Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos i lejoni dyshimet t’jua shkatërrojnë besimin

Mos i lejoni dyshimet t’jua shkatërrojnë besimin

Mos i lejoni dyshimet t’jua shkatërrojnë besimin

Një ditë mendoni se jeni mirë me shëndet. Ditën tjetër ndiheni të sëmurë. Papritur nuk keni më forcë ose gjallëri. Ju dhemb koka dhe ndieni dhembje në gjithë trupin. Çfarë ka ndodhur? Patogjenë të rrezikshëm kanë dëmtuar sistemet mbrojtëse të trupit tuaj dhe kanë sulmuar organet me rëndësi jetësore. Po të lihen pa u luftuar, këta organizma që ju kanë hyrë në trup mund t’jua shkatërrojnë fare shëndetin e, madje, mund t’ju shkaktojnë vdekjen.

SIGURISHT, nëse nuk jeni mirë me shëndet kur ju godet një infeksion, jeni edhe më të prekshëm ndaj tij. Për shembull, nëse trupi ju është dobësuar nga të ushqyerit e keq, qëndrueshmëria e tij «bëhet kaq e ulët, saqë edhe infeksioni më i vogël mund të jetë vdekjeprurës»,—thotë Pitër Uingejti, shkrimtar për çështjet mjekësore.

Kur është kështu, cili do të zgjidhte të jetonte në kushte ku trupi nuk ushqehet? Ka shumë të ngjarë që të bëni çmos për të ngrënë mirë dhe për të pasur vazhdimisht shëndet të mirë. Ndoshta, bëni çmos edhe që të mos ekspozoheni ndaj infeksioneve virale ose bakterore. Por, a ushtroni të njëjtin kujdes, kur bëhet fjalë për të qëndruar «të shëndoshë në besim»? (Titit 2:2) Për shembull, a jeni vigjilentë ndaj rrezikut që përbëjnë dyshimet tinëzare? Këto mund t’jua pushtojnë me lehtësi mendjen dhe zemrën, duke ju dëmtuar besimin dhe marrëdhënien që keni me Jehovain. Disa njerëz duket se nuk janë të vetëdijshëm për këtë rrezik. Ata bëhen pre e lehtë e dyshimeve, duke e lënë veten të vdesin urie frymësisht. A është e mundur që edhe ju të jeni duke bërë këtë?

Dyshimi: A është gjithnjë i keq?

Natyrisht, jo të gjitha dyshimet janë të këqija. Nganjëherë, nuk na duhet medoemos ta pranojmë menjëherë një gjë, derisa të jemi siguruar për faktet. Thirrjet fetare që nënkuptojnë se duhet vetëm të besojmë gjithçka dhe se nuk duhet të dyshojmë për asgjë janë të rrezikshme dhe mashtruese. Vërtet, Bibla thotë se dashuria «beson çdo gjë». (1 Korintasve 13:7) Një i krishterë që ka dashuri është, sigurisht, i gatshëm t’u besojë personave që në të kaluarën kanë treguar se janë të besueshëm. Por, Fjala e Perëndisë na paralajmëron edhe që të mos ‘i besojmë çdo fjale’. (Fjalët e urta 14:15) Ndonjëherë, e kaluara e një personi jep arsye të vlefshme për të dyshuar. Bibla paralajmëron: «Kur [folësi mashtrues] flet në mënyrë të sjellshme, mos i ki besim.»—Fjalët e urta 26:24, 25.

Apostulli Gjon i paralajmëron, po ashtu, të krishterët që të mos besojnë verbërisht. «Mos i besoni çdo shprehjeje të frymëzuar»,—shkruan ai. Përkundrazi, «vërini shprehjet e frymëzuara në provë, për të parë nëse vijnë nga Perëndia». (1 Gjonit 4:1) Një «shprehje», domethënë një mësim ose ide, mund të duket se vjen nga Perëndia. Por a ka ardhur vërtet nga ai? Të kemi ndonjë dyshim ose të mos besojmë menjëherë mund të jetë një mbrojtje e vërtetë, sepse, siç thotë apostulli Gjon, «shumë mashtrues kanë dalë në botë».—2 Gjonit 7.

Dyshime të pathemelta

Është e vërtetë që për të kuptuar se cila është e vërteta, shpesh, nevojitet një shqyrtim i ndershëm e me zemër të çiltër i fakteve. Por kjo nuk është njësoj si të lejojmë që, në mendje e në zemër, të na zhvillohen dyshime të pathemelta dhe dëmtuese, dyshime që mund të na i shpartallojnë bindjet dhe marrëdhëniet që i kemi të vendosura fortësisht. Ky lloj dyshimi përkufizohet si pasiguri në besim ose mendim dhe shpesh ndërhyn kur na duhet të marrim vendime. A ju kujtohet se si Satanai ia infektoi mendjen Evës me dyshime për Jehovain? «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’»—pyeti ai. (Zanafilla 3:1) Pasiguria që krijoi kjo pyetje, në dukje e pafajshme, ndërhyri në vendimet që mori ajo. Kjo është tipike e metodave të Satanait. Ashtu si një person që shkruan letra shpifëse anonime, ai është mjeshtër në përdorimin e aluzioneve, të vërtetave të shtrembëruara dhe të gënjeshtrave. Satanai ka shkatërruar kushedi se sa marrëdhënie të shëndetshme e të besueshme, me anë të dyshimeve tinëzare të mbjella në këtë mënyrë.—Galatasve 5:7-9.

Dishepulli Jakov e kuptonte qartë pasojën dëmtuese të këtij lloj dyshimi. Ai shkruan për privilegjin e mrekullueshëm që kemi: t’i afrohemi lirisht Perëndisë për ndihmë në kohë sprove. Por Jakovi paralajmëron që, kur t’i luteni Perëndisë, ‘vazhdoni t’i kërkoni me besim, pa dyshuar aspak’. Dyshimet në marrëdhënien që kemi me Perëndinë na bëjnë «si një dallgë deti e shtyrë nga era dhe e hedhur andej-këtej». Bëhemi si «një njeri i pavendosur, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij». (Jakovit 1:6, 8) Zhvillojmë një pasiguri në besim, e cila na bën të pavendosur. Pastaj, siç ndodhi me Evën, i lëmë rrugë të lirë sulmeve të çdo lloj mësimi dhe filozofie demonike.

Mbani shëndet të mirë frymor

Por atëherë, si mund të mbrohemi nga dyshimet e dëmshme? Përgjigjja është jashtëzakonisht e thjeshtë: duke hedhur poshtë me vendosmëri propagandën satanike dhe duke përdorur plotësisht të gjitha masat që ka marrë Perëndia për të na bërë «të fortë në besim».—1 Pjetrit 5:8-10.

Një gjë krejtësisht thelbësore është të ushqehemi mirë personalisht me gjëra frymore. Uingejti, shkrimtari i përmendur më parë, shpjegon: «Edhe kur trupi është në qetësi, ka nevojë për një rezervë të vazhdueshme energjie për proceset kimike dhe për punën e organeve jetësore, gjithashtu, lënda që ndodhet në shumë inde ka nevojë për zëvendësim të vazhdueshëm.» E njëjta gjë është edhe me shëndetin frymor. Pa ushqimin e vazhdueshëm frymor, besimi ynë, si një trup i lënë pa ushqim, do të dëmtohet gjithnjë e më shumë dhe përfundimisht do të vdesë. Jezu Krishti e theksoi këtë kur tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.»—Mateu 4:4.

Mendoni për këtë. Si e ndërtuam në fillim besimin e fortë? «Besimi . . . vjen pas asaj që është dëgjuar»,—shkruan apostulli Pavël. (Romakëve 10:17) Pavli do të thotë se në fillim e ndërtuam besimin dhe sigurinë te Jehovai, te premtimet e tij dhe te organizata e tij duke u ushqyer me Fjalën e Perëndisë. Sigurisht, nuk është se i besuam verbërisht çdo gjëje që dëgjuam. Bëmë atë që bënë edhe njerëzit që jetonin në qytetin e Beresë. I ‘shqyrtuam me kujdes Shkrimet çdo ditë, për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu’. (Veprat 17:11) ‘Provuam për veten tonë vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë’ dhe u siguruam se ajo që kishim dëgjuar ishte e vërtetë. (Romakëve 12:2; 1 Selanikasve 5:21) Që atëherë, ka të ngjarë ta kemi përforcuar besimin dora-dorës që kemi arritur të shohim gjithnjë e më qartë se Fjala dhe premtimet e Perëndisë nuk dështojnë kurrë.—Jozueu 23:14; Isaia 55:10, 11.

Mos lini që të vdisni urie frymësisht

Sfida tani është që ta ruajmë besimin dhe të shmangim çdo pasiguri në bindjet tona, e cila mund të na e dobësojë sigurinë te Jehovai dhe tek organizata e tij. Për të bërë këtë duhet të vazhdojmë t’i shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë. Apostulli Pavël paralajmëron se «në periudha të mëvonshme kohe disa [që fillimisht mund të duken se kanë besim të fortë] do të bien nga besimi, duke u kushtuar vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese dhe mësimeve të demonëve». (1 Timoteut 4:1) Këto shprehje dhe mësime mashtruese krijojnë dyshime në mendjen e disave dhe i largojnë nga Perëndia. Cila është mbrojtja jonë? Të vazhdojmë të ‘mbruhemi me fjalët e besimit dhe të mësimit të shkëlqyer që kemi ndjekur me kujdes’.—1 Timoteut 4:6.

Por, mjerisht, disa veta sot zgjedhin të mos ‘mbruhen me fjalët e besimit’, edhe kur ky ushqim është në dispozicion lirisht. Siç tregon njëri nga shkrimtarët e librit të Fjalëve të urta, mund të ndodhë që të jemi të rrethuar nga ushqimi i mirë frymor, si të thuash, nga një banket frymor dhe të mos hamë e të mos e tretim ushqimin.—Fjalët e urta 19:24; 26:15.

Kjo është e rrezikshme. Shkrimtar Uingejti thotë: «Sapo trupi fillon të konsumojë proteinat e vetvetes, shëndeti fillon të vuajë.» Kur uria ka arritur kulmin, trupi fillon të përdorë rezervat e energjisë që ka depozituar në të gjitha pjesët e tij. Kur këto rezerva mbarojnë, trupi fillon të konsumojë proteinat që janë thelbësore për rritjen dhe për riparimin e vazhdueshëm të indeve. Organet jetësore të trupit fillojnë të mos funksionojnë. Shëndeti keqësohet me të shpejtë.

Kjo është ajo që ndodhi në kuptimin frymor me disa në kongregacionin e hershëm të krishterë. Ata u përpoqën të jetonin me rezervat frymore. Ndoshta e lanë pas dore studimin personal dhe u bënë të dobët frymësisht. (Hebrenjve 5:12) Apostulli Pavël shpjegoi rrezikun e kësaj, kur u shkroi të krishterëve hebrenj: «E kemi të nevojshme t’u kushtojmë më shumë vëmendje se zakonisht gjërave që dëgjuam, që të mos na marrë kurrë rryma.» Ai e dinte se sa e lehtë do të ishte të shkitnim në zakone të këqija, nëse do të ‘linim pas dore një shpëtim kaq të madh’.—Hebrenjve 2:1, 3.

Një gjë për t’u përmendur është se personi që vuan nga të ushqyerit e keq nuk duket medoemos i sëmurë ose i dobët. Në mënyrë të ngjashme, mund të mos jetë menjëherë e qartë se dikush po vuan nga të pangrënët frymor. Një person mund të duket sikur ka mirëqenie frymore edhe kur nuk po ushqehet siç duhet, por kjo vetëm për një kohë të shkurtër! Ai patjetër do të dobësohet frymësisht, do të jetë i prekshëm ndaj dyshimeve të pathemelta dhe nuk do të jetë në gjendje të ‘luftojë me të gjitha forcat për besimin’. (Judës 3) Edhe nëse askush tjetër nuk e di, ju e dini se sa po ushqeheni personalisht nga ana frymore.

Prandaj, ngulmoni në studimin personal. Luftojini në mënyrë të fuqishme dyshimet. Nëse e shpërfillim atë që duket si një infeksion i parëndësishëm, nëse nuk bëjmë asgjë për dyshimet që na shkaktojnë ankth të vazhdueshëm, mund të kemi pasoja shkatërrimtare. (2 Korintasve 11:3) ‘A po jetojmë vërtet në ditët e fundit? A i beson dot çdo gjëje që thuhet në Bibël? A është kjo vërtet organizata e Jehovait?’ Satanai do të kishte shumë qejf të mbillte dyshime të tilla në mendjen tuaj. Mos lejoni që qëndrimi neglizhent ndaj ushqimit frymor t’ju bëjë një pre të lehtë ndaj mësimeve të tij mashtruese. (Kolosianëve 2:4-7) Ndiqni këshillën që iu dha Timoteut. Jini studiues të mirë të ‘shkrimeve të shenjta’, me qëllim që të ‘vazhdoni në gjërat që mësuat dhe u bindët për t’i besuar’.—2 Timoteut 3:13-15.

Mund t’ju duhet ndihmë për ta bërë këtë. Shkrimtari i cituar më sipër vazhdon duke thënë: «Kur kemi një rast të rëndë mosushqimi, organet e tretjes mund të jenë kaq shumë të dëmtuara nga mungesa e vitaminave dhe e gjërave të tjera të domosdoshme, saqë nuk e marrin dot më ushqimin normal, nëse u jepet i tillë. Njerëzit që janë në këtë gjendje mund të kenë nevojë që për njëfarë kohe të hanë ushqim të lehtë, që nuk kërkon shumë tretje.» Nevojitet kujdes i veçantë për të ndrequr pasojat e mosushqimit të trupit. Në mënyrë të ngjashme, një person që e ka lënë shumë pas dore studimin personal të Biblës mund të ketë nevojë për shumë ndihmë dhe nxitje që të rifitojë oreksin frymor. Nëse jeni në këtë gjendje, kërkoni ndihmë dhe pranoni me kënaqësi çfarëdo ndihme që t’ju jepet për të rindërtuar shëndetin dhe forcën tuaj frymore.—Jakovit 5:14, 15.

Mos u ‘lëkundni në një mungesë besimi’

Duke pasur parasysh rrethanat e patriarkut Abraham, disa mund të mendojnë se ai kishte baza të ligjshme për të dyshuar. Mund të duket më se e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se, me gjithë premtimin e Perëndisë, ai ‘s’kishte asnjë shpresë që të bëhej ati i shumë kombeve’. Përse? E pra, nga pikëpamja njerëzore, gjërat nuk dukeshin premtuese. Tregimi biblik thotë se ‘ai e mbajti parasysh trupin e vet, tashmë pothuajse të vdekur, si edhe gjendjen e vdekur të barkut të Sarës’. Megjithatë, nuk pranoi kurrsesi të lejonte që dyshimet për Perëndinë dhe për premtimet e tij të zinin rrënjë në mendjen dhe në zemrën e tij. Apostulli Pavël shkruan: «[Ai] nuk u dobësua në besim» ose «nuk u lëkund në një mungesë besimi». Abrahami qëndroi «plotësisht i bindur se atë që [Perëndia] kishte premtuar, ai ishte edhe në gjendje ta bënte». (Romakëve 4:18-21) Kishte ndërtuar një marrëdhënie të fortë, personale e të besueshme me Jehovain gjatë shumë viteve. Hoqi nga mendja çdo dyshim që mund ta kishte dobësuar atë marrëdhënie.

Edhe ju mund të veproni po kështu, nëse ‘vazhdoni ta mbani modelin e fjalëve të shëndosha’, pra nëse ushqeheni mirë frymësisht. (2 Timoteut 1:13) Merreni seriozisht rrezikun që paraqesin dyshimet. Satanai po bën atë që mund të quhet luftë bakteriologjike frymore. Nëse e lini pas dore ushqimin e mirë frymor, të cilin e marrim me anë të studimit personal të Biblës dhe me anë të mbledhjeve të krishtere, po e lini veten tërësisht të pambrojtur ndaj këtyre sulmeve. Përdoreni mirë furnizimin me ushqim frymor që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur», një furnizim bujar e në kohën e duhur. (Mateu 24:45) Vazhdoni të ‘pranoni fjalët e shëndosha’ dhe qëndroni «të shëndoshë në besim»! (1 Timoteut 6:3; Titit 2:2) Mos i lejoni dyshimet t’jua shkatërrojnë besimin.

[Figurat në faqen 21]

Sa mirë ushqeheni frymësisht?