Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni vërtet tolerantë?

A jeni vërtet tolerantë?

A jeni vërtet tolerantë?

A JENI ndier ndonjëherë tejet të acaruar për shkak të sjelljes së papërshtatshme të dikujt? A veproni menjëherë kur ndikimet korruptuese po dëmtojnë rëndë shokët tuaj të ngushtë?

Disa herë kërkohet një veprim i menjëhershëm dhe i vendosur për të ndalur përhapjen e mëkatit të rëndë. Për shembull, kur keqbërja e paturpshme kërcënonte të ndotte izraelitët në shekullin e 15-të p.e.s., nipi i Aaronit, Fineasi, ndërmori veprime të vendosura për të eliminuar atë që ishte e keqe. Perëndia Jehova e miratoi atë që bëri ai, duke thënë: «Fineasi . . . e ka larguar zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, duke mos toleruar në asnjë mënyrë mes tyre asnjë rivalitet ndaj meje.»—Numrat 25:1-11, BR.

Fineasi ndërmori veprimet e duhura për të ndalur përhapjen e korruptimit. Por, ç’të themi për zemërimin e pakontrolluar ndaj mangësive njerëzore të të tjerëve? Nëse do të vepronim rrëmbimthi ose pa një shkak të drejtë, do të bëheshim jo mbrojtës të flaktë të drejtësisë, por personifikime të intolerancës, persona që nuk u lëshojnë pe papërsosmërive të të tjerëve. Çfarë mund të na ndihmojë që ta shmangim këtë grackë?

‘Jehovai fal të gjithë gabimin tënd’

Jehovai është «një Perëndi që është xheloz (i zellshëm); një Perëndi që nuk toleron rivalitet». (Dalja [Eksodi] 20:5, shënimi, BR) Duke qenë Krijuesi, ai ka të drejtën të na kërkojë devocion ekskluziv. (Zbulesa 4:11) Megjithatë, Jehovai është tolerant ndaj dobësive njerëzore. Prandaj, psalmisti David këndoi për të: «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi. Ai nuk do të vazhdojë të gjejë gjithnjë të meta . . . Ai nuk ka vepruar me ne sipas mëkateve tona; as nuk ka sjellë mbi ne atë që meritojmë sipas gabimeve tona.» Pra, nëse pendohemi, Perëndia ‘na fal të gjithë gabimin tonë’.—Psalmi 103:3, 8-10, BR.

Duke qenë se e kupton natyrën mëkatare të njerëzve, Jehovai nuk ‘vazhdon të gjejë të meta’ te keqbërësit e penduar. (Psalmi 51:5; Romakëve 5:12) Në të vërtetë, qëllimi i tij është të zhdukë mëkatin dhe papërsosmërinë. Derisa të arrihet plotësisht kjo, në vend që të sjellë mbi ne ‘atë që meritojmë’, me zemërbutësi Perëndia ofron faljen në bazë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit. Asnjeri prej nesh nuk do të gjykohej i denjë për të mbijetuar, nëse Jehovai nuk do të na kishte treguar mëshirë kur ishte e përshtatshme. (Psalmi 130:3) Sa mirënjohës mund të jemi që Ati ynë qiellor, i cili me të drejtë kërkon devocion ekskluziv, është një Perëndi i mëshirshëm!

Duhet drejtpeshim

Duke qenë se Zotëria Sovran i universit tregon tolerancë në marrëdhëniet me njerëzit e papërsosur, a nuk duhet të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë? Toleranca mund të përkufizohet si prirja për të qenë i durueshëm me idetë ose zakonet e të tjerëve. A e kemi personalisht këtë prirje për të ushtruar durim dhe vetëpërmbajtje kur të tjerët thonë ose bëjnë gjëra që nuk janë mëkate të mëdha, por që ndoshta janë të papërshtatshme në fjalë a në veprime?

Sigurisht, nuk duhet të kalojmë në ekstremin tjetër e të jemi tepër tolerantë. Për shembull, dëme të tmerrshme shkaktohen kur autoritetet fetare tolerojnë priftërinjtë abuzues, të cilët vazhdimisht ngacmojnë seksualisht djemtë e vajzat. «Duke e trajtuar atë që u ndodhi fëmijëve vetëm si incident të mëkatit,—komentoi një reporter në Irlandë,—autoritetet e kishës vetëm sa e transferuan priftin mëkatar [në një vend tjetër].»

A është një shembull i tolerancës së përshtatshme thjesht transferimi i një njeriu të tillë? Vështirë se po! Të supozojmë se një komision mjekësor e lejon një kirurg të papërgjegjshëm të vazhdojë të operojë, duke e transferuar nga një spital në tjetrin, ndonëse ky i vret ose i gjymton pacientët e tij. Këtë «tolerancë» mund ta shkaktojë një ndjenjë e gabuar e besnikërisë profesionale mes mjekëve. Por, ç’të themi për viktimat që humbin jetën ose që dëmtohen për shkak të praktikave neglizhente ose edhe kriminale?

Ekziston edhe rreziku që të tregojmë tepër pak tolerancë. Kur Jezui ishte në tokë, disa judenj, të njohur si zelotët, përpiqeshin në mënyrë të gabuar ta përdornin shembullin e Fineasit për të justifikuar veprimet e tyre. Një veprim ekstrem i disa zelotëve ishte «të përziheshin me turmat në Jerusalem gjatë festave dhe ngjarjeve të ngjashme, dhe t’i ngulnin papritur thikën personit ndaj të cilit kishin pakënaqësi».

Si të krishterë, nuk do të shkonim kurrë aq larg sa shkuan zelotët, duke sulmuar fizikisht ata që na shkaktojnë pakënaqësi. Por, a na shtyn njëfarë mase intolerance që t’i sulmojmë në mënyra të tjera, ndoshta duke i sharë, personat që nuk na pëlqejnë? Nëse jemi vërtetë tolerantë, nuk do t’i drejtohemi një të foluri të tillë të dëmshëm.

Farisenjtë e shekullit të parë ishin një grup tjetër intolerant. Ata i dënonin vazhdimisht të tjerët dhe nuk merrnin fare parasysh papërsosmërinë njerëzore. Farisenjtë krenarë i përçmonin njerëzit e thjeshtë, duke folur keq për ta si «njerëz të mallkuar». (Gjoni 7:49) Me arsye të vlefshme, Jezui i dënoi publikisht këta njerëz të vetëshpallur të drejtë, duke thënë: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Sepse ju jepni të dhjetën e mendrës, të koprës e të qimnonit, por keni shpërfillur çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë, drejtësinë, mëshirën dhe besueshmërinë. Këto gjëra ishte e detyrueshme t’i bënit, por pa shpërfillur gjërat e tjera.»—Mateu 23:23.

Duke bërë këtë pohim, Jezui nuk po e minimizonte rëndësinë e zbatimit të Ligjit të Moisiut. Ai vetëm sa po tregonte se aspektet «më me peshë» ose më të rëndësishme të Ligjit kërkonin zbatimin e tij me arsyetueshmëri dhe me mëshirë. Sa shumë dalloheshin Jezui dhe dishepujt e tij nga farisenjtë e nga zelotët intolerantë!

As Perëndia Jehova dhe as Jezu Krishti nuk e justifikojnë ligësinë. Së shpejti, ‘hakmarrja do të bjerë mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë’. (2 Selanikasve 1:6-10) Megjithatë, në zellin e tij për drejtësinë, Jezui nuk harron kurrë të pasqyrojë kujdesin e dashur, me mëshirë e durim që tregon Ati i tij qiellor për të gjithë ata që duan të bëjnë atë që është e drejtë. (Isaia 42:1-3; Mateu 11:28-30; 12:18-21) Sa shembull të shkëlqyer lë Jezui për ne!

Të durojmë njëri-tjetrin me zemërgjerësi

Ndonëse mund të kemi shumë zell për atë që është e drejtë, le të zbatojmë këshillën e apostullit Pavël: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu sikurse Jehovai ju fali bujarisht, edhe ju bëni po ashtu.» (Kolosianëve 3:13; Mateu 6:14, 15) Toleranca kërkon që të durojmë mangësitë dhe gabimet e njëri-tjetrit në këtë botë të papërsosur. Duhet të jemi të arsyeshëm në atë që presim nga të tjerët.—Filipianëve 4:5.

Të jemi tolerantë nuk nënkupton në asnjë mënyrë që të miratojmë keqbërjen ose të jemi të verbër ndaj gabimeve. Ndonjë aspekt i mënyrës së të menduarit ose i sjelljes së një bashkëbesimtari mund të jetë disi jo në harmoni me normat e Jehovait. Ndonëse shmangia mund të mos jetë ende aq e rëndë, sa të bëjë që Perëndia ta hedhë poshtë atë person, kjo shmangie mund të jetë një sinjal paralajmërimi duke treguar se kërkohen disa rregullime. (Zanafilla 4:6, 7) Sa e dashur është kur ata që kanë kualifikime frymore përpiqen ta ndreqin personin që ka gabuar, me një frymë butësie! (Galatasve 6:1) Por, për t’ia dalë mbanë në këtë përpjekje, është e nevojshme të veprojmë nga interesimi për tjetrin, në vend që të veprojmë me një frymë kritike.

«Me frymë butësie dhe respekt të thellë»

Ç’të themi për durimin që tregojmë ndaj njerëzve, pikëpamjet fetare të të cilëve ndryshojnë nga tonat? Në një deklaratë me titull «Mësim i përgjithshëm», që u afishua në të gjitha shkollat kombëtare të ngritura në Irlandë në vitin 1831, lexohet: «Jezu Krishti nuk kishte për qëllim që feja e tij t’u imponohej njerëzve me mjete të dhunshme. . . . Të grindemi me njerëzit e tjerë dhe t’i keqtrajtojmë nuk është mënyra për t’i bindur se ne kemi të drejtë dhe ata e kanë gabim. Ka më shumë të ngjarë që t’i bindë se nuk kemi frymën e krishterë.»

Jezui mësoi dhe veproi në një mënyrë që i tërhiqte njerëzit drejt Fjalës së Perëndisë dhe po kështu duhet të bëjmë edhe ne. (Marku 6:34; Luka 4:22, 32; 1 Pjetrit 2:21) Si njeri i përsosur me gjykim të thellë të veçantë, të cilin ia kishte dhënë Perëndia, ai mund të lexonte zemrat. Prandaj, kur ishte e nevojshme, Jezui ishte në gjendje të denonconte ashpër armiqtë e Jehovait. (Mateu 23:13-33) Kjo mënyrë e tij e të vepruarit nuk ishte intolerante.

Ndryshe nga Jezui, neve na mungon aftësia për të lexuar zemrat. Prandaj, duhet të ndjekim këshillën e apostullit Pjetër: «Shenjtëroni Krishtin si Zotëri në zemrat tuaja, gjithnjë gati për t’i paraqitur një mbrojtje kujtdo që ju kërkon arsye për shpresën që është në ju, por duke e bërë këtë bashkë me frymë butësie dhe respekt të thellë.» (1 Pjetrit 3:15) Si shërbëtorë të Jehovait ne duhet ta mbrojmë atë që besojmë, sepse është e bazuar fortësisht në Fjalën e Perëndisë. Por këtë duhet ta bëjmë në një mënyrë që tregon respekt për të tjerët dhe për bindjet e tyre të sinqerta. Pavli shkroi: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, në mënyrë që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.»—Kolosianëve 4:6.

Në Predikimin e tij të famshëm në Mal, Jezui tha: «Gjithçka . . . që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Prandaj, le ta durojmë njëri-tjetrin me zemërgjerësi dhe të tregojmë respekt për ata të cilëve u predikojmë lajmin e mirë. Duke e ekuilibruar zellin për drejtësi me tolerancën e bazuar në Bibël, do t’i pëlqejmë Jehovait dhe do të jemi vërtet tolerantë.

[Figura në faqen 23]

Shmangni qëndrimin intolerant të farisenjve

[Figura në faqen 23]

Jezui pasqyroi frymën tolerante të Atit të tij. Po ju?