Kapërcejini pengesat ndaj përparimit tuaj!
Kapërcejini pengesat ndaj përparimit tuaj!
MAKINËN e keni në marsh dhe motori punon, por ajo nuk lëviz nga vendi. Ndonjë problem mekanik? Jo, një gur i madh gjendet para njërës nga rrotat. Gjithçka që duhet për ta vënë në lëvizje makinën është të hiqni gurin.
Në mënyrë të ngjashme, disa që po studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait kanë pengesa të cilat mund t’ia zënë rrugën përparimit të tyre frymor. Për shembull, Jezui paralajmëroi se gjëra të tilla, si «ankthi i këtij sistemi dhe fuqia mashtruese e pasurisë», mund ta «mbytin fjalën» e së vërtetës dhe të pengojnë rritjen.—Mateu 13:22.
Disa të tjerëve përparimin ua bllokojnë zakonet ose dobësitë që janë pjesë e natyrës së tyre. Një burri nga Japonia me emrin Jutaka i pëlqente mesazhi i Biblës, por kishte një problem të rëndë me bixhozin. Ishte përpjekur shpesh ta mposhtte këtë ves të keq, por nuk ia kishte dalë mbanë. Nga ky ves kishte humbur një shumë të madhe parash, tri shtëpi, respektin e familjes së tij dhe vetë dinjitetin e tij. A do të mund ta hiqte këtë pengesë dhe të bëhej një i krishterë?
Ose mendoni për një grua me emrin Keiko. Me ndihmën e Biblës, ajo ishte liruar nga vese të tilla, si: idhujtaria, imoraliteti dhe parashikimi i fatit. Megjithatë, Keikoja pranon:
«Pengesa më e madhe për mua ishte duhani. U përpoqa shumë herë ta lija, por nuk ia dilja dot.»Ndoshta edhe ju mund të keni diçka që duket si një pengesë e palëvizshme, e cila ia ka zënë rrugën përparimit tuaj. Çfarëdo gjëje qoftë, jini të sigurt se me ndihmën e Perëndisë, mund ta kapërceni.
Kujtoni këshillën që Jezui u dha dishepujve të vet, pasi nuk ia kishin dalë të dëbonin një demon nga një burrë epileptik. Pasi ia doli mbanë aty ku ata kishin dështuar, ai u tha dishepujve: «Po të keni besim sa madhësia e një kokrre sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.» (Mateu 17:14-20; Marku 9:17-29) Po, një problem që ne mund të na duket si një mal shumë i lartë, për Krijuesin tonë të plotfuqishëm është mikroskopik dhe i papërfillshëm.—Zanafilla 18:14; Marku 10:27.
Përcaktimi i pengesave ndaj përparimit
Para se të mund t’i kapërceni pengesat, duhet të përcaktoni cilat janë ato pengesa. Si mund ta bëni këtë? Nganjëherë, një pjesëtar i kongregacionit, si për shembull, një plak ose personi që po studion Biblën me ju, do t’jua tërheqë vëmendjen ndaj diçkaje. Në vend që të lëndoheni nga kjo këshillë e dashur, duhet që me përulësi t‘i ‘dëgjoni këto mësime e të tregoheni të urtë’. (Fjalët e urta 8:33) Herë të tjera, mund të bëheni të vetëdijshëm për dobësitë tuaja nëpërmjet studimit të Biblës. Po, fjala e Perëndisë është «e gjallë dhe ushtron fuqi». (Hebrenjve 4:12) Leximi i Biblës dhe i botimeve të bazuara në Bibël mund të nxjerrë në pah mendimet, ndjenjat dhe motivet tuaja më të thella. Ju ndihmon ta matni veten sipas normave të larta të Jehovait. Zbulon dhe përcakton gjërat që mund t’jua pengojnë përparimin frymor.—Jakovit 1:23-25.
Për shembull, ta zëmë se një student i Biblës ka pasur vesin për të fantazuar gjëra imorale. Ai ndoshta mund të mos e shohë të dëmshme këtë, duke arsyetuar, se në të vërtetë, nuk po bën ndonjë gjë të gabuar. Gjatë studimit të tij, ndesh fjalët e Jakovit 1:14, 15, ku thuhet: «Secili sprovohet, duke u tërhequr dhe joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, kur është bërë pjellore, lind mëkatin; mëkati, nga ana e vet, kur është kryer, sjell vdekjen.» Tani e kupton se sa e dëmshme do të ishte për përparimin e tij të vazhdonte në këtë mënyrë! Si mund ta heqë këtë pengesë?—Marku 7:21-23.
Kapërcimi i pengesave
Ndoshta me ndihmën e një të krishteri të pjekur, studenti mund të bëjë ndonjë kërkim shtesë në Fjalën e Perëndisë, duke përdorur Treguesin e botimeve Watch Tower. * Për shembull, zëri «Mendimet» e drejton lexuesin në një numër artikujsh të botuar, të cilët tregojnë se si të kapërcehen fantazitë e dëmshme. Këta artikuj theksojnë shkrime të dobishme biblike, si Filipianëve 4:8, ku thuhet: «Çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.» Po, mendimet imorale duhen zëvendësuar me mendime të dëlira e ndërtuese.
Gjatë këtij kërkimi, pa dyshim, studenti do të zbulojë parime të tjera biblike që do ta ndihmojnë të mos e rëndojë më tej problemin e tij. Për shembull, Fjalët e urta 6:27 dhe Mateu 5:28 paralajmërojnë që të mos e ushqejmë mendjen me materiale provokuese nga ana seksuale. «Largoji sytë e mi nga gjërat e kota»,—u lut psalmisti. (Psalmi 119:37) Patjetër, vetëm leximi i këtyre shkrimeve biblike nuk mjafton. «Zemra e të drejtit mendon thellë»,—thotë njeriu i mençur. (Fjalët e urta 15:28) Duke menduar thellë jo vetëm se çfarë urdhëron Perëndia, por edhe përse e urdhëron këtë, studenti mund të arrijë të ketë një kuptueshmëri më të thellë të mençurisë dhe të arsyetueshmërisë së udhëve të Jehovait.
Psalmi 103:14) Lutjet e vazhdueshme që ai i bën Perëndisë për ndihmë, së bashku me përpjekjet e forta për të mos u ndalur në fantazitë imorale, në fund do të sjellin një përfundim shumë të dëshirueshëm: një ndërgjegje të pastër e të parënduar.—Hebrenjve 9:14.
Së fundi, ai që po përpiqet të kapërcejë këtë pengesë ndaj përparimit të tij, duhet t’i kërkojë lirisht ndihmë Jehovait. Në fund të fundit, Perëndia e njeh mirë përbërjen tonë, e di që jemi të papërsosur e që jemi bërë nga pluhuri. (Mos u dorëzoni!
Cilado qoftë vështirësia me të cilën po luftoni, duhet të kuptoni se nganjëherë ajo mund të ripërsëritet. Kur ndodh kjo gjë, është e natyrshme të ndihemi të shkurajuar e të zhgënjyer. Megjithatë, kujtoni fjalët te Galatasve 6:9, ku thuhet: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» Disa shërbëtorë të përkushtuar të Perëndisë, siç ishin Davidi dhe Pjetri, patën dështime poshtëruese. Por nuk u dorëzuan. Me përulësi i pranuan këshillat, bënë ndryshimet e nevojshme dhe vazhduan të jepnin prova se ishin shërbëtorë të shkëlqyer të Perëndisë. (Fjalët e urta 24:16) Me gjithë gabimet e Davidit, Jehovai e quajti atë «një njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë të gjitha gjërat që unë dëshiroj». (Veprat 13:22) Edhe Pjetri u mëkëmb nga gabimet që bëri dhe u bë një shtyllë në kongregacionin e krishterë.
Shumë veta sot kanë pasur një sukses të ngjashëm në kapërcimin e pengesave. Jutaka, i përmendur më sipër, e pranoi ftesën për një studim biblik. Ai tregon: «Përkrahja dhe bekimi i Jehovait në çdo hap që bëja përpara, më ndihmuan ta kapërceja problemin e bixhozit. Gjej shumë gëzim ngaqë provoj vërtetësinë e fjalëve të Jezuit: që, me besim, mund të lëvizen edhe ‘malet’.» Me kalimin e kohës, Jutaka u bë shërbëtor ndihmës në kongregacion.
Ç’të themi për Keikon, e cila nuk linte dot duhanin? Motra që po studionte me të e këshilloi të lexonte artikuj të ndryshëm nga revista Zgjohuni!, që flitnin për vesin e duhanit. Madje, Keikoja i vuri fjalët e 2 Korintasve 7:1 në makinën e saj, si një përkujtues të përditshëm për të qëndruar e pastër në sytë e Jehovait. Megjithatë, nuk arrinte ta linte duhanin. «Isha kaq e zhgënjyer nga vetja,—kujton Keikoja.—Kështu që fillova të pyetja veten çfarë dëshiroja me të vërtetë: dëshiroja t’i shërbeja Jehovait apo Satanait?» Pasi vendosi se dëshironte t’i shërbente Jehovait, ajo u lut me zjarr për ndihmë. «Për habinë time,—kujton ajo,—arrita ta lija duhanin pa shumë vuajtje. Më vjen keq vetëm që nuk e bëra më përpara këtë.»
Edhe ju mund t’ia dilni mbanë të kapërceni pengesat ndaj përparimit tuaj. Sa më shumë t’i pajtoni mendimet, dëshirat, fjalët dhe veprimet me normat e Biblës, aq më shumë do të fitoni një ndjenjë sigurie dhe respekti për veten. Vëllezërit frymorë dhe motrat frymore, si edhe familjarët do të freskohen dhe do të nxiten kur të shoqërohen me ju. Ç’është më e rëndësishmja, do ta thelloni marrëdhënien tuaj me Perëndinë Jehova. Ai premtoi se do t’i ‘hiqte pengesat nga rruga e popullit të tij’, kur këta i iknin kontrollit të Satanait. (Isaia 57:14) Veç kësaj, mund të jeni të sigurt se, nëse bëni përpjekje për t’i hequr e për t’i kapërcyer pengesat ndaj përparimit tuaj frymor, Jehovai do t’ju bekojë në mënyrë të pasur.
[Shënimi]
^ par. 12 Botuar në disa gjuhë nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 28]
Jezui premtoi se me besim, pengesat ngjashëm maleve do të kapërceheshin
[Figura në faqen 30]
Leximi i Biblës na forcon në përpjekjen për të kapërcyer të metat frymore