Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë baze keni për atë që besoni?

Çfarë baze keni për atë që besoni?

Çfarë baze keni për atë që besoni?

Të besosh është përkufizuar si «ta marrësh diçka për të vërtetë, ta pranosh që është ashtu ose që përputhet me të vërtetën». Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara mbron «të drejtën [e çdo personi] për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë». Kjo e drejtë përfshin lirinë që ka një person për «të ndryshuar fenë ose bindjet», nëse dëshiron.

POR, përse do të kishte njerëz që do të dëshironin të ndryshonin fenë ose bindjet e tyre? «Unë kam bindjet e mia dhe jam i lumtur me to»,—është pikëpamja që shprehet zakonisht. Shumë mendojnë se edhe bindjet e gabuara nuk dëmtojnë njeri. Dikush që beson, për shembull, se toka është e sheshtë nuk ka të ngjarë të dëmtojë veten ose ndonjë tjetër. «Ne duhet vetëm që ta pranojmë se jemi ndryshe nga njëri-tjetri»,—thonë disa. A është gjithnjë e mençur kjo? Ta zëmë se një mjek do të vazhdonte të ishte i bindur se mund të kalonte drejtpërdrejt nga puna me kufomat në një morg, në vizitat e të sëmurëve në një pavijon spitali. A do të pranonte një koleg i tij që thjesht të besonte ndryshe?

Kur bëhet fjalë për fenë, njihet historikisht se bindjet e gabuara kanë shkaktuar dëme të mëdha. Mendoni për tmerret që erdhën si pasojë kur udhëheqësit fetarë «i frymëzuan fanatikët e krishterë për dhunë pa mëshirë» gjatë të ashtuquajturave kryqëzata të shenjta të epokës së Mesjetës. Ose mendoni për njerëzit e armatosur «të krishterë» të ditëve të sotme, në një luftë civile të kohëve të fundit. Ata, «ashtu si luftëtarët e mesjetës që kishin emra shenjtorësh në millet e shpatave, ngjitnin figura të Virgjëreshës Mari në kondakët e armëve të tyre». Të gjithë këta fanatikë mendonin se po bënin një gjë të drejtë. Megjithatë, është e qartë se në këto luftëra dhe konflikte fetare, si edhe në të tjera, kishte diçka shumë të gabuar.

Përse ka kaq shumë pështjellim dhe konflikte? Përgjigjja e Biblës është se Satana Djalli po «mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9; 2 Korintasve 4:4; 11:3) Apostulli Pavël paralajmëroi se shumë njerëz fetarë, mjerisht, do të ‘merrnin fund’, sepse do të mashtroheshin nga Satanai, i cili do të bënte ‘vepra të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta’. Pavli tha se këta persona nuk do ta ‘pranonin dashurinë për të vërtetën, që të shpëtonin’ dhe, në këtë mënyrë, do të ‘devijoheshin, duke i besuar gënjeshtrës’. (2 Selanikasve 2:9-12) Si mund ta zvogëloni sa më shumë mundësinë që të besoni një gënjeshtër? Në të vërtetë, çfarë baze keni për atë që besoni?

Jeni rritur me atë besim?

Ndoshta jeni rritur sipas bindjeve të familjes suaj. Kjo mund të jetë gjë e mirë. Perëndia dëshiron që prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre. (Ligji i përtërirë 6:4-9; 11:18-21) I riu Timote, për shembull, nxori shumë dobi duke dëgjuar nënën dhe gjyshen e tij. (2 Timoteut 1:5; 3:14, 15) Shkrimet nxitin që ta respektojmë atë që besojnë prindërit. (Fjalët e urta 1:8; Efesianëve 6:1) Por, a kishte ndër mend Krijuesi juaj që t’i besonit gjërat vetëm sepse i besojnë prindërit tuaj? E vërteta është se besnikëria e verbër ndaj asaj që besuan dhe bënë brezat e mëparshëm, mund të jetë e rrezikshme.—Psalmi 78:8; Amosi 2:4.

Jezu Krishti takoi një grua samaritane që ishte rritur sipas besimit të fesë së saj samaritane. (Gjoni 4:20) Jezui e respektoi lirinë e saj për të zgjedhur atë që donte të besonte, por, gjithsesi, i tregoi: «Ju adhuroni atë që nuk e njihni.» Në të vërtetë, shumë nga bindjet e saj fetare ishin të gabuara. Jezui i tha se asaj do t’i duhej të bënte ndryshime në bindjet e veta, nëse donte ta adhuronte Krijuesin në mënyrë të pranueshme, «me frymë dhe të vërtetë». Në vend që të mbaheshin fort pas bindjeve që, pa dyshim, i çmonin, ajo dhe të tjerë si ajo, me kalimin e kohës duhej të bëheshin ‘të bindur ndaj besimit’ të zbuluar nëpërmjet Jezu Krishtit.—Gjoni 4:21-24, 39-41; Veprat 6:7.

Të arsimuar për të besuar?

Shumë mësues dhe autoritete në fusha të veçanta të njohurisë meritojnë nderim të madh. Megjithatë, historia është e mbushur me shembuj mësuesish të shquar që e kishin krejt gabim. Për shembull, lidhur me dy libra për çështjet shkencore të shkruara nga filozofi grek Aristoteli, historian Bertrand Rasëlli tha që «vështirë se ndonjë fjali në të dy këta libra mund të pranohet nga pikëpamja e shkencës moderne». Edhe autoritetet e ditëve tona shpesh nxjerrin përfundime krejt të gabuara. «Është e pamundur të ketë mjete fluturuese më të rënda se ajri»,—ishte pohimi i sigurt që bëri shkencëtari britanik Lord Kelvini në vitin 1895. Prandaj, një person i mençur nuk beson verbërisht se diçka është e vërtetë vetëm sepse ndonjë mësues me autoritet thotë që është ashtu.—Psalmi 146:3.

I njëjti kujdes nevojitet kur bëhet fjalë për arsimimin fetar. Apostulli Pavël ishte shumë i arsimuar nga mësuesit e tij fetarë dhe ishte tepër «i zellshëm për traditat e etërve [të tij]». Mirëpo, zelli që kishte për bindjet tradicionale të të parëve të tij, në të vërtetë, i krijoi probleme. Ky zell e bëri që të ‘persekutonte kongregacionin e Perëndisë dhe ta shkretonte atë’. (Galatasve 1:13, 14; Gjoni 16:2, 3) Ç’është më e keqja, për shumë kohë Pavli vazhdoi ‘t’u gjuante me shqelm hostenëve’, duke kundërshtuar ndikimet që duhej ta kishin bërë të besonte te Jezu Krishti. U desh një ndërhyrje e jashtëzakonshme nga vetë Jezui për ta shtyrë Pavlin që të ndreqte bindjet e tij.—Veprat 9:1-6; 26:14.

Të ndikuar nga mjetet e informacionit?

Ndoshta mjetet e informacionit kanë ndikuar shumë te bindjet tuaja. Shumica e njerëzve janë të kënaqur që ekziston liria e fjalës në mjetet e informacionit, të cilat u sigurojnë të dhëna që mund të jenë të dobishme. Megjithatë, ka forca të fuqishme që kanë mundësi t’i manipulojnë mjetet e informacionit dhe shumë herë e bëjnë këtë. Shpesh, ato që paraqiten janë të dhëna të njëanshme që mund të ndikojnë në mënyrë tinëzare në mendimet tona.

Veç kësaj, për të tërhequr një auditor sa më të madh, mjetet e informacionit kanë prirjen t’i bëjnë publicitet asaj që është e bujshme dhe e pazakontë. Një gjë që vështirë se mund të thuhej ose të botohej për publikun vetëm disa vjet më parë, tani është bërë e zakonshme. Në mënyrë të ngadalshme, por të vendosur, normat e përcaktuara të sjelljes sulmohen dhe gërryhen. Mendimet e njerëzve dalëngadalë shtrembërohen. Ata fillojnë të besojnë se ‘e mira është e keqe dhe e keqja e mirë’.—Isaia 5:20; 1 Korintasve 6:9, 10.

Të gjejmë një bazë të shëndoshë për bindjet

Të ndërtosh mbi idetë dhe filozofitë e njerëzve është si të ndërtosh mbi rërë. (Mateu 7:26; 1 Korintasve 1:19, 20) Atëherë, ku mund t’i bazoni të sigurt bindjet tuaja? Meqë Perëndia ju ka dhënë aftësi intelektuale për të hetuar botën që ju rrethon dhe për të bërë pyetje lidhur me gjërat frymore, a nuk është e arsyeshme që do të siguronte edhe mjetin që të merrni përgjigje të sakta për pyetjet tuaja? (1 Gjonit 5:20) Po, patjetër që do ta bënte! Por, si mund ta përcaktoni se çfarë është e vërtetë ose përputhet me të vërtetën për sa i përket adhurimit? Nuk ngurrojmë të themi se Fjala e Perëndisë, Bibla, siguron bazën e vetme për ta bërë këtë.—Gjoni 17:17; 2 Timoteut 3:16, 17.

«Por, prit pak,—do të thotë dikush.—A nuk janë personat që kanë Biblën po ata që kanë shkaktuar më shumë konflikte dhe pështjellime në çështjet botërore?» Po, është e vërtetë se udhëheqësit fetarë që pohojnë se ndjekin Biblën kanë nxjerrë shumë ide pështjelluese dhe kontradiktore. Kjo ndodh sepse, në të vërtetë, nuk i kanë bazuar bindjet e tyre në Bibël. Apostulli Pjetër i përshkruan ata si «profetë të rremë» dhe «mësues të rremë», të cilët do të krijonin «sekte shkatërruese». Pjetri thotë se si pasojë e veprimeve të tyre, «do të shahet udha e së vërtetës». (2 Pjetrit 2:1, 2) Gjithsesi, shkruan Pjetri, «ne e kemi fjalën profetike më të sigurt; dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje si një llambe që ndriçon në një vend të errët».—2 Pjetrit 1:19; Psalmi 119:105.

Bibla na nxit që ta provojmë saktësinë e bindjeve tona duke i ballafaquar me atë që mëson ajo. (1 Gjonit 4:1) Miliona lexues të kësaj reviste mund të dëshmojnë vetë se kur kanë bërë këtë, i kanë shtuar qëllim dhe qëndrueshmëri jetës së tyre. Prandaj, jini si bereasit me mendje fisnike. ‘Shqyrtojini me kujdes Shkrimet çdo ditë’ para se të vendosni çfarë të besoni. (Veprat 17:11) Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë. Sigurisht, është vendimi juaj se çfarë dëshironi të besoni. Megjithatë, është e mençur të siguroheni se bindjet tuaja nuk janë të modeluara nga mençuria dhe dëshirat njerëzore, por, përkundrazi, nga Fjala e së vërtetës që ka zbuluar Perëndia.—1 Selanikasve 2:13; 5:21.

[Figurat në faqen 6]

Mund t’i bazoni të sigurt bindjet tuaja në Bibël