Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nevojat e tij frymore u plotësuan

Nevojat e tij frymore u plotësuan

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Nevojat e tij frymore u plotësuan

QIPROJA është një ishull në cepin verilindor të Detit Mesdhe. Në kohët biblike, Qiproja ishte i njohur për bakrin dhe për drurin me cilësi të shkëlqyer. Pavli dhe Barnaba shpallën atje lajmin e mirë të Mbretërisë, gjatë udhëtimit të tyre të parë misionar. (Veprat 13:4-12) Sot, lajmi i mirë ka ende një ndikim pozitiv në jetën e shumë qipriotëve. Kjo është, patjetër, e vërtetë për Lukasin, një burrë në të 40-at. Ai tregon:

«Kam lindur në një familje me shtatë fëmijë, e cila banonte në një fermë gjedhësh. Që nga fëmijëria e hershme, kisha etje për të lexuar. Libri im më i pëlqyer ishte një botim xhepi i Shkrimeve të Krishtere Greke. Kur isha dhjetëvjeç, së bashku me disa shokë formuam një grup të vogël për studimin e Biblës. Por, nuk zgjati shumë, sepse disa nga të moshuarit e fshatit na quajtën heretikë.

Më vonë, kur shkova në shkollë në Shtetet e Bashkuara, takova njerëz nga shumë prejardhje fetare. Kjo ma zgjoi përsëri dëshirën për gjërat frymore. Kaloja shumë ditë në bibliotekën e universitetit duke studiuar fetë e ndryshme. Shkova edhe në shumë kisha, por, me gjithë përpjekjet e mia, nuk isha ende i kënaqur frymësisht.

Pasi mbarova studimet, u ktheva në Qipro dhe pranova punën si drejtor i një laboratori mjekësor. Një i moshuar me emrin Antonis, një Dëshmitar i Jehovait, më bënte vizita në vendin ku punoja. Gjithsesi, vizitat e tij nuk kaluan pa u vënë re nga kisha ortodokse greke.

S’kaloi shumë kohë dhe më bëri vizitë një teolog, i cili më nxiti që të mos flitja me Dëshmitarët e Jehovait. Duke qenë se që nga fëmijëria më kishin mësuar se kisha ortodokse greke kishte të vërtetën, u nënshtrova dhe nuk pranova më vizita nga Antonisi, por fillova të bëja biseda për Biblën me teologun. Vizitova edhe shumë manastire në Qipro. Madje, bëra një udhëtim deri në veri të Greqisë, për të vizituar malin Atos, i cili mbahet si mali më i shenjtë në botën ortodokse. Megjithatë, pyetjet që kisha për Biblën mbetën pa përgjigje.

Pastaj, iu luta Perëndisë që të më ndihmonte të gjeja të vërtetën. Pak kohë më pas, Antonisi përsëri erdhi për të më vizituar në vendin ku punoja dhe e ndjeva se kjo ishte përgjigjja e lutjes sime. Prandaj, nuk u takova më me teologun dhe fillova të studioja Biblën me Antonisin. Vazhdova të bëja përparim dhe, në tetor të vitit 1997, e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.

Gruaja dhe dy vajzat e mëdha, me moshë 14 dhe 10 vjeçe në atë kohë, në fillim më kundërshtuan. Por, për shkak të sjelljes sime të mirë, gruaja vendosi të ndiqte një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. I bëri shumë përshtypje mirëdashja e Dëshmitarëve dhe interesi personal që treguan. I bëri veçanërisht përshtypje se si e përdornin Biblën. Kështu, gruaja dhe dy vajzat e mëdha pranuan një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. Përfytyroni kënaqësinë time kur që të tria u pagëzuan në Kongresin Krahinor ‘Fjala profetike e Perëndisë’, në vitin 1999!

Po, përpjekjet e mia për të gjetur të vërtetën nuk shkuan kot. Tani, e gjithë familja jonë, duke përfshirë gruan dhe katër fëmijët, është e bashkuar në adhurimin e pastër të Jehovait.»