Normave të kujt mund t’u besoni?
Normave të kujt mund t’u besoni?
Një turist që vizitonte për herë të parë Afrikën u habit kur pa një njeri që qëndronte drejt në këmbë, anës rrugës. Ai vuri re se pasi kalonin disa minuta, njeriu tërhiqte këmbët zvarrë dhe lëvizte, por gjithnjë shumë pak, nga njëri krah, ndërsa qëndronte drejt në këmbë. Vetëm më vonë, vizitori kuptoi përse ai njeri lëvizte ashtu. Në të vërtetë, ai po përpiqej të rrinte nën hijen e një shtylle telefoni. Hija lëvizte ngadalë, ndërsa dielli i pasdites ndërronte pozicion.
ASHTU si hija që shkakton dielli, ngjarjet dhe normat njerëzore janë gjithnjë në zhvendosje dhe në ndryshim e sipër. Në të kundërt, Perëndia Jehova, «Ati i dritave qiellore», nuk ndryshon kurrë. «Tek ai,—shkroi dishepulli Jakov,—nuk ka ndryshim të rrotullimit të hijes.» (Jakovit 1:17) Profeti hebre Malakia hodhi me shkrim thënien e vetë Perëndisë: «Unë jam Zoti, nuk ndryshoj.» (Malakia 3:6) Në ditët e Isaisë, Perëndia i tha kombit të Izraelit: «Deri në pleqërinë tuaj unë do të mbetem po ai, unë do t’ju mbaj deri sa të thinjeni. Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah.» (Isaia 46:4) Prandaj, koha që kalon nuk e ndryshon besimin që mund të kemi në premtimet e të Plotfuqishmit.
Një mësim nga Ligji
Siç janë të besueshme e të pandryshueshme premtimet e Jehovait, po ashtu janë edhe normat e tij për të drejtën dhe të gabuarën. A do t’i besonit një tregtari Fjalët e urta 11:1; 20:10) Në Ligjin që u dha izraelitëve, Jehovai përfshiu këtë urdhër: «Nuk do të bëni padrejtësi në gjykime, përsa u përket masave të gjatësisë, të peshës dhe të kapacitetit. Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit.»—Levitiku 19:35, 36.
që përdor dy pesha, vetëm njëra prej të cilave është e saktë? Patjetër që jo. Në mënyrë të ngjashme, «peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen». (Bindja ndaj këtij urdhri u solli izraelitëve miratimin e Perëndisë, si edhe shumë dobi materiale. Në mënyrë të ngjashme, t’u përmbahemi normave të pandryshueshme të Jehovait, jo vetëm në pesha e në masa, por në të gjitha fushat e jetës, sjell si pasojë bekime për adhuruesit që besojnë tek ai. Perëndia shpall: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.»—Isaia 48:17.
Përse normat sot janë në rënie?
Bibla tregon arsyen përse normat sot janë në rënie. Libri i fundit i Biblës, Zbulesa, përshkruan një luftë në qiell, përfundimi i së cilës ka ndikuar te të gjithë njerëzit deri sot e kësaj dite. Apostulli Gjon shkroi: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan, por nuk fitoi dhe për ta nuk u gjend më vend në qiell. Kështu, dragoi i madh u hodh poshtë, gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar; u hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të.»—Zbulesa 12:7-9.
Cila qe pasoja e menjëhershme e kësaj lufte? Gjoni vazhdoi: «Prandaj, gëzohuni, o qiej dhe ju që banoni në ta! Mjerë për tokë e për det, sepse Djalli ka zbritur ndër ju, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe!»—Zbulesa 12:12.
‘Mjerimi për tokën’ erdhi kur shpërtheu Lufta I Botërore në vitin 1914 dhe i dha fund një epoke me norma shumë të ndryshme nga ato që janë sot. «Lufta e Madhe e viteve 1914-1918 qëndron si një rrip toke i shkretë që ndan atë epokë nga epoka jonë,—vëren Barbara Tuçmani, një historiane.—Duke marrë kaq shumë jetë njerëzish të cilët do të kishin dhënë mjaft në vitet që pasuan, duke shkatërruar bindjet, duke ndryshuar idetë dhe duke hapur plagë të pashërueshme zhgënjimi, kjo luftë krijoi një hendek fizik dhe psikologjik midis dy epokave.» Një historian tjetër, Erik Hobsbaumi është i po këtij mendimi: «Që nga viti 1914, ka pasur një kthim prapa të dukshëm nga normat që në atë kohë shiheshin si normale në vendet e zhvilluara . . . Nuk është e lehtë të kuptojmë përmasat e rikthimit, mjerisht me ritme të shpejta, në ato që paraardhësit tanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë do t’i kishin quajtur normat e barbarizmit.»
Shkrimtari i librit Humanity—A Moral History of the Twentieth Century, Xhonatan Gloveri, vëren: «Një veçori e kohës sonë është zhdukja e ligjit moral.» Ndonëse ka dyshime se një ligj moral mund të vijë nga një burim i jashtëm (për shkak të rënies së fesë në botën e Perëndimit), ai paralajmëron: «Edhe ata prej nesh që nuk besojnë në një ligj moral fetar, duhet të shqetësohen për faktin se ai po zhduket.»
Shpërdorimi i sotëm i besimit, qoftë në tregti, politikë ose fe, qoftë edhe në marrëdhëniet personale dhe familjare, si edhe pasojat e tmerrshme të kësaj, janë pjesë e planit të lig të Djallit për të sjellë mjerim mbi banorët e tokës. Satanai është i vendosur për ta çuar deri në fund luftën e tij dhe për të marrë me vete të gjithë ata që përpiqen të jetojnë sipas normave të Perëndisë.—Zbulesa 12:17.
A ka ndonjë rrugëdalje, ndonjë zgjidhje ndaj shpërdorimit të besimit, shumë të përhapur sot? Apostulli Pjetër përgjigjet: «Sipas premtimit të [Perëndisë], ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» (2 Pjetrit 3:13) Këtij premtimi mund t’i besojmë, sepse Perëndia jo vetëm që ka fuqi ta plotësojë qëllimin e tij, por edhe na siguron për përmbushjen e këtij qëllimi. Lidhur me çdo ‘fjalë që del nga goja e tij’ Jehovai thotë: «Nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.» Vërtet një premtim i besueshëm!—Isaia 55:11; Zbulesa 21:4, 5.
Të jetojmë sipas normave të Perëndisë
Në një botë me norma që luhaten e që janë në rënie, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jetojnë sipas normave të sjelljes që jep Bibla. Për pasojë, ata janë ndryshe nga shumica e njerëzve dhe, shpesh, kjo ka tërhequr vëmendjen, si edhe përbuzjen e të tjerëve.
Në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Londër, një reporter televiziv pyeti një përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait nëse ata janë vërtet të krishterë. Ai u përgjigj: «Po, dhe kjo sepse modeli ynë është Jezui. Në botë ka shumë egoizëm, prandaj ne përqendrohemi te Jezu Krishti si udha, e vërteta dhe jeta. Besojmë se ai është Biri i Perëndisë, jo pjesë e një Triniteti, kështu, kuptueshmëria që kemi për Biblën është e ndryshme nga ajo e fesë tradicionale.»
Kur intervista u transmetua në rrjetin televiziv BBC, reporteri e përfundoi programin duke thënë: «Kam mësuar shumë arsye të mëtejshme përse Dëshmitarët e Jehovait vijnë e trokasin në derën tonë. Veç kësaj, s’besoj se kam parë herë tjetër 25.000 njerëz të veshur kaq mirë e kaq të sjellshëm, të gjithë së bashku në një vend, në të njëjtën kohë.» Kjo vërtet është një dëshmi e shkëlqyer nga një vëzhgues i jashtëm, duke vërtetuar sa e mençur është t’u përmbahemi normave të pandryshueshme të Perëndisë.
Ndonëse disave mund të mos u pëlqejë ideja që të jetojnë sipas normave të cilat nuk i kanë vendosur vetë, ju nxitim që të shqyrtoni Biblën tuaj dhe të mësoni cilat janë normat e Perëndisë. Por, mos u mjaftoni vetëm me një shqyrtim sipërfaqësor. Ndiqni këshillën e apostullit Pavël: «Mjaft u formuat sipas këtij sistemi, por transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Shkoni në Sallën e Mbretërisë që ndodhet afër jush dhe njihuni me Dëshmitarët e atjeshëm. Do të zbuloni se ata janë njerëz të zakonshëm, të cilët u besojnë premtimeve të Biblës dhe e tregojnë besimin që kanë te Perëndia duke u përpjekur të jetojnë sipas normave të tij.
T’u përmbaheni normave të pandryshueshme e të denja për besim të Perëndisë në jetën tuaj do t’ju sjellë me siguri bekime. Vërini veshin ftesës që bën Perëndia: «Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»—Isaia 48:18.
[Figurat në faqen 5]
Sot besimi i njerëzve po shpërdorohet në tregti, në politikë, në fe dhe në marrëdhëniet familjare