Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Bekimet janë për të drejtin’

‘Bekimet janë për të drejtin’

‘Bekimet janë për të drejtin’

«KAM qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë»,—tha psalmisti David kur ishte i moshuar. (Psalmi 37:25) Perëndia Jehova i do të drejtët dhe kujdeset me dashuri për ta. Në Fjalën e tij, në Bibël, ai u bën thirrje adhuruesve të vërtetë që të kërkojnë drejtësinë.—Sofonia 2:3.

Drejtësia është të qenët i drejtë para Perëndisë, duke u pajtuar me normat e tij të së mirës dhe të së keqes. Duke na nxitur që të jemi në përputhje me vullnetin e Perëndisë, kreu 10 i librit biblik të Fjalëve të urta flet për bekimet e mëdha frymore që gëzojnë ata që veprojnë kështu. Ndër to janë furnizimi i bollshëm me ushqim frymor me vlera ushqyese, një punë shpërblyese dhe e kënaqshme, si edhe një marrëdhënie e mirë me Perëndinë dhe me njerëzit. Pra, le të meditojmë për Fjalët e urta 10:1-14.

Një nxitës i shkëlqyer

Fjalët hapëse të kreut nuk lënë asnjë dyshim se cili është shkrimtari i kësaj pjese tjetër të librit të Fjalëve të urta. Aty lexojmë: «Fjalët e urta të Salomonit.» Duke përmendur një nxitës të shkëlqyer për të ndjekur rrugën e drejtë, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë thotë: «Një fëmijë i urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënës së vet.»Fjalët e urta 10:1.

Sa shumë hidhërim provojnë prindërit kur ndonjë nga fëmijët e tyre e braktis adhurimin e Perëndisë së vërtetë e të gjallë! Mbreti i mençur e përmend veçanërisht hidhërimin e nënës, ndoshta duke lënë të kuptohet se ajo vuan më shumë. Ishte tamam kështu për Dorisin. * Ajo tregon: «Kur djali ynë 21-vjeçar e la të vërtetën, mua dhe tim shoqi, Frankut, na u copëtua zemra. Dhembja emocionale ka qenë më e fortë për mua sesa për Frankun. Edhe pse kanë kaluar 12 vjet, plaga nuk është mbyllur.»

Fëmijët mund të ndikojnë në lumturinë e babait të tyre dhe mund t’i shkaktojnë dhembje nënës. Le të tregojmë mençuri e t’u sjellim gëzim prindërve tanë! Mbi të gjitha, le të gëzojmë zemrën e Atit tonë qiellor, Jehovait!

‘I drejti do të kënaqet’

«Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi,—thotë mbreti,—por drejtësia të çliron nga vdekja.» (Fjalët e urta 10:2) Për të krishterët e vërtetë që jetojnë thellë në kohën e mbarimit, këto fjalë janë vërtet të çmuara. (Danieli 12:4) Shkatërrimi i botës së paperëndishme është shumë afër. Asnjë mjet sigurie i bërë nga njerëzit—material, financiar ose ushtarak—nuk do të sigurojë mbrojtje gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që po vjen. (Zbulesa 7:9, 10, 13, 14) Vetëm «njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty». (Fjalët e urta 2:21) Atëherë, le të vazhdojmë të ‘kërkojmë më parë mbretërinë dhe drejtësinë e [Perëndisë]’.—Mateu 6:33.

Shërbëtorëve të Jehovait nuk u duhet të presin derisa të vijë bota e re e premtuar për të marrë bekime prej Perëndisë. «Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.» (Fjalët e urta 10:3) Jehovai ka siguruar ushqim të bollshëm frymor nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mateu 24:45) I drejti ka patjetër arsye të ‘këndojë për gëzimin e zemrës së tij’. (Isaia 65:14) Njohuria është e këndshme për shpirtin e tij. Kënaqësia e tij është të kërkojë thesare frymore. I ligu nuk njeh kënaqësi të tilla.

‘Zelli të bën të pasurohesh’

I drejti bekohet edhe në një mënyrë tjetër. «Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh. Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.»Fjalët e urta 10:4, 5.

Veçanërisht domethënëse janë fjalët që mbreti thotë për korrësit gjatë korrjes. Stina e korrjes nuk është një kohë për të dremitur. Është një kohë për zell dhe punë me orë të zgjatura. Është tamam kohë urgjence.

Duke pasur ndër mend jo korrjen e grurit, por të njerëzve, Jezui u tha dishepujve të vet: «E korra është e madhe, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë të së korrës [Perëndisë Jehova] të dërgojë punëtorë në të korrën e tij.» (Mateu 9:35-38) Në vitin 2000, më shumë se 14 milionë veta ishin të pranishëm në Përkujtimin e vdekjes së Jezuit, më shumë se dyfishi i numrit të Dëshmitarëve të Jehovait. Pra, kush mund ta mohojë se ‘fushat janë të bardha për korrje’? (Gjoni 4:35) Adhuruesit e vërtetë i kërkojnë Zotërisë më shumë punëtorë, ndërkohë që vetë ushtrohen fuqimisht në veprën e bërjes së dishepujve, në harmoni me lutjet e tyre. (Mateu 28:19, 20) Sa shumë i ka bekuar Jehovai përpjekjet e tyre! Gjatë vitit të shërbimit 2000, u pagëzuan më shumë se 280.000 persona të rinj. Edhe këta përpiqen të bëhen mësues të Fjalës së Perëndisë. Le të provojmë edhe ne gëzim e kënaqësi në këtë stinë korrjeje, duke marrë pjesë plotësisht në veprën e bërjes së dishepujve!

‘Bekimet janë mbi kokën e tij’

«Ka bekime mbi kokën e të drejtit,—vazhdon Solomoni,—por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.»Fjalët e urta 10:6.

Ai që është i pastër e i drejtë në zemër jep dëshmi të bollshme të drejtësisë së tij. I foluri i tij është mirëdashës dhe ndërtues, veprimet janë pozitive dhe bujare. Të tjerët e mirëpresin shoqërinë e tij. Një person i tillë fiton vlerësimin e tyre, bekimet e tyre, në kuptimin që ata flasin mirë për të.

Nga ana tjetër, një person i lig është plot urrejtje e keqdashje dhe, në thelb, ka vetëm synimin t’u bëjë keq të tjerëve. I foluri i tij mund të jetë i ëmbël dhe mund ta ‘mbulojë dhunën’ që fshihet në zemrën e tij, por, përfundimisht, ai përdor sulmet me veprime ose me fjalë. (Mateu 12:34, 35) Përndryshe «dhuna do të mbulojë [ose mbyllë] gojën e njerëzve të ligj». (Fjalët e urta 10:6, shënimi, BR) Kjo tregon se personi i lig zakonisht merr nga të tjerët atë që shfaq vetë ai, domethënë armiqësinë. Kjo, si të thuash, ia mbulon ose ia mbyll gojën atij dhe e bën të heshtë. E çfarë bekimesh mund të presë ky person nga të tjerët?

«Kujtimi i të drejtit është në bekim,—shkruan mbreti i Izraelit,—por emri i të pabesit do të kalbet.» (Fjalët e urta 10:7) I drejti kujtohet për mirë nga të tjerët e, ç’është më e rëndësishmja, nga Perëndia Jehova. Duke qenë besnik deri në vdekje, Jezui «ka trashëguar një emër më të shkëlqyer» se ai i engjëjve. (Hebrenjve 1:3, 4) Burrat besnikë dhe gratë besnike të kohëve para krishterimit kujtohen sot nga të krishterët e vërtetë si shembuj të denjë për t’u imituar. (Hebrenjve 12:1, 2) Sa ndryshon kjo nga emri që bëjnë të ligjtë, i cili bëhet diçka e neveritshme dhe e pështirë! Po, «një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari». (Fjalët e urta 22:1) Le të bëjmë një emër të mirë para Jehovait dhe të tjerëve!

‘Njeriu që ecën në integritet ecën i sigurt’

Duke bërë dallimin ndërmjet të mençurve dhe të pamendëve, Solomoni thotë: «Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.» (Fjalët e urta 10:8) Një person i mençur e di mirë se «rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij». (Jeremia 10:23) Ai e kupton nevojën për t’i kërkuar udhëheqje Jehovait dhe i pranon pa ngurrim urdhërimet e Perëndisë. Nga ana tjetër, fjalamani i pamend nuk arrin ta kuptojë këtë fakt themelor. Llomotitjet e tij të pakuptimta e çojnë në rrënim.

Një person i drejtë gëzon, gjithashtu, një lloj sigurie që nuk e përjetojnë të ligjtë. «Ai që ecën në ndershmëri [integritet, BR] ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t’u zbuluar. Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.»Fjalët e urta 10:9, 10.

Një njeri me integritet është i ndershëm në punët e tij. Fiton respektin dhe besimin e të tjerëve. Një person i ndershëm vlerësohet si punëtor dhe shpesh i besohen më shumë përgjegjësi. Emri që i bën vetes si person i ndershëm mund ta ndihmojë që të vazhdojë të ketë punë, edhe kur puna është me pakicë. Për më tepër, ndershmëria e tij ndihmon për të pasur një atmosferë të këndshme e paqësore në shtëpi. (Psalmi 34:13, 14) Ndihet i sigurt në marrëdhënien e tij me familjarët e vet. Siguria është vërtet fryt i integritetit.

Gjendja është e ndryshme me personin që përdor pandershmërinë për përfitim egoist. Një mashtrues mund të përpiqet ta maskojë pavërtetësinë e tij me një të folur dredharak a me gjeste të ndryshme. (Fjalët e urta 6:12-14) Shkelja e syrit për qëllime të liga ose mashtruese mund t’u shkaktojë viktimave të mashtrimit të tij shumë angështi mendore. Por, herët a vonë, dredhia e këtij personi bëhet e njohur. Apostulli Pavël shkroi: «Mëkatet e disa njerëzve duken sheshit, duke çuar drejt e në gjykim, por për sa u përket të tjerëve, edhe mëkatet e tyre dalin sheshit më vonë. Po ashtu, edhe veprat e shkëlqyera duken sheshit dhe ato që nuk janë të tilla nuk mbahen dot fshehur.» (1 Timoteut 5:24, 25) Kushdo të jetë përfshirë—një prind, një mik, bashkëshorti ose një i njohur—pandershmëria, herët a vonë, zbulohet. Kush mund t’i besojë më një njeriu që i ka bërë emër vetes si person i pandershëm?

‘Goja e tij është një burim jete’

«Goja e të drejtit është një burim jete,—thotë Solomoni,—por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.» (Fjalët e urta 10:11) Fjalët që dalin nga goja mund të shërojnë ose mund të lëndojnë. Mund ta freskojnë dhe ta gjallërojnë një person ose mund ta shkurajojnë.

Duke identifikuar motivin që qëndron pas fjalëve që thuhen, mbreti i Izraelit thotë: «Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.» (Fjalët e urta 10:12) Urrejtja sjell grindje në shoqërinë njerëzore, duke krijuar konflikte. Ata që e duan Jehovain duhet ta çrrënjosin urrejtjen nga jeta e tyre. Si mund ta bëjnë këtë? Duke e zëvendësuar me dashurinë. «Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.» (1 Pjetrit 4:8) Dashuria «mban çdo gjë», domethënë «të gjitha gjërat i mbulon». (1 Korintasve 13:7, Kingdom Interlinear) Dashuria e perëndishme nuk pret përsosmëri nga njerëzit e papërsosur. Në vend që të bëjë bujë për gabimet e të tjerëve, kjo dashuri na ndihmon t’i anashkalojmë gabimet e tyre, përveç rastit kur përfshihet ndonjë veprim i lig i rëndë. Madje, dashuria duron edhe keqtrajtimin në shërbim, në vendin e punës ose në shkollë.

Mbreti i mençur vazhdon: «Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.» (Fjalët e urta 10:13) Mençuria e një personi me kuptueshmëri udhëheq hapat e tij. Fjalët ndërtuese që thotë i ndihmojnë të tjerët të ecin në udhën e drejtësisë. As ai, as ata që e dëgjojnë, nuk kanë nevojë që t’i detyrojnë të ecin në drejtimin e duhur: detyrim që shfaqet me shkopin e ndëshkimit.

«Grumbullojnë njohuri»

Çfarë ndihmon që fjalët tona të jenë ‘një përrua gurgullues mençurie’ në vend që të jenë një përrua i zhurmshëm me gjëra të parëndësishme? (Proverbat 18:4, BR) Solomoni përgjigjet: «Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.»Fjalët e urta 10:14.

Kërkesa e parë është që mendja jonë duhet të mbushet me njohurinë ndërtuese të Perëndisë. Ka vetëm një burim të asaj njohurie. Apostulli Pavël shkroi: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.» (2 Timoteut 3:16, 17) Duhet të grumbullojmë njohuri dhe të gërmojmë në Fjalën e Perëndisë si të kërkonim për një thesar të fshehur. Sa entuziazmues dhe shpërblyes është ky kërkim!

Që në buzët tona të gjendet mençuria, njohuria e Shkrimeve duhet të arrijë edhe në zemrën tonë. Jezui u tha dëgjuesve të tij: «Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij, por i ligu nxjerr atë që është e ligë nga thesari i tij i lig; sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Prandaj, duhet ta kemi zakon që të meditojmë për atë që mësojmë. Vërtet, studimi dhe meditimi kërkojnë përpjekje, por sa na pasuron frymësisht një studim i tillë! Nuk ka asnjë arsye që një person të ndjekë drejtimin shkatërrimtar të një llafazani që thotë fjalë të pamenduara.

Po, një person i mençur bën atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë dhe ka ndikim të mirë te të tjerët. Gëzon një furnizim të bollshëm me ushqim frymor dhe ka shumë për të bërë në veprën shpërblyese të Zotërisë. (1 Korintasve 15:58) Duke qenë njeri me integritet, ai ecën i sigurt dhe ka miratimin e Perëndisë. Vërtet, të shumta janë bekimet e të drejtit. Le të kërkojmë drejtësinë duke e vënë jetën në harmoni me normat që ka Perëndia për të mirën dhe të keqen!

[Shënimi]

^ par. 6 Emri është ndryshuar.

[Figura në faqen 25]

Ndershmëria ndihmon për të pasur një jetë të lumtur familjare

[Figura në faqen 26]

‘Të mençurit grumbullojnë njohuri’