i zbatojmë këto udhëzime. A nuk është kjo ajo që do të pritnim nga Krijuesi ynë i dashur?—Psalmi 19:8.

5. Çfarë është jetësore për të pasur lumturi të qëndrueshme në martesë?

5 Kur Jehovai themeloi rregullin e martesës, kishte ndër mend që ajo të ishte një lidhje e përhershme. (Marku 10:6-12; 1 Korintasve 7:10, 11) Ja përse «ai e urren divorcin», duke e lejuar vetëm mbi bazën e «kurvërisë». (Malakia 2:13-16; Mateu 19:9) Prandaj, zgjedhja e bashkëshortit është një nga hapat më seriozë që mund të bëjmë dhe nuk duhet marrë lehtë-lehtë. Janë të pakta vendimet që kanë kaq shumë mundësi për të na bërë të lumtur ose të trishtuar. Një zgjedhje e mirë mund t’ia pasurojë jetën një personi dhe t’ia bëjë më të kënaqshme, kurse një zgjedhje e gabuar mund të sjellë trishtim pa fund. (Fjalët e urta 21:19; 26:21) Që të kemi gjithnjë lumturi, është jetësore të zgjedhim me mençuri dhe të jemi të gatshëm të bëjmë një zotim të qëndrueshëm, sepse Perëndia e themeloi martesën si një lidhje që do të kishte sukses, po të kishte harmoni dhe bashkëpunim.—Mateu 19:6.

6. Përse veçanërisht të rinjtë dhe të rejat duhet të jenë të kujdesshëm kur zgjedhin bashkëshortin dhe si mund të marrin vendimin më të mençur?

6 Të rinjtë e të rejat duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm që tërheqja fizike dhe impulset e forta të mos ua shtrembërojnë gjykimin kur zgjedhin një bashkëshort. Në të vërtetë, një marrëdhënie e bazuar vetëm në këta faktorë mund të përfundojë shumë shpejt në përçmim ose edhe në urrejtje. (2 Samuelit 13:15) Nga ana tjetër, dashuria e qëndrueshme mund të kultivohet ndërsa e njohim më mirë bashkëshortin dhe ndërsa kuptojmë më mirë veten tonë. Duhet të kuptojmë edhe se, ajo që është më e mira për ne, mund të mos jetë ajo që dëshiron fillimisht zemra jonë. (Jeremia 17:9) Ja përse udhëheqja hyjnore që gjendet në Bibël është kaq e rëndësishme. Ajo na ndihmon të dallojmë se si mund të marrim vendimet më të mençura në jetë. Psalmisti e paraqiti Jehovain si të thoshte: «Do të të bëj të kesh gjykim të thellë dhe do të të mësoj në udhën në të cilën duhet të shkosh. Do të të jap këshilla duke e mbajtur syrin tim mbi ty.» (Psalmi 32:8, BR; Hebrenjve 4:12) Edhe pse martesa mund të na plotësojë nevojën e lindur që kemi për dashuri e për shoqëri, ajo paraqet edhe sfida që kërkojnë pjekuri dhe aftësi dalluese.

7. Përse disa veta nuk i pranojnë këshillat e bazuara në Bibël për të zgjedhur një bashkëshort, por, ku mund të çojë një drejtim i tillë?

7 Është e mençur t’ia vëmë veshin asaj që ka për të thënë Nismëtari i martesës, për sa i përket zgjedhjes së bashkëshortit. Kur marrim, megjithatë, këshilla të bazuara në Bibël nga prindërit ose nga pleqtë e krishterë ndoshta mund të mos i pranojmë fare. Mbase mendojmë që ata nuk na kuptojnë tamam dhe dëshirat e forta emocionale mund të na shtyjnë të ndjekim prirjen e zemrës. Por, kur ndeshemi me realitetin, mund të na vijë keq që nuk ia vumë veshin këshillës së mençur që na u dha për të mirën tonë. (Fjalët e urta 23:19; 28:26) Mund të gjendemi në një martesë pa dashuri, me fëmijë për të cilët e kemi të vështirë të kujdesemi e, ndoshta, edhe me një bashkëshort jobesimtar. Sa e mjerueshme do të ishte nëse një lidhje që mund të na kishte sjellë shumë lumturi, do të bëhej burim i një dëshpërimi të madh!

Devocioni hyjnor—Një faktor kyç

8. Si e ndihmon devocioni hyjnor një martesë që të jetë e qëndrueshme dhe të sjellë lumturi?

8 Pa dyshim, tërheqja reciproke ndihmon për ta forcuar martesën. Por, gjëja më e rëndësishme që një lidhje martesore të jetë e qëndrueshme dhe të sjellë lumturi, janë vlerat që bashkëshortët i kanë të përbashkëta. Devocioni i përbashkët ndaj Perëndisë Jehova modelon një lidhje të qëndrueshme dhe nxit unitetin në një mënyrë të tillë që nuk e bën asnjë faktor tjetër. (Predikuesi [Eklisiastiu] 4:12) Kur dy bashkëshortë të krishterë e përqendrojnë jetën tek adhurimi i vërtetë i Jehovait, janë të bashkuar frymësisht, mendërisht dhe moralisht. E studiojnë Fjalën e Perëndisë së bashku. Luten së bashku, dhe kjo i bashkon zemrat e tyre. Shoqërojnë njëri-tjetrin në mbledhjet e krishtere dhe punojnë së bashku në shërbimin në fushë. E gjithë kjo ndihmon për të krijuar një lidhje frymore që i afron ata edhe më shumë me njëri-tjetrin. Ç’është më e rëndësishmja, sjell si pasojë bekimin e Jehovait.

9. Çfarë bëri Abrahami për të gjetur një grua për Isakun dhe me çfarë përfundimi?

9 Për shkak të devocionit të tij hyjnor, patriarku besimplotë Abraham u përpoq t’i pëlqente Perëndisë kur erdhi koha për të zgjedhur një grua për të birin, Isakun. Shërbëtorit të tij të besuar, Abrahami i tha: «Do të bëj që ti të betohesh në emër të Zotit, Perëndisë së qiejve dhe Perëndisë së tokës, që ti nuk do t’i marrësh për grua djalit tim asnjë prej bijave të kanaanejve në mes të të cilëve unë banoj; por do të shkosh në vendin tim dhe te fisi im për të marrë një grua për djalin tim, për Isakun. . . . [Jehovai] do të dërgojë engjëllin e tij para teje dhe ti do të marrësh andej një grua për birin tim.» Rebeka tregoi se ishte një grua e jashtëzakonshme, të cilën Isaku e deshi shumë.—Zanafilla 24:3, 4, 7, 14-21, 67.

10. Çfarë detyrimesh biblike janë vënë mbi bashkëshortët dhe bashkëshortet?

10 Nëse jemi të krishterë të pamartuar, devocioni hyjnor do të na ndihmojë të zhvillojmë cilësi që do të na japin mundësi të plotësojmë kërkesat biblike të martesës. Ndër detyrimet që kanë bashkëshortët dhe bashkëshortet, janë edhe këto të cituara nga apostulli Pavël: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë . . . Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten e vet për të . . . Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre. . . . Secili prej jush, nga ana e vet, ta dojë gruan e tij si veten; nga ana tjetër, gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:22-33) Siç mund ta shohim, fjalët e frymëzuara të Pavlit theksojnë nevojën për dashuri dhe respekt. Zbatimi i kësaj këshille përfshin një frikë plot nderim ndaj Jehovait. Kërkon një zotim me gjithë zemër, në kohë të mira e të këqija. Të krishterët që po mendojnë të martohen duhet të jenë në gjendje të marrin përsipër këtë përgjegjësi.

Të vendosësh se kur të martohesh

11. (a) Çfarë këshille jepet në Shkrime, lidhur me kohën kur të martohesh? (b) Cili shembull tregon mençurinë e ndjekjes së këshillës biblike të dokumentuar te 1 Korintasve 7:36?

11 Të dish se kur je gati për t’u martuar është jetësore. Meqë kjo gjë ndryshon nga një person te tjetri, Shkrimet nuk përcaktojnë ndonjë moshë. Por, tregojnë se është më mirë të presim derisa të kemi «kaluar lulen e rinisë», kur impulset e forta seksuale mund ta shtrembërojnë gjykimin e shëndoshë. (1 Korintasve 7:36) «Kur shihja miqtë e mi që fillonin periudhën e njohjes dhe martoheshin, shumë prej tyre në vitet e adoleshencës, nganjëherë e kisha të vështirë ta zbatoja këtë këshillë,—thotë Mishela.—Por, e kuptova se këshilla vjen nga Jehovai dhe ai na thotë vetëm atë që është për dobinë tonë. Ndërkohë që pritja për t’u martuar, pata mundësi të përqendrohesha në marrëdhënien time me Jehovain dhe të fitoja përvojë në jetë, përvojë që s’është e mundur ta kesh në vitet e adoleshencës. Disa vjet më vonë, isha më e përgatitur për të përballuar përgjegjësitë dhe problemet që lindin në martesë.»

12. Përse është e mençur të mos nxitohemi për t’u martuar kur jemi ende të rinj?

12 Ata që nxitohen për t’u martuar kur janë ende shumë të rinj, shpesh, duke u pjekur shohin që nevojat dhe dëshirat e tyre ndryshojnë. Pastaj, kuptojnë se gjërat që në fillim u dukeshin të dëshirueshme, nuk janë më edhe aq të rëndësishme. Një e re e krishterë kishte vendosur të martohej kur ishte 16 vjeçe. Gjyshja e saj ishte martuar në atë moshë, si edhe mamaja. Kur një i ri, për të cilin ajo kishte interes, nuk pranoi të martohej me të në atë kohë, ajo zgjodhi dikë tjetër që ishte i gatshëm ta bënte këtë. Por, më vonë në jetë, u pendua shumë për këtë vendim të nxituar.

13. Çfarë u mungon shpesh atyre që martohen para kohe?

13 Nëse po mendojmë të martohemi, është e rëndësishme të kemi kuptueshmëri të plotë për gjithçka që përfshihet në të. Martesa e parakohshme mund të sjellë një sërë problemesh që një çift i ri ndoshta nuk është i përgatitur t’i përballojë. Mund t’u mungojë përvoja dhe pjekuria që duhet për të përballuar streset e martesës dhe të rritjes së fëmijëve. Martesa duhet bërë vetëm kur jemi fizikisht, mendërisht dhe frymësisht gati për të filluar një marrëdhënie të qëndrueshme.

14. Çfarë nevojitet për të trajtuar problemet stresuese në martesë?

14 Pavli shkroi se ata që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1 Korintasve 7:28) Do të lindin probleme, sepse kemi të bëjmë me dy personalitete të ndryshme dhe pikëpamjet do të jenë të ndryshme. Për shkak të papërsosmërisë njerëzore, mund të jetë e vështirë të përmbushim rolin tonë biblik në rregullin e martesës. (1 Korintasve 11:3; Kolosianëve 3:18, 19; Titit 2:4, 5; 1 Pjetrit 3:1, 2, 7) Duhet pjekuri dhe qëndrueshmëri frymore për të kërkuar dhe për të ndjekur udhëheqjen hyjnore, me qëllim që të zgjidhen me dashuri problemet stresuese.

15. Çfarë roli mund të luajnë prindërit për t’i përgatitur fëmijët për martesën? Ilustrojeni.

15 Prindërit mund t’i përgatitin fëmijët për martesë, duke i ndihmuar të kuptojnë rëndësinë që ka ndjekja e udhëheqjes hyjnore. Duke përdorur me mjeshtëri Shkrimet dhe botimet e krishtere, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre që të përcaktojnë nëse ata ose bashkëshortët e mundshëm janë gati për të bërë zotimin e martesës. * Blosomi tetëmbëdhjetëvjeçare mendoi se kishte rënë në dashuri me një të ri në kongregacionin e saj. Ai shërbente në kohë të plotë si pionier dhe donin të martoheshin. Por prindërit e saj i kërkuan të priste një vit, duke menduar se ishte ende tepër e re. Më vonë, Blosomi shkroi: «Jam kaq mirënjohëse që e dëgjova atë këshillë të mençur. Brenda vitit, u rrita më shumë në pjekuri dhe fillova ta shihja se ky i ri nuk kishte cilësitë që do ta bënin një bashkëshort të mirë. Pas njëfarë kohe, ai u largua nga organizata dhe unë shpëtova nga ajo që do të kishte qenë shkatërrimtare në jetën time. Sa e mrekullueshme është të kesh prindër të mençur, në gjykimin e të cilëve mund të mbështetesh!»

‘Martohuni vetëm në Zotërinë’

16. (a) Në ç’mënyrë mund të sprovohen të krishterët lidhur me kërkesën për ‘t’u martuar vetëm në Zotërinë’? (b) Kur tundohet për t’u martuar me një jobesimtar, për çfarë duhet të meditojë një i krishterë?

16 Drejtimi i Jehovait për të krishterët është shumë i qartë: ‘Martohuni vetëm në Zotërinë.’ (1 Korintasve 7:39) Prindërit e krishterë dhe fëmijët e tyre mund të hasin sprovë në këtë fushë. Në ç’mënyrë? Të rinjtë mund të dëshirojnë të martohen, por brenda kongregacionit mund të mos ketë bashkëshortë të mundshëm. Ose të paktën kështu duket. Në ndonjë vend mund të ketë më pak djem se vajza ose në atë zonë mund të mos ketë asnjë që duket i përshtatshëm. Ndoshta, një i ri që nuk është pjesëtar i dedikuar i kongregacionit mund të shfaqë interes për një të re të krishterë (ose anasjelltas) dhe ekziston presioni për të bërë kompromis me normat që ka vendosur Jehovai. Në rrethana të tilla, do të ishte mirë të meditonim për shembullin e Abrahamit. Një mënyrë se si e mbajti ai marrëdhënien e shkëlqyer që kishte me Perëndinë ishte duke u kujdesur që i biri, Isaku, të martohej me një adhuruese të vërtetë të Jehovait. Isaku bëri të njëjtën gjë në rastin e birit të tij, Jakobit. Kjo kërkoi përpjekje nga të gjithë ata që ishin të përfshirë, por i pëlqeu Perëndisë dhe solli si pasojë bekimin e tij.—Zanafilla 28:1-4.

17. Përse martesa me një jobesimtar ka shumë të ngjarë të jetë shkatërrimtare dhe cila është arsyeja më e rëndësishme për t’u ‘martuar vetëm në Zotërinë’?

17 Në ndonjë rast, me kalimin e kohës jobesimtari është bërë i krishterë. Sidoqoftë, martesat me jobesimtarë, shpesh, kanë dalë shkatërrimtare. Një besimtar dhe një jobesimtar të futur nën të njëjtën zgjedhë nuk kanë të njëjtat bindje, norma ose synime. (2 Korintasve 6:14) Kjo mund të ketë një efekt dëmtues mbi komunikimin dhe lumturinë martesore. Për shembull, një e krishterë ankohej shumë për faktin që pas një mbledhjeje ndërtuese, nuk mund të shkonte në shtëpi dhe të fliste për gjërat frymore me bashkëshortin e saj jobesimtar. Por, sigurisht, më e rëndësishme është se ‘martesa vetëm në Zotërinë’ është një çështje besnikërie ndaj Jehovait. Kur zbatojmë Fjalën e Perëndisë, zemra nuk na dënon, sepse po bëjmë atë që është ‘e pëlqyeshme në sytë e tij’.—1 Gjonit 3:21, 22.

18. Nëse po mendojmë të martohemi, cilave gjëra të rëndësishme duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe përse?

18 Kur mendohet për martesën, virtyti dhe karakteri frymor i bashkëshortit të mundshëm duhet të jetë interesimi kryesor. Personaliteti i krishterë, bashkë me dashurinë për Perëndinë dhe devocionin me gjithë shpirt ndaj tij, kanë shumë më tepër vlerë sesa tërheqja fizike. Miratimin hyjnor e gëzojnë ata që kuptojnë dhe përmbushin detyrimin e tyre për të qenë bashkëshortë të fortë frymësisht. Forca më e madhe që mund të marrë një çift vjen nga devocioni i përbashkët ndaj Krijuesit dhe pranimi i plotë i udhëheqjes së tij. Në këtë mënyrë nderojmë Jehovain dhe martesa fillon mbi një bazë të fortë frymore, e cila do të ndihmojë për një bashkim të qëndrueshëm.

[Shënimi]

^ par. 15 Shih Kullën e Rojës të 15 shkurtit 1999, faqet 4-8.

Si do të përgjigjeshit?

• Përse nevojitet udhëheqje hyjnore për të zgjedhur një bashkëshort të mirë?

• Si do të ndihmojë devocioni hyjnor për të forcuar lidhjen martesore?

• Si mund t’i përgatitin prindërit fëmijët e tyre për martesën?

• Përse është e rëndësishme të ‘martohemi vetëm në Zotërinë’?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 17]

Zbatimi i këshillave të Perëndisë për të zgjedhur bashkëshortin mund të na sjellë shumë lumturi

[Figurat në faqen 18]

‘Martesa vetëm në Zotërinë’ sjell bekime të mëdha