Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të kujdesemi për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre

Të kujdesemi për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre

Të kujdesemi për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre

Nuk është e vështirë ta kuptojmë se jetojmë në një botë pa dashuri. Duke folur për llojin e njerëzve që do të jetonin në «ditët e fundit», apostull Pavli shkroi: «Do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, . . . pa përzemërsi të natyrshme.» (2 Timoteut 3:1-3) Sa të vërteta janë këto fjalë!

ATMOSFERA morale e kohëve tona e ka shtuar mungesën e dhembshurisë në zemrën e shumë njerëzve. Njerëzit janë gjithnjë e më pak të interesuar për mirëqenien e të tjerëve, në disa raste edhe për mirëqenien e familjarëve të tyre.

Kjo ndikon për keq te shumë veta që, për shkak të rrethanave të ndryshme, varfërohen. Numri i vejushave dhe i jetimëve rritet vazhdimisht si pasojë e luftërave, e katastrofave natyrore dhe e shpërnguljes së njerëzve që kërkojnë strehim. (Predikuesi 3:19) «Më shumë se 1 milion [fëmijë] kanë mbetur jetimë ose janë ndarë nga familjet si pasojë e luftës»,—thotë një raport nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët. Veç kësaj, jemi në dijeni edhe për numrin e madh të nënave që janë të vetme, të braktisura ose të divorcuara. Ato përballohen me detyrën e vështirë që të çajnë në jetë dhe të kujdesen vetë për familjen. Gjendja keqësohet nga fakti se disa vende po hasin një krizë të rëndë ekonomike, e cila i bën shumë shtetas të jetojnë në varfëri të skajshme.

Duke pasur parasysh këto, a ka ndonjë shpresë për ata që hasin shtrëngime? Si mund të lehtësohen vuajtjet e vejushave dhe të jetimëve? A do të zhduket ndonjëherë ky problem?

Kujdes i dashur në kohët biblike

Kujdesi për nevojat fizike e frymore të vejushave dhe të jetimëve ka qenë gjithnjë pjesë përbërëse e adhurimit të Perëndisë. Kur korrnin grurin ose vilnin frutat, izraelitët nuk duhej ta merrnin atë që mbetej në fushë, duke u kthyer përsëri për të mbledhur atë që kishte ngelur. Këto prodhime që kishin ngelur duheshin lënë «për të huajin, për jetimin dhe gruan e ve». (Ligji i përtërirë 24:19-21) Ligji i Moisiut specifikonte: «Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, as asnjë jetim.» (Eksodi 22:22, 23) Vejushat dhe jetimët për të cilët flitet në Bibël përfaqësonin në mënyrë të përshtatshme njerëzit më të varfër, pasi, me vdekjen e burrit dhe të babait ose të të dy prindërve, familjarët e tjerë mund të mbeteshin të vetëm dhe të skamur. Patriarku Job tha: «Çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.»—Jobi 29:12.

Gjatë ditëve të para të kongregacionit të krishterë, kujdesi për ata që ishin të munduar e vërtet në nevojë, si pasojë e humbjes së prindërve ose të bashkëshortit, ishte karakteristikë dalluese e adhurimit të vërtetë. Me një interes të çiltër për mirëqenien e këtyre personave, dishepulli Jakov shkroi: «Forma e adhurimit që është e pastër dhe e pandotur nga këndvështrimi i Perëndisë dhe Atit tonë është kjo: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre dhe ta ruash veten pa njollë nga bota.»—Jakovit 1:27.

Përveçse përmendi jetimët dhe vejushat, Jakovi tregoi interes të thellë edhe për të tjerët që ishin të varfër e të skamur. (Jakovit 2:5, 6, 15, 16) Apostulli Pavël shfaqi të njëjtën konsideratë. Kur atij dhe Barnabës u dhanë caktimin e predikimit, një ndër udhëzimet që morën ishte ‘të mbanin në mend të varfrit’. «Kjo gjë është pikërisht ajo që edhe jam përpjekur me zell ta bëj»,—mundi të thoshte Pavli me ndërgjegje të pastër. (Galatasve 2:9, 10) Tregimi për veprat e kongregacionit të krishterë, pak kohë pas themelimit të tij, thotë: «Midis tyre nuk kishte as edhe një në nevojë . . . Më pas, bëhej shpërndarja, secilit sipas nevojës që kishte.» (Veprat 4:34, 35) Po, rregulli i vendosur në Izraelin e lashtë për t’u kujdesur për jetimët, vejushat dhe për njerëzit e varfër vazhdoi edhe në kongregacionin e krishterë.

Sigurisht, ndihma që sigurohej ishte e kufizuar dhe në përputhje me mundësitë materiale që kishte secili kongregacion. Paratë nuk harxhoheshin kot dhe ata që ndihmoheshin ishin vërtet në nevojë. Asnjë i krishterë nuk duhej të përfitonte padrejtësisht nga ky rregull dhe nuk i duhej vënë asnjë barrë e panevojshme kongregacionit. Kjo ishte shumë e qartë në udhëzimet e Pavlit të dhëna te 1 Timoteut 5:3-16. Aty shohim se nëse të afërmit e atyre që ishin nevojtarë kishin mundësi të jepnin ndihmë, duhej ta merrnin ata mbi vete këtë përgjegjësi. Vejushat nevojtare duhej të plotësonin disa kushte që të fitonin të drejtën për ndihmë. E gjithë kjo pasqyron rregullin e mençur që përdor Jehovai për t’u kujdesur për nevojtarët. Megjithatë, tregon edhe se duhet ushtruar drejtpeshim, në mënyrë që asnjë të mos përfitojë padrejtësisht nga dashamirësia që i tregohet.—2 Selanikasve 3:10-12.

Kujdesi për jetimët dhe vejushat sot

Parimet që ndiqnin shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën zbatohen ende në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, kur bëhet fjalë për të treguar interes dhe për t’u dhënë ndihmë atyre që kanë shtrëngime. Dashuria vëllazërore është një karakteristikë dalluese, siç e tha vetë Jezui: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Nëse disa janë në nevojë ose janë bërë viktima të një katastrofe a të pasojave të luftës ose të trazirave civile, pjesa tjetër e vëllazërisë ndërkombëtare gjen me të shpejtë mënyra për të ndihmuar frymësisht dhe materialisht. Le të vërejmë tani disa përvoja të ditëve tona, të cilat tregojnë çfarë po bëhet në këtë fushë.

Pedros nuk i kujtohen shumë gjëra për nënën e tij, e cila vdiq kur ai ishte vetëm 1 vjeç e gjysmë. Kur Pedroja ishte 5 vjeç, i vdiq edhe babai. Kështu, ai mbeti vetëm me vëllezërit e tij. Dëshmitarët e Jehovait tashmë kishin vizituar babanë e tij, kështu që Pedroja dhe vëllezërit më të mëdhenj filluan të gjithë një studim biblik në shtëpi.

Pedroja tregon: «Që javën që pasoi, filluam të ndiqnim mbledhjet. Kur shoqëroheshim me vëllezërit, e ndienim dashurinë që shprehnin ndaj nesh. Kongregacioni ishte një strehë për mua, sepse vëllezërit e motrat më treguan dashuri dhe përzemërsi, si të ishin prindërit e mi.» Pedros i kujtohet se njëri nga pleqtë e krishterë e ftonte në shtëpinë e tij. Atje, Pedroja merrte pjesë me familjen e këtij plaku në biseda dhe zbavitje. «Këto janë kujtime që i kam shumë për zemër»,—thotë Pedroja, i cili filloi të predikonte kur ishte 11 vjeç dhe u pagëzua kur ishte 15 vjeç. Me ndihmën e pjesëtarëve të kongregacionit, edhe vëllezërit e tij më të mëdhenj bënë shumë përparim nga ana frymore.

Kemi edhe rastin e Davidit. Kur prindërit e tij u ndanë, e braktisën atë dhe motrën e tij binjake. I rritën gjyshërit dhe një teze. «Kur u rritëm edhe ca dhe kuptuam në cilën gjendje ishim, na pushtoi një ndjenjë pasigurie dhe trishtimi. Kishim nevojë për diçka ku të mbështeteshim. Tezja ime u bë Dëshmitare e Jehovait dhe për këtë arsye, na u mësua e vërteta biblike. Vëllezërit na dhanë përzemërsinë dhe miqësinë e tyre. Na kishin shumë për zemër dhe na nxitnin të arrinim synimet dhe të vazhdonim të punonim për Jehovain. Kur isha rreth dhjetë vjeç, një shërbëtor ndihmës më mori me vete në shërbimin në fushë. Një vëlla tjetër kujdesej për shpenzimet e mia kur ndiqja kongreset. Një vëlla, madje, më ndihmoi që të bëja kontribute në Sallën e Mbretërisë.»

Davidi u pagëzua kur ishte 17 vjeç dhe më vonë filloi të shërbente në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë. Edhe tani, ai e pranon: «Ka disa pleq që më ndihmojnë në arsimimin tim dhe më japin këshilla të dobishme. Në këtë mënyrë, po e kapërcej ndjenjën e pasigurisë dhe të vetmisë.»

Abeli, një plak në një kongregacion në Meksikë, ku ka disa vejusha që kanë nevojë për ndihmë, tregon: «Jam i bindur se ajo për të cilën kanë më shumë nevojë vejushat është mbështetja emocionale. Disa herë ato kalojnë periudha dëshpërimi, ndihen të vetmuara. Prandaj, është shumë e rëndësishme të jemi një mbështetje, duke i dëgjuar. Ne [pleqtë e kongregacionit] i vizitojmë shpesh. Është mirë të gjejmë kohë për t’u kushtuar vëmendje problemeve të tyre. Kjo ndihmon që ato të ndihen të ngushëlluara frymësisht.» Megjithatë, disa herë nevojitet edhe ndihma ekonomike. «Tani po ndërtojmë një shtëpi për një motër që është vejushë,—tha Abeli ca kohë më parë.—Kalojmë disa të shtuna dhe disa pasdite gjatë javës duke punuar në shtëpinë e saj.»

Lidhur me përvojën e tij në ndihmën ndaj jetimëve dhe vejushave, një plak tjetër kongregacioni thotë: «Besoj se jetimët kanë edhe më shumë nevojë për dashurinë e krishterë, sesa vejushat. Kam vënë re se ata ndihen më shumë të shpërfillur, sesa fëmijët dhe adoleshentët që i kanë të dy prindërit. Kanë nevojë për shumë shprehje të përzemërsisë vëllazërore. Është mirë t’i kërkojmë pas mbledhjes dhe të marrim vesh si janë. Është një vëlla i martuar që ishte jetim kur ishte i vogël. E përshëndes gjithnjë me ngrohtësi në mbledhje dhe ai më përqafon kur më sheh. Kjo i forcon lidhjet e dashurisë së vërtetë vëllazërore.»

Jehovai «do ta çlirojë nevojtarin»

Besimi te Jehovai është thelbësor për të trajtuar me sukses gjendjen e vejushave dhe të jetimëve. Lidhur me të thuhet: «Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve.» (Psalmi 146:9) Zgjidhja e plotë e problemeve të këtij lloji do të vijë vetëm nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë që është në duart e Jezu Krishtit. Duke e përshkruar në mënyrë profetike këtë sundim nga Mesia, psalmisti shkroi: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.»—Psalmi 72:12, 13.

Ndërsa fundi i sistemit të tanishëm afrohet gjithnjë e më shumë, presionet që hasin të krishterët në përgjithësi do të rriten me siguri. (Mateu 24:9-13) Ka nevojë çdo ditë që të krishterët të tregojnë më shumë interes për njëri-tjetrin dhe të ‘kenë dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin’. (1 Pjetrit 4:7-10) Burrat e krishterë, e sidomos pleqtë, duhet të tregojnë interes dhe dhembshuri për ata që janë jetimë. Gjithashtu, gratë e pjekura në kongregacion mund t’u japin shumë përkrahje vejushave dhe të jenë burim ngushëllimi. (Titit 2:3-5) Në të vërtetë, të gjithë mund të japin ndihmë, duke shfaqur gjallërisht interes për të tjerët që po kalojnë shtrëngime.

Të krishterët e vërtetë nuk ‘e mbyllin derën e dhembshurive të tyre të buta’ kur ‘shohin vëllanë e tyre që ka nevojë’. Ata janë shumë vigjilentë për t’ia vënë veshin këshillës së apostullit Gjon: «Fëmijë të vegjël, le të duam, jo me fjalë e as me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» (1 Gjonit 3:17, 18) Prandaj, le të ‘kujdesemi për jetimët dhe vejushat në shtrëngimet e tyre’.—Jakovit 1:27.

[Diçitura në faqen 11]

«Le të duam, jo me fjalë e as me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.» 1 Gjonit 3:18.

[Figurat në faqen 10]

Të krishterët e vërtetë kujdesen për jetimët dhe vejushat materialisht frymësisht dhe emocionalisht