Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngulmoni në veprën e korrjes!

Ngulmoni në veprën e korrjes!

Ngulmoni në veprën e korrjes!

«Ata që mbjellin me lot, do të korrin me këngë gëzimi.»—PSALMI 126:5.

1. Përse ‘t’i lutemi Zotërisë të së korrës që të dërgojë punëtorë’ sot?

PAS udhëtimit të tretë të predikimit në Galile, Jezu Krishti u tha dishepujve të vet: «E korra është e madhe, por punëtorët janë pak.» (Mateu 9:37) Edhe në Jude gjendja ishte e njëjtë. (Luka 10:2) Kjo ndodhi rreth 2.000 vjet më parë, por cila është gjendja sot? Gjatë vitit të kaluar të shërbimit, më shumë se 6.000.000 Dëshmitarë të Jehovait ngulmuan në veprën figurative të korrjes, duke shkuar te 6.000.000.000 njerëzit e botës, shumë prej të cilëve janë ‘të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari’. Prandaj, nxitja e Jezuit që ‘t’i lutemi Zotërisë të së korrës të dërgojë punëtorë në të korrën e tij’ është po aq e vlefshme tani, sa ç’ishte edhe shekuj më parë.—Mateu 9:36, 38.

2. Cila gjë që bëjmë ne tërheq vëmendjen e njerëzve?

2 Perëndia Jehova, Zotëria i së korrës, i është përgjigjur lutjes për të dërguar më shumë punëtorë. Çfarë gëzimi është të marrim pjesë në këtë vepër korrjeje të drejtuar nga Perëndia! Ndonëse jemi pak në numër në krahasim me kombet, pjesëmarrja jonë e zellshme në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve tërheq vëmendjen e botës. Në shumë vende, na përmendin shpesh në mjetet e informacionit. Kur bie zilja e derës në ndonjë telefilm mund të bëhet komenti se te dera janë Dëshmitarët e Jehovait. Po, vepra jonë e krishterë si korrës figurativë është shumë e njohur në këtë shekull të 21-të.

3. (a) Nga e dimë se vepra e predikimit të Mbretërisë në shekullin e parë u vu re? (b) Përse mund të themi që engjëjt e mbështetin shërbimin tonë?

3 Edhe në shekullin e parë, bota i vuri re veprimtaritë për predikimin e Mbretërisë në shekullin e parë dhe i përndoqi lajmëtarët e lajmit të mirë. Kështu, apostulli Pavël shkroi: «Më duket se ne apostujt Perëndia na ka paraqitur të fundit, si njerëz të caktuar për vdekje, pasi [ne apostujt] jemi bërë teatër për botën, për engjëjt dhe për njerëzit.» (1 Korintasve 4:9) Në mënyrë të ngjashme, ngulmimi ynë si lajmëtarë të Mbretërisë me gjithë përndjekjen, tërheq vëmendjen e botës dhe është me rëndësi për engjëjt. Te Zbulesa 14:6 thuhet: «[Unë, apostulli Gjon] pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm për t’ua shpallur si sihariq atyre që banojnë në tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli.» Po, në shërbimin që bëjmë, domethënë në veprën e korrjes, kemi mbështetjen e engjëjve!—Hebrenjve 1:13, 14.

«Objekt urrejtjeje»

4, 5. (a) Cilin paralajmërim u dha Jezui dishepujve të vet? (b) Përse shërbëtorët e Perëndisë në ditët e sotme janë «objekt urrejtjeje»?

4 Kur u dërguan si korrës, apostujt e Jezuit ia vunë veshin udhëzimit të tij për të qenë «të kujdesshëm si gjarpërinjtë e megjithatë të pafaj si pëllumbat». Jezui shtoi: «Ruhuni prej njerëzve; sepse do t’ju dorëzojnë në gjykatat lokale dhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre. Po, për shkakun tim do t’ju detyrojnë të shkoni përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për një dëshmi para tyre dhe kombeve. . . . Do të jeni objekt urrejtjeje për të gjithë njerëzit për shkak të emrit tim; por ai që ka qëndruar deri në fund është ai që do të shpëtojë.»—Mateu 10:16-22.

5 Sot, ne jemi «objekt urrejtjeje», sepse «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit, i cili është armiku kryesor i Perëndisë dhe i popullit të Tij. (1 Gjonit 5:19) Armiqtë tanë e vërejnë begatinë frymore që kemi, por nuk pranojnë t’ia japin Jehovait meritën për këtë. Kundërshtarët i shohin fytyrat tona të lumtura e të qeshura, ndërsa marrim pjesë me gëzim në veprën e korrjes. Ata mrekullohen me unitetin tonë! Në të vërtetë, mund ta pranojnë pa dëshirë këtë kur udhëtojnë në një vend tjetër dhe shohin se Dëshmitarët e Jehovait atje po bëjnë tamam të njëjtën vepër që kishin vënë re në vendin e tyre. Sigurisht, ne e dimë se në kohën e tij të duhur, Jehovai, ai që na mbështet dhe burimi i unitetit tonë, do të bëhet i njohur edhe për armiqtë tanë.—Ezekieli 38:10-12, 23.

6. Çfarë sigurie kemi kur marrim pjesë në veprën e korrjes, por cila pyetje lind?

6 Zotëria i së korrës i ka dhënë Birit të tij, Jezu Krishtit, «çdo autoritet . . . në qiell dhe në tokë». (Mateu 28:18) Në këtë mënyrë, Jehovai e përdor Jezuin për të drejtuar veprën e korrjes me anë të engjëjve në qiell dhe të ‘skllavit të besueshëm e të matur’ të mirosur, këtu në tokë. (Mateu 24:45-47; Zbulesa 14:6, 7) Por, si mund ta përballojmë kundërshtimin e armiqve dhe të ruajmë gëzimin ndërsa ngulmojmë në veprën e korrjes?

7. Cilën prirje duhet të përpiqemi të kemi, kur na kundërshtojnë ose na përndjekin?

7 Kur hasim kundërshtim ose edhe përndjekje të drejtpërdrejtë, le t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë që të vazhdojmë të kemi një prirje si ajo e Pavlit. Ai shkroi: «Kur na shajnë, bekojmë; kur na persekutojnë, durojmë; kur na përgojojnë, përgjërohemi.» (1 Korintasve 4:12, 13) Kjo frymë, së bashku me shërbimin publik që e kryejmë me takt, disa herë e ndryshon qëndrimin e kundërshtarëve tanë.

8. Çfarë sigurie marrim nga fjalët e Jezuit të dokumentuara te Mateu 10:28?

8 As edhe kërcënimi i vdekjes nuk na e ul zellin si korrës. E shpallim pa frikë mesazhin e Mbretërisë sa më haptazi që të jetë e mundur. Gjithashtu, marrim zemër dhe sigurohemi nga fjalët e Jezuit: «Mos u frikësoni prej atyre që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin; por më tepër kini frikë prej atij që mund të shkatërrojë si shpirtin dhe trupin në Gehenë.» (Mateu 10:28) E dimë se Ati ynë qiellor është Dhënësi i jetës. Ai i shpërblen personat që ruajnë integritetin ndaj tij dhe që ngulmojnë me besueshmëri në veprën e korrjes.

Një mesazh jetëshpëtues

9. Si reagonin disa ndaj fjalëve të Ezekielit dhe si po ndodh sot një gjë e ngjashme?

9 Kur profeti Ezekiel u shpalli me guxim mesazhet e Jehovait «kombeve rebele»—mbretërive të Izraelit dhe të Judës—disa individë ishin të kënaqur të dëgjonin atë që kishte për të thënë. (Ezekieli 2:3) Jehovai tha: «Ja, ti je për ta si një këngë dashurie e dikujt që ka një zë të bukur dhe di t’i bjerë mirë një vegle.» (Ezekieli 33:32) Ndonëse u pëlqenin fjalët e Ezekielit, ata nuk vepruan sipas tyre. Çfarë po ndodh sot? Kur mbetja e mirosur dhe shokët e tyre shpallin me guxim mesazhet e Jehovait, disave u pëlqen të dëgjojnë për bekimet e Mbretërisë, por nuk reagojnë me çmueshmëri, nuk bëhen dishepuj e të bashkohen me ne në veprën e korrjes.

10, 11. Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, çfarë u bë për ta shpallur mesazhin tonë jetëshpëtues dhe me cilat arritje?

10 Nga ana tjetër, shumë veta i janë përgjigjur pozitivisht veprës së korrjes dhe kanë marrë pjesë në shpalljen e mesazheve të Perëndisë. Për shembull, gjatë një serie kongresesh të krishtere nga viti 1922 deri në vitin 1928, mesazhet e gjykimit mbi sistemin e lig të Satanait u shpallën me qartësi. Stacionet radiofonike i transmetuan këto denoncime të paraqitura në ato asamble. Pas kësaj, populli i Perëndisë shpërndau me miliona kopje të shtypura të këtyre denoncimeve.

11 Në fund të viteve 30 të shekullit të 20-të, u hap një formë tjetër dëshmie, domethënë marshimet informuese. Në fillim, shërbëtorët e Jehovait vishnin parrulla që njoftonin fjalimet publike. Më vonë, mbanin nëpër duar parrulla me fraza të tilla, si: «Feja është një lak dhe një mashtrim» dhe «Shërbejini Perëndisë dhe Krishtit Mbret». Kur marshonin nëpër rrugë, tërhiqnin vëmendjen e kalimtarëve. ‘Kjo bëri shumë për t’i vënë Dëshmitarët e Jehovait në qendër të vëmendjes dhe për t’i bërë më të guximshëm’,—komentoi një vëlla që kishte marrë pjesë rregullisht në këtë vepër nëpër rrugët e zhurmshme të Londrës, në Angli.

12. Përveç mesazheve gjykuese të Perëndisë, çfarë kemi nxjerrë në pah në shërbimin tonë dhe cilët janë të bashkuar tani në predikimin e lajmit të mirë?

12 Teksa shpallim mesazhet e gjykimit të Perëndisë, nxjerrim në pah edhe anët pozitive të mesazhit të Mbretërisë. Dëshmia jonë e guximshme në skenën botërore na ndihmon të kërkojmë ata që e meritojnë. (Mateu 10:11) Pjesa më e madhe e anëtarëve të fundit të klasës së mirosur iu përgjigj thirrjes kumbuese të korrjes gjatë viteve 20 dhe 30 të shekullit të 20-të. Më pas, në një kongres të vitit 1935, u dha lajmi i mrekullueshëm se ‘një shumicë të madhe’ nga ‘delet e tjera’ e priste një e ardhme e bekuar në tokën parajsore. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Ata ua kanë vënë veshin mesazheve gjykuese të Perëndisë dhe janë bashkuar me të mirosurit për të predikuar lajmin e mirë jetëshpëtues.

13, 14. (a) Çfarë ngushëllimi mund të marrim nga Psalmi 126:5, 6? (b) Çfarë do të ndodhë, nëse vazhdojmë të mbjellim dhe të ujitim?

13 Shumë ngushëlluese për korrësit e Perëndisë, e sidomos për ata që janë të përndjekur, janë fjalët që gjejmë te Psalmi 126:5, 6, ku thuhet: «Ata që mbjellin me lot, do të korrin me këngë gëzimi. Vërtet ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet me këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.» Fjalët e psalmistit për mbjelljen dhe korrjen ilustrojnë kujdesin dhe bekimin e Jehovait për mbetjen që u kthye nga robëria në Babiloninë e lashtë. Ata ishin shumë të lumtur kur u çliruan, por mund të kenë derdhur lot duke mbjellë tokën e shkretuar që nuk ishte punuar gjatë mërgimit të tyre 70-vjeçar. Megjithatë, ata që vazhduan të mbillnin dhe të ndërtonin gëzuan frytet dhe kënaqësinë e mundit të tyre.

14 Mund të derdhim lot kur jemi nën sprovë ose kur ne a bashkëbesimtarët tanë vuajmë për hir të drejtësisë. (1 Pjetrit 3:14) Në veprën e korrjes, fillimisht mund të kemi vështirësi, sepse në dukje mund të mos kemi asgjë për të treguar si provë të përpjekjeve që bëjmë në shërbim. Por nëse vazhdojmë të mbjellim dhe të ujitim, Perëndia do t’i bëjë gjërat të rriten, shpesh përtej asaj që presim ne. (1 Korintasve 3:6) Kjo ilustrohet më së miri nga rezultatet e shpërndarjes së Biblave dhe të botimeve biblike.

15. Jepni një shembull që tregon se sa të dobishme janë botimet e krishtere në veprën e korrjes.

15 Shqyrtoni shembullin e një burri me emrin Xhimi. Kur i vdiq e ëma, ai gjeti ndër sendet e saj një kopje të librit Jeta: Si erdhi këtu? Me evolucion apo me krijim? * E lexoi me interes librin. Gjatë bisedës me një Dëshmitare që e ndaloi në rrugë, Xhimi pranoi një rivizitë dhe kjo çoi në një studim biblik. Xhimi bëri përparim të shpejtë frymor, iu dedikua Jehovait dhe u pagëzua. U foli pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij për gjërat që kishte mësuar. Për pasojë, e motra dhe i vëllai u bënë Dëshmitarë të Jehovait dhe, më vonë, Xhimi pati privilegjin të shërbente si vullnetar në kohë të plotë në Bethelin e Londrës.

Të përndjekur, e megjithatë të gëzuar

16. (a) Përse kemi pasur sukses në veprën e korrjes? (b) Cilin paralajmërim dha Jezui për efektin që do të kishte lajmi i mirë, por me cilin qëndrim u afrohemi ne njerëzve?

16 Përse ka pasur një sukses të tillë vepra e korrjes? Sepse të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre ua kanë vënë veshin udhëzimeve të Jezuit: «Atë që unë ju them në errësirë, thuajeni në dritë; dhe atë që dëgjoni të çuçuritet, predikojeni nga tarracat.» (Mateu 10:27) Megjithatë, mund të presim vështirësi, sepse Jezui paralajmëroi: «Vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje, babai fëmijën e tij dhe fëmijët do të ngrihen kundër prindërve e do të bëjnë që ata të vriten.» Më tej, Jezui tha: «Mos mendoni se erdha për të sjellë paqe mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.» (Mateu 10:21, 34) Jezui nuk kishte ndër mend qëllimisht të ndante familjet. Por, lajmi i mirë disa herë pati këtë efekt. E njëjta gjë është e vërtetë për shërbëtorët e Perëndisë sot. Kur i vizitojmë familjet, nuk është qëllimi ynë që të futim një faktor ndarës. Dëshira jonë është që të gjithë ta përqafojnë lajmin e mirë. Prandaj, përpiqemi t’u afrohemi të gjithë anëtarëve të familjes në një mënyrë dashamirëse dhe mirëkuptuese, e cila ua bën tërheqës mesazhin tonë atyre që janë «të prirur drejt jetës së përhershme».—Veprat 13:48.

17. Si janë ndarë veç ata që mbështetin sovranitetin e Perëndisë dhe cili është një shembull i kësaj?

17 Mesazhi i Mbretërisë i ka ndarë veç ata që mbështetin sovranitetin e Perëndisë. Për shembull, shqyrtoni se si bashkadhuruesit tanë u dalluan si të ndryshëm, sepse ‘i paguan Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë’ në ditët e nacional-socializmit në Gjermani. (Luka 20:25) Në dallim nga udhëheqësit fetarë dhe nga ata që deklaroheshin të krishterë, të cilët shkonin në kishat e të ashtuquajturit krishterim, shërbëtorët e Jehovait qëndruan të patundur, duke mos pranuar të shkelnin parimet biblike. (Isaia 2:4; Mateu 4:10; Gjoni 17:16) Profesoresha Kristina King, autore e librit The Nazi State and the New Religions (Shteti nazist dhe fetë e reja), vërejti: «Vetëm kundër Dëshmitarëve nuk pati sukses qeveria [naziste], sepse ndonëse kishin vrarë mijëra prej tyre, vepra vazhdoi dhe në maj të vitit 1945 lëvizja Dëshmitarët e Jehovait ishte ende gjallë, kurse nacional-socializmi jo.»

18. Cilin qëndrim shfaq populli i Jehovait, me gjithë përndjekjen?

18 Është vërtet domethënës qëndrimi që shfaqi populli i Jehovait përballë përndjekjeve. Ndërkohë që autoriteteve shekullare mund t’u bëjë përshtypje besimi ynë, ata shprehin habi për mungesën e keqdashjes ose të armiqësisë nga ana jonë. Për shembull, Dëshmitarët e mbijetuar nga Holokausti shpesh shprehin gëzimin dhe kënaqësinë e tyre kur rikujtojnë përvojat që kanë pasur. E dinë se Jehovai u dha ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Të mirosurit që janë mes nesh kanë sigurinë se ‘emrat e tyre janë shkruar në qiej’. (Luka 10:20) Qëndrueshmëria e tyre prodhon një shpresë që nuk çon në zhgënjim dhe korrësit besnikë me shpresë tokësore kanë një bindje të ngjashme.—Romakëve 5:4, 5.

Ngulmoni në veprën e korrjes!

19. Cilat metoda të efektshme janë përdorur në shërbimin e krishterë?

19 Se për sa kohë do të na lejojë ende Jehovai të punojmë në veprën figurative të korrjes mbetet për t’u parë. Ndërkohë, duhet të mbajmë në mend se korrësit kanë metoda specifike për të bërë punën e tyre. Në mënyrë të ngjashme, mund të jemi të sigurt se besnikëria jonë për të përdorur mënyrat e provuara të predikimit do të dalë e efektshme. Pavli u tha të bashkëkrishterëve: «Ju përgjërohem, . . . bëhuni imituesit e mi.» (1 Korintasve 4:16) Kur u takua me pleqtë efesianë në Milet, Pavli u kujtoi atyre se nuk ishte përmbajtur, por i kishte mësuar «publikisht dhe nga shtëpia në shtëpi». (Veprat 20:20, 21) Timoteu, shoku i Pavlit, kishte mësuar cilat metoda përdorte apostulli, dhe mund t’ua bënte të njohura ato korintasve. (1 Korintasve 4:17) Perëndia i bekoi metodat e mësimdhënies së Pavlit, siç do të bekojë edhe ngulmimin tonë për ta predikuar lajmin e mirë publikisht nga shtëpia në shtëpi, në rivizita, në studime biblike në shtëpi dhe kudo ku mund të gjenden njerëz.—Veprat 17:17.

20. Si e tregoi Jezui se pritej një korrje e bollshme frymore dhe si ka dalë e vërtetë kjo vitet e fundit?

20 Pasi i dëshmoi një gruaje samaritane afër Siharit në vitin 30 të e.s., Jezui foli për korrjen frymore. U tha dishepujve të vet: «Ngrini sytë dhe shikoni fushat që janë të bardha për korrje. Tashmë korrësi po merr pagën dhe po mbledh frytin për jetë të përhershme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzojnë së bashku.» (Gjoni 4:34-36) Ndoshta Jezui tashmë e kishte parë efektin që pati takimi i tij me gruan samaritane, pasi shumë veta po besonin tek ai për shkak të dëshmisë së saj. (Gjoni 4:39) Vitet e fundit, disa vende i kanë hequr kufizimet që u kishin vënë Dëshmitarëve të Jehovait ose i kanë njohur ligjërisht, duke hapur, kështu, fusha të reja për korrje. Si rrjedhim, po kryhet një korrje e bollshme frymore. Në të vërtetë, në mbarë botën po përjetohen bekime të pasura, ndërsa vazhdojmë të marrim pjesë me gëzim në korrjen frymore.

21. Përse kemi arsye për të ngulmuar si korrës të gëzuar?

21 Kur të korrat janë pjekur dhe janë gati për korrje, punëtorët duhet të veprojnë me urgjencë. Duhet të punojnë fort e pa vonesë. Sot, duhet të punojmë pa u lodhur dhe me një ndjenjë urgjence, sepse po jetojmë në «kohën e mbarimit». (Danieli 12:4) Vërtet, hasim sprova, por ka një korrje të adhuruesve të Jehovait më të madhe se kurrë më parë. Prandaj, kjo është një ditë gëzimi. (Isaia 9:3) Pra, si punëtorë të gëzuar, le të ngulmojmë në veprën e korrjes!

[Shënimi]

^ par. 15 Botuar dhe shpërndarë nga Dëshmitarët e Jehovait.

Si do të përgjigjeshit?

Si i është përgjigjur Zotëria i së korrës lutjes për më shumë punëtorë?

Ndonëse jemi «objekt urrejtjeje», cilën prirje vazhdojmë të kemi?

Përse jemi të gëzuar, ndonëse na përndjekin?

Përse duhet të ngulmojmë në veprën e korrjes, duke pasur një ndjenjë urgjence?

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 16, 17]

Ata që marrin pjesë në korrjen frymore kanë mbështetjen e engjëjve

[Figura në faqen 18]

Marshimet informuese bënë që mesazhi i Mbretërisë të tërhiqte vëmendjen e shumë vetave

[Figura në faqen 18]

Ne mbjellim dhe ujitim, por Perëndia bën të rritet