Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për të kuptuar Biblën

Ndihmë për të kuptuar Biblën

Ndihmë për të kuptuar Biblën

BIBLA është një libër i pashoq. Shkrimtarët e saj pohojnë se janë frymëzuar nga Perëndia dhe përmbajtja e saj siguron prova të bollshme se ky pohim është i vërtetë. (2 Timoteut 3:16) Ndër të tjera, Bibla tregon se nga kemi ardhur, përse jemi këtu dhe ku po shkojmë. Patjetër, është një libër që e meriton ta shqyrtojmë!

Ndoshta jeni përpjekur ta lexoni Biblën, por e keni pasur të vështirë ta kuptoni. Mbase nuk dini ku të kërkoni për të gjetur përgjigjet për pyetjet që keni. Nëse është kështu, nuk jeni vetëm. Rasti juaj është i ngjashëm me atë të një njeriu që jetonte në shekullin e parë. Ai po udhëtonte me karrocë, duke u kthyer nga Jerusalemi për në vendin e tij, në Etiopi. Ky nëpunës etiopas po lexonte me zë të lartë nga libri biblik profetik i Isaisë, i shkruar më tepër se shtatëqind vjet përpara kohës së tij.

Papritur, një njeri që po vraponte afër karrocës e përshëndeti. Ai ishte Filipi, një dishepull i Jezuit, i cili e pyeti etiopasin: «A e kupton vërtet atë që po lexon?» Etiopasi iu përgjigj: «Në të vërtetë, si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Atëherë, e ftoi Filipin të ulej në karrocë me të. Filipi i shpjegoi domethënien e fragmentit që ai njeri po lexonte dhe vazhdoi t’i shpallte «lajmin e mirë për Jezuin».—Veprat 8:30-35.

Ashtu si Filipi shumë kohë më parë e ndihmoi atë etiopas të kuptonte Fjalën e Perëndisë, edhe sot Dëshmitarët e Jehovait i ndihmojnë njerëzit që të kuptojnë Biblën. Ata do të ishin të lumtur t’ju ndihmonin edhe ju. Zakonisht, më e mira është ta studioni Biblën në mënyrë sistematike, duke filluar me mësimet themelore biblike. (Hebrenjve 6:1) Ndërsa përparoni në studim, do të jeni në gjendje të merrni atë që apostulli Pavël e quajti «ushqimi i fortë», domethënë të vërtetat më të thella. (Hebrenjve 5:14) Ndonëse do të studioni Biblën, disa botime të tjera—mjete ndihmëse për studimin e saj—mund t’ju ndihmojnë të gjeni dhe të kuptoni fragmente biblike që flasin për një shumëllojshmëri argumentesh.

Studimi zakonisht mund të rregullohet në një kohë dhe në një vend që është i përshtatshëm për ju. Disa studiojnë, madje, edhe me telefon. Studimi nuk bëhet si në ndonjë shkollë. Ai është një rregullim privat, i përshtatur sipas rrethanave tuaja personale, duke përfshirë prejardhjen dhe arsimimin tuaj. Nuk ju duhet të paguani për të pasur këtë studim biblik. (Mateu 10:8) Nuk ka provime dhe askush nuk do t’ju bëjë të ndiheni në siklet. Do t’u jepet përgjigje pyetjeve që keni dhe do të mësoni se si t’i afroheni Perëndisë. Por, përse duhet ta studioni Biblën? Shqyrtoni disa arsye përse studimi i Biblës mund t’i shtojë gëzim jetës suaj.