Si mund të mbani një pikëpamje të drejtpeshuar për paratë?
Si mund të mbani një pikëpamje të drejtpeshuar për paratë?
Dashuria për para dhe dëshira për të pasur gjëra materiale nuk janë të reja. Po ashtu, nuk është se ato s’janë përmendur fare në Bibël, sikur të ishin një dukuri e kohëve të fundit. Këto dëshira janë shumë të vjetra. Në Ligj, Perëndia i udhëzoi izraelitët: «Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd . . . as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd.»—Eksodi 20:17.
DASHURIA për para dhe për gjëra materiale ishte e zakonshme në ditët e Jezuit. Shqyrtoni këtë tregim për bisedën që bëri Jezui me një të ri ‘shumë të pasur’. «Jezui i tha: ‘Sa për ty, të mungon edhe një gjë: Shit gjithçka që ke, shpërndajua të varfërve e do të kesh një thesar në qiej; dhe eja e bëhu ithtari im.’ Kur dëgjoi këtë ai u hidhërua thellësisht, sepse ishte shumë i pasur.»—Luka 18:18-23.
Pikëpamja e duhur për paratë
Mirëpo, do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin se Bibla i dënon paratë në vetvete ose ndonjë nga përdorimet bazë të saj. Bibla tregon se paratë sigurojnë një mbrojtje praktike kundër varfërisë dhe telasheve që e shoqërojnë, duke u dhënë mundësi njerëzve të sigurojnë gjërat e nevojshme. Mbreti Solomon shkroi: «Dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja.» Gjithashtu: «Një banket shtrohet për t’u dëfryer dhe vera i jep gaz jetës, por paraja i përgjigjet çdo nevojtari.»—Predikuesi 7:12; 10:19.
Perëndia e miraton përdorimin e duhur të parave. Për shembull, Jezui tha: «Bëni miq për vete me anë të pasurisë së padrejtë.» (Luka 16:9) Kjo përfshin kontributet për të çuar përpara adhurimin e vërtetë të Perëndisë, pasi është e qartë se ne duhet të dëshirojmë që Perëndia të jetë Miku ynë. Vetë Solomoni, duke ndjekur shembullin e të atit, Davidit, kontribuoi shuma të mëdha parash dhe gjërash të vlefshme, për ndërtimin e tempullit të Jehovait. Një urdhër tjetër i krishterë është t’u japim ndihmë materiale atyre që janë nevojtarë. «Ndani me të shenjtët sipas nevojave të tyre»,—tha apostulli Pavël. Ai shtoi: «Ndiqni udhën e mikpritjes.» (Romakëve 12:13) Shpesh, kjo përfshin të harxhosh ca para. Megjithatë, ç’të themi për dashurinë për para?
«Përzemërsia për argjendin»
Pavli foli gjerësisht rreth ‘dashurisë për para’ ose, fjalë për fjalë, rreth «përzemërsisë për argjendin», kur po i shkruante Timoteut, një të bashkëkrishteri me moshë të re. Këshillën e Pavlit e gjejmë te 1 Timoteut 6:6-19. Ai komentoi për ‘dashurinë për para’ gjatë diskutimit më të gjerë që po bënte për gjërat materiale. Do të ishte mirë t’i studionim me kujdes komentet e frymëzuara të Pavlit, duke pasur parasysh theksin që vë shoqëria e sotme te paratë. Ky shqyrtim është patjetër i dobishëm, sepse zbulon sekretin se si të ‘rrokim jetën e vërtetë’.
Pavli paralajmëron: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:10) Ky shkrim nuk thotë që paratë në vetvete janë të këqija, as ndonjë shkrim tjetër nuk e thotë këtë. Apostulli nuk tha as që paratë janë shkaku themelor i ‘gjërave të dëmshme’ ose që paratë gjenden në rrënjë të çdo problemi. Përkundrazi, është dashuria për para ajo që mund të jetë shkaku—ndonëse jo i vetmi—i çdo lloj «gjëje të dëmshme».
Ruhuni nga lakmia
Fakti që paratë në vetvete nuk dënohen në Shkrime, nuk duhet ta zbutë paralajmërimin e Pavlit. Të krishterët që fillojnë t’i duan paratë janë të prekshëm ndaj çdo lloj problemi, më i keqi i të cilit është ai i shmangies nga besimi. Kjo e vërtetë përforcohet nga ajo që u tha Pavli të krishterëve në Kolose: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me . . . dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.» (Kolosianëve 3:5) Si mund të përbëjë idhujtari lakmia ose «dashuria për para»? A do të thotë kjo se është e gabuar të dëshirojmë një shtëpi më të madhe, një makinë më të re, një punë me pagë më të madhe? Jo, asnjëra nga këto gjëra nuk është e keqe në vetvete. Pyetja është: Cili është qëndrimi i zemrës që e bën një person të dëshirojë ndonjë nga këto gjëra dhe a janë ato vërtet të nevojshme?
Ndryshimi ndërmjet dëshirës normale dhe lakmisë mund të krahasohet me ndryshimin ndërmjet një zjarri të vogël që ndizet për të gatuar ushqimin dhe flakëve të mëdha që përpijnë një pyll. Dëshirat e shëndetshme dhe të përshtatshme mund të jenë të dobishme. Na motivojnë të punojmë dhe të jemi të frytshëm. Te Fjalët e urta 16:26 thuhet: «Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.» Por, lakmia është e rrezikshme dhe shkatërrimtare. Është një dëshirë që ka dalë jashtë kontrollit.
Është themelore t’i kontrollojmë dëshirat. Pyetja është: paratë që grumbullojmë ose gjërat materiale që duam do t’u shërbejnë nevojave tona apo nevojat tona do t’u shërbejnë parave? Ja përse Pavli thotë që të jesh «lakmitar . . . do të thotë të jesh idhujtar». (Efesianëve 5:5) Të jemi lakmitarë për ndonjë gjë, në të vërtetë, do të thotë që t’i nënshtrohemi plotësisht asaj. Në këtë mënyrë e bëjmë atë zotërinë tonë, perëndinë tonë, gjënë së cilës i shërbejmë. Në dallim me këtë, Perëndia këmbëngul: «Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.»—Eksodi 20:3.
Fakti që jemi lakmitarë tregon edhe që nuk kemi besim se Perëndia do ta plotësojë premtimin e tij për të na siguruar gjërat e nevojshme. (Mateu 6:33) Pra, lakmia është, në të vërtetë, largim nga Perëndia. Edhe në këtë kuptim, ajo është «idhujtari». S’është për t’u habitur që Pavli paralajmëron në mënyrë kaq të hapur kundër saj!
Edhe Jezui dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë kundër lakmisë. Ai na urdhëroi të ruhemi që të mos dëshirojmë me zjarr diçka që nuk e kemi: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka bollëk, jeta e tij nuk vjen nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Sipas këtij fragmenti dhe ilustrimit që bëri më pas Jezui, lakmia bazohet në bindjen e paarsyeshme se ajo që ka rëndësi në jetë është sa shumë gjëra ka një person. Këto mund të jenë paratë, niveli shoqëror, pushteti ose gjëra të tjera të ngjashme. Është e mundur të jemi lakmitarë për çdo gjë që mund të blihet. Mund të mendojmë se duke e pasur atë gjë do të jemi të kënaqur. Por, sipas Biblës dhe përvojës njerëzore, vetëm Perëndia mund dhe do t’i plotësojë nevojat tona reale, siç arsyetoi Jezui me ithtarët e tij.—Luka 12:22-31.
Kultura e sotme e orientuar nga konsumimi ia del mbanë shumë mirë për të ndezur zjarrin e lakmisë. Të ndikuar nga mënyrat tinëzare, por të fuqishme, shumë vetave u mbushet mendja se çfarëdo gjëje që kanë, nuk mjafton. Kanë nevojë për më shumë gjëra, më të mëdha e më të mira. Ndonëse nuk mund të shpresojmë ta ndryshojmë botën që na rrethon, si mund ta kundërshtojmë personalisht këtë prirje?
Të jemi të kënaqur, jo lakmues
Pavli na tregon të kundërtën e të qenët lakmues, që është të jemi të kënaqur. Ai thotë: «Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» (1 Timoteut 6:8) Ky përshkrim i gjithçkaje që na nevojitet vërtet, pra, ‘të kemi ç’të hamë e ç’të veshim’, mund të duket pak a shumë i thjeshtë ose naiv. Shumë njerëz shohin programe televizive ku teleshikuesit vizitojnë persona të famshëm që jetojnë në shtëpi luksoze. Kjo nuk është mënyra për të qenë të kënaqur.
Sigurisht, shërbëtorëve të Perëndisë nuk u kërkohet të jetojnë në një varfëri të vetëdetyruar. (Fjalët e urta 30:8, 9) Sidoqoftë, Pavli na kujton se çfarë është në të vërtetë varfëria: mungesa e ushqimit, e veshjes dhe e një banese të përshtatshme për të jetuar. Nga ana tjetër, nëse i kemi këto gjëra, kemi bazën për të qenë të kënaqur.
A ishte i çiltër Pavli duke bërë një përshkrim të tillë se si mund të jemi të kënaqur? A është vërtet e mundur të jemi të kënaqur vetëm me gjërat e domosdoshme: ushqimin, veshjen dhe banesën? Pavli duhet ta ketë ditur këtë. Ai i provoi vetë pasurinë dhe privilegjet e klasës së lartë në komunitetin judaik, si dhe ato të qytetarisë romake. (Veprat 22:28; 23:6; Filipianëve 3:5) Pavli, gjithashtu, vuajti vështirësi të mëdha në veprën e tij misionare. (2 Korintasve 11:23-28) Gjatë gjithë këtyre, ai mësoi sekretin që e ndihmoi të vazhdonte të ishte i kënaqur. Cili ishte ky?
«Kam mësuar sekretin»
Në një nga letrat e tij, Pavli shpjegoi: «Në të vërtetë, di të jem ngushtë dhe, në fakt, di të kem me bollëk. Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar sekretin edhe si të jem i ngopur, edhe si të jem i uritur, edhe si të kem me bollëk, edhe si të jem në nevojë.» (Filipianëve 4:12) Pavli duket kaq i sigurt, kaq optimist! Do të ishte e lehtë të mendonim se jeta e tij ishte fushë me lule kur shkroi këto fjalë, por nuk është ashtu. Ai ishte në burg në Romë!—Filipianëve 1:12-14.
Po të marrim parasysh këtë fakt që të vë në mendime, ky fragment përcjell një mesazh të fuqishëm se si të jemi të kënaqur jo vetëm me zotërimet materiale, por edhe me rrethanat në të cilat jemi. Ekstremet në pasuri ose në vështirësi mund të na i vënë në provë përparësitë. Pavli foli për rezervat frymore që i dhanë mundësi të ishte i kënaqur pavarësisht nga rrethanat materiale: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të [Perëndisë] që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Në vend që ta varte shpresën te zotërimet e tij, të shumta a të pakta, ose te rrethanat e tij, të mira a të këqija, Pavli shpresonte te Perëndia për të plotësuar nevojat e tij. Për pasojë, ishte i kënaqur.
Shembulli i Pavlit ishte veçanërisht i rëndësishëm për Timoteun. Apostulli e nxiti këtë të ri që të bënte një jetë të tillë, duke e vënë devocionin hyjnor dhe marrëdhënien e ngushtë me Perëndinë para pasurisë. Pavli tha: «Kurse ti, o njeri i Perëndisë, ikju këtyre gjërave. Ndiq më mirë drejtësinë, devocionin hyjnor, besimin, dashurinë, qëndrueshmërinë dhe butësinë e karakterit.» (1 Timoteut 6:11) Këto fjalë mund t’i jenë drejtuar Timoteut, por zbatohen për këdo që dëshiron të nderojë Perëndinë dhe të ketë një jetë vërtet të lumtur.
Timoteu duhej të ruhej nga lakmia, si çdo i krishterë tjetër. Me sa duket, në kongregacionin e Efesit, ku gjendej Timoteu kur i shkroi Pavli, kishte besimtarë të pasur. (1 Timoteut 1:3) Pavli kishte hyrë në këtë qendër të begatë tregtie me lajmin e mirë të Krishtit dhe kishte kthyer shumë veta në besim. Pa dyshim, disa prej këtyre ishin të pasur, siç janë disa në kongregacionin e krishterë sot.
Prandaj, pyetja, sidomos nën dritën e mësimit që gjejmë te 1 Timoteut 6:6-10, është kjo: Çfarë duhet të bëjnë njerëzit që kanë një nivel jetese më të lartë nga mesatarja, nëse duan të nderojnë Perëndinë? Pavli thotë se ata duhet të fillojnë duke shqyrtuar qëndrimin e tyre. Paratë kanë prirjen të krijojnë ndjenjën e pavarësisë. Pavli thotë: «Atyre që janë të pasur në sistemin e tanishëm jepu urdhër që të mos jenë kryelartë e të mos e varin shpresën në pasurinë e pasigurt, por te Perëndia, që na i jep të gjitha me bollëk për kënaqësinë tonë.» (1 Timoteut 6:17) Njerëzit e pasur duhet të mësojnë të shohin përtej parave të tyre, duhet të shpresojnë te Perëndia, burimi fillestar i çdo pasurie.
Por, qëndrimi është vetëm gjysma e punës. Herët a vonë, të krishterët e pasur duhet ta përdorin mirë pasurinë e tyre. Pavli këshillon: ‘Punoni për të mirën, jini të pasur në vepra të shkëlqyera, jini dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët.’—1 Timoteut 6:18.
‘Jeta e vërtetë’
Thelbi i këshillës së Pavlit është që duhet t’i kujtojmë vetes se gjërat materiale kanë një vlerë relative. Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe sipas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.» (Fjalët e urta 18:11) Po, siguria që mund të japë pasuria, në fund të fundit, është vetëm e imagjinuar dhe në të vërtetë është mashtruese. Është e gabuar ta përqendrojmë jetën tek ajo në vend që të përpiqemi të fitojmë miratimin e Perëndisë.
Pasiguria e pasurisë materiale na e bën shumë të vështirë ta fiksojmë shpresën tonë tek ajo. Shpresa e vërtetë duhet ankoruar te diçka e fortë, domethënëse dhe jetëgjatë. Shpresa e krishterë është e fiksuar te Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, dhe te premtimi i tij për jetën e përhershme. Është e vërtetë se lumturia nuk mund të blihet me para, po edhe më shumë e vërtetë është se as shpëtimi nuk mund të blihet me para. Vetëm besimi te Perëndia mund të na e japë këtë shpresë.
Prandaj, sido që të jemi, të pasur a të varfër, le të ndjekim një drejtim në jetë që do të na bëjë ‘të pasur kundrejt Perëndisë’. (Luka 12:21) Nuk ka asgjë me më shumë vlerë sesa një qëndrim i miratuar para Krijuesit. Të gjitha përpjekjet për ta mbajtur këtë qëndrim na ndihmojnë ‘që të mbledhim për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen, që të rrokim jetën e vërtetë’.—1 Timoteut 6:19.
[Figura në faqen 7]
Pavli mësoi sekretin se si të ishte i kënaqur
[Figurat në faqen 8]
Mund të jemi të lumtur e të kënaqur me atë që kemi