Pemë që u qëndrojnë sprovave të kohës
Pemë që u qëndrojnë sprovave të kohës
Një shkëmb mund të mos duket si vendi ideal për të banuar, sidomos nëse gjendet lart në male. Por, me gjithë kushtet jo të favorshme në dukje, disa pemë alpine kapen fort pas këtyre shkëmbinjve, duke i bërë ballë të ftohtit therës të dimrit dhe duke duruar thatësirën e verës.
ZAKONISHT, këto pemë të forta nuk janë aq madhështore sa kushërirat e tyre të vendeve të ulëta. Trungjet e tyre mund të jenë me gunga e të shtrembëruara dhe rritja e tyre mund të jetë penguar në mënyrë të konsiderueshme. Ato janë modeluar dhe krasitur nga klima e ashpër dhe nga toka e varfër në të cilën rriten.
Duke qenë se këto pemë durojnë një nga mjediset më jomikpritëse në tokë, ndoshta mund të mendoni se ato kanë një jetë të shkurtër. Por është krejt e kundërta. Disa thonë se Metuselahu, një lloj pishe (Pinus aristata) që rritet në lartësinë 3.000 metra në Malet e Bardha të Kalifornisë, ka një moshë 4.700-vjeçare. Libri i rekordeve Gines 1997, e citon këtë lloj pishe si pema më e vjetër e gjallë në planet. Edmund Shulmani, i cili bëri një studim për këto pemë të lashta, shpjegoi: «Kjo pishë . . . duket se mbijeton për shkak të vështirësive. Të gjitha [pishat] e vjetra në Malet e Bardha gjenden në lartësinë prej afro 3.000 metrash, në një shkretëtirë të thatë e me shkëmbinj.» Shulmani zbuloi edhe se llojet më të vjetra të pishave të tjera rriteshin po ashtu në kushte të ashpra.
Ndonëse duhet të kapërcejnë vështirësi, këto shembuj të qëndrueshmërisë shfrytëzojnë sa më shumë dy gjërat e favorshme që kanë. Vendndodhja e tyre e vetmuar, ku bimësia është shumë e shpërndarë, i mbron nga zjarret e pyjeve, një nga kërcënimet më të mëdha për pemët e vjetra. Gjithashtu, rrënjët i mbajnë të lidhura kaq fort pas shkëmbinjve, saqë vetëm një tërmet mund t’i shkulë.
Në Bibël, shërbëtorët besnikë të Perëndisë janë krahasuar me pemë. (Psalmi 1:1-3; Jeremia 17:7, 8) Edhe ata mund të hasin vështirësi për shkak të rrethanave në të cilat gjenden. Përndjekja, shëndeti i dobët ose varfëria shtypëse mund t’ua sprovojnë rëndë besimin, sidomos kur sprovat zgjatin për vite të tëra. Gjithsesi, Krijuesi i tyre, i cili projektoi pemë që u qëndrojnë kaq mirë vështirësive, i siguron adhuruesit e tij se do t’i mbështetë. Bibla u premton atyre që nuk tërhiqen: «[Ai] do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë.»—1 Pjetrit 5:9, 10.
Mendimi që qëndron pas foljes greke që shpesh në Bibël përkthehet «qëndroj» është ‘të mos tërhiqesh, të qëndrosh i palëkundur ose të ngulmosh’. Siç ndodh me pemët alpine, çelësi për qëndrueshmërinë është një sistem i mirë rrënjësh. Në rastin e të krishterëve, ata duhet të jenë të rrënjosur në mënyrë të patundur në Jezu Krishtin, me qëllim që të qëndrojnë të patundur. «Sikurse e keni pranuar Krishtin Jezu, Zotërinë,—shkroi Pavli,—vazhdoni të ecni në unitet me të, të rrënjosur, duke u ndërtuar në të e duke u stabilizuar në besim, ashtu siç ju është mësuar, duke vërshuar me besim në dhënie falënderimesh.»—Kolosianëve 2:6, 7.
Pavli e kuptoi nevojën për rrënjë të forta frymore. Ai vetë luftoi me «një gjemb në mish» dhe duroi përndjekje të ashpër gjatë gjithë shërbimit të tij. (2 Korintasve 11:23-27; 12:7) Por, megjithatë, zbuloi se me forcën e Perëndisë mund të vazhdonte të ecte përpara. Ai tha: «Për çdo gjë kam forcë në sajë të atij që më jep fuqi.»—Filipianëve 4:13.
Siç e tregon shembulli i Pavlit, suksesi në qëndrueshmërinë e krishterë nuk varet nga rrethanat e favorshme. Ashtu si pemët alpine që u qëndrojnë me sukses për shekuj të tërë stuhive, ne mund të qëndrojmë të patundur në besim nëse jemi të rrënjosur në Krishtin dhe nëse tregojmë se jemi të varur nga fuqia që jep Perëndia. Për më tepër, nëse qëndrojmë deri në fund, kemi perspektivën për të provuar vetë përmbushjen e një premtimi tjetër hyjnor: «Ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve.»—Isaia 65:22; Mateu 24:13.