Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrëfimi që çon në shërim

Rrëfimi që çon në shërim

Rrëfimi që çon në shërim

«NDËRSA po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën. Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës.» (Psalmi 32:3, 4) Këto fjalë prekëse mund të kenë pasqyruar dhembjen e thellë emocionale që ndiente Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, dhembje që e kishte shkaktuar vetë, duke fshehur një mëkat të rëndë, në vend që ta rrëfente.

Davidi ishte njeri me aftësi të jashtëzakonshme. Ishte luftëtar trim, burrë shteti i aftë, poet dhe muzikant. Megjithatë, nuk mbështetej tek aftësitë e veta, por te Perëndia i tij. (1 Samuelit 17:45, 46) U përshkrua si një njeri, zemra e të cilit ishte «e plotë ndaj Jehovait». (1 Mbretërve 11:4, BR) Por, një mëkat që kreu ishte veçanërisht i dënueshëm dhe ai mund ta ketë pasur fjalën për këtë te Psalmi 32. Mund të mësojmë shumë duke shqyrtuar rrethanat që e çuan Davidin në mëkat. Do të dallojmë grackat që duhen shmangur, si edhe do të shohim nevojën për t’i rrëfyer mëkatet tona, me qëllim që të rivendosim marrëdhënien me Perëndinë.

Një mbret besnik ra në mëkat

Kombi izraelit kishte ndërmarrë një fushatë ushtarake kundër amonitëve, por Davidi gjendej në Jerusalem. Një mbrëmje, ndërsa po shëtiste në tarracën e pallatit të tij, në një shtëpi fqinje vuri re një grua të bukur që po lahej. Nuk arriti të ushtronte vetëkontroll, por filloi ta dëshironte me pasion këtë grua. Pasi mori vesh se ajo quhej Betsheba dhe ishte e shoqja e Uriahut (një ushtar në ushtrinë e tij), Davidi çoi fjalë që ajo grua të vinte dhe kreu kurorëshkelje me të. Pas njëfarë kohe, Betsheba e informoi Davidin se ishte shtatzënë.—2 Samuelit 11:1-5.

Davidi ishte në kurth. Nëse merrej vesh mëkati i tyre, dënimi për të dy ishte vdekja. (Levitiku 20:10) Prandaj, ai thuri një plan. Thirri nga beteja të shoqin e Betshebës, Uriahun dhe pasi e pyeti gjerë e gjatë për luftën, i tha të kthehej në shtëpi. Ai shpresonte se kështu do të dukej sikur Uriahu ishte i ati i fëmijës së Betshebës.—2 Samuelit 11:6-9.

Për zhgënjimin e Davidit, Uriahu nuk shkoi te gruaja e tij. Tha se ishte e pamendueshme që ai të shkonte në shtëpi, ndërsa ushtria po përballonte kufizimet e betejës. Kur një ushtri izraelite bënte një fushatë ushtarake, burrat përmbaheshin nga marrëdhëniet seksuale, madje edhe me gratë e tyre. Duhej të mbeteshin të pastër nga ana ceremoniale. (1 Samuelit 21:5) Atëherë, Davidi e ftoi Uriahun të hanin bashkë dhe e bëri të dehej, por ai prapë nuk shkoi në shtëpi, tek e shoqja. Sjellja besnike e Uriahut e dënoi mëkatin e rëndë të Davidit.—2 Samuelit 11:10-13.

Kurthi që Davidit ia kishte ngritur vetë mëkati i tij, po ngushtohej edhe më shumë. Në atë gjendje të dëshpëruar, ai pa vetëm një rrugëdalje. E dërgoi përsëri Uriahun në betejë, me një shënim për gjeneralin e ushtrisë, Joabin. Qëllimi i shënimit të shkurtër ishte i qartë: «Vendoseni Uriahun në vijë të parë, ku beteja është më e ashpër, pastaj tërhiquni nga ai, me qëllim që të goditet dhe të vdesë.» Me një të rënë lapsi, mbreti i fuqishëm dukej se i kishte mbuluar gjurmët, duke e dërguar Uriahun drejt vdekjes.—2 Samuelit 11:14-17.

Sapo mbaroi periudha që Betsheba duhej të mbante zi për të shoqin, Davidi u martua me të. Kaloi kohë dhe atyre u lindi fëmija. Gjithë këtë kohë, Davidi qëndroi në heshtje për mëkatet e tij. Ndoshta po përpiqej t’ia justifikonte vetes veprimet që kishte bërë. A nuk vdiq me nder Uriahu në betejë, siç kishin vdekur edhe të tjerë? Për më tepër, a nuk kishte treguar mosbindje ai ndaj mbretit të tij, duke mos pranuar të shkonte te gruaja e vet? ‘Zemra tradhtare’ do të përpiqet të përdorë çdo lloj arsyetimi në përpjekje për të justifikuar mëkatin.—Jeremia 17:9, BR; 2 Samuelit 11:25.

Gabime që çojnë në mëkat

Si ka mundësi që Davidi, një dashurues i drejtësisë, të arrinte deri në kurorëshkelje dhe në vrasje? Farërat e mëkatit të tij, me sa duket, u mbollën brenda një harku kohor. Mund të pyesim veten përse Davidi nuk ishte me njerëzit e tij, duke i mbështetur në fushatën ushtarake kundër armiqve të Jehovait. Në të kundërt, Davidi po çlodhej në pallatin e tij, ku realitetet e luftës ishin shumë larg që t’ia hiqnin dëshirën e gabuar për gruan e një ushtari besnik. Sot, për të krishterët e vërtetë është një mbrojtje të jenë të përfshirë aktivisht në gjërat frymore me kongregacionet e tyre dhe të marrin pjesë rregullisht në veprën e ungjillëzimit.—1 Timoteut 6:12.

Mbreti izraelit ishte udhëzuar të bënte një kopje të Ligjit dhe ta lexonte përditë. Bibla jep arsyen për këtë: «Që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve; me qëllim që zemra e tij të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij dhe të mos shmanget nga ky urdhërim as djathtas, as majtas.» (Ligji i përtërirë 17:18-20) Me sa duket, Davidi mund të mos e ketë ndjekur këtë udhëzim në kohën kur kreu këto mëkate të rënda. Studimi i rregullt dhe meditimi rreth Fjalës së Perëndisë patjetër do të na ndihmojë duke na ruajtur nga keqbërja në këto kohë kritike.—Fjalët e urta 2:10-12.

Për më tepër, i fundit nga Dhjetë Urdhërimet thoshte në mënyrë specifike: «Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd.» (Eksodi 20:17) Në atë kohë, Davidi kishte disa gra dhe konkubina. (2 Samuelit 3:2-5) Por kjo nuk e pengoi që të dëshironte një grua tjetër tërheqëse. Ky tregim na kujton sa serioze janë fjalët e Jezuit: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.» (Mateu 5:28) Në vend që t’i ushqejmë këto dëshira të papërshtatshme, le të jemi të shpejtë për t’i hequr nga mendja e nga zemra.

Pendimi dhe mëshira

Tregimi i çiltër i Biblës për mëkatin e Davidit, patjetër, nuk është shkruar për të kënaqur interesin seksual të ndonjërit. Ai dokumentim na jep mundësi të dallojmë shprehjen e fuqishme dhe tërheqëse të njërës nga cilësitë e Jehovait: të mëshirës së tij.—Eksodi 34:6, 7.

Pasi Betsheba kishte lindur një djalë, Jehovai dërgoi profetin Natan që të bënte një ballafaqim me Davidin. Ky ishte një veprim i mëshirshëm. Nëse Davidit nuk do t’i ishte afruar asnjëri dhe ai vetë do të kishte qëndruar në heshtje, ndoshta do të ishte ngurtësuar në rrugën e mëkatit. (Hebrenjve 3:13) Lumturisht, Davidi iu përgjigj mëshirës së Perëndisë. Fjalët e Natanit—të thëna me mjeshtëri, por qartë—e prekën në ndërgjegje Davidin, i cili me përulësi pranoi se kishte mëkatuar kundër Perëndisë. Në të vërtetë, Psalmi 51 që flet për mëkatin e Davidit me Betshebën, u kompozua pasi ai ishte penduar dhe kishte rrëfyer mëkatin e tij të rëndë. Le të mos lejojmë kurrë që të na ngurtësohet zemra, nëse na ndodh të kryejmë ndonjë mëkat të rëndë!—2 Samuelit 12:1-13.

Davidi u fal, por nuk iu kursye disiplina ose pasojat e mëkatit të tij. (Fjalët e urta 6:27) E si mund të kishte ndodhur ndryshe? Nëse Perëndia thjesht do ta anashkalonte çdo gjë, normat e tij do të shkeleshin. Ai do të ishte i pasuksesshëm, si kryeprifti Eli, i cili i qortoi butësisht bijtë e tij të ligj dhe pastaj i la të vazhdonin me veprat e tyre të këqija. (1 Samuelit 2:22-25) Gjithsesi, Jehovai nuk e përjashton personin e pikëlluar nga dashamirësia e Tij. Mëshira e tij, si ujë i ftohtë e freskues, do ta ndihmojë personin që ka gabuar të durojë pasojat e mëkatit. Ngrohtësia e faljes hyjnore dhe shoqëria ndërtuese me bashkadhuruesit janë rigjallëruese. Po, në bazë të shpërblesës së Krishtit, i penduari mund të arrijë të shijojë ‘pasurinë e dashamirësisë së pamerituar [të Perëndisë]’.—Efesianëve 1:7.

«Një zemër të kulluar» dhe «një frymë të re»

Pasi i kishte rrëfyer mëkatet, Davidi nuk u pushtua nga një ndjenjë negative pavlefshmërie. Shprehjet e tij në psalmet që shkroi për rrëfimet tregojnë lehtësimin që ndjeu dhe vendosmërinë e tij për t’i shërbyer Perëndisë me besnikëri. Të shohim, për shembull, Psalmin 32. Në vargun 1, lexojmë: «Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!» Sado i rëndë të jetë mëkati, nëse një person e ka me gjithë zemër pendimin e tij, përfundimi mund të jetë i lumtur. Një mënyrë për ta treguar këtë çiltërsi është duke pranuar të gjithë përgjegjësinë për veprimet, siç bëri Davidi. (2 Samuelit 12:13) Ai nuk u përpoq ta justifikonte veten para Jehovait ose t’ia hidhte fajin të tjerëve. Në vargun 5 thuhet: «Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: ‘Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit’ dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim.» Rrëfimi i çiltër sjell lehtësim, kështu që një person nuk duhet ta brejë më ndërgjegjja për shkeljet e kaluara.

Pasi iu lut Jehovait që ta falte, Davidi kërkoi: «Krijo tek unë një zemër të kulluar, o Perëndi, dhe vendos brenda meje një frymë të re, të palëkundur.» (Psalmi 51:10, BR) Fakti që kërkoi «një zemër të kulluar» dhe «një frymë të re» tregon se Davidi ishte i vetëdijshëm për prirjen mëkatare që kishte dhe se kishte nevojë për ndihmën e Perëndisë që ta pastronte zemrën e tij dhe t’ia fillonte nga e para. Në vend që të binte në vetëmëshirim, ai ishte i vendosur të sulej përpara në shërbimin ndaj Perëndisë. Davidi u lut: «O Zot, hap buzët e mia dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.»—Psalmi 51:15.

Cila qe përgjigjja e Jehovait ndaj pendimit me gjithë zemër të Davidit dhe përpjekjeve të tij të vendosura për t’i shërbyer atij? Ai i dha Davidit këtë siguri që ta ngroh zemrën: «Do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.» (Psalmi 32:8) Këtu kemi siguri të vëmendjes personale që i kushton Jehovai ndjenjave dhe nevojave të personit të penduar. Jehovai ndërmori hapa për t’i dhënë Davidit më shumë gjykim të thellë, aftësinë për të parë përtej pamjes së jashtme të gjërave. Nëse do të haste tundim në të ardhmen, ai do të ishte në gjendje të kuptonte përfundimin e veprimeve të tij dhe pasojat që do të kishin ato te të tjerët, si dhe do të ishte në gjendje të vepronte me maturi.

Kjo ngjarje në jetën e Davidit shërben për t’u dhënë zemër të gjithë atyre që kanë rënë në mëkat të rëndë. Duke e rrëfyer mëkatin dhe duke treguar pendim me gjithë zemër, mund të rifitojmë zotërimin më të çmuar që kemi, marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova. Dhembja e përkohshme dhe turpi që mund të na duhet të durojmë është shumë më mirë sesa angështia e qëndrimit në heshtje ose pasojat e tmerrshme që vijnë nëse e lejojmë veten të ngurtësohemi në një drejtim rebel. (Psalmi 32:9) Në vend të kësaj, mund të provojmë faljen e përzemërt të një Perëndie të dashur e të mëshirshëm, i cili është «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi».—2 Korintasve 1:3.

[Figura në faqen 31]

Davidi shpresonte t’u shpëtonte pasojave të mëkatit të tij, duke e dërguar Uriahun drejt vdekjes