Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E vumë Jehovain në provë

E vumë Jehovain në provë

Jetëshkrim

E vumë Jehovain në provë

TREGUAR NGA POL SKRIBNER

«Mirëmëngjesi, zonja Stakhaus. Po marr porositë për kekun e pashkëve dhe jam i sigurt se do t’ju pëlqente të merrnit një kek për familjen tuaj.» Ishte fillim pranvere i vitit 1938 dhe gjendesha në Atko, Nju-Xhersi, SHBA, duke folur me një nga klientet më të mira që kisha në klientelën time për Shoqërinë General Baking. Për habinë time, zonja Stakhaus nuk e pranoi ofertën.

«NUK besoj se më intereson,—tha ajo.—Ne s’i festojmë pashkët.»

Tani s’dija çfarë të mendoja. Nuk i festonin pashkët?! Sigurisht, rregulli i parë për të shitur është se klienti ka gjithnjë të drejtë. Po tani, ç’të bëja? «Epo mirë,—i thashë disi me ngurrim—keku është shumë i mirë dhe e di që i pëlqeni prodhimet tona. A nuk mendoni se familja do të kënaqej me të, edhe nëse, hëm, nuk i festoni pashkët?»

«S’besoj,—përsëriti ajo,—por kam pasur ndër mend t’ju flitja për diçka, zoti Skribner dhe ky mund të jetë një rast i mirë për këtë.» Ajo bisedë do të ma ndryshonte krejtësisht jetën! Zonja Stakhaus, pjesëtare e kongregacionit Berlin të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Xhersi, më shpjegoi nga e kishte zanafillën festimi i pashkëve dhe më dha tri broshura. Ato titulloheshin: Siguri, Zbulim dhe Mbrojtje. U ktheva në shtëpi me këto broshura, kureshtar, por edhe pak i frikësuar. Në fjalët që më tha zonja Stakhaus kishte diçka të njohur, diçka nga fëmijëria ime.

Lidhjet e hershme me Studentët e Biblës

Kam lindur më 31 janar 1907 dhe, kur isha 8 vjeç, në vitin 1915, babai im vdiq me kancer. Për pasojë, unë dhe mamaja shkuam të jetonim te prindërit e saj, në një shtëpi të madhe në Malden, Masaçusets. Aty, në katin e tretë, jetonte edhe Benxhamin Ransomi, daja im, bashkë me të shoqen. Dajë Beni ishte shoqëruar me Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, që para fillimit të shekullit të 20-të. E doja shumë dajë Benin, por pjesa tjetër e familjes së mamasë, të cilët ishin metodistë, mendonin se ai ishte i çuditshëm. Vite më vonë, para se të divorcoheshin, e shoqja ia arriti që ta shtronte dajën për pak kohë në një institut psikiatrik, për shkak të bindjeve të tij fetare. Meqë mjekët e spitalit e zbuluan shumë shpejt se nuk kishte asgjë që s’shkonte me mendjen e dajë Benit, e nxorën prej andej duke i kërkuar falje.

Dajë Beni më merrte me vete në mbledhjet e Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës në Boston, sidomos kur kishte oratorë vizitues ose ngjarje të veçanta. Një herë, oratori vizitues s’ishte askush tjetër veçse Çarlz Tejz Rasëlli, i cili në atë kohë merrej me mbikëqyrjen e veprës së predikimit. Një herë tjetër, rasti i veçantë ishte shfaqja e «Foto-Dramës së Krijimit». Ndonëse kjo ndodhi në vitin 1915, edhe sot e kësaj dite e mbaj mend përshkrimin që i bëhej Abrahamit tek çonte Isakun në mal, për ta ofruar si flijim. (Zanafilla, kapitulli 22) E mbaj mend ende Abrahamin dhe Isakun që ngjiteshin nëpër atë mal, me një ngarkesë drush, pasi Abrahami e kishte vënë plotësisht besimin e tij te Jehovai. Meqë nuk e kisha babanë, kjo më bëri shumë përshtypje.

Pastaj, dajë Beni dhe gruaja e tij u transferuan në Mejn dhe mamaja u martua përsëri, kështu që u transferuam në Nju-Xhersi. Prandaj, për shumë kohë nuk e takova më dajë Benin. Gjatë viteve të adoleshencës në Nju-Xhersi, u takova me Merion Nefin, një nga tetë fëmijët e një familjeje presbiteriane, dhe më pëlqente të bëja vizita atje. Kaloja kaq shumë mbrëmje të dielash me atë familje dhe me grupin e të rinjve të kishës së tyre, saqë në fund u bëra edhe vetë presbiterian. Megjithatë, disa nga gjërat që kisha mësuar në mbledhjet e Studentëve të Biblës më mbetën në mendje. Me Merionin u martova në vitin 1928 dhe vajzat tona, Dorisi dhe Luiza, lindën në vitet 1935 dhe 1938. Duke pasur dy fëmijë të vegjël në familje, që të dy e ndiem nevojën për drejtim frymor që t’i rritnim fëmijët.

Gjej të vërtetën në ato broshura

Unë dhe Merioni po kërkonim një kishë ku të shkonim dhe për këtë bëmë një plan. Duke e bërë me radhë çdo të diel, njëri nga ne qëndronte në shtëpi me fëmijët, kurse tjetri vizitonte një kishë të mundshme. Një të diel, edhe pse radhën e kishte Merioni që të qëndronte në shtëpi, unë dola vullnetar për të qëndruar me fëmijët, që të mund të lexoja broshurën Siguri, të parën nga tri broshurat që më kishte dhënë zonja Stakhaus. Kur fillova ta lexoja, nuk e hiqja dot nga duart! U binda gjithnjë e më tepër se kisha gjetur diçka që asnjë kishë nuk mund të na e jepte. Javën tjetër ndodhi e njëjta gjë dhe unë përsëri qëndrova me kënaqësi në shtëpi me fëmijët, që të lexoja broshurën e dytë me titull Zbulim. Ajo që po lexoja më dukej disi e njohur. A nuk ishte kjo ajo që besonte dajë Beni? Familja jonë kishte menduar se feja e tij ishte e çmendur. Çfarë do të mendonte Merioni? S’kishte pse të shqetësohesha. Kur erdha në shtëpi nga puna, disa ditë pasi kisha lexuar broshurën Zbulim, Merioni më habiti duke më thënë: «I lexova ato broshurat që solle në shtëpi. Janë vërtet interesante.» Çfarë lehtësimi që ishte ky!

Në kapakun e pasmë të broshurave kishte të dhëna për librin me titull Armiqtë, që sapo kishte dalë, i cili i bënte një demaskim të zjarrtë fesë së rreme. Vendosëm ta blinim. Por, nuk arritëm as ta çonim kërkesën në postë, pasi një Dëshmitar trokiti në derën tonë dhe na dha po atë libër. Kjo ishte pika e kthesës! Nuk vizituam më asnjë kishë tjetër, por filluam të shkonim në mbledhjet e kongregacionit të Dëshmitarëve të Jehovait në Kamden, Nju-Xhersi. Vetëm disa muaj më vonë, të dielën më 31 korrik 1938, një grup me rreth 50 prej nesh u mblodhën në lëndinën para shtëpisë së motrës Stakhaus—shtëpia ku isha përpjekur të shitja kekun e pashkëve—dhe dëgjuam një fjalim të regjistruar për pagëzimin, mbajtur nga Xhaxh Radhërfordi. Pastaj, ndryshuam rrobat në shtëpi dhe 19 nga ne u pagëzuan në një pellg aty afër.

I vendosur për të qenë pionier

Jo shumë kohë pas pagëzimit, një nga motrat në kongregacion më foli për ata që quhen pionierë, të cilët e bënin shërbimin publik veprën e tyre kryesore. Më hyri menjëherë kureshtja dhe shumë shpejt u njoha me një familje të tërë pionierësh. Një burrë i moshuar, vëlla Konigu, gruaja e tij dhe vajza e tyre e rritur ishin që të tre pionierë në një kongregacion fqinj. Si baba i një familjeje të re, më bëri përshtypje gëzimi i thellë që kishte familja Konig në shërbim. Shpesh ndaloja aty, parkoja furgonin me të cilin punoja dhe kaloja kohë me ta në shërbimin shtëpi më shtëpi. S’kaloi shumë dhe doja të isha edhe unë pionier. Por, si t’ia bëja? Unë dhe Merioni kishim dy fëmijë të vegjël dhe puna ime ishte e lodhshme. Në të vërtetë, kur filloi Lufta II Botërore në Evropë dhe gjithnjë e më shumë djem të rinj nga Shtetet e Bashkuara shkuan ushtarë, kishte një sasi më të madhe pune për ata që, ashtu si ne, mbetën në shërbime civile. Po më nxitnin që të kisha më shumë klientelë dhe e dija se me një program të tillë, nuk do të arrija të bëhesha kurrë pionier.

Kur fola me vëlla Konigun për dëshirën time që të shërbeja si pionier, ai më tha: «Ti vazhdo të punosh fort në shërbim të Jehovait dhe përmendja synimin tënd në lutje atij. Ai do të të ndihmojë ta arrish këtë synim.» Për më shumë se një vit, vazhdova të bëja kështu. Shpesh meditoja rreth shkrimeve të tilla, si Mateu 6:8, të cilat na sigurojnë se Jehovai i di nevojat tona para se t’ia kërkojmë. Gjithashtu, përpiqesha gjithnjë ta ndiqja këshillën e Mateut 6:33, të vazhdoja të kërkoja më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij. Mora zemër edhe nga vëlla Melvin Uinçesteri, një shërbëtor zone (që tani quhen mbikëqyrës qarkorë).

Fola me Merionin për synimet që kisha. Diskutuam për fjalët e Malakisë 3:10, ku kemi nxitjen që ta vëmë në provë Jehovain dhe të shohim nëse ai nuk do të derdhë bekime mbi ne. Më dha zemër përgjigjja e saj: «Nëse dëshiron të shërbesh si pionier, mos u përmbaj për shkakun tim. Mund të kujdesem unë për vajzat, kurse ti shërbe si pionier. Sidoqoftë, nuk kemi nevojë për shumë gjëra materialisht.» Pas 12 vjetësh martesë, tashmë e dija se Merioni ishte një grua kursimtare dhe e kujdesshme. Gjatë viteve, ajo ka qenë një shoqe e mrekullueshme pioniere dhe një nga sekretet e suksesit tonë gjatë 60 vjetëve të shërbimit të plotkohor së bashku, ka qenë aftësia e saj për të qenë e kënaqur me pak dhe për ta bërë të duket sikur është shumë.

Në verën e vitit 1941, pasi kishim kaluar shumë muaj duke planifikuar me lutje, unë dhe Merioni kishim kursyer disa para dhe blemë një dhomë-rimorkio 5,5 metra të gjatë ku të jetonim si familje. E lashë punën dhe u bëra pionier i rregullt në korrik të vitit 1941. Që nga ajo kohë kam vazhduar në shërbimin e plotkohor. Caktimi i parë përfshinte dhjetë ndalesa të autostradës 50 ndërmjet Nju-Xhersit dhe Sent-Luisit, Misuri, ku do të mbahej kongresi ynë në fillim të gushtit. Më dërguan emrat dhe adresat e vëllezërve që jetonin aty dhe u shkrova që më përpara, duke u thënë kur të më pritnin. Kur arritëm në kongres, duhej të gjeja repartin e pionierëve dhe të merrja një caktim tjetër.

«Do ta vë Jehovain në provë»

E mbushëm dhomën-rimorkio të vogël me literaturë dhe shkuam në mbledhjen e fundit për ne në Kamden, për t’u përshëndetur me vëllezërit. Duke qenë se kishim dy vajza të vogla për t’u kujdesur dhe nuk e kishim ende të sigurt ku do të shkonim pas kongresit, planet tona duhet t’u jenë dukur jorealiste disa prej vëllezërve dhe nja dy prej tyre më thanë: «S’do të kalojë shumë dhe do të ktheheni prapë.» Më kujtohet që u thashë: «Dëgjo, nuk them se s’do të ndodhë. Jehovai tha që do të kujdesej për mua, dhe unë do ta vë Jehovain në provë.»

Pasi kemi shërbyer si pionierë për gjashtëdhjetë vjet në 20 qytete, që nga Masaçusetsi deri në Misisipi, mund të themi se Jehovai e ka mbajtur vërtet premtimin e tij. Bekimet që ka derdhur mbi mua dhe Merionin, si edhe te dy vajzat tona, shkojnë përtej çdo gjëje që mund të kisha shpresuar në vitin 1941. Këto bekime përfshijnë faktin që vajzat tona shërbejnë si pioniere besimplote në kongregacione fqinje dhe (duke bërë një llogaritje) kemi rreth njëqind bij e bija frymore, të shpërndarë përgjatë Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara. Unë kam studiuar me 52 persona që ia kanë dedikuar jetën Perëndisë Jehova, kurse Merioni me 48 veta.

Në gusht të vitit 1941, shkuam në Sent-Luis dhe atje takuam vëlla T. Xh. Salivanin nga Betheli. Ai do të më jepte letrën e caktimit si ministër fetar, e cila më nevojitej për shkak të luftës që kanosej dhe të rekrutimit në ushtri. I thashë vëlla Salivanit se ime shoqe po kalonte po aq kohë sa unë në shërbim dhe se ajo do të donte të shërbente si pioniere me mua. Ndonëse reparti i pionierëve në kongres nuk ishte ngritur ende, vëlla Salivani aty për aty e shënoi Merionin si pioniere dhe na pyeti: «Ku do të shërbeni si pionierë pas kongresit?» Nuk e dinim. «Epo mirë, mos u bëni merak,—tha ai.—Në kongres do të takoni ndonjë nga një zonë ku ka nevojë për pionierë dhe gjërat do të dalin për mirë. Vetëm më shkruani për të më thënë ku jeni dhe do t’ju caktojmë atje.» Pikërisht kështu ndodhi. Morëm vesh se vëlla Xhek Deuiti, ish-shërbëtor zone, njihte disa veta në Nju-Market, Virxhinia, të cilët kishin një shtëpi pionierësh dhe kishin nevojë për disa pionierë të tjerë. Kështu që pas kongresit u drejtuam për në Nju-Market.

Në Nju-Market na u bë një e papritur e veçantë. Ai që duhej të vinte nga Filadelfia për t’u bashkuar me ne në veprën e pionierit s’ishte askush tjetër veç Benxhamin Ransomit! Po, tamam dajë Beni! Sa gëzim ishte të punoja me të në shërbimin shtëpi më shtëpi, më shumë se 25 vjet pasi ai i kishte mbjellë ato farëra të së vërtetës në zemrën time, kur ishim në Boston! Ndonëse për vite të tëra kishte duruar indiferencë, tallje e madje, edhe përndjekje nga familja, dajë Beni nuk e kishte humbur kurrë dashurinë për Jehovain dhe për shërbimin.

Qëndruam për tetë muaj në shtëpinë e pionierëve në Nju-Market. Gjatë asaj kohe, ndër të tjera mësuam si të këmbenim pula dhe vezë me literaturë. Pastaj, unë, Merioni dhe dajë Beni, së bashku me tre të tjerë, u caktuam të shërbenim si pionierë specialë në Hanover, Pensilvani, i pari nga gjashtë caktimet që do të kishim në Pensilvani ndërmjet viteve 1942 dhe 1945.

Pionierë specialë gjatë Luftës II Botërore

Gjatë Luftës II Botërore, pati periudha kur na u desh të duronim armiqësinë për shkak të pozitës sonë asnjanëse, por Jehovai nuk na la kurrë pa përkrahje. Një herë, në Provinstaun, Masaçusets, makina jonë e vjetër e modelit Buick u prish dhe m’u desh të ecja për disa kilometra nëpër një lagje shumë armiqësore katolike, për të bërë një rivizitë. Kalova para një grupi të rinjsh huliganë, të cilët më njohën dhe filluan të bërtitnin. Nxitova të ikja, duke dëgjuar gurë që më binin afër, duke shpresuar se të rinjtë nuk po më ndiqnin. Arrita të shkoja në shtëpinë e personit të interesuar, pa u dëmtuar. Por, i zoti i shtëpisë, një anëtar i nderuar i Legjionit Amerikan, më kërkoi të falur, duke më thënë: «Sot nuk ju pres dot, sepse harrova që do të shkonim në qytet për të parë një film.» Më ngriu zemra kur m’u kujtua ai grup të rinjsh që më gjuanin me gurë, të cilët po më pritnin të kthehesha. Megjithatë, u çela kur zotëria shtoi: «Përse nuk na shoqëroni? Mund të flasim gjatë rrugës.» Kështu, arrita t’i jap dëshmi dhe e kalova shëndoshë e mirë vendin ku ishte problemi.

Mbajmë në drejtpeshim familjen dhe shërbimin

Pas luftës, patëm disa caktime në Virxhinia, duke përfshirë një qëndrim për tetë vjet si pionierë specialë dhe pionierë të rregullt në Çarlotsvill. Në vitin 1956, vajzat ishin rritur dhe ishin martuar, kështu që unë dhe Merioni u transferuam përsëri, duke shërbyer si pionierë në Herisonburg, Virxhinia, dhe si pionierë specialë në Linkolnton, Karolina e Veriut.

Në vitin 1966, më caktuan në veprën e qarkut, duke udhëtuar nga një kongregacion në tjetrin dhe duke nxitur vëllezërit, siç më kishte nxitur mua vëlla Uinçesteri në Nju-Xhersi, në vitet 30. Për dy vjet shërbeva në një qark kongregacionesh në Tenesi. Pastaj, së bashku me Merionin na u kërkua të ktheheshim te dashuria jonë më e madhe, që është shërbimi si pionierë specialë. Nga viti 1968 deri në vitin 1977, shërbyem si pionierë specialë në jug të Shteteve të Bashkuara, përgjatë Xhorxhias dhe Misisipit.

Në Istman, Xhorxhia, më caktuan si mbikëqyrës kongregacioni (që tani quhet mbikëqyrës drejtues) për të zëvendësuar Pauell Kërklendin, një vëlla të dashur të moshuar, i cili kishte shërbyer për shumë vjet si mbikëqyrës qarkor, por që nuk ishte mirë me shëndet. Ai ishte një person shumë mirënjohës dhe përkrahës. Përkrahja e tij ishte jetësore, sepse në kongregacion pati ca probleme dhe në to u përfshinë disa vëllezër drejtues. Çështja u acarua dhe unë kalova shumë kohë duke iu lutur Jehovait. Më vinin në mendje shkrime si Fjalët e urta 3:5, 6, ku thuhet: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» Duke punuar fort për t’i mbajtur të hapura linjat e komunikimit, patëm mundësi ta bashkonim kongregacionin me përfundime të mira për të gjithë.

Në vitin 1977, kishim filluar ta ndienim pak moshën e shkuar dhe u caktuam prapë në zonën e Çarlotsvillit, ku jetonin të dyja vajzat tona me familjet e tyre. Për 23 vitet e fundit, kemi pasur gëzimin të punojmë në këtë zonë, duke ndihmuar në formimin e kongregacionit Rukersvill, Virxhinia, dhe duke parë fëmijët e nipërit e studentëve tanë të hershëm biblikë të rriten e të bëhen pleq kongregacioni, pionierë dhe bethelitë. Së bashku me Merionin jemi ende në gjendje të mbajmë një program të mirë shërbimi në fushë dhe unë kam privilegjin të shërbej aktivisht si plak në kongregacionin Ist në Çarlotsvill, duke drejtuar një studim libri dhe duke mbajtur fjalime publike.

Gjatë viteve, kemi pasur edhe probleme, si të gjithë. Për shembull, me gjithë përpjekjet tona, Dorisi u dobësua frymësisht për njëfarë kohe në vitet e rinisë dhe u martua me një njeri që nuk ishte Dëshmitar. Por nuk e humbi kurrë krejtësisht dashurinë për Jehovain dhe, djali i saj, Billi, ka 15 vjet që shërben në Bethelin në Uollkill, Nju-Jork. Tani si Dorisi, edhe Luiza janë vejusha, por shërbejnë me gëzim afër njëra-tjetrës si pioniere të rregullta.

Mësime që kemi nxjerrë gjatë viteve

Kam mësuar të zbatoj disa rregulla të thjeshta për të pasur sukses në shërbim të Jehovait: mbaje jetën të thjeshtë; jep shembullin në të gjitha punët, duke përfshirë edhe jetën private; zbatoje në çdo gjë drejtimin e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.—Mateu 24:45.

Merioni ka nxjerrë një listë të shkurtër, por të efektshme, me sugjerime se si të kesh sukses në shërbimin si pionier kur je duke rritur fëmijë: bëj dhe mbaj një program që funksionon; bëje shërbimin si pionier karrierën tënde të vërtetë; mbaj një dietë të shëndetshme; bëj pushimin e duhur; mos e tepro me zbavitje; bëje të vërtetën, duke përfshirë të gjitha fushat e shërbimit, një përvojë të këndshme në jetën e fëmijëve të tu; bëje shërbimin një përvojë interesante për ta në çdo kohë.

Tani jemi në të 90-at. Kanë kaluar gjashtëdhjetë e dy vjet që kur dëgjuam fjalimin e pagëzimit në lëndinën e shtëpisë Stakhaus dhe kemi kaluar 60 vjet në shërbimin e plotkohor. Së bashku me Merionin mund të themi ndershmërisht se jemi plotësisht dhe thellësisht të kënaqur me jetën tonë. Jam thellësisht mirënjohës për nxitjen që mora kur isha një baba i ri, që t’i vija synimet frymore në vend të parë dhe të vazhdoja të punoja për to. Gjithashtu, i jam mirënjohës gruas sime të dashur, Merionit, dhe vajzave tona për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë viteve. Ndonëse nuk kemi pasuri materiale, shpesh zbatoj për veten time Predikuesin 2:25, ku thuhet: «Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë?»

Vërtet, në rastin tonë, Jehovai e ka përmbushur me tepri premtimin që gjejmë te Malakia 3:10. Ai vërtet ‘ka derdhur mbi ne aq shumë bekime, sa nuk kemi vend të mjaftueshëm ku ta shtiem’!

[Kutia dhe figura në faqen 29]

KUJTIME NGA VITET E LUFTËS

Afro 60 vjet pas luftës, e gjithë familja ka kujtime të gjalla të atyre viteve.

«Pensilvania mund të quhet një vend i ftohtë»,—kujton Dorisi. «Një natë, temperatura ishte –35 gradë Celsius,—shton Luiza.—Unë dhe Dorisi uleshim mbi këmbët e njëra-tjetrës, në ndenjësen e pasme të makinës sonë të vjetër, për t’i mbajtur këmbët të ngrohta.»

«Por nuk jemi ndier kurrë të varfra ose të privuara,—thotë Dorisi.—E dinim se lëviznim më shumë se njerëzit e tjerë, por hanim gjithnjë mirë dhe kishim rroba shumë të mira që na i dhuronin, pothuajse të reja, disa miq në Ohajo, të cilët kishin vajza pak më të mëdha se ne.»

«Mamaja dhe babai na bënin të ndienim se na donin dhe na çmonin,—thekson Luiza,—dhe kalonim shumë kohë me ta në shërbim. Kjo na bëri të ndiheshim të veçanta dhe shumë afër tyre.»

«Kisha një makinë të modelit Buick Special 1936,—kujton Poli,—dhe ato makina ishin shumë të famshme se u thyheshin papritur boshtet. Mendoj se motori ishte shumë i fuqishëm për pjesën tjetër të makinës. Dukej se prishja ndodhte gjithnjë natën më të ftohtë të muajit dhe më duhej të shkoja në varrezat e makinave për të gjetur një bosht tjetër. U bëra specialist në zëvendësimin e tyre.»

«Mos harro kuponat e ushqimit,—thotë Merioni.—Çdo gjë ishte me racion: mishi, benzina, rrotat e makinës, çdo gjë. Sa herë që shkonim në një caktim të ri, duhej të shkonim në zyrën vendëse për të bërë kërkesë për këto kupona. Duheshin muaj para se të merrnim një të tillë dhe dukej se sapo kishim marrë më në fund kuponin, na dërgonin në një caktim tjetër dhe na duhej t’ia fillonim nga e para. Por Jehovai u kujdes gjithnjë për ne.»

[Figura]

Merioni dhe unë, bashkë me Dorisin (majtas) dhe Luizën, viti 2000

[Figura në faqen 25]

Me mamanë në vitin 1918, kur isha 11 vjeç

[Figura në faqen 26]

Me Luizën, Merionin dhe Dorisin në vitin 1948, kur u pagëzuan vajzat

[Figura në faqen 26]

Fotografia e dasmës, tetor 1928

[Figura në faqen 26]

Bashkë me vajzat (në cep djathtas e majtas) në stadiumin Jenki, viti 1955