Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Ku ishte Danieli kur tre hebrenjtë u sprovuan para shëmbëlltyrës tejet të madhe që Nabukodonosori kishte ngritur në rrafshinën e Duras?
Bibla nuk e thotë, kështu që sot asnjëri nuk mund ta përcaktojë ku ishte Danieli gjatë asaj sprove.
Disa kanë hedhur idenë se rangu zyrtar i Danielit ose pozita e tij e favorshme para Nabukodonosorit ishte më e lartë se ajo e Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos dhe se, për këtë arsye, Danielit nuk i kërkohej të shkonte në rrafshinën e Duras. Është e vërtetë se Danieli 2:49 tregon që për njëfarë kohe, ai kishte pozitë më të lartë se ajo e tre shokëve të tij. Por nuk mund të provojmë se kjo gjë e përjashtonte nga kërkesa për t’u mbledhur bashkë me të tjerët para shëmbëlltyrës.
Duke u përpjekur të shpjegojnë mungesën e Danielit, të tjerë kanë thënë se ai mund të kishte qenë larg, me një caktim zyrtar ose që ishte sëmurë dhe nuk kishte mundësi të ishte i pranishëm. Megjithatë, Bibla nuk e thotë këtë. Sidoqoftë, qëndrimi i Danielit nuk duhet të ketë qenë i diskutueshëm, sepse po të kishte qenë i tillë, zyrtarët xhelozë babilonas, pa dyshim, do ta kishin përdorur këtë gjë për të ngritur akuza kundër tij. (Danieli 3:8) Si përpara, ashtu edhe pas këtij episodi, Danieli e tregoi veten se ishte një mbajtës i integritetit, besnik ndaj Perëndisë, pavarësisht nga sfidat që hasi. (Danieli 1:8; 5:17; 6:4, 10, 11) Prandaj, edhe pse Bibla nuk e thotë përse Danieli nuk ishte i pranishëm në rrafshinën e Duras, mund të jemi të sigurt se ishte besnik ndaj Perëndisë Jehova pa bërë kompromis.—Ezekieli 14:14; Hebrenjve 11:33.