Forca e zakonit le të veprojë për të mirën tuaj
Forca e zakonit le të veprojë për të mirën tuaj
AI KISHTE jetuar në një rrethinë të Athinës për 12 vjet. Çdo ditë bënte të njëjtën rrugë nga puna për në shtëpi. Më pas, u transferua në një rrethinë në anën tjetër të qytetit. Një ditë, pas punës u nis për në shtëpi. Vetëm kur e pa veten në lagjen e vjetër, e kuptoi se kishte shkuar në drejtimin e gabuar. Nga forca e zakonit, kishte marrë rrugën për në shtëpinë e tij të vjetër.
S’është për t’u habitur që, nganjëherë, forca e zakonit quhet edhe natyra e dytë e një personi, një fuqi që ndikon shumë në jetën tonë. Në këtë kuptim, zakonet që kemi mund të krahasohen me zjarrin. Ai mund të jetë një dritë mikpritëse në errësirë dhe mund të na ngrohë trupin e ushqimin. Por mund të jetë edhe një armik i egër që shkatërron jetë dhe të mira materiale. E njëjta gjë është edhe me zakonet që mund të kemi. Nëse kultivohen siç duhet, ato sjellin shumë dobi. Por mund të jenë edhe shkatërrimtare.
Në rastin e atij burri që u përmend në fillim, forca e zakonit i kushtoi vetëm atë pjesë të kohës që ngeci në trafikun e qytetit. Por, kur bëhet fjalë për gjëra më të rëndësishme, zakonet mund të na shpërblejnë me sukses ose mund të na çojnë në katastrofë. Shqyrtoni disa shembuj të jetës reale që i gjejmë në Bibël, të cilat tregojnë se si zakonet që kemi mund të na ndihmojnë ose të na pengojnë në shërbimin ndaj Perëndisë dhe në marrëdhënien që kemi me të.
Shembuj biblikë të zakoneve të mira e të këqija
Noeja, Jobi dhe Danieli u bekuan që të tre me një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Bibla i lavdëron ata «për shkak të drejtësisë së tyre». (Ezekieli 14:14) Është domethënëse se jeta e këtyre tre burrave tregoi se kishin zhvilluar zakone të mira.
Noes iu tha të ndërtonte një arkë më të gjatë se një fushë futbolli dhe më të lartë se një ndërtesë pesëkatëshe. Një projekt i tillë shumë i madh do të kishte shtangur çdo ndërtues anijesh në kohët e lashta. Noeja dhe familja e tij prej shtatë vetash e ndërtuan arkën pa ndihmën e pajisjeve moderne. Përveç kësaj, Noeja vazhdoi t’u predikonte bashkëkohësve të tij. Mund të jemi të sigurt se ai kujdesej edhe për nevojat frymore e fizike të familjes së tij. (2 Pjetrit 2:5) Për të kryer të gjithë këtë, Noeja duhet të ketë pasur zakone të mira pune. Për më tepër, Noeja u dokumentua në historinë biblike si një njeri që «eci me Perëndinë. . . . Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar». (Zanafilla 6:9, 22; 7:5) Meqë në Bibël u shpall «i patëmetë», ai duhet të ketë vazhduar të ecte me Perëndinë edhe pas Përmbytjes e, madje, edhe pas rebelimit kundër Jehovait në Babel. Në të vërtetë, Noeja vazhdoi të ecte me Perëndinë deri kur vdiq, në moshën 950-vjeçare.—Zanafilla 9:29.
Zakonet e mira që kishte e ndihmuan Jobin që të ishte një njeri «i ndershëm dhe i drejtë». (Jobi 1:1, 8; 2:3) Ai e kishte zakon ose shprehi të shërbente si prift i familjes për të ofruar flijime për fëmijët e tij, pas çdo banketi të tyre, se mos ata kishin «‘mëkatuar dhe [kishin] blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre’. Kështu bënte Jobi çdo herë». (Jobi 1:5) Në familjen e Jobit, pa dyshim, zakonet që përqendroheshin në adhurimin e Jehovait mbizotëronin.
Danieli i shërbeu Jehovait «vazhdimisht» gjatë tërë jetës së tij të gjatë. (Danieli 6:16, 20) Çfarë zakonesh të mira frymore kishte Danieli? Pikësëpari, i lutej rregullisht Jehovait. Me gjithë dekretin mbretëror që doli kundër kësaj praktike, «tri herë në ditë [Danieli] gjunjëzohej, lutej dhe falënderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht». (Danieli 6:10) Nuk mund të hiqte dot dorë nga zakoni i tij për t’iu lutur Perëndisë, edhe kur kjo i kërcënoi jetën. Pa dyshim, ky zakon e forcoi Danielin gjatë një jete me integritet të jashtëzakonshëm ndaj Perëndisë. Nga sa duket, Danieli kishte edhe zakonin e mirë të studimit dhe të meditimit të thellë për premtimet emocionuese të Perëndisë. (Jeremia 25:11, 12; Danieli 9:2) Patjetër, këto zakone të mira e ndihmuan të qëndronte deri në fund, duke vrapuar me besnikëri në garën për jetën, deri në finishin e saj.
Në dallim me këta, Dina e pësoi keq për shkak të një zakoni jo të mirë që kishte. Ajo «e kishte zakon të dilte për të parë bijat e vendit», të cilat nuk ishin adhuruese të Jehovait. (Zanafilla 34:1, BR) Ky zakon në dukje i padëmshëm, çoi në katastrofë. Së pari, atë e përdhunoi Sikemi, një i ri që mbahej si «njeriu më i nderuar në tërë shtëpinë e të atit». Pastaj, reagimi hakmarrës i dy prej vëllezërve të saj çoi në vrasjen e gjithë meshkujve të një qyteti të tërë. Çfarë pasojash të tmerrshme!—Zanafilla 34:19, 25-29.
Si mund të jemi të sigurt se zakonet tona do të na sjellin dobi dhe nuk do të na dëmtojnë?
T’i vëmë zakonet në punë
«Zakonet janë diçka e paracaktuar»,—shkroi një filozof. Por, nuk ka pse të jenë ashtu. Bibla e tregon shumë qartë se ne mund të zgjedhim t’i ndryshojmë zakonet e këqija që kemi dhe të kultivojmë zakone të mira.
Kur kemi zakone të mira, mënyra e krishterë e jetës bëhet më e efektshme dhe më e lehtë për t’u ndjekur. Aleksi, një i krishterë nga Greqia, thotë: «Zakoni për t’iu përmbajtur një programi për të kryer disa punë, më kursen kohë të vlefshme.» Teofili, një plak i krishterë, tregon se planifikimi është një zakon që e ndihmon të jetë i efektshëm. Ai thotë: «Jam plotësisht i bindur se nuk do të isha në gjendje t’i kryeja me sukses detyrat e mia të krishtere pa pasur zakonin e planifikimit të mirë.»
Si të krishterë, nxitemi që «të vazhdojmë të ecim në mënyrë të rregullt në të njëjtën vazhdë». (Filipianëve 3:16) Një vazhdë përfshin «një rrjedhje të zakonshme e të vazhdueshme të punëve». Këto zakone të mira na sjellin dobi, sepse nuk na duhet të harxhojmë kohë duke u menduar thellë për çdo hap, pasi tashmë kemi vendosur një model të mirë që e ndjekim nga forca e zakonit. Zakonet e forta bëhen pothuajse të vetvetishme. Ashtu si zakonet për t’i dhënë me kujdes makinës mund ta udhëheqin një shofer që të marrë vendime jetëshpëtuese aty për aty kur has rreziqe në rrugë, zakonet e mira mund të na ndihmojnë të marrim vendime të përshtatshme me shpejtësi, ndërsa ecim në udhën e krishterë.
Xheremi Tejlori, shkrimtar anglez, tha: «Zakonet janë bijat e veprimit.» Nëse kemi zakone të mira, mund të bëjmë pa shumë vështirësi gjëra të mira. Për shembull, nëse si shërbëtorë të krishterë kemi zakonin të marrim pjesë rregullisht në veprën e predikimit, e kemi më të lehtë dhe më të këndshme të dalim në shërbimin në fushë. Për apostujt, lexojmë se «çdo ditë, në tempull dhe nga shtëpia në shtëpi, ata vazhdonin pareshtur të mësonin dhe të shpallnin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin». (Veprat 5:42; 17:2) Nga ana tjetër, nëse shkojmë në shërbim vetëm nganjëherë, mund të ndihemi në ankth dhe mund të na duhet më shumë kohë për të kapur ritmin, para se të ndihemi të sigurt në këtë veprimtari jetësore të krishterë.
E njëjta gjë mund të thuhet për fusha të tjera të vazhdës sonë të krishterë. Zakonet e mira mund të na ndihmojnë të jemi të rregullt për të ‘lexuar Fjalën e Perëndisë ditë e natë’. (Josiu [Jozueu] 1:8, BR; Psalmi 1:2) Një i krishterë e ka zakon ta lexojë Biblën për 20 deri në 30 minuta para se të flejë në darkë. Edhe kur është shumë i lodhur, e ndien se po të flejë pa bërë leximin, nuk fle mirë. I duhet të ngrihet dhe të kujdeset për këtë nevojë frymore. Ky zakon i mirë e ka ndihmuar edhe që ta lexojë çdo vit të gjithë Biblën dhe këtë e ka bërë për disa vjet me radhë.
Shembulli ynë, Jezu Krishti, e kishte zakon të ndiqte mbledhjet ku diskutohej për Biblën. «Sipas zakonit të tij ditën e sabatit, hyri në sinagogë dhe u çua për të lexuar.» (Luka 4:16) Xhoin, një plak kongregacioni me një familje të madhe, i cili punon shumë orë, zakoni e ka ndihmuar që të krijojë në vetvete nevojën dhe dëshirën për t’i ndjekur rregullisht mbledhjet. Ai thotë: «Ky zakon më ndihmon të vazhdoj përpara, duke më dhënë forcën frymore që më nevojitet shumë, me qëllim që të përballoj me sukses sfidat dhe problemet.»—Hebrenjve 10:24, 25.
Zakone të tilla janë të domosdoshme në garën e krishterë për jetën. Në një raport nga një vend ku populli i Jehovait është përndjekur, thuhej: «Ata që kanë zakone të mira frymore dhe një çmueshmëri të thellë për të vërtetën nuk e kanë problem të qëndrojnë të palëkundur kur vijnë sprovat, kurse ata që në ‘kohë të favorshme’ i humbin mbledhjet, janë të parregullt në shërbimin në fushë dhe bëjnë kompromis në gjërat e vogla, shpesh bien, kur kanë ndonjë sprovë ‘të zjarrtë’.»—Shmangni zakonet e këqija, përdorini të mirat
Është thënë se ‘një njeri duhet të kultivojë vetëm ato zakone të cilat është i gatshëm t’i lërë që ta udhëheqin’. Zakonet e këqija janë vërtet një pronar shtypës. Megjithatë, mund t’i heqim këto zakone.
Për njëfarë kohe, Stela ishte maniake pas televizorit. Ajo pranon: «Pas çdo zakoni ose vesi të keq në të cilin kam rënë, zakonisht ka një arsye ‘të pafajshme’.» Kështu ishte edhe me zakonin e saj për të parë tepër televizor. I thoshte vetes se do të shihte televizor vetëm «për t’u çlodhur pak» ose për «të ndryshuar ritmin». Por zakoni i dilte nga kontrolli, duke e mbajtur para televizorit për shumë orë. «Më e pakta, ky ves i keq ma vonoi përparimin frymor»,—thotë ajo. Me përpjekje të vendosura, më në fund e zvogëloi kohën që kalonte duke parë televizor dhe u bë më përzgjedhëse. «Përpiqem gjithnjë të kujtoj përse doja ta hiqja këtë zakon,—thotë Stela,—dhe mbështetem te Jehovai për të mbajtur vendosmërinë time.»
Një i krishterë me emrin Karalambos, flet për një zakon të keq që e pengoi të bënte përparim frymor: zakonin për t’i shtyrë gjërat. «Kur e kuptova se zakoni për t’i shtyrë gjërat për më vonë ishte i dëmshëm, fillova të punoja për të ndryshuar jetën time. Kur vija synime, planifikoja në mënyrë specifike kohën dhe mënyrën se si të filloja të punoja për t’i arritur ato. Ilaçi ishte rregullsia në zbatimin e vendimeve dhe të planeve dhe mbetet një zakon i mirë edhe tani.» Vërtet, zakonet e mira janë zëvendësimi më i mirë për ato të këqija.
Edhe personat me të cilët shoqërohemi mund të ndikojnë te ne që të zhvillojmë zakone, të mira ose të këqija. Zakonet e mira ngjiten po ashtu si edhe të këqijat. Njësoj si «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme», edhe shokët e mirë mund të na japin shembuj të zakoneve të mira për t’u imituar. (1 Korintasve 15:33) Ç’është më e rëndësishmja, zakonet mund të na e forcojnë ose të na e dobësojnë marrëdhënien që kemi me Perëndinë. Stela thotë: «Nëse kemi zakone të mira, ato na i bëjnë më të lehta përpjekjet për t’i shërbyer Jehovait. Nëse janë të dëmshme, na i pengojnë përpjekjet që bëjmë.»
Zhvilloni zakone të mira dhe lërini që t’ju udhëheqin. Ato do të jenë një forcë e fuqishme dhe e dobishme në jetën tuaj.
[Figura në faqen 19]
Ashtu si zjarri, zakonet mund të jenë të dobishme ose shkatërrimtare
[Figura në faqen 21]
Jezui e kishte zakon të ishte në sinagogë ditën e sabatit për të lexuar Fjalën e Perëndisë
[Figurat në faqen 22]
Zakonet e mira frymore na e forcojnë marrëdhënien me Perëndinë