Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Forcojeni besimin tuaj te Jehovai

Forcojeni besimin tuaj te Jehovai

Forcojeni besimin tuaj te Jehovai

Është duke u kurdisur një komplot vdekjeprurës. Të gjithë zyrtarët e lartë të vendit janë këshilluar së bashku dhe kanë dalë me një propozim për një ligj të ri. Duan që çdo njeri i cili merr pjesë në një adhurim që shteti nuk e miraton, të dënohet me vdekje.

A JU duket e njohur kjo ngjarje? Historia është plot me shembuj të njerëzve që kanë kurdisur poshtërsi me anë të ligjit. Rasti i mësipërm ndodhi në Perandorinë Persiane, në ditët e profetit Daniel. Ligji, të cilin e dekretoi vetë mbreti Dar, thoshte: «Kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t’i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç [mbretit] të hidhet në gropën e luanëve.»—Danieli 6:7-9.

Çfarë do të bënte Danieli përballë kërcënimit me vdekje? A do të vazhdonte të besonte te Perëndia i tij, Jehovai, apo do të bënte kompromis dhe do të vepronte siç kishte urdhëruar mbreti? Dokumentimi vazhdon: «Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jerusalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falenderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.» (Danieli 6:10) Pjesën tjetër të tregimit e njohim mirë. Danielin e hodhën në gropën e luanëve për shkak të besimit të tij, por Jehovai ‘ua mbylli gojën luanëve’ dhe e shpëtoi shërbëtorin e tij besnik.—Hebrenjve 11:33; Danieli 6:16-22.

Koha për vetëshqyrtim

Sot, shërbëtorët e Jehovait jetojnë në një botë armiqësore dhe hasin shumë rreziqe që kërcënojnë mirëqenien e tyre fizike e frymore. Për shembull, gjatë urrejtjes racore që shpërtheu mizorisht në disa vende, janë vrarë shumë Dëshmitarë. Diku gjetkë, shërbëtorët e Jehovait kanë përballuar mungesa ushqimi, vështirësi ekonomike, katastrofa natyrore, sëmundje të rënda dhe rrethana të tjera që u kanë kërcënuar jetën. Veç kësaj, u është dashur të përballojnë përndjekjen, presionet në punë dhe tundime të ndryshme për të bërë të keqen, dhe që të gjitha këto mund t’ua kërcënojnë gjendjen frymore. Në të vërtetë, Kundërshtari i madh, Satanai, është i vendosur për t’i shkatërruar shërbëtorët e Jehovait me çdo mjet që mund të ketë sukses tek ata.—1 Pjetrit 5:8.

Çfarë mund të bëjmë kur hasim rrethana të tilla? Ndonëse është e natyrshme të kemi frikë kur na kërcënohet jeta, mund të mbajmë në mend fjalët qetësuese të apostullit Pavël: «[Jehovai] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’ Kështu që mund të jemi plot kurajë dhe të themi: ‘Jehovai është ai që më ndihmon; nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?’» (Hebrenjve 13:5, 6) Mund të jemi të sigurt se Jehovai ndihet njësoj për shërbëtorët e tij sot. Megjithatë, një gjë është të njohim premtimet e Jehovait, por një gjë krejt tjetër të jemi të bindur se ai do të veprojë në mbrojtjen tonë. Prandaj, është me rëndësi jetësore të shqyrtojmë bazën mbi të cilën është ndërtuar besimi ynë te Jehovai dhe të bëjmë çdo gjë të mundur për ta forcuar dhe për ta ruajtur këtë besim. Nëse veprojmë kështu, «paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat [tona] dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filipianëve 4:7) Pastaj, kur të vijnë sprovat, do të jemi në gjendje të mendojmë qartë dhe t’i përballojmë ato me mençuri.

Baza për besimin te Jehovai

Natyrisht, kemi shumë arsye për të besuar te Krijuesi ynë, Jehovai. E para prej tyre është fakti që Jehovai është një Perëndi i dashur, i cili kujdeset me të vërtetë për shërbëtorët e tij. Ka ngjarje të panumërta të dokumentuara në Bibël që na tregojnë për kujdesin e dashur të Jehovait për shërbëtorët e tij. Duke përshkruar mënyrën se si veproi Jehovai me popullin e tij të zgjedhur, Izraelin, Moisiu shkroi: «Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij.» (Ligji i përtërirë 32:10) Në kohët tona, Jehovai vazhdon të kujdeset shumë për shërbëtorët e tij, qoftë si grup, qoftë si individë. Për shembull, kur disa Dëshmitarë patën mungesa shumë të mëdha ushqimi gjatë luftës civile në Bosnjë, Jehovai u kujdes që ata t’i merrnin furnizimet shumë të domosdoshme nëpërmjet përpjekjeve të guximshme të vëllezërve të tyre nga Kroacia dhe nga Austria. Këta vëllezër rrezikuan jetën duke udhëtuar përmes një territori shumë të rrezikshëm, që t’u siguronin ndihmë materiale vëllezërve të tyre. *

Meqë Perëndia Jehova është i Plotfuqishëm, ai është me siguri i aftë t’i mbrojë shërbëtorët e tij në çdo rrethanë. (Isaia 33:22; Zbulesa 4:8) Por, edhe atëherë kur Jehovai lejon që disa shërbëtorë të tregohen besnikë deri në vdekje, prapëseprapë i mbështet dhe i ndihmon të mbajnë integritetin, duke u dhënë mundësi të qëndrojnë të palëkundur, të gëzuar dhe të qetë deri në fund. Prandaj, mund të kemi të njëjtën siguri si psalmisti: «Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit.»—Psalmi 46:1, 2.

Bibla zbulon, gjithashtu, se Jehovai është Perëndi i së vërtetës. Kjo do të thotë se i mban gjithnjë premtimet e tij. Në të vërtetë, Bibla e përshkruan atë si një Perëndi «i cili nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Duke qenë se Jehovai e ka përsëritur vazhdimisht që është i gatshëm t’i mbrojë dhe t’i shpëtojë shërbëtorët e tij, mund të jemi krejt të sigurt se është jo vetëm në gjendje, por edhe i gatshëm t’i përmbushë premtimet e tij.—Jobi 42:2.

Mënyra për ta forcuar besimin

Ndonëse kemi çdo arsye për të besuar te Jehovai, nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë çështje. E themi këtë sepse bota, në përgjithësi, ka fare pak besim te Perëndia dhe një qëndrim i tillë mund të na e dobësojë me lehtësi besimin te Jehovai. Prandaj, duhet të bëjmë përpjekje të mundimshme për ta forcuar dhe për ta ruajtur këtë besim. Jehovai është shumë i vetëdijshëm për këtë dhe na ka siguruar mjetet për të vepruar kështu.

Para së gjithash, ka siguruar Fjalën e tij të shkruar, Biblën, në të cilën flitet për shumë vepra të fuqishme që ka kryer ai për shërbëtorët e tij. Vetëm mendoni: Sa siguri mund të keni te një person kur i dini vetëm emrin? Ndoshta shumë pak, për të mos thënë fare. Keni nevojë të njihni mënyrën si vepron, si edhe veprat e tij, për të pasur siguri tek ai, apo jo? Kur lexojmë këto tregime biblike dhe meditojmë për to, njohuria për Jehovain dhe për udhët e tij të mrekullueshme thellohet dhe arrijmë të kuptojmë gjithnjë e më shumë se sa i denjë për besim është ai. Kështu, siguria jonë tek ai forcohet. Psalmisti la një shembull të shkëlqyer kur i tha në një lutje të zjarrtë Perëndisë: «Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.»—Psalmi 77:11, 12.

Përveç Biblës, kemi një burim të pasur ushqimi frymor tek botimet biblike të prodhuara nga organizata e Jehovait. Ndër të tjera, këto botime shpesh përmbajnë tregime prekëse për shërbëtorët e Perëndisë në kohët tona, duke treguar se si Jehovai ishte në gjendje të siguronte ndihmë dhe lehtësim, kur ata ishin në rrethana dëshpëruese. Për shembull, Martin Poetzingeri, i cili më vonë u bë anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, u sëmur rëndë kur po shërbente si pionier në zonat e Evropës, larg vendlindjes së tij. Para nuk kishte dhe asnjë mjek nuk donte që ta vizitonte. Por Jehovai nuk e braktisi. Më në fund, arriti të takohej me specialistin e spitalit vendës. Duke qenë një besimtar i patundur i Biblës, ky njeri dashamirës u kujdes për vëllanë Poetzinger siç do të ishte kujdesur për djalin e vet, duke e bërë këtë pa pagesë. Kur lexojmë këto jetëshkrime, patjetër na forcohet besimi tek Ati ynë qiellor.

Një ndihmë tjetër me vlerë që siguron Jehovai për të forcuar besimin tonë tek ai është privilegji i çmuar i lutjes. Me dashuri, apostulli Pavël na thotë: «Mos jini në ankth për asgjë, por në çdo gjë, kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me lutje dhe përgjërime, bashkë me dhënie falënderimesh.» (Filipianëve 4:6) «Çdo gjë» mund të përfshijë ndjenjat, nevojat, frikën dhe ankthet tona. Sa më të shpeshta e të ndiera të jenë lutjet, aq më i fortë do të jetë besimi ynë te Jehovai.

Kur ishte në tokë, Jezu Krishti disa herë shkonte i vetëm në ndonjë vend të veçuar për t’u lutur, pa u shqetësuar nga të tjerët. (Mateu 14:23; Marku 1:35) Para se të merrte vendime të rëndësishme, kalonte, madje, gjithë natën duke iu lutur Atit të tij. (Luka 6:12, 13) Nuk është për t’u habitur që besimi i Jezuit te Jehovai ishte kaq i fortë, saqë pati mundësi të duronte sprovën më të dhembshme që ka pasur dikush ndonjëherë. Fjalët e tij të fundit kur ishte në shtyllën e torturës qenë: «Atë, në duart e tua e besoj frymën time.» Kjo shprehje sigurie tregoi se deri në fund, besimi i tij tek i Ati nuk ishte zvogëluar, edhe pse Jehovai nuk kishte ndërhyrë për ta shpëtuar.—Luka 23:46.

Një mjet tjetër për të na ndërtuar besimin te Jehovai është shoqërimi i rregullt me ata që besojnë tek ai me gjithë zemër. Jehovai e urdhëroi popullin e tij të mblidhej rregullisht që të mësonte më shumë për të dhe t’i jepnin zemër njëri-tjetrit. (Ligji i përtërirë 31:12; Hebrenjve 10:24, 25) Ky shoqërim ua forconte besimin tek Jehovai, duke u dhënë mundësi të duronin sprova vendimtare besimi. Në një vend afrikan ku vepra e predikimit ishte ndaluar, Dëshmitarëve të Jehovait iu mohua mbrojtja e policisë, dokumentet për të udhëtuar, certifikata e martesës, mjekimi në spitale dhe punësimi. Kur shpërtheu lufta civile në një zonë, 39 anëtarë të një kongregacioni aty afër, duke përfshirë edhe fëmijë, jetuan për rreth katër muaj poshtë një ure të ulët, në shkretëtirë, për t’u shpëtuar bombardimeve në qytetin e tyre. Gjatë vështirësive të tilla të jashtëzakonshme, shqyrtimi i përditshëm i një shkrimi të Biblës, si edhe mbledhjet e tjera, u dhanë atyre shumë forcë. Kështu, patën mundësi ta kalonin këtë vështirësi, pa iu prekur gjendja frymore. Kjo përvojë tregon qartë vlerën që ka të mbledhurit rregullisht me popullin e Jehovait.

Në fund, për ta forcuar besimin tonë te Jehovai, duhet të jemi aktivë në veprën e predikimit të Mbretërisë, duke qenë gjithnjë gati për ta ndarë lajmin e mirë me të tjerët. Kjo u tregua nga përvoja prekëse e një lajmëtareje të zellshme, me moshë të re, në Kanada, e cila ishte me leucemi, një sëmundje e pashërueshme. Me gjithë sëmundjen e rëndë që kishte, ajo donte të bëhej pioniere e rregullt, domethënë, shërbëtore në kohë të plotë. Gjatë një periudhe të shkurtër lehtësimi nga sëmundja, ishte aq mirë me shëndet sa të kalonte një muaj në shërbim si pioniere ndihmëse. Pastaj, gjendja e saj u keqësua dhe vdiq disa muaj më vonë. Megjithatë, mbeti e fortë frymësisht deri në fund dhe besimi te Jehovai nuk iu lëkund as edhe për një çast. E ëma kujton: «Deri në fund, ajo ishte më shumë e shqetësuar për të tjerët sesa për vete. I nxiste që të studionin Biblën, duke u thënë: ‘Do të jemi bashkë në Parajsë.’»

Të japim prova të besimit te Jehovai

«Ashtu si trupi pa frymë është i vdekur, kështu edhe besimi pa vepra është i vdekur.» (Jakovit 2:26) Ajo që tha Jakovi për besimin te Perëndia mund të thuhet edhe për besimin që kemi ne tek Ai. Pavarësisht se sa shumë themi që kemi besim te Perëndia, këto thënie nuk kanë kuptim nëse nuk e tregojmë këtë besim me veprime. Abrahami besoi në mënyrë të plotë te Jehovai dhe dha prova për këtë besim duke iu bindur pa diskutuar urdhrave të tij, madje, deri në atë masë sa ishte gati të flijonte edhe birin e tij, Isakun. Për shkak të këtij besimi dhe të kësaj bindjeje të jashtëzakonshme, Abrahami u bë i njohur si miku i Jehovait.—Hebrenjve 11:8-10, 17-19; Jakovit 2:23.

Nuk duhet të presim që të vijë ndonjë sprovë e rëndë për të treguar besimin që kemi te Jehovai. Jezui u tha dishepujve të tij: «Ai që është i besueshëm në pak, është i besueshëm edhe në shumë dhe ai që është i padrejtë në pak, është i padrejtë edhe në shumë.» (Luka 16:10) Duhet të mësojmë të besojmë te Jehovai në të gjitha punët tona të përditshme, duke iu bindur edhe në gjëra që mund të duken të parëndësishme. Kur vëmë re dobitë që vijnë nga kjo bindje, na forcohet besimi te Ati ynë qiellor, dhe kjo na jep mundësi të përballojmë sprova më të mëdha ose më të tmerrshme.

Ndërsa bota i afrohet fundit të saj shkatërrimtar, është e sigurt se populli i Jehovait do të hasë më shumë sprova dhe vështirësi. (Veprat 14:22; 2 Timoteut 3:12) Duke ndërtuar një besim të fortë dhe të patundur te Jehovai tani, mund të shohim përpara drejt mbijetesës, për të hyrë në botën e tij të re të premtuar: ose duke kaluar të gjallë shtrëngimin e madh, ose duke marrë ringjalljen. (2 Pjetrit 3:13) Le të mos lejojmë kurrë që ndonjë mungesë besimi nga ana jonë të dëmtojë marrëdhënien e çmuar që kemi me Jehovain! Atëherë, ajo që u tha për Danielin, pasi doli nga gropa e luanëve, mund të thuhet edhe për ne: «Nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.»—Danieli 6:23.

[Shënimi]

^ par. 9 Për hollësi, shih Kullën e Rojës të 1 marsit 1995, faqet 23-27.

[Figura në faqen 9]

Duke lexuar tregime për shërbëtorë besnikë të Jehovait, si ai i Martin Poetzingerit, na forcohet besimi