Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ecim përpara drejt fitores përfundimtare!

Të ecim përpara drejt fitores përfundimtare!

Të ecim përpara drejt fitores përfundimtare!

«Ja, një kalë i bardhë; dhe ai që rrinte mbi të kishte një hark; atij iu dha një kurorë e ai doli duke fituar dhe për të plotësuar fitoren e tij.»—ZBULESA 6:2.

1. Cilat ngjarje të ardhme pa Gjoni në vegim?

NËN frymëzim nga Perëndia, apostulli Gjon pati mundësi të shihte një ngjarje të rreth 1.800 vjetëve më vonë dhe të përshkruante kurorëzimin e Krishtit si Mbret. Gjoni kishte nevojë për besim që të bindej se ajo që pa në vegim do të përmbushej. Sot, ne kemi dëshmi të qarta se ky kurorëzim i parathënë ndodhi në vitin 1914. Me sytë e besimit, e shohim Jezu Krishtin që del «duke fituar dhe për të plotësuar fitoren e tij».

2. Si u kundërpërgjigj Djalli ndaj lindjes së Mbretërisë dhe çfarë dëshmon kjo?

2 Pas lindjes së Mbretërisë, Satanai u dëbua nga qielli, dhe kjo e bëri që të luftonte më fort dhe me më shumë furi, por nuk ia shtoi aspak mundësitë për sukses. (Zbulesa 12:7-12) Zemërimi i tij ka bërë që kushtet botërore të bëhen gjithnjë e më kritike. Shoqëria njerëzore duket sikur po shpërbëhet. Për Dëshmitarët e Jehovait kjo është dëshmi e qartë se Mbreti i tyre po ecën përpara «për të plotësuar fitoren e tij».

Shoqëria e botës së re në formim

3, 4. (a) Cilat ndryshime organizative janë bërë në kongregacionin e krishterë që nga lindja e Mbretërisë dhe përse ishin të nevojshme ato? (b) Çfarë dobie kanë sjellë këto ndryshime, siç e paratha Isaia?

3 Pasi kishte lindur Mbretëria, ishte koha që kongregacioni i krishterë i rivendosur—tani me përgjegjësi më të mëdha të Mbretërisë—të vihej më në harmoni me modelin e kongregacionit të krishterë të shekullit të parë. Kështu, në numrat e 1 dhe 15 qershorit 1938 (anglisht), Kulla e Rojës shqyrtoi mënyrën se si duhet të funksiononte kongregacioni i krishterë. Më vonë, numri i 15 dhjetorit 1971 (anglisht) e identifikoi më qartë Trupin Udhëheqës të ditëve tona, në artikullin «Trupi Udhëheqës, i ndryshëm nga një korporatë ligjore». Në vitin 1972, u caktuan trupa pleqsh për të siguruar ndihmë dhe drejtim për secilin kongregacion.

4 Rivendosja e mbikëqyrjes së duhur e forcoi shumë kongregacionin e krishterë. Për këtë ndihmuan edhe rregullimet e bëra nga Trupi Udhëheqës për t’u dhënë pleqve udhëzime lidhur me detyrat e tyre, duke përfshirë edhe stërvitjen në çështjet gjyqësore. Zhvillimet graduale që kishin të bënin me organizatën tokësore të Perëndisë dhe përfundimet pozitive të këtyre zhvillimeve ishin parathënë tek Isaia 60:17, ku thuhet: «Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjyqtarin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.» Këto ndryshime pozitive pasqyruan bekimin hyjnor dhe dhanë dëshmi të miratimit të Perëndisë ndaj atyre që e kishin mbështetur me zell Mbretërinë e tij.

5. (a) Si iu kundërpërgjigj Satanai bekimit që derdhi Jehovai mbi popullin e Tij? (b) Në harmoni me Filipianëve 1:7, si i është kundërpërgjigjur populli i Jehovait zemërimit të Satanait?

5 Vëmendja dhe udhëheqja e dashur që i dha Perëndia popullit të tij pas lindjes së Mbretërisë nuk kaluan pa u vënë re nga Satanai. Shqyrtoni shembujt e mëposhtëm. Në vitin 1931, ky grup i vogël të krishterësh shpalli hapur se ata ishin më tepër sesa vetëm Studentë të Biblës. Në përputhje me Isainë 43:10, ishin Dëshmitarë të Jehovait! Rastësisht ose jo, Djalli shfreu në gjithë botën një valë përndjekjeje të paparë ndonjëherë. Edhe në vendet që normalisht janë të njohura për lirinë fetare, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Gjermania, Dëshmitarët u detyruan që disa herë me radhë të bënin beteja ligjore për të ruajtur lirinë e tyre të adhurimit. Deri në vitin 1988, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara kishte rishikuar 71 çështje gjyqësore që përfshinin Dëshmitarët e Jehovait, në dy të tretat e të cilave u morën vendime në favor të tyre. Sot, anembanë botës betejat ligjore vazhdojnë, me qëllim që, ashtu si në shekullin e parë, të mund të bëhet ‘mbrojtja dhe themelimi ligjërisht i lajmit të mirë’.—Filipianëve 1:7.

6. A e kanë penguar ndalimet dhe kufizimet popullin e Jehovait që të ecë përpara? Ilustrojeni.

6 Gjatë viteve 30 të shekullit të 20-të, në ditët që i paraprinë Luftës II Botërore, qeveritë diktatoriale vunë ndalime ose kufizime mbi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, Spanjë dhe Japoni, për të përmendur vetëm tri shtete. Por, në vitin 2000, vetëm këto tri vende së bashku kishin pothuajse 500.000 lajmëtarë aktivë të Mbretërisë së Perëndisë. Ky ishte një numër pothuajse dhjetë herë më i madh se numri i Dëshmitarëve që ishin në tërë botën në vitin 1936. Është e qartë se ndalimet dhe kufizimet nuk mund ta pengojnë popullin e Jehovait që të ecë përpara nën Udhëheqësin fitimtar, Jezu Krishtin.

7. Cila ngjarje e jashtëzakonshme ndodhi në vitin 1958 dhe çfarë ndryshimi dramatik ka ndodhur që nga ajo kohë?

7 Sa qartë u shfaq në vitin 1958 kjo ecje përpara, kur në qytetin e Nju-Jorkut u mbajt kongresi më i madh që kishin pasur ndonjëherë Dëshmitarët e Jehovait, Asambleja Ndërkombëtare «Vullneti Hyjnor», me një maksimum prej 253.922 të pranishmish. Në vitin 1970, vepra e tyre ishte hapur në tri vendet e përmendura më sipër, me përjashtim të asaj që atëherë njihej si Gjermania Lindore. Por, Dëshmitarët ishin ende në ndalim në Bashkimin Sovjetik, një vend shumë i madh, dhe në kombet aleate të tij në Traktatin e Varshavës. Sot, në këto kombe ish-komuniste ka më shumë se gjysmë milioni Dëshmitarë aktivë.

8. Cila ka qenë pasoja e bekimit të Jehovait mbi popullin e tij dhe çfarë tha Kulla e Rojës në vitin 1950 për këtë?

8 Dëshmitarët e Jehovait janë bekuar me rritje, sepse kanë vazhduar të ‘kërkojnë më parë mbretërinë dhe drejtësinë e [Perëndisë]’. (Mateu 6:33) Profecia e Isaisë tashmë është përmbushur në kuptimin e mirëfilltë: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.» (Isaia 60:22) Por s’ka mbaruar ende. Vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit, numri i përkrahësve aktivë të sundimit të Mbretërisë është rritur me më shumë se 1.750.000 veta. Këta janë bërë vullnetarisht pjesë e një grupi, për të cilin një Kullë Roje e vitit 1950 bëri këtë koment: «Tani Perëndia po bën gati një shoqëri të botës së re. . . . Ky grup njerëzish do të mbijetojë Harmagedonin, . . . do të jenë të parët në skenë në ‘botën e re’ . . . , të organizuar në mënyrë teokratike, me njohuri praktike për procedurat organizative.» Artikulli mbyllej me fjalët: «Përpara, pra, me vendosmëri, të gjithë së bashku, si një shoqëri e botës së re!»

9. Si kanë dalë të dobishme gjërat që kanë mësuar Dëshmitarët e Jehovait gjatë viteve?

9 Ndërkaq, kjo shoqëri gjithnjë në rritje e botës së re ka mësuar se si t’i bëjë gjërat me lehtësi dhe efektshmëri. Kjo gjë ka dalë shumë e vlefshme sot dhe ndoshta do të jetë e tillë edhe gjatë punës së rivendosjes pas Harmagedonit. Për shembull, Dëshmitarët kanë mësuar të organizojnë kongrese të mëdha, të japin me të shpejtë ndihmë në raste urgjence dhe të ndërtojnë me shpejtësi ndërtesa. Kjo veprimtari ka bërë që shumë veta t’i shohin me admirim dhe vlerësim Dëshmitarët e Jehovait.

Ndreqen përshtypjet e gabuara

10, 11. Ilustroni si janë ndrequr përshtypjet e gabuara për Dëshmitarët e Jehovait.

10 Prapëseprapë, ka njerëz që i akuzojnë Dëshmitarët e Jehovait se nuk ecin në një hap me shoqërinë njerëzore. Këtë e thonë kryesisht për shkak të qëndrimit të bazuar në Bibël që mbajnë Dëshmitarët për çështje të tilla, si: transfuzionet e gjakut, asnjanësia, pirja e duhanit dhe morali. Mirëpo, njerëzit në tërësi po fillojnë ta pranojnë gjithnjë e më tepër se pikëpamjet e Dëshmitarëve ia vlejnë të shqyrtohen. Për shembull, një mjeke në Poloni mori në telefon zyrën administrative të Dëshmitarëve të Jehovait, duke thënë se ajo dhe kolegët e saj në spital kishin debatuar për disa orë me radhë, për çështjen e transfuzioneve të gjakut. Diskutimi lindi nga një artikull që kishte dalë atë ditë në të përditshmen polake Dziennik Zachodni. «Personalisht, nuk më vjen mirë që gjaku përdoret tepër në fushën e mjekësisë,—pranoi mjekja.—Kjo duhet të ndryshojë dhe jam e lumtur që dikush e ka prekur këtë çështje. Do të doja më shumë të dhëna.»

11 Gjatë një konference të mbajtur vitin e kaluar në Zvicër, autoritete të mjekësisë nga Evropa, Izraeli, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, trajtuan një material të bërë posaçërisht për të ndihmuar mjekët që t’i kurojnë pacientët pa përdorur gjak. Në këtë mbledhje u theksua se, në kundërshtim me mendimin e përhapur, shkalla e vdekshmërisë te pacientët që kanë bërë transfuzione gjaku është, në të vërtetë, më e lartë se ajo e pacientëve që nuk kanë bërë transfuzione. Pacientët Dëshmitarë, në përgjithësi, kanë qenë në gjendje të dalin nga spitali më shpejt se ata që trajtoheshin me gjak, dhe kjo, nga ana e vet, zakonisht e ka ulur koston e mjekimit.

12. Jepni një shembull se si individë të shquar kanë lavdëruar qëndrimin që morën Dëshmitarët e Jehovait lidhur me asnjanësinë politike.

12 Shumë komente pozitive janë bërë, gjithashtu, për qëndrimin asnjanës që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait para dhe gjatë Luftës II Botërore, kur përballuan me guxim masakrën naziste. Për videokasetën Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur kundër sulmit nazist, prodhuar nga Dëshmitarët e Jehovait, janë bërë shumë komente të favorshme. Në mënyrë të përshtatshme, kjo videokasetë u shfaq për herë të parë në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut, në Gjermani, më 6 nëntor 1996. Në ceremoninë e hapjes së një shfaqjeje të ngjashme në kampin famëkeq të përqendrimit në Bergen-Belsen, më 18 prill 1998, drejtori i Qendrës për Arsimimin Politik në Saksoninë e Poshtme, dr. Volfgang Shil pranoi: «Një nga të vërtetat e sikletshme të historisë është se Dëshmitarët e Jehovait e hodhën poshtë nacional-socializmin me shumë më tepër vendosmëri se kishat e krishtere. . . . Pavarësisht se çfarë mendojmë për mësimet dhe zellin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait, palëkundshmëria e tyre gjatë regjimit nazist e meriton nderimin tonë.»

13, 14. (a) Cili koment i mençur në mbështetje të të krishterëve të hershëm erdhi nga një burim i papritur? (b) Jepni shembuj të komenteve të favorshme që janë bërë sot për popullin e Perëndisë.

13 Kur individë të shquar ose vendime gjyqi përkrahin Dëshmitarët e Jehovait për çështje të debatuara, mund të pakësojnë paragjykimet dhe bëjnë që Dëshmitarët t’i shohin në mënyrë më pozitive. Shpesh, kjo hap udhën që ata të flasin me njerëz të cilët më parë nuk donin fare të dëgjonin. Prandaj, veprime të tilla janë të mirëpritura dhe Dëshmitarët e Jehovait i vlerësojnë vërtet ato. Kjo na kujton atë që ndodhi në shekullin e parë në Jerusalem. Kur Sinedri, gjykata e lartë judaike, donte t’i vriste të krishterët për shkak të predikimit të tyre të zellshëm, Gamalieli, «një mësues i Ligjit i vlerësuar nga i gjithë populli» i paralajmëroi duke thënë: «Burra të Izraelit, hapni sytë për atë që keni ndër mend t’u bëni këtyre burrave. . . . Mos u përzieni me këta njerëz, por lërini rehat (sepse nëse ky plan ose kjo vepër është nga njerëzit do të mposhtet, por nëse është nga Perëndia, ju nuk do të jeni në gjendje t’i mposhtni;) përndryshe, ka të ngjarë të gjendeni duke luftuar faktikisht kundër Perëndisë.»—Veprat 5:33-39.

14 Ashtu si Gamalieli, individë të shquar kohët e fundit kanë folur hapur në mbrojtje të lirisë fetare për Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, ish-drejtuesi i Akademisë Ndërkombëtare për Lirinë e Fesë dhe të Besimit argumentoi: «Të drejtat fetare të një feje nuk duhen mohuar vetëm sepse bindjet e saj shoqëria i quan të papranueshme ose jotradicionale.» Gjithashtu, një profesor i studimeve shkencore të fesë në universitetin e Lajpcigut bëri një pyetje të rëndësishme lidhur me një komision qeveritar gjerman, të ngritur për të hetuar të ashtuquajturat sekte fetare. Ai pyeti: «Përse vetëm pakicat fetare duhet të hetohen me imtësi, dhe jo dy kishat e mëdha [Kisha Katolike Romake dhe Kisha Luterane]?» Për të gjetur përgjigjen, mjafton të shqyrtojmë fjalët e një ish-zyrtari gjerman, i cili shkroi: «Nuk ka asnjë dyshim se prapa skenës, ishin fanatikët fetarë të kishës ata që drejtuan rrugën politike që ndoqi komisioni qeveritar.»

Te kush shpresojmë për lehtësim?

15, 16. (a) Përse veprimi i Gamalielit pati një sukses të kufizuar? (b) Si ishin të kufizuar në atë që mund të bënin për Jezuin, tre individë të tjerë me pushtet?

15 Ajo që tha Gamalieli vetëm sa thekson faktin se një vepër që ka përkrahjen hyjnore nuk mund të dështojë. Pa dyshim, të krishterët e hershëm përfituan nga fjalët që i tha ai Sinedrit, por nuk harruan se edhe fjalët e Jezuit, kur tha që ithtarët e tij do të përndiqeshin, ishin të vërteta. Veprimi i Gamalielit i ndali planet e udhëheqësve fetarë për t’i vrarë të krishterët, por nuk e zhduku krejtësisht përndjekjen, sepse lexojmë: «Atëherë, ata ia vunë veshin dhe pasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe i urdhëruan të mos flitnin më në bazë të emrit të Jezuit e i lanë të iknin.»—Veprat 5:40.

16 Kur Jezui ishte në gjyq, Ponc Pilati, pasi nuk gjeti asnjë faj tek ai, u përpoq ta lironte. Por, nuk pati sukses. (Gjoni 18:38, 39; 19:4, 6, 12-16) Edhe dy anëtarë të Sinedrit, Nikodemi dhe Jozefi nga Arimatea, të cilët ishin pro Jezuit, ishin të kufizuar në atë që mund të bënin për ta penguar gjykatën që të vepronte kundër Jezuit. (Luka 23:50-52; Gjoni 7:45-52; 19:38-40) Lehtësimi që arrijnë të sigurojnë njerëzit kur dalin në mbrojtje të popullit të Jehovait—për çfarëdo arsyeje—është sidoqoftë i kufizuar. Bota do të vazhdojë t’i urrejë ithtarët e vërtetë të Krishtit, siç urryen atë vetë. Lehtësimi i plotë mund të vijë vetëm nga Jehovai.—Veprat 2:24.

17. Cilën pikëpamje realiste kanë Dëshmitarët e Jehovait, por përse kjo nuk e dobëson vendosmërinë e tyre që të vazhdojnë të predikojnë lajmin e mirë?

17 Në mënyrë realiste, Dëshmitarët e Jehovait presin që përndjekja të vazhdojë. Kundërshtimi do të pushojë vetëm kur sistemi i Satanait të marrë fund në disfatën përfundimtare. Mirëpo, kjo përndjekje, ndonëse e pakëndshme, nuk i frenon Dëshmitarët që të mos përmbushin detyrën për të predikuar Mbretërinë. Përse duhet t’i frenojë, kur kanë përkrahjen hyjnore? Ata e drejtojnë shikimin tek Udhëheqësi i tyre i guximshëm, Jezu Krishti, si shembulli i duhur.—Veprat 5:17-21, 27-32.

18. Cila vështirësi gjendet ende para popullit të Jehovait, por, për cilin përfundim janë të bindur ata?

18 Që nga fillimi, feja e vërtetë ka hasur kundërshtim të fortë. Pas pak, ajo do të jetë objekt i një sulmi të përgjithshëm nga Gogu, domethënë Satanai në gjendjen e tij të poshtëruar që nga dëbimi nga qielli. Por feja e vërtetë do të mbijetojë. (Ezekieli 38:14-16) «Mbretërit e mbarë tokës së banuar», nën udhëheqjen e Satanait, «do të luftojnë me Qengjin, por meqë është Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve, Qengji do t’i mundë». (Zbulesa 16:14; 17:14) Po, Mbreti ynë po ecën përpara drejt fitores përfundimtare dhe, së shpejti, do ta ‘plotësojë fitoren e tij’. Çfarë privilegji kemi që të ecim përpara bashkë me të, duke e ditur se, edhe pak, dhe asnjë nuk do t’i kundërshtojë më adhuruesit e Jehovait kur të thonë «Perëndia është me ne»!—Romakëve 8:31; Filipianëve 1:27, 28.

A mund të shpjegoni?

• Çfarë ka bërë Jehovai për ta forcuar kongregacionin e krishterë, që nga lindja e Mbretërisë?

• Çfarë ka bërë Satanai në përpjekje për ta ndalur Krishtin në plotësimin e fitores së tij, por me çfarë përfundimesh?

• Cilën pikëpamje të drejtpeshuar duhet të kemi për veprimet e favorshme nga ata që nuk janë Dëshmitarë?

• Çfarë do të bëjë pas pak Satanai dhe me çfarë përfundimi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Kongreset janë shfaqje e ecjes përpara të popullit të Jehovait

[Figurat në faqen 20]

Asnjanësia e Dëshmitarëve gjatë Luftës II Botërore po i sjell ende lëvdim Jehovait