Ndihmohen të rinjtë me udhëzime në kohën e duhur
Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur
Ndihmohen të rinjtë me udhëzime në kohën e duhur
EPAFRAI ishte një i krishterë i shekullit të parë që kishte shkuar në Romë. Por, me arsye të vlefshme, ai vazhdonte të mendonte për Kolosenë, një qytet në Azinë e Vogël. Kishte predikuar lajmin e mirë atje dhe, pa dyshim, i kishte ndihmuar disa kolosianë të bëheshin dishepuj të Jezu Krishtit. (Kolosianëve 1:7) Epafrai ishte shumë në merak për bashkëbesimtarët në Kolose, pasi, që nga Roma, apostulli Pavël u shkroi këtyre të fundit: «Epafrai . . . ju dërgon të fala, duke u përpjekur gjithmonë për ju në lutjet e tij, që më së fundi të qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë.»—Kolosianëve 4:12.
Në mënyrë të ngjashme, sot nënat dhe baballarët e krishterë luten me zjarr për mirëqenien frymore të fëmijëve të tyre. Këta prindër përpiqen të mbjellin në zemrat e fëmijëve të tyre dashurinë për Perëndinë, me qëllim që ata të bëhen të patundur në besim.
Shumë të rinj të krishterë kanë kërkuar ndihmë për të përballuar sfidat që hasin në shkollë e gjetkë. Një 15-vjeçare tha: «Problemet tona po keqësohen. Jeta është shumë e frikshme. Kemi nevojë për ndihmë!» A kanë marrë përgjigje kërkesat e këtyre të rinjve dhe lutjet e prindërve të perëndishëm? Po! Nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ janë siguruar udhëzime të bazuara në Bibël. (Mateu 24:45) Në këtë artikull përmenden disa botime që i kanë ndihmuar qindra mijë të rinj të ‘qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur’. Le të shqyrtojmë disa prej këtyre botimeve.
«Shihni . . . 15.000 Dëshmitarë të rinj!»
Në gusht të vitit 1941, një auditor prej 115.000 vetash u mblodh në Sent-Luis, Misuri, SHBA, për kongresin më të madh të Dëshmitarëve të Jehovait të mbajtur deri në atë kohë. Në ditën e fundit të kongresit,—«Dita e Fëmijëve»,—rreth 15.000 fëmijë të ulur afër podiumit, dëgjuan me vëmendje vëlla Xhozef F. Radhërfordin që foli për temën «Fëmijë të Mbretit». Aty nga fundi i fjalimit të tij, Radhërfordi 71-vjeçar tha me një ton atëror:
«Të gjithë ju . . . fëmijë që keni pranuar . . . t’i bindeni Perëndisë dhe Mbretit të tij, ju lutem ngrihuni në këmbë.» Fëmijët u ngritën si një trup i vetëm. «Shihni,—thirri vëlla Radhërfordi—më shumë se 15.000 dëshmitarë të rinj të Mbretërisë!» Pati një shpërthim duartrokitjesh. Oratori shtoi: «Të gjithë ju që do të bëni gjithçka që është e mundur për t’u folur të tjerëve rreth mbretërisë së Perëndisë, ju lutemi, përgjigjuni ‘Po’.» Fëmijët u përgjigjën me një «Po!» të fortë. Pastaj, ai i tregoi publikut librin e ri Fëmijët, i cili u prit me duartrokitje të zgjatura.
Pas këtij fjalimi prekës, një radhë e gjatë të rinjsh u ngjitën në podium, ku vëlla Radhërfordi u dha nga një kopje dhuratë të librit të ri. Kjo skenë bëri që të gjithëve në auditor t’u mbusheshin sytë me lot. Një dëshmitar okular i ngjarjes tha: «Vetëm një njeri pa zemër nuk do të prekej duke parë të rinjtë [që tregonin] besim të plotë te Perëndia i tyre, Jehovai.»
Në atë asamble të paharrueshme, 1.300 të rinj u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait. Shumë prej tyre kanë qëndruar të patundur në besim deri sot e kësaj dite. Ata mbështetin kongregacionet, janë vullnetarë në Bethel ose shërbejnë si misionarë në vende të huaja. Në të vërtetë, «Dita e Fëmijëve» dhe libri Fëmijët lanë mbresa të pashlyeshme në shumë zemra të rinjsh!
«Duket sikur vijnë tamam në kohën e duhur»
Gjatë viteve 70 të shekullit të 20-të, Dëshmitarët e Jehovait botuan tre libra të tjerë që prekën zemrën e qindra mijë të rinjve. Këta libra ishin: Dëgjoni Mësuesin e Madh, Rinia jote: Nxirr më të mirën prej saj dhe Libri im i tregimeve biblike. Në vitin 1982, në revistën Zgjohuni! filloi një seri artikujsh «Të rinjtë pyesin . . .». Këto artikuj kanë prekur
zemrat e të rinjve dhe të të moshuarve. «Çdo natë e falënderoj Perëndinë që bëri të mundur botimin e tyre»,—tha një 14-vjeçar. «I kam shumë për zemër këta artikuj,—tha një 13-vjeçare,—duket sikur vijnë tamam në kohën e duhur.» Prindërit dhe pleqtë e emëruar të krishterë janë të mendimit se këta artikuj kanë qenë të kohës dhe dobiprurës.Deri në vitin 1989 në revistën Zgjohuni! kishin dalë rreth 200 artikuj «Të rinjtë pyesin . . .». Atë vit, në Kongresin Krahinor «Devocioni Hyjnor», u prezantua libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike. A i ka ndihmuar ai të rinjtë që të qëndrojnë të patundur në besim? Tre djem të rinj shkruan: «Ky libër na ka ndihmuar në mënyrë të mrekullueshme të kuptojmë problemet tona dhe të dimë se si t’i përballojmë ato. Faleminderit për interesin që tregoni për mirëqenien tonë.» Lexues të shumtë të rinj anembanë botës janë të të njëjtit mendim.
«E plotësoi nevojën tonë»
Në vitin 1999 Dëshmitarët e Jehovait nxorën udhëzime për të rinjtë në një formë tjetër që erdhi në kohën e duhur: videokaseta Të rinjtë pyesin: Si mund të bëj miq të vërtetë? Ajo shkaktoi një reagim entuziast. «Kjo videokasetë më ka hyrë drejt e në zemër»,—tha një 14-vjeçare. «Do të jetë pjesë e rregullt e dietës sonë frymore»,—tha një nënë e vetme. «Na ngrohet zemra të dimë se Miku ynë më i mirë, Jehovai, i do vërtet dhe kujdeset për të rinjtë në organizatën e tij mbarëbotërore»,—tha një grua e re.
Çfarë rezultatesh ka pasur kjo videokasetë? Të rinjtë thonë: «Më ka ndihmuar të bëj kujdes me shoqërinë, të zgjerohem në kongregacion dhe ta bëj Jehovain mikun tim.» «Më ka ndihmuar t’u bëj ballë moshatarëve të mi.» «Më ka bërë të patundur në vendosmërinë për t’i shërbyer Jehovait sa më mirë që mundem.» Gjithashtu, një çift të martuarish thanë: «Ju falënderojmë nga zemra që na siguruat këtë ‘ushqim’. E plotësoi nevojën tonë për ushqim frymor.»
Në përputhje me detyrën që i ka dhënë Perëndia, «skllavi i besueshëm dhe i matur» i mirosur ka siguruar ushqim frymor në kohën e duhur për të gjithë ata që e pranojnë. Çfarë gëzimi është të shohim se si këto udhëzime biblike po i ndihmojnë të rinjtë e sotëm që të ‘qëndrojnë të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë’!