Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Origjeni: Si ndikuan në kishë mësimet e tij?

Origjeni: Si ndikuan në kishë mësimet e tij?

Origjeni: Si ndikuan në kishë mësimet e tij?

«Udhëheqësi më i madh i kishës pas apostujve.» Kështu e lavdëroi Jeronimi, përkthyesi i Biblës Vulgata latine, Origjenin, teologun e shekullit të tretë. Por jo të gjithë e vlerësonin kaq shumë Origjenin. Disa e shihnin si një rrënjë të keqe nga e cila mbinë herezitë. Me fjalët e një shkrimtari të shekullit të 17-të, kritikët e Origjenit pohonin: «Në përgjithësi, doktrina e tij është absurde dhe e dëmshme, një helm gjarpri vdekjeprurës, të cilin ai e volli në botë.» Në të vërtetë, më shumë se katër shekuj pas vdekjes, Origjeni u shpall formalisht heretik.

PËRSE Origjeni ngjalli edhe admirim, edhe urrejtje? Çfarë ndikimi pati ai në zhvillimin e doktrinës së kishës?

I zellshëm për kishën

Origjeni lindi rreth vitit 185 të e.s. në qytetin egjiptian të Aleksandrisë. Mori arsimim të plotë në letërsinë greke, por i ati, Leonidi, e detyroi të bënte të njëjtat përpjekje për të studiuar Shkrimet. Kur Origjeni ishte 17 vjeç, perandori romak nxori një dekret ku ndryshimi i fesë quhej një krim. Babanë e Origjenit e burgosën, sepse ishte bërë i krishterë. I mbushur me zellin rinor, Origjeni ishte i vendosur ta ndiqte të atin në burg e në martirizim. Duke e kuptuar këtë, mamaja e Origjenit ia fshehu rrobat që të mos e linte të dilte nga shtëpia. Në letër, Origjeni i lutej të atit: «Kujdes se mos ndryshon mendje për shkakun tonë.» Leonidi qëndroi i palëkundur dhe u ekzekutua, duke e lënë familjen të skamur. Por, në këtë kohë, Origjeni kishte përparuar mjaft në studimet e tij, sa të ishte në gjendje të mbante financiarisht mamanë dhe gjashtë vëllezërit më të vegjël duke dhënë mësime të letërsisë greke.

Synimi i perandorit ishte të ndalte përhapjen e krishterimit. Duke qenë se dekreti i tij kishte në shënjestër jo vetëm studentët, por edhe mësuesit, të gjithë mësuesit fetarë të krishterë ikën nga Aleksandria. Kur disa që s’ishin të krishterë e që kërkonin arsimim biblik iu lutën të riut Origjen për ndihmë, ai e përqafoi këtë vepër si një detyrë nga Perëndia. Shumë nga studentët e tij vuajtën martirizimin, disa, madje, para se të mbaronin studimet. Duke e vënë veten në rrezik të madh, Origjeni u jepte zemër haptazi studentëve të tij, edhe kur ishin para gjykatësit, në burg ose gati për ekzekutim. Historiani Euseb i shekullit të katërt raporton se kur studentët ishin duke i çuar për t’i vrarë, Origjeni, «me shumë guxim i përshëndeste me një puthje».

Origjeni shkaktoi zemërimin e shumë personave jo të krishterë, të cilët e quanin përgjegjës për kthimin në fe dhe për vdekjen e miqve të tyre. Shpesh, u shpëtoi për një qime veprimeve të turmave dhe një vdekjeje të dhunshme. Edhe pse i detyruar të lëvizte nga njëri vend në tjetrin për t’u shpëtuar ndjekësve të tij, Origjeni nuk e la pas dore mësimdhënien. Një trimëri dhe përkushtim i tillë i bëri përshtypje Demetrit, peshkopit të Aleksandrisë. Prandaj, kur Origjeni ishte vetëm 18 vjeç, Demetri e emëroi kreun e shkollës për arsimim fetar në Aleksandri.

Përfundimisht, Origjeni u bë një studiues i shquar dhe një shkrimtar prodhimtar. Disa kanë thënë se ai shkroi 6.000 libra, ndonëse ka të ngjarë që ky të jetë një zmadhim i shifrave. Është shumë i famshëm për versionin e tij Heksapla, një botim gjigand prej 50 vëllimesh të Shkrimeve Hebraike. Origjeni e përgatiti versionin Heksapla në gjashtë kolona paralele që përmbanin: (1) tekstin hebraik dhe aramaik, (2) një transliterim në greqisht të atij teksti, (3) versionin grek të Akuilës, (4) versionin grek të Simakut, (5) Septuagintën greke, të cilën Origjeni e ripunoi, që të korrespondonte më saktësisht me tekstin hebraik dhe (6) versionin grek të Theodotionit. «Me këtë kombinim tekstesh,—shkroi studiuesi biblik Xhon Horti,—Origjeni shpresonte të hidhte dritë mbi domethënien e shumë fragmenteve në të cilat lexuesi grek ose hutohej, ose ngatërrohej, po të kishte përpara vetëm Septuagintën.»

‘Shkon përtej gjërave që janë shkruar’

Gjithsesi, klima e pështjelluar fetare e shekullit të tretë, ndikoi thellësisht në mënyrën si e trajtonte Origjeni mësimin e Biblës. Ndonëse i ashtuquajturi krishterim ishte në fillimet e tij, ai tashmë ishte ndotur me bindje jobiblike dhe kishat e tij të shpërndara gjithandej po mësonin një shumëllojshmëri doktrinash.

Origjeni i pranonte disa nga këto doktrina jobiblike, duke i quajtur mësime të apostujve. Por, ndihej i lirë që të spekulonte për çështje të tjera. Shumë nga studentët e tij në atë kohë po ndesheshin me çështjet e filozofisë bashkëkohore. Në përpjekje për t’i ndihmuar, Origjeni bëri një studim të kujdesshëm të shkollave të ndryshme të filozofisë, të cilat po modelonin mendjet e studentëve të tij të rinj. Filloi t’u siguronte studentëve të tij përgjigje të kënaqshme për pyetjet filozofike që kishin.

Në përpjekje për të pajtuar Biblën me filozofinë, Origjeni u mbështet shumë në metodën alegorike të interpretimit të Shkrimeve. Ai pohonte se Shkrimet kishin gjithnjë një domethënie frymore, por jo medoemos një domethënie të mirëfilltë. Siç vërejti një studiues, kjo i dha Origjenit «mjetin për të lexuar e interpretuar në Bibël çfarëdo idesh jobiblike që ishin të ngjashme me sistemin e tij teologjik, duke deklaruar, në të njëjtën kohë, (e pa dyshim duke e imagjinuar sinqerisht veten) se ishte një interpretues veçanërisht i zellshëm dhe besnik i mendimit të Biblës».

Një letër që Origjeni i shkroi njërit prej studentëve të tij na jep mendjehollësi për sa i përket mënyrës së tij të të menduarit. Origjeni tregonte se izraelitët i kishin bërë enët për tempullin e Jehovait me arin egjiptian. Në këtë, gjeti mbështetjen alegorike të përdorimit të filozofisë greke për të mësuar krishterimin. Ai shkroi: «Sa të dobishme qenë për fëmijët e Izraelit gjërat që sollën nga Egjipti, të cilat egjiptianët nuk i kishin përdorur siç duhet, por që hebrenjtë, të udhëhequr nga mençuria e Perëndisë, i përdorën për shërbimin ndaj Perëndisë.» Kështu, Origjeni e nxiti studentin e tij që «të nxirrte nga filozofia e grekëve çfarëdo gjëje që mund t’i shërbente si temë studimi ose si përgatitje për krishterimin».

Kjo metodë e pakufizuar e interpretimit biblik i mjegulloi vijat ndarëse ndërmjet doktrinës së krishterë dhe filozofisë greke. Për shembull, në librin e tij me titull On First Principles (Rreth parimeve fillestare), Origjeni e përshkruante Jezuin si ‘Birin e vetëmlindur, i cili lindi, por pa pasur fillim’. Pastaj shtonte: ‘Lindja e tij është e përjetshme dhe vazhdon përgjithmonë. Ai nuk është bërë Bir duke marrë frymëmarrjen e jetës dhe as nga ndonjë veprim i jashtëm, por nga vetë karakteri i Perëndisë.’

Këtë ide Origjeni nuk e gjeti në Bibël, sepse Shkrimet mësojnë që Biri i vetëmlindur i Jehovait është «i parëlinduri i gjithë krijimit» dhe «fillimi i krijimit të Perëndisë». (Kolosianëve 1:15; Zbulesa 3:14) Sipas historianit të fesë August Neanderit, Origjeni arriti në konceptin e «lindjes së përjetshme» nëpërmjet «arsimimit të tij filozofik në shkollën platonike». Kështu, Origjeni shkeli këtë parim themelor biblik: «Mos shko përtej gjërave që janë shkruar.»—1 Korintasve 4:6.

Dënohet si heretik

Gjatë viteve të para si mësues, një Sinodë Aleksandrine i hoqi Origjenit të drejtën e priftërisë. Kjo, ndoshta, ndodhi sepse peshkopi Demetër kishte zili famën në rritje të Origjenit. Origjeni u transferua në Palestinë, ku admirimi për të si një mbrojtës besnik i doktrinës së krishterë mbeti i pakufishëm dhe ku vazhdoi si prift. Në të vërtetë, kur në Lindje shpërthyen «herezitë», u kërkua ndihma e tij për t’i bindur peshkopët që ishin në gabim t’i ktheheshin traditës. Pas vdekjes së tij në vitin 254 të e.s., në veçanti emrit të Origjenit iu bë një diskreditim i rëndë. Përse?

Pasi i vetëquajturi krishterim ishte bërë fe mbizotëruese, filloi të përkufizohej më me hollësi ajo që kisha pranonte si mësim tradicional. Kështu, brezat e mëvonshëm të teologëve nuk i pranuan shumë nga pikëpamjet spekulative e, disa herë të pasakta, filozofike të Origjenit. Prandaj, mësimet e tij ndezën mosmarrëveshje të ashpra brenda kishës. Në përpjekje për të zgjidhur këto debate dhe për të ruajtur unitetin, kisha formalisht e dënoi Origjenin për herezi.

Origjeni nuk ishte i vetmi që gaboi. Në të vërtetë, Bibla kishte parathënë një largim të përgjithshëm nga mësimet e pastra të Krishtit. Kjo apostazi filloi të lulëzonte aty nga fundi i shekullit të parë, pasi kishin vdekur apostujt e Jezuit. (2 Selanikasve 2:6, 7) Me kalimin e kohës, disa që pohonin se ishin të krishterë e quajtën veten «tradicionalë», duke i shpallur të gjithë të tjerët si «heretikë». Por, në realitet, i ashtuquajturi krishterim devijoi shumë nga krishterimi i vërtetë.

«Në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’»

Pavarësisht nga spekulimet e shumta të Origjenit, veprat e tij përmbajnë elementë të dobishëm. Për shembull, versioni Heksapla e ruajti emrin e Perëndisë në formën origjinale të shkruar me katër shkronja hebraike që quhen Tetragrami. Kjo jep dëshmi të rëndësishme se të krishterët e hershëm e njihnin dhe e përdornin emrin personal të Perëndisë—Jehova. Gjithsesi, një patriark i kishës në shekullin e pestë, me emrin Teofil, një herë paralajmëroi: «Veprat e Origjenit janë si një lëndinë me çdo lloj luleje. Nëse gjej ndonjë lule të bukur aty, e këpus, por nëse ndonjë më duket nga ato që shpojnë, e shmang si do të bëja me një gjemb.»

Duke i përzier mësimet e Biblës me filozofinë greke, teologjia e Origjenit u mbulua me gabime dhe pasojat qenë shkatërrimtare për të ashtuquajturin krishterim. Për shembull, ndonëse më vonë shumë nga spekulimet e pabazuara të Origjenit u hodhën poshtë, pikëpamjet e tij për «lindjen e përjetshme» të Krishtit ndihmuan për të vënë themelin e doktrinës jobiblike të Trinitetit. Libri The Church of the First Three Centuries (Kisha e tre shekujve të parë) vëren: «Parapëlqimi i filozofisë [i futur nga Origjeni] do të vazhdonte për shumë kohë.» Me çfarë pasojash? «Thjeshtësia e besimit të krishterë u prish dhe në Kishë vërshuan një pafundësi gabimesh.»

Nga ana e tij, Origjeni mund t’i kishte vënë veshin këshillës së apostullit Pavël dhe të kishte shmangur kontributin ndaj kësaj apostazie, duke «u larguar nga fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë dhe nga kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’». Në vend të kësaj, duke i bazuar shumë nga mësimet e tij në këtë lloj ‘njohurie’, Origjeni ‘devijoi nga besimi’.—1 Timoteut 6:20, 21; Kolosianëve 2:8.

[Figura në faqen 31]

Versioni «Heksapla» i Origjenit tregon se emri i Perëndisë përdorej në Shkrimet e Krishtere Greke

[Burimi]

Botuar me lejen e administruesve të Bibliotekës Universitare të Kembrixhit, T-S 12.182

[Burimi i figurës në faqen 29]

Culver Pictures