Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse ta studiojmë Biblën?

Përse ta studiojmë Biblën?

Përse ta studiojmë Biblën?

BILLI ishte i ri, truplidhur, i arsimuar dhe në gjendje të mirë financiare. E megjithatë s’ishte i kënaqur. Jeta e tij nuk kishte ndonjë drejtim, dhe kjo e shqetësonte shumë. Në përpjekje për të gjetur një qëllim në jetë, ai shqyrtoi fe të ndryshme, por nuk gjeti atë që kërkonte. Në vitin 1991, takoi një Dëshmitar të Jehovait, i cili i la një libër që trajtonte se çfarë thotë Bibla për qëllimin e jetës. U rregullua një studim biblik, në mënyrë që Billi të shqyrtonte këtë argument, si edhe argumente të tjera.

Billi kujton: «E bëmë studimin herën e parë dhe, meqenëse përdorëm Biblën shumë shpesh, e kuptova se kjo ishte ajo që po kërkoja. Përgjigjet nga Bibla ishin shumë entuziazmuese. Pas studimit, shkova me makinë në një vend mes malesh, zbrita nga makina dhe bërtita me zë të lartë nga gëzimi i madh. Isha i drithëruar që, më në fund, po merrja përgjigjet e pyetjeve të mia.»

Sigurisht, jo të gjithë ata që gjejnë të vërtetën biblike bërtasin nga kënaqësia, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjithsesi, për shumë veta është një përvojë e gëzueshme të marrin përgjigjet për pyetjet e rëndësishme të jetës. Ata ndihen si ai njeriu në shëmbëlltyrën e Jezuit, i cili zbuloi një thesar të fshehur në një arë. Jezui tha: «Nga gëzimi shkon dhe shet gjërat që ka dhe e blen atë arë.»—Mateu 13:44.

Çelësi për një jetë domethënëse

Billi kishte menduar thellë për një pyetje kryesore: Cili është qëllimi i jetës? Filozofët, teologët dhe shkencëtarët kanë luftuar me këtë pyetje për mijëvjeçarë të tërë. Janë shkruar libra të panumërt nga individë që janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Përpjekjet e tyre kanë qenë të kota dhe shumë veta kanë nxjerrë përfundimin se kësaj pyetjeje nuk mund t’i gjendet përgjigjja. Megjithatë, përgjigjja ekziston. Ndonëse është e thellë, ajo nuk është e ndërlikuar. Është shpjeguar në Bibël. Çelësi për një jetë të lumtur e domethënëse është ky: Duhet të kemi një marrëdhënie të duhur me Jehovain, Krijuesin dhe Atin tonë qiellor. Si ta arrijmë këtë?

Ka dy veçori në dukje kontradiktore të afrimit me Perëndinë. Ata që i afrohen atij edhe e kanë frikë, edhe e duan. Le të shqyrtojmë dy shkrime që mbështetin këtë pohim. Shumë kohë më parë, mbreti i mençur Solomon bëri një studim të kujdesshëm të njerëzimit dhe ato që kishte zbuluar i dokumentoi në librin biblik të Predikuesit. Duke përmbledhur vëzhgimet që bëri, ai shkroi: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’» (Predikuesi 12:13) Shekuj më vonë, kur e pyetën se cili ishte urdhërimi më i madh në Ligjin që iu dha Moisiut, Jezui u përgjigj: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37) A ju duket e çuditshme që edhe duhet ta kemi frikë Perëndinë, edhe duhet ta duam? Le të shqyrtojmë sa të rëndësishme janë frika e dashuria dhe si bashkëveprojnë ato për të krijuar një marrëdhënie të kënaqshme me Perëndinë.

Çfarë do të thotë të kesh frikë nga Perëndia?

Frika me nderim është thelbësore, nëse duam ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pranueshme. Bibla thotë: «Frika e Zotit është zanafilla e diturisë.» (Psalmi 111:10) Apostulli Pavël shkroi: «Le të vazhdojmë të kemi dashamirësi të pamerituar, nëpërmjet së cilës t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë.» (Hebrenjve 12:28) Në mënyrë të ngjashme, një engjëll që fluturonte në mes të qiellit—të cilin apostulli Gjon e pa në një vegim—e filloi shpalljen e lajmit të mirë me fjalët: «Kini frikë Perëndinë dhe jepini lavdi.»—Zbulesa 14:6, 7.

Kjo frikë Perëndie, e cila është kaq thelbësore për një jetë domethënëse, nuk është e njëjtë me frikën e sëmurë. Mund të ndihemi të trembur e të frikësuar nëse na kërcënon një kriminel mizor e i rrezikshëm. Por frika e Perëndisë është një nderim i thellë për Krijuesin. Përfshin edhe një frikë të shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi Perëndisë, sepse ai është Gjykatësi i Madh dhe i Plotfuqishmi, i cili ka fuqinë dhe autoritetin për të ndëshkuar ata që nuk binden.

Frika dhe dashuria bashkëveprojnë

Gjithsesi, Jehovai nuk do që njerëzit t’i shërbejnë vetëm sepse kanë nderim të thellë për të. Jehovai është në mënyrë të dukshme një Perëndi i dashurisë. Apostulli Gjon u nxit të shkruante: «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Perëndia Jehova ka vepruar në mënyrë shumë të dashur me njerëzimin dhe dëshiron që njerëzit të përgjigjen duke e dashur atë. Por, në ç’mënyrë kjo dashuri është në harmoni me frikën hyjnore? Në të vërtetë, këto dy ndjenja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Psalmisti shkroi: «Marrëdhënia e ngushtë me Jehovain u përket atyre që e kanë frikë atë.»—Psalmi 25:14, BR.

Mjafton të mendojmë për ndjenjën e respektit dhe të nderimit të thellë që ka një fëmijë për babanë e tij, i cili është i fortë dhe i mençur. Në të njëjtën kohë, ai fëmijë i përgjigjet dashurisë që i tregon i ati. Fëmija i beson të atit dhe i drejtohet atij për udhëheqje, i sigurt se kjo udhëheqje do t’i sjellë dobi. Në mënyrë të ngjashme, nëse e duam dhe e kemi frikë Jehovain, do t’i bindemi drejtimit të tij, dhe kjo do të na sjellë dobi. Vini re çfarë tha Jehovai për izraelitët: «Ah, sikur të kishin gjithnjë një zemër të tillë, të më kishin frikë dhe të respektonin tërë urdhërimet e mia, që të rronin gjithnjë në begati ata dhe bijtë e tyre!»—Ligji i përtërirë 5:29.

Po, frika e perëndishme të çon jo në skllavëri, por në liri; jo në trishtim, por në gëzim. Isaia profetizoi për Jezuin: «I dashuri i tij do të qëndrojë në frikën nga Zoti.» (Isaia 11:3) Edhe psalmisti shkroi: «Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.»—Psalmi 112:1.

Qartë, nëse nuk e njohim Perëndinë, as nuk mund ta kemi frikë, as nuk mund ta duam. Ja përse studimi i Biblës është kaq i rëndësishëm. Ky studim na ndihmon të kuptojmë personalitetin e Perëndisë dhe të arrijmë të vlerësojmë se është vërtet e mençur të ndjekim drejtimin e tij. Teksa i afrohemi më shumë Perëndisë, do të dëshirojmë të bëjmë vullnetin e tij dhe do të jemi të nxitur të zbatojmë urdhërimet e tij, duke e ditur se do të nxjerrim dobi prej tyre.—1 Gjonit 5:3.

Është një gëzim të dimë se jemi në rrugën e duhur në jetë. Kjo ndodhi edhe me Billin, që u përmend në hyrje të artikullit. Kohët e fundit, ai tha: «Gjatë nëntë vjetëve që kanë kaluar nga studimi i parë i Biblës, marrëdhënia ime me Jehovain është forcuar. Shpërthimi fillestar i gëzimit që ndjeva është rritur, duke u kthyer në një udhë vërtet të gëzueshme jete. Kam gjithnjë një pikëpamje pozitive për jetën. Ditët e mia janë mbushur me veprimtari domethënëse, jo me kërkimin pa ndonjë qëllim të kënaqësive. Jehovai është bërë një person real për mua dhe e di se ka për zemër interesat e mia më të mira.»

Në artikullin vijues do të shqyrtojmë më tej se si njohuria për Jehovain u sjell gëzim dhe dobi atyre që e zbatojnë këtë njohuri në jetë.

[Diçitura në faqen 5]

T’i afrohemi Perëndisë do të thotë ta duam dhe ta kemi frikë

[Figura në faqen 6]

Jezui ishte i gëzuar në frikën e Jehovait