Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Abrahami—Një shembull besimi

Abrahami—Një shembull besimi

Abrahami—Një shembull besimi

«[Abrahami ishte] ati i të gjithë atyre që kanë besim.»—ROMAKËVE 4:11.

1, 2. (a) Për çfarë kujtohet Abrahami nga të krishterët e vërtetë sot? (b) Përse Abrahami quhet «ati i të gjithë atyre që kanë besim»?

AI ISHTE paraardhësi i një kombi të fuqishëm, ishte profet, tregtar, udhëheqës. Gjithsesi, nga të krishterët e sotëm kujtohet më tepër për cilësinë që e shtyu Perëndinë Jehova ta shihte si një mik: besimi i tij i palëkundur. (Isaia 41:8; Jakovit 2:23) Emri i tij ishte Abraham dhe Bibla e quan ‘atin e të gjithë atyre që kanë besim’.—Romakëve 4:11.

2 A nuk treguan besim edhe burra të tjerë para Abrahamit, siç ishin Abeli, Enoku dhe Noeja? Po, por me Abrahamin u bë besëlidhja për të bekuar gjithë kombet e tokës. (Zanafilla 22:18) Kështu, ai u bë në mënyrë të figurshme ati i të gjithë atyre që do të tregonin besim në Farën e premtuar. (Galatasve 3:8, 9) Në njëfarë kuptimi, Abrahami mund të quhet ati ynë, sepse besimi i tij shërben si shembull për t’u imituar. E gjithë jeta e tij mund të shihet si një shfaqje e besimit, pasi ishte një jetë me sprova të shumta. Në të vërtetë, shumë kohë para se të ballafaqohej me atë që mund të quhet sprova më e madhe e besimit të tij—urdhri për të ofruar birin e vet, Isakun—Abrahami e provoi besimin e vet në shumë sprova më të vogla. (Zanafilla 22:1, 2) Le të shqyrtojmë tani disa nga ato sprova të hershme të besimit dhe të shohim çfarë mësimesh mund të nxjerrim sot prej tyre.

Urdhri për t’u larguar nga Uri

3. Çfarë na thotë Bibla për prejardhjen e Abramit?

3 Bibla e përmend në fillim Abramin (më vonë i njohur si Abraham) te Zanafilla 11:26, ku thuhet: «Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.» Abrami ishte pasardhës i Semit me frikë Perëndie. (Zanafilla 11:10-24) Sipas Zanafillës 11:31, Abrami jetonte me familjen e tij në ‘Urin e kaldeasve’, një qytet i begatë që një kohë ndodhej në lindje të lumit Eufrat. * Pra, nuk u rrit si një nomad duke jetuar nëpër tenda, por si banor qyteti, në një vend që të vinte përpara shumë pasuri e rehati. Në pazaret e Urit mund të bliheshin të mira materiale të importuara. Në rrugët e tij radhiteshin shtëpi të lyera me gëlqere, me nga 14 dhoma, të pajisura me sistem të brendshëm hidraulik.

4. (a) Çfarë sfidash paraqiste Uri për adhuruesit e Perëndisë së vërtetë? (b) Si arriti Abrami të tregonte besim te Jehovai?

4 Me gjithë përfitimet materiale, Uri paraqiste një sfidë të madhe për këdo që dëshironte t’i shërbente Perëndisë së vërtetë. Ai ishte një qytet i zhytur thellë në idhujtari dhe besëtytni. Dhe, vërtet, pamjen e tij e mbizotëronte një kullë e lartë zigurat, për nder të perëndisë-hënë Nana. Pa dyshim, Abramit duhet t’i jetë bërë shumë presion që të merrte pjesë në këtë adhurim degradues e, ndoshta, kjo përfshinte edhe presionet nga disa familjarë. Sipas disa traditave judaike, thuhet që vetë babai i Abramit, Terahu, bënte idhuj. (Jozueu [Josiu] 24:2, 14, 15) Sidoqoftë, Abrami nuk ishte praktikues i adhurimit të rremë degradues. Stërgjyshi i tij i moshuar, Semi, ishte ende gjallë dhe, pa dyshim, e ndante me të tjerët njohurinë që kishte për Perëndinë e vërtetë. Për pasojë, Abrami tregoi besim te Jehovai e jo te Nana.—Galatasve 3:6.

Një sprovë besimi

5. Cilin urdhër dhe premtim i dha Perëndia Abramit, kur ky ishte ende në Ur?

5 Besimi i Abramit do të vihej në provë. Perëndia iu shfaq atij dhe e urdhëroi: «Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.»—Zanafilla 12:1-3; Veprat 7:2, 3.

6. Përse Abramit i duhej besim i vërtetë që të largohej nga Uri?

6 Abrami ishte i moshuar e pa fëmijë. Si do të ndodhte që nga ai do të bëhej ‘një komb i madh’? Veç kësaj, ku ishte saktësisht ky vend në të cilin u urdhërua të shkonte? Perëndia nuk ia tha në atë kohë. Prandaj, Abramit i duhej besim i vërtetë që të largohej nga Uri i begatë me tërë rehatitë që i vinte përpara. Libri Familja, dashuria dhe Bibla, vëren lidhur me kohët e lashta: «Ndëshkimi më i rëndë që mund t’i jepej një familjari, i cili bëhej fajtor për ndonjë krim të rëndë, ishte ta dëbonin, t’i mohonin ‘anëtarësinë’ në familje. . . . Ja përse, kur Abrahami, duke ndjekur thirrjen hyjnore, u largua jo vetëm nga vendi i tij, por edhe nga të afërmit, ishte vërtet një shfaqje e jashtëzakonshme e bindjes së tij të padiskutueshme.»

7. Në ç’mënyrë të krishterët sot mund të hasin sprova si ato që hasi Abrami?

7 Sot, të krishterët mund të hasin sprova të ngjashme. Ashtu si Abrami, mund të jemi nën presion për t’i vënë interesat materiale para atyre teokratike. (1 Gjonit 2:16) Mund të kemi kundërshtim nga familjarët jobesimtarë, duke përfshirë edhe të afërm të përjashtuar, të cilët mund të përpiqen të na joshin për t’u përfshirë në shoqëri jo të shëndetshme. (Mateu 10:34-36; 1 Korintasve 5:11-13; 15:33) Prandaj, Abrami është një shembull i shkëlqyer për ne. Miqësinë me Jehovain ai e vuri para çdo gjëje, madje, edhe para lidhjeve familjare. Nuk e dinte me saktësi se si, kur ose ku do të përmbusheshin premtimet e Perëndisë, por, gjithsesi, ishte i gatshëm ta mbështeste jetën e tij tek ato premtime. Sa nxitje e shkëlqyer është kjo për ne sot, që ta vëmë Mbretërinë në vend të parë në jetën tonë!—Mateu 6:33.

8. Çfarë ndikimi pati besimi i Abramit te rrethi i tij i ngushtë familjar dhe çfarë mund të mësojnë të krishterët nga kjo?

8 Ç’të themi për rrethin e ngushtë familjar të Abramit? Nga sa duket, besimi dhe bindja e Abramit pati ndikim shumë të madh tek ata, sepse, si e shoqja, Saraja, ashtu edhe nipi i tij i mbetur jetim, Loti, u ndien të nxitur t’i bindeshin thirrjes së Perëndisë dhe të largoheshin nga Uri. Më vonë, vëllai i Abramit, Nahori dhe disa nga pasardhësit e tij u larguan nga Uri dhe u vendosën me banim në Haran, ku adhuruan Jehovain. (Zanafilla 24:1-4, 10, 31; 27:43; 29:4, 5) Madje, edhe i ati i Abramit, Terahu, pranoi të ikte bashkë me të birin! Kështu, Bibla ia jep Terahut, si kreu i familjes, meritën për transferimin që bënë drejt Kanaanit. (Zanafilla 11:31) A nuk mund të arrijmë edhe ne njëfarë suksesi, nëse me takt u japim dëshmi të afërmve tanë?

9. Çfarë përgatitjesh duhej të bënte Abrami për udhëtimin e tij dhe përse këto mund të kenë përfshirë disa sakrifica?

9 Para se të nisej për udhëtim, Abrami kishte shumë punë për të bërë. Duhej të shiste pronat dhe të mirat materiale e të blinte tenda, deve, ushqim dhe pajisje që do t’i duheshin. Ndoshta Abrami mund të ketë pësuar humbje financiare duke i bërë përgatitjet me kaq nxitim, por ishte i kënaqur t’i bindej Jehovait. Çfarë dite e rëndësishme duhet të ketë qenë kur përgatitjet kishin mbaruar dhe karvani i Abramit qëndronte jashtë mureve të Urit, gati për udhëtim! Duke ndjekur harkun që bënte lumi Eufrat, karvani udhëtoi në drejtim të veriperëndimit. Pasi kaluan javë në udhëtim, duke përshkuar rreth 1.000 kilometra, mbërritën në një qytet të Mesopotamisë Veriore me emrin Haran, një pikë kryesore ndalese për karvanet.

10, 11. (a) Përse mund të ketë qëndruar Abrami në Haran për njëfarë kohe? (b) Si mund t’u japim zemër të krishterëve që kujdesen për prindërit e tyre të moshuar?

10 Abrami u vendos me banim në Haran, ndoshta duke marrë parasysh moshën e shkuar të të atit, Terahut. (Levitiku 19:32) Edhe sot, shumë të krishterë kanë privilegjin të kujdesen për prindërit e tyre të moshuar ose të sëmurë dhe disave, madje, u duhet të bëjnë ndonjë rregullim, që të merren me këtë punë. Kur del nevoja për këtë rregullim, këta të krishterë mund të jenë të sigurt se sakrificat e tyre të dashura janë ‘të pranueshme në sy të Perëndisë’.—1 Timoteut 5:4.

11 Kaluan kohë. «Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.» Patjetër, Abrami u hidhërua nga kjo humbje, por, kur mbaroi periudha e vajtimit, ai u nis menjëherë. «Abrami ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç kur u nis nga Harani. Dhe Abrami mori me vete Sarajn, gruan e tij, dhe Lotin, birin e të vëllait, dhe të gjithë pasurinë që kishin grumbulluar dhe personat që kishin blerë në Haran, dhe u nisën për të vajtur në vendin e Kanaanëve.»—Zanafilla 11:32; 12:4, 5.

12. Çfarë bëri Abrami gjatë kohës që jetoi në Haran?

12 Është me interes të vërejmë se kur ishte në Haran, Abrami ‘grumbulloi pasuri’. Ndonëse kishte bërë sakrifica nga ana materiale për t’u larguar nga Uri, Abrami u largua nga Harani si njeri i pasur. Qartë, kjo erdhi për shkak të bekimit të Perëndisë. (Predikuesi [Eklisiastiu] 5:19) Ndonëse Perëndia nuk i premton pasuri gjithë popullit të tij sot, ai e mban premtimin e tij që t’u plotësojë nevojat atyre që «lënë shtëpi, ose vëllezër, ose motra» për hir të Mbretërisë. (Marku 10:29, 30) Abrami, gjithashtu, ‘bleu persona’, domethënë një numër të madh shërbëtorësh. Targumi i Jerusalemit dhe Parafrazimi Kaldeas thonë se Abrami ‘bëri prozelitë’. (Zanafilla 18:19) A ju shtyn edhe juve besimi që t’u flitni fqinjëve, shokëve të punës ose shokëve të shkollës? Në vend që të rehatohej dhe ta harronte urdhrin e Perëndisë, Abrami e kishte përdorur në mënyrë frytdhënëse kohën që kaloi në Haran. Por, tani kjo kohë kishte mbaruar. «Atëherë Abrami u nis siç i kishte thënë Zoti.»—Zanafilla 12:4.

Përtej Eufratit

13. Kur e kapërceu Abrami lumin Eufrat dhe cila ishte domethënia e këtij veprimi?

13 Përsëri Abramit i duhej të udhëtonte. Duke lënë pas Haranin, karvani i tij u drejtua për nga perëndimi, duke udhëtuar rreth 90 kilometra. Ndoshta, Abrami ndaloi në një pikë të Eufratit, përballë së cilës, nga ana tjetër, gjendej qendra e lashtë tregtare e Karkemishit. Ky ishte një vend kryesor ku kalonin karvanet. * Në cilën datë e kapërceu lumin karvani i Abramit? Bibla tregon se ndodhi 430 vjet para daljes së judenjve nga Egjipti më 14 nisan të vitit 1513 p.e.s. Tek Eksodi (Dalja) 12:41 thuhet: «Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit.» Pra, me sa duket, besëlidhja abrahamike hyri në fuqi më 14 nisan të vitit 1943 p.e.s., kur Abrami e kapërceu i bindur Eufratin.

14. (a) Çfarë mund të shihte Abrami me sytë e besimit? (b) Në cilin kuptim populli i Perëndisë sot është më i bekuar se Abrami?

14 Abrami kishte lënë pas një qytet të begatë. Megjithatë, tani mund ta përfytyronte me mendje «qytetin që ka themele të vërteta», një qeveri të drejtë për njerëzimin. (Hebrenjve 11:10) Po, ndonëse kishte shumë pak të dhëna, Abrami kishte filluar të krijonte një ide të përgjithshme të qëllimit të Perëndisë për të shpenguar njerëzimin e vdekshëm. Sot, ne jemi të bekuar, sepse kemi një kuptueshmëri shumë më të madhe sesa Abrami për qëllimet e Perëndisë. (Fjalët e urta 4:18) ‘Qyteti’ ose qeveria e Mbretërisë, për të cilën shpresonte Abrami, tani është një realitet, një qeveri e vendosur në qiej që nga viti 1914. Prandaj, a nuk duhet të nxitemi të bëjmë vepra që tregojnë besim dhe siguri te Jehovai?

Fillon qëndrimi i përkohshëm në Tokën e Premtuar

15, 16. (a) Përse Abramit i duhej guxim që të ndërtonte një altar për Jehovain? (b) Në ç’mënyrë të krishterët sot mund të jenë të guximshëm si Abrami?

15 Te Zanafilla 12:5, 6 na thuhet: «Kështu ata arritën në vendin e Kanaanit. Abrami e kapërceu vendin deri te lokaliteti i Sikemit, deri tek lisi i Morehut.» Sikemi ndodhej 50 kilometra në veri të Jerusalemit dhe gjendej në një luginë pjellore që është përshkruar si «parajsa e tokës së shenjtë». Gjithsesi, «në atë kohë ndodheshin në atë vend Kanaanejtë». Meqë kananejtë ishin të shthurur nga ana morale, Abramit do t’i duhej të bënte çmos për ta mbrojtur familjen e tij nga ndikimi i tyre korruptues.—Eksodi 34:11-16.

16 Për herë të dytë, «u shfaq Zoti përpara Abramit dhe i tha: ‘Unë do t’ja jap këtë vend pasardhësve të tu’.» Sa drithëruese! Sigurisht, Abramit i duhej besim që të gëzohej për diçka të cilën do ta kishin vetëm pasardhësit e tij të ardhshëm. Megjithatë, si përgjigje, Abrami «i ndërtoi aty një altar Zotit që i ishte shfaqur». (Zanafilla 12:7) Një studiues biblik jep këtë mendim: «Ngritja e një altari në atë vend ishte, në të vërtetë, një mënyrë për ta marrë në zotërim vendin, në bazë të së drejtës së siguruar nëpërmjet ushtrimit të besimit të tij.» Veç kësaj, ndërtimi i një altari të tillë ishte edhe një veprim i guximshëm. Pa dyshim, ky altar ishte i llojit që më vonë u specifikua në besëlidhjen e Ligjit, i përbërë nga gurë natyrorë (të palatuar). (Eksodi 20:24, 25) Do të ishte shumë i ndryshëm nga pamja me altarët që përdornin kananejtë. Kështu, Abrami mbajti një qëndrim të guximshëm para të tjerëve si adhurues i Perëndisë së vërtetë, Jehovait, duke e ekspozuar veten ndaj keqdashjes së njerëzve e ndoshta edhe ndaj rrezikut nga ana fizike. Ç’të themi për ne sot? A na ndodh disave prej nesh—e në veçanti të rinjve—që të frenohemi e të mos u tregojmë fqinjëve ose shokëve të shkollës se adhurojmë Jehovain? Shembulli i guximshëm i Abramit le të na nxitë të gjithëve që të krenohemi për faktin se jemi shërbëtorë të Jehovait!

17. Si e tregoi Abrami se ishte një predikues i emrit të Perëndisë dhe çfarë u kujton kjo të krishterëve sot?

17 Kudo që shkonte Abrami, adhurimi i Jehovait për të kishte gjithnjë përparësi. «Së këtejmi u zhvendos drejt malit në lindje të Bethelit dhe ngriti çadrat e tij, duke pasur Bethelin në jug [perëndim, BR] dhe Ainë në lindje; dhe ndërtoi aty një altar kushtuar Zotit dhe i bëri thirrje emrit të Zotit.» (Zanafilla 12:8) Fraza hebraike «i bëj thirrje emrit» do të thotë edhe «shpall (predikoj) emrin». Pa dyshim, Abrami e shpalli me guxim emrin e Jehovait ndër fqinjët e tij kananej. (Zanafilla 14:22-24) Kjo na kujton detyrën tonë për të pasur një pjesëmarrje sa më të gjerë që të jetë e mundur në ‘deklarimin publik të emrit të tij’ sot.—Hebrenjve 13:15; Romakëve 10:10.

18. Çfarë marrëdhëniesh kishte Abrami me banorët e Kanaanit?

18 Në asnjë nga ato vendndalime Abrami nuk qëndroi për shumë kohë. «Pastaj Abrami filloi një udhëtim, duke vazhduar të zhvendoset në drejtim të Negevit», zonës gjysmë të thatë në jug të maleve të Judës. (Zanafilla 12:9) Duke qenë gjithnjë në lëvizje dhe duke e bërë të njohur veten si adhurues i Jehovait në çdo vend të ri ku shkonte, Abrami dhe shtëpia e tij «shpallën publikisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend». (Hebrenjve 11:13) Gjatë gjithë kësaj kohe, ata nuk u afruan tepër me fqinjët e tyre paganë. Të krishterët sot, në mënyrë të ngjashme, duhet të vazhdojnë ‘të mos jenë pjesë e botës’. (Gjoni 17:16) Ndonëse jemi dashamirës dhe të sjellshëm me fqinjët dhe me kolegët në punë, bëjmë kujdes që të mos biem në kurthin e sjelljes që pasqyron frymën e botës së larguar nga Perëndia.—Efesianëve 2:2, 3.

19. (a) Përse jetesa si nomadë do të kishte paraqitur sfida për Abramin dhe Sarajën? (b) Çfarë sfidash të tjera i kanoseshin në horizont Abramit?

19 Nuk duhet të harrojmë se përshtatja me vështirësitë e jetesës si nomadë nuk do të ketë qenë e lehtë as për Abramin, as për Sarajën. Ata hanin produktet e kopeve të tyre në vend të ushqimit të blerë në ndonjë nga pazaret shumë të furnizuara të Urit. Jetonin në tenda, në vend që të kishin një shtëpi të ndërtuar mirë. (Hebrenjve 11:9) Ditët e Abramit ishin të mbushura me punë, pasi kishte shumë për të bërë në administrimin e kopeve dhe të shërbëtorëve të tij. Pa dyshim, Saraja merrej me punët që tradicionalisht bënin gratë në atë kulturë: mbrunte miellin, piqte bukën, tirrte leshin dhe qepte veshje. (Zanafilla 18:6, 7; 2 Mbretërve 23:7; Fjalët e urta 31:19; Ezekieli 13:18) Megjithatë, në horizont kanoseshin sprova të reja. Së shpejti, Abrami dhe familja e tij do të përballonin një rrethanë që vuri në rrezik vetë jetën e tyre. A do të ishte aq i fortë besimi i Abramit, sa të përballonte këtë sfidë?

[Shënimet]

^ par. 3 Ndonëse në ditët e sotme Eufrati rrjedh afro gjashtëmbëdhjetë kilometra më në lindje të vendit ku më parë gjendej Uri, dëshmitë tregojnë se në kohët e lashta, lumi rridhte tamam në perëndim të qytetit. Kështu, më vonë për Abramin mund të thuhej se vinte nga «ana tjetër e lumit [Eufrat]».—Jozueu 24:3.

^ par. 13 Shekuj më vonë, mbreti asirian Asurnasirpali II përdori trape për të kapërcyer lumin Eufrat afër Karkemishit. Bibla nuk e thotë nëse Abramit i është dashur t’i ndërtojë vetë këto mjete ose nëse ai dhe karvani i tij vetëm sa çanë përmes lumit duke kaluar në anën tjetër.

A e keni vënë re?

• Përse Abrami quhet «ati i të gjithë atyre që kanë besim»?

• Përse Abrahamit iu desh besim që të largohej nga Uri i kaldeasve?

• Si e tregoi Abrami se i jepte përparësi adhurimit të Jehovait?

[Pyetjet]

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

UDHËTIMI I ABRAMIT

Uri

Harani

Karkemishi

KANAANI

Deti i Madh

[Burimi]

Bazuar në një hartë me të drejta të rezervuara nga Pictorial Archive (Near Eastern History) Est. and Survey of Israel

[Figura në faqen 15]

Abramit iu desh besim për të lënë rehatitë që i vinte përpara jeta në Ur

[Figura në faqen 18]

Duke jetuar në tenda, Abrami dhe familja e tij «shpallën publikisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm»