E gëzuar dhe mirënjohëse, me gjithë humbjen e hidhur
Jetëshkrim
E gëzuar dhe mirënjohëse, me gjithë humbjen e hidhur
TREGUAR NGA NENSI E. PORTER
Ishte data 5 qershor 1947, një mbrëmje e ngrohtë në ishujt Bahama që gjenden afër bregut juglindor të Shteteve të Bashkuara. Një nëpunës i zyrës së imigrimit na bëri një vizitë të papritur, mua dhe burrit tim, Xhorxhit. Na dorëzoi një letër ku thuhej se prania jonë në ishuj nuk ishte më e pëlqyer dhe se duhej «të largoheshim menjëherë nga kolonia».
UNË dhe Xhorxhi ishim misionarët e parë Dëshmitarë të Jehovait që erdhën në Nasau, qyteti më i madh i ishujve Bahama. Pasi u diplomuam në klasën e tetë të Galaadit, një shkollë për misionarë në Nju-Jork, u caktuam këtu. Çfarë kishim bërë për të shkaktuar një reagim kaq të fortë, kur kishim vetëm tre muaj që kishim ardhur? Dhe, si ka mundësi që më shumë se 50 vjet më pas, jam ende këtu?
Stërvitje për shërbimin
Babai im, Harri Kilner, ndikoi fuqishëm në drejtimin që mori jeta ime. Ai la një shembull të shkëlqyer për mua, duke bërë shumë sakrifica për t’u bërë Dëshmitar i Jehovait. Ndonëse nuk kishte shëndet të mirë, ai shkonte në predikim pothuajse çdo fundjavë, duke i vënë në mënyrë të zellshme interesat e Mbretërisë në vend të parë. (Mateu 6:33) Ishim shumë të kufizuar financiarisht, por dyqani i këpucëve që kishte babai ishte një qendër aktiviteti frymor në Lethbrixh, Alberta, Kanada, në vitet 30 të shekullit të 20-të. Që nga fëmijëria, kujtoj Dëshmitarë të Jehovait që shërbenin në kohë të plotë si pionierë, të cilët na vizitonin në shtëpi dhe na tregonin përvojat e tyre.
Në vitin 1943, fillova shërbimin si pioniere afër qyteteve Fort Meklaud dhe Klarzhom, në Alberta. Në atë kohë, vepra e predikimit në Kanada ishte e ndaluar, si pasojë e të dhënave të rreme të përhapura nga kundërshtarët gjatë Luftës II Botërore. Territori ynë shtrihej 50 kilometra në një drejtim, e 50 në drejtimin e kundërt, por duke qenë të reja dhe energjike, nuk e kishim problem të ecnim me biçikleta ose në këmbë për të arritur në fshatrat e vogla dhe në fermat e asaj zone. Gjatë asaj kohe, m’u dha mundësia të flitja me disa të diplomuar të Galaadit dhe përvojat e tyre më ngjallën dëshirën për t’u bërë misionare.
Në vitin 1945 u martova me Xhorxh Porterin, i cili ishte nga Saskaçevani, Kanada. Prindërit e tij kishin qenë Dëshmitarë të zellshëm që nga viti 1916 dhe, edhe ai kishte zgjedhur shërbimin e plotkohor si karrierën e tij. Caktimi i parë që morëm ishte zona e bukur Lin Vallej në Vankuverin e Veriut, Kanada. Jo shumë kohë më pas na ftuan në Galaad.
Gjatë viteve, kam folur me të diplomuar nga seminare të ndryshme teologjike dhe kam parë se si stërvitja teologjike që kishin marrë atje ua kishte gërryer besimin te Perëndia dhe në Fjalën e tij, Biblën. Përkundrazi, ajo që mësuam ne në Galaad na e thelloi aftësinë për të menduar dhe, mbi të gjitha, na e forcoi besimin te Perëndia Jehova dhe në Fjalën e tij. Shokët tanë të klasës u caktuan në Kinë, në Singapor, në Indi, në vende të Afrikës, në Amerikën e Jugut dhe gjetkë. E kujtoj ende entuziazmin që provuam kur morëm vesh se caktimi ynë ishin ishujt tropikalë Bahama.
Si arritëm të qëndronim atje?
Në krahasim me udhëtimet që bënë shokët tanë të klasës, udhëtimi ynë për në Bahama ishte i shkurtër. Shumë shpejt ishim duke gëzuar motin e ngrohtë, qiellin e kaltër, ujin e kaltër në të gjelbër të hapur, ndërtesat me ngjyra të ndezura dhe biçikletat e panumërta. Megjithatë, përshtypjet e para të thella që m’u ngulitën i pata për grupin e vogël prej pesë Dëshmitarësh që na priti kur mbërriti anija. Shumë shpejt mësuam se kultura këtu ishte ndryshe nga ajo me të cilën ishim mësuar ne. Për shembull, tim shoqi iu kërkua të mos më thërriste ‘e dashur’ në publik, sepse kjo shprehje zakonisht përdoret për një marrëdhënie jashtë martese.
Në pak kohë, kleri, duke u ndier me sa duket i kërcënuar nga fakti që ne lëviznim lirisht
midis njerëzve, na akuzoi në mënyrë të rreme se ishim komunistë. Për pasojë, morëm urdhrin për t’u larguar nga vendi. Por, Dëshmitarët—në atë kohë në ishuj kishte më pak se 20—menjëherë bënë një peticion të firmosur nga mijëra veta, duke kërkuar që të na lejohej të qëndronim. Kështu, urdhri i dëbimit u anulua.Në një territor të ri
E vërteta biblike mbinte shpejt në zemrat që e donin Perëndinë, kështu që në Bahama u dërguan më shumë misionarë të Galaadit. Më pas, në vitin 1950, u formua një zyrë dege. Dhjetë vjet më vonë, Milton Hensheli, anëtar i stafit të selisë botërore në Bruklin, Nju-Jork, vizitoi ishujt Bahama dhe i pyeti misionarët nëse ndonjëri prej tyre ishte i gatshëm të shkonte të hapte veprën e predikimit në një ishull tjetër të Bahamave. Unë dhe Xhorxhi dolëm vullnetarë dhe kështu filluan 11 vjetët e qëndrimit tonë në Long-Ajlënd.
Ky ishull—një nga ishujt e shumtë që përbëjnë Bahamat—është 140 kilometra i gjatë e 6 kilometra i gjerë dhe, në ato ditë, nuk kishte qytete të mirëfillta. Kryeqyteti, Klarens Taun, kishte rreth 50 shtëpi. Jeta ishte pothuajse primitive, pa energji elektrike, pa ujë të rrjedhshëm ose kuzhinë brenda shtëpisë, si edhe pa pajisje hidraulike. Prandaj, na u desh të mësoheshim me të ashtuquajturën jetë të ishujve të largët. Këtu, për njerëzit shëndeti ishte argumenti i preferuar i bisedave. Mësuam që të mos e përfshinim në përshëndetjen tonë pyetjen «Si jeni sot?», sepse, shpesh, përgjigjja përfshinte një tregim gjerë e gjatë të të gjithë historisë mjekësore të personit.
Një pjesë të mirë të veprës së dëshmisë e bënim nga kuzhina në kuzhinë, sepse zakonisht njerëzit i gjenim në kuzhinën përjashta, me një çati kashte dhe me vatrën ku digjeshin drutë. Fshatrat kryesisht përbëheshin nga bujq ose peshkatarë të varfër, por shumë dashamirës. Pjesa më e madhe e tyre jo vetëm që ishin fetarë, por kishin edhe shumë besëtytni. Ngjarjet e pazakonta interpretoheshin shpesh si shenja paralajmëruese.
Kleri s’e kishte për gjë të hynte në shtëpitë e njerëzve pa qenë i ftuar dhe të griste literaturën biblike që kishim lënë atje. Në këtë mënyrë ai frikësonte personat e ndrojtur, por jo të gjithë iu nënshtruan. Për shembull, një 70-vjeçare e guximshme nuk pranoi të frikësohej. Ajo donte ta kuptonte vetë Biblën dhe me kalimin e kohës u bë Dëshmitare, së bashku me disa të tjerë. Dora-dorës që gjenim më shumë interes te njerëzit, disa të diela Xhorxhit i duhej të bënte 300 kilometra me makinë për t’i ndihmuar këta persona që të ndiqnin mbledhjet.
Gjatë muajve të parë, kur nuk kishte Dëshmitarë të tjerë, unë dhe Xhorxhi e ruajtëm shëndetin frymor duke i mbajtur rregullisht të gjitha mbledhjet e krishtere. Përveç kësaj, ndiqnim me zell një program çdo të hënë në mbrëmje, duke studiuar mësimin në revistën Kulla e Rojës dhe duke lexuar Biblën. Lexonim, gjithashtu, të gjithë numrat e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni!, sapo i merrnim.
Babai im vdiq kur ishim në Long-Ajlënd. Verën që pasoi, në vitin 1963, morëm masa që
mamaja të vinte dhe të jetonte afër nesh. Ndonëse ishte e kaluar në moshë, ajo u ambientua mjaft mirë dhe jetoi në Long-Ajlënd deri kur vdiq, në vitin 1971. Sot, në Long-Ajlënd ka një kongregacion me një Sallë të re Mbretërie.Një sfidë e hidhur
Në vitin 1980, Xhorxhi kuptoi se shëndeti i tij po fillonte të keqësohej. Kështu filloi një nga përvojat më të dhimbshme të jetës sime: të shihja burrin tim të dashur, bashkëpunëtorin dhe shokun tim, të tretej nga sëmundja e Alcajmerit. I gjithë personaliteti i tij ndryshoi. Faza e fundit dhe më dëshpëruese e sëmundjes zgjati për afro katër vjet, para se të vdiste në vitin 1987. Më shoqëronte në shërbim dhe në mbledhje derisa mundte, ndonëse shumë ditë përpjekjet që bënte m’i mbushnin sytë me lot. Shprehja e dashurisë nga vëllezërit tanë të krishterë ka qenë vërtet ngushëlluese, por, ende e ndiej jashtëzakonisht shumë mungesën e tij.
Një nga veçoritë më të çmuara të martesës sime me Xhorxhin ka qenë komunikimi ynë i shpeshtë dhe i këndshëm. Tani që ai nuk është më, jam më shumë mirënjohëse se kurrë që Jehovai i fton shërbëtorët e tij të ‘luten pa pushim’, të ‘ngulmojnë në lutje’ dhe të përdorin «çdo lloj lutjeje». (1 Selanikasve 5:17; Romakëve 12:12; Efesianëve 6:18) Është shumë ngushëlluese për mua të di se Jehovai interesohet për mirëqenien tonë. Ndihem vërtet si psalmisti, i cili këndoi: «I bekuar qoftë Zoti, që përditë mbart barrat tona». (Psalmi 68:19) Mënyra më e mirë për të jetuar është që t’i marr ditët një nga një, të pranoj kufizimet e mia dhe të jem mirënjohëse për bekimet që sjell çdo ditë, siç këshilloi Jezui.—Mateu 6:34.
Shpërblime të gëzueshme të shërbimit
Fakti që jam përfshirë vazhdimisht në shërbimin e krishterë më ka ndihmuar që të mos mendoj tepër për të kaluarën. Në këtë mënyrë, jam në gjendje të kapërcej ato lloj ndjenjash që mund të çojnë në depresion. T’u mësoj të tjerëve të vërtetën biblike ka qenë një burim i veçantë gëzimi. Kjo gjë më siguron një rutinë të rregullt frymore, e cila i ka dhënë formë dhe qëndrueshmëri jetës sime.—Filipianëve 3:16.
Një herë, më telefonoi një zonjë, së cilës i kisha dhënë mesazhin e Mbretërisë rreth 47 vjet më parë. Ajo ishte vajza e njërit prej studentëve të parë të Biblës që patëm kur mbërritëm në Bahama, në vitin 1947. Babai, mamaja, dhe të gjithë vëllezërit e motrat e saj u bënë Dëshmitarë të Jehovait, si edhe shumë nga fëmijët dhe nipërit e tyre. Në fakt, më shumë se 60 anëtarë të
familjes së kësaj gruaje janë Dëshmitarë. Por ajo vetë nuk e kishte pranuar kurrë të vërtetën e Biblës. Megjithatë, tani, më në fund, ishte gati të bëhej një shërbëtore e Perëndisë Jehova. Çfarë gëzimi kam ndier të vërej atë grusht Dëshmitarësh që ishin në Bahama kur erdhëm unë dhe Xhorxhi të rriten në më shumë se 1.400 veta!Disa herë, njerëzit më pyesin a e ndiej mungesën e fëmijëve që mund të kisha lindur. Sigurisht, të kesh fëmijë mund të jetë një bekim. Megjithatë, dashuria që më tregojnë vazhdimisht fëmijët, nipërit dhe stërnipërit frymorë është diçka që ndoshta nuk e provon asnjë prind biologjik. Vërtet, ata që «punojnë për të mirën» dhe janë «të pasur në vepra të shkëlqyera», janë njerëzit më të lumtur. (1 Timoteut 6:18) Ja përse vazhdoj të mbahem e zënë në shërbim, me sa ma lejon shëndeti.
Një ditë, kur isha duke pritur në klinikën e një dentisti, m’u afrua një e re dhe më tha: «Ju nuk më njihni, por unë ju njoh dhe dëshiroj vetëm që ta dini se ju dua.» Pastaj, vazhdoi duke më treguar se si kishte arritur të njihte të vërtetën nga Bibla dhe sa mirënjohëse ishte që misionarët kishin ardhur në Bahama.
Në një rast tjetër, kur u ktheva nga pushimet, në derën e dhomës ku jetoj tani, në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Nasau, gjeta një trëndafil. Bashkë me të ishte një shënim: «Jemi të lumtur që u ktheve në shtëpi.» Më mbushet zemra me mirënjohje dhe e dua Jehovain edhe më shumë, kur shoh se çfarë lloj njerëzish ka prodhuar Fjala e tij, organizata dhe fryma e tij! Vërtet, mbështetja e Jehovait shpesh shprehet nëpërmjet atyre që na rrethojnë.
E mbushur me mirënjohje
Jeta ime nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. Madje, edhe tani, ka disa pjesë të saj të cilat nuk janë të lehta. Por kam kaq shumë gjëra për të qenë mirënjohëse: gëzimet e shërbimit, dashurinë dhe përzemërsinë e kaq shumë vëllezërve të krishterë dhe motrave të krishtere, kujdesin e dashur të organizatës së Jehovait, të vërtetat e bukura nga Bibla, shpresën se do të jem përsëri me familjarët e mi kur të ringjallen, dhe kujtimet e 42 vjet martese me një shërbëtor besnik të Jehovait. Para se të martoheshim, isha lutur që të isha gjithnjë një ndihmë për tim shoq, që të mbetej në shërbimin e plotkohor, të cilin e donte shumë. Me dashamirësi, Jehovai iu përgjigj kësaj lutjeje. Prandaj, dua t’i shpreh mirënjohjen time Jehovait duke i qëndruar gjithnjë besnike.
Ishujt Bahama janë një vend i preferuar për turistët, të cilët harxhojnë mijëra dollarë për të ardhur dhe për t’u kënaqur me mrekullitë tropikale. Duke qenë se bëra zgjedhjen për t’i shërbyer Jehovait kudo që të më drejtonte organizata e tij, kam pasur përvojën e gëzuar të udhëtoj nga njëri cep i këtyre ishujve në cepin tjetër, duke shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Por, ç’është më e rëndësishmja, kam arritur të njoh dhe të çmoj dashurinë e banorëve më të mirë miqësorë të Bahamave.
Jam shumë mirënjohëse ndaj atyre që i sollën të vërtetën prindërve të mi, të cilët, nga ana e tyre, ngulitën në mendjen dhe në zemrën time të vogël një dëshirë të madhe për të kërkuar në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë. Shërbëtorët e Jehovait që janë të rinj në moshë sot mund të marrin po ashtu shumë bekime, nëse hyjnë në ‘derën e gjerë’ që të çon në mundësi madhështore për të zgjeruar shërbimin. (1 Korintasve 16:9) Edhe ju do të mbusheni me mirënjohje, nëse e përdorni jetën për të nderuar ‘Perëndinë e perëndive’, Jehovain.—Ligji i përtërirë 10:17; Danieli 2:47.
[Figura në faqen 24]
Në dëshminë në rrugë, në Viktoria, B.C., në vitin 1944
[Figura në faqen 24]
Unë dhe Xhorxhi ndoqëm Shkollën e Galaadit në vitin 1946
[Figura në faqen 25]
Me Xhorxhin para shtëpisë misionare në Nasau, Bahama, viti 1955
[Figura në faqen 26]
Shtëpia misionare në Dedman’s Kej, ku shërbyem nga viti 1961 deri në vitin 1972