Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ka jetë pas vdekjes?

A ka jetë pas vdekjes?

A ka jetë pas vdekjes?

«NË QOFTË se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?»—pyeti patriarku Job rreth 3.500 vjet më parë. (Jobi 14:14) Kjo pyetje e ka lënë ndërdyshas njerëzimin për mijëvjeçarë të tërë. Gjatë epokave, njerëzit në çdo shoqëri kanë menduar thellë për këtë temë dhe kanë nxjerrë teori të ndryshme.

Shumë nga ata që pohojnë se janë të krishterë besojnë në parajsë dhe në ferr. Hinduistët, nga ana tjetër, besojnë në rimishërimin. Duke komentuar për pikëpamjen e myslimanëve, Amir Muavija, asistent në një qendër fetare islamike, thotë: «Ne besojmë se do të ketë një ditë gjykimi pas vdekjes, kur ti shkon para Perëndisë, Allahut, e cila do të jetë tamam si të dalësh para një gjykate.» Sipas besimit islamik, Allahu atëherë do të vlerësojë mënyrën e jetës së secilit dhe pastaj do ta dorëzojë ose në parajsë ose në zjarrin e ferrit.

Në Sri-Lankë, si budistët, ashtu edhe katolikët, kur në familjen e tyre ndodh një vdekje, i lënë dyert dhe dritaret krejtësisht hapur. Ndezin një llambë me vaj dhe arkivolin e vënë në një mënyrë të tillë që këmbët e të vdekurit të jenë përballë derës kryesore. Ata besojnë se këto procedura lehtësojnë daljen e frymës ose shpirtit të të vdekurit nga shtëpia.

Ronald M. Bernti nga Universiteti i Australisë Perëndimore thotë se aborigjenët e Australisë besojnë që «qeniet njerëzore janë frymësisht të pashkatërrueshme». Disa fise afrikane besojnë se pas vdekjes, njerëzit e zakonshëm bëhen fantazma, kurse individët e shquar bëhen frymëra të të parëve, të cilëve do t’u jepet nderim dhe do t’u drejtohen lutje përgjëruese si udhëheqës të padukshëm të bashkësisë.

Në disa vende, besimet për gjendjen e të vdekurve janë një kombinim i traditave vendëse me ato të të ashtuquajturit krishterim. Për shembull, mes shumë katolikëve dhe protestantëve në Afrikën Perëndimore, është zakon mbulimi i pasqyrave kur dikush vdes, kështu që asnjëri të mos ketë mundësi të vështrojë në to dhe të shohë frymën e personit të vdekur.

Përgjigjet që njerëzit i japin pyetjes ‘Çfarë ndodh me ne kur vdesim?’ janë vërtet të ndryshme. Megjithatë, një mendim i përbashkët është: diçka brenda një personi është e pavdekshme dhe mbijeton pas vdekjes. Disa njerëz besojnë se kjo «diçka» është një frymë. Për shembull, në disa pjesë të Afrikës e të Azisë, si edhe në gjithë rajonin e Paqësorit që përfshin Polinezinë, Melanezinë dhe Mikronezinë, shumë veta besojnë se një frymë—jo një shpirt—është e pavdekshme. Madje, disa gjuhë as nuk e kanë fjalën «shpirt».

A ka një frymë brenda një personi të gjallë? A e lë vërtet kjo frymë trupin pas vdekjes? Nëse po, çfarë ndodh me të? Çfarë shprese ka për të vdekurit? Këto pyetje nuk duhen shpërfillur. Cilado qoftë prejardhja jonë kulturore ose fetare, vdekja është një fakt që të gjithë e përballojmë. Pra, kjo çështje na prek në mënyrë shumë personale. Ju nxitim që ta shqyrtoni këtë çështje.